LIGJI PËR MBROJTJEN E DRUFRUTORËVE - Nr. 7929, datë 11.5.1995

User avatar
Libraria UBT
Posts: 96
Joined: 06 Jul 2015, 19:54
Rreth Jush: Libraria Universitare e UBT-së është një subjekt shërbimi i specializuar në shpërndarjen e librit, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. E kryen këtë aktivitet që nga viti 1998.

Qellimi i saj është promovimi dhe shpërndarja e librave që kanë si objekt fushat e studimeve universitare të UBT-së, për studentët dhe të interesuarit e tjerë.
Misioni: Të bëhet një pikë gjithnjë e më atraktive për shpërndarjen e librit me profil bujqësine, agrobiznesin, ekonominë, mjedisin, veterinarinë, bioteknologjinë, ushqimin dhe pyjet, për studentët e UBT-së, stafin dhe të interesuarit e tjerë të këtyre fushave.

Libraria Universitare e UBT-së, ofron për studentët dhe lexuesit libra në fushat: Sociologji, Drejtësi, Personalitete, Filozofi, Psikologji, Fjalorë, Histori, Letërsi artistike etj.

LIGJI PËR MBROJTJEN E DRUFRUTORËVE - Nr. 7929, datë 11.5.1995

Postby Libraria UBT » 30 Jul 2015, 18:28

LIGJI PËR MBROJTJEN E DRUFRUTORËVE - Nr. 7929, datë 11.5.1995

Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr. 7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërisë V E N D O S I:


KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME


Neni 1
Qëllimi i këtij ligji është mbrojtja e drufrutorëve nga dëmtimet mekanike, të qëllimshme ose jo, nga çdo subjekt fizik e juridik vendas a i huaj.



KREU II
PËRCAKTIME


Neni 2
Në këtë ligj do të përdoren këto përcaktime:

“Sipërfaqe me drufrutorë” është toka bujqësore e mbjellë me pemë frutore, agrume, ullinj e vreshta që janë regjistruar si të tilla në kadastër.
“Pemëtore” janë tokat e mbjella me pemë frutore dhe agrume që plotësojnë sipas specieve mbi 50 për qind të numrit minimal të bimëve për njësinë e sipërfaqes sipas projektit teknologjik.
“Ullishte” janë tokat e mbjella me ullinj që kanë mbi 50 për qind të numrit minimal të bimëve për njësinë e sipërfaqes.
“Vreshtat” janë tokat e mbjella me hardhi që kanë mbi 50 për qind të numrit minimal të bimëve për njësinë e sipërfaqes.
“Pemëtore e degraduar” janë pemishtet, ullishtet e vreshtat që për arsye moshe, mungesë shërbimesh ose faktorësh klimatikë e biologjikë, bimët janë dëmtuar rëndë dhe masat agroteknike të mundshme nuk mund të bëjnë ripërtëritjen e tyre, deri në nivelin e prodhimit të leverdisshëm.


KREU III
FONDI I DRUFRUTORËVE DHE RREGJISTRIMI I TYRE


Neni 3
Fondi drufrutor përbëhet nga pemët frutore, hardhitë e vreshtave, agrumet dhe ullinjtë e mbjellë me blloqe ose të shpërndarë.

Neni 4
Inventarizimi dhe kadastrimi i drufrutorëve, si dhe ndryshimet e gjendjes së tyre, bëhen sipas rregullores së veçantë të ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit.


KREU IV
MBROJTJA E DRUFRUTORËVE


Neni 5
Pemët frutore, vreshtat, agrumet dhe ullishtet, pavarësisht se në pronësi të kujt janë, janë pasuri kombëtare dhe mbrohen me ligj nga shteti.

Neni 6
Personat fizikë a juridikë, vendas a të huaj, në bashkëpunim ose jo ndërmjet tyre, të cilët kanë në pronësi a përdorim fond drufrutorësh në blloqe ose të shpërndara, janë të detyruar të sigurojnë mbrojtjen e tyre nga prerjet ose dëmtime të tjera fizike.

Neni 7
Prerja e drufrutorëve dhe ndryshimi i destinacionit të tokës nga pemëtore në tokë arë, nga pronarët bëhet vetëm në këto raste:

1 - Pemëtorja, për arsye fizike e biologjike, është e degraduar dhe investimet e mundshme për ripërtëritjen e saj do të jenë pa interes ekonomik për subjektin që e ka në pronësi.
2 - Subjekti që e ka në pronësi pemtoren për arsye ekonomike do të ndryshojë destinacionin e tokës nga pemëtore në tokë arë.
Në dy rastet e mësipërme subjekti përkatës paraqet projekt rikonstruksioni dhe kërkohet miratimi nga organet kompetente të bujqësisë në rreth sipas nenit 8.
3 - Bimët janë dëmtuar rëndë ose janë tharë si pasojë e faktorëve klimatikë, biologjikë a të moshës.
4 - Në pemëtore janë parashikuar të ndërtohen objekte publike shtetërore ose private.

Neni 8
Prerja e drufrutoreve sipas pikave 1, 2, 3 e 4 të nenit 7 të këtij ligji bëhet vetëm me leje nga organet përkatëse të bujqësisë dhe konkretisht:
1 - Për pemët sporadike dhe ato në pemishte, si dhe për vreshtin deri në 0.1 ha nga specialisti i degës së bujqësisë në komunë. Mbi 0.1 ha nga drejtoria e bujqësisë dhe e ushqimit në rreth. Përjashtim bën prerja e arrës, për ç’ka të drejtën ekskluzive e ka Drejtoria e Bujqësisë dhe e Ushqimit në rreth.
2 - Për ullinj të veçuar leja jepet nga drejtoria përkatëse në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit, me propozim të drejtorisë së bujqësisë në rreth.
3 - Koleksionet e pemëve frutore, agrumeve, ullinjve dhe vreshtave, si dhe bimët e vetmuara që kanë vlera të veçanta gjenetike, priten vetëm me miratim të drejtorisë së prodhimit bimor në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit e të Institutit të Pemëtarisë e Vreshtave.
4 - Për hardhitë e veçuara në tenda ose në ereke nuk kërkohet leje nga organet shtetërore.


Neni 9
Kriteret për verifikimet dhe për dhënien e lejes nga specialisti i degës i drejtorisë ose i ministrisë përcaktohen në rregulloren e ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit.
Për zbatimin e kritereve të vlerësimit dhe të dhënies së lejes specialisti mban përgjegjësi, sipas rastit, disiplinore ose penale.

Neni 10
Çdo person juridik e fizik që ka në pronësi a përdorim një fond drufrutorësh, për të cilët kërkohet prerja e kushtëzuar sipas nenit 7 të këtij ligji, bën kërkesë me shkrim në degën e bujqësisë në komunë, që është e detyruar të dërgojë jo më vonë se 15 ditë specialistin për të verifikuar në vend dhe për të bëre veprimet përkatëse për lejimin ose moslejimin e prerjes.

Neni 11
Vlerësimi i drufrutorëve

Për efekt kompensimi të personave, kur drufrutorët priten për shkak se do të ndërtohen objekte ndërtimore publike, dhe për dëmtimet me dashje ose nga pakujdesia përcaktohet vlera reale e tyre.
Kjo vlerë përcaktohet nga specialisti i degës së bujqësisë në komunë ose nga grupi i specialistëve të drejtorisë së bujqësisë dhe ushqimit në rreth. Kufijtë e kompetencave dhe kriteret e vlerësimit përcaktohen në rregulloren e Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit.

Neni 12
Prerja e drufrutorëve në pemëtore, ullishte e vreshta, pasi është refuzuar më parë leja për prerjen e tyre nga organet kompetente, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë deri në 5-fishin e masës së dëmit, ose me heqje lirie gjer në 30 ditë.
Të drejtën e gjobës e kanë specialistët e degës së bujqësisë në komunë dhe të drejtorisë së bujqësisë në rreth, si dhe personat e tjerë të ngarkuar e të autorizuar nga ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit.
Proçedura e shqyrtimit të kundërvajtjeve administrative dhe ankimi kundër vendimit të dënimit bëhet sipas ligjit nr. 7697, datë 7.4.1993 “Për kundërvajtjet administrative”.

Neni 13
Kur drufrutorët dëmtohen me dashje ose nga pakujdesia dhe për nga përmasat dëmi përbën vepër penale, dëmtuesi dënohet sipas dispozitave të kodit penal.

Neni 14
Për zbatimin e dispozitave të këtij ligji, organet e bujqësisë në rreth e komunë, kur është e nevojshme, kërkojnë ndihmën dhe mbështetjen nga organet e rendit publik a të zyrës së përmbarimit në rreth, të cilat janë të detyruara t’i mbështesin ato.

Neni 15
Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit ngarkohet të nxjerrë në zbatim të këtij ligji, rregulloren përkatëse për mbrojtjen e drufrtutorëve.

Neni 16
Aktet ligjore dhe nënligjore ekzistuese për mbrojtjen e drufrutorëve shfuqizohen.

Neni 17
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.


Shpallur me dekretin nr. 1102, datë 24.5.1995 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha.

Share This


0
0
0
Loading...

Return to “Legjislacion - Bujqësia dhe Mjedisi”

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 1 guest