LIGJI PËR ZONAT E MBROJTURA - Nr. 8906, datë 6.6.2002

User avatar
Libraria UBT
Posts: 96
Joined: 06 Jul 2015, 19:54
Rreth Jush: Libraria Universitare e UBT-së është një subjekt shërbimi i specializuar në shpërndarjen e librit, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. E kryen këtë aktivitet që nga viti 1998.

Qellimi i saj është promovimi dhe shpërndarja e librave që kanë si objekt fushat e studimeve universitare të UBT-së, për studentët dhe të interesuarit e tjerë.
Misioni: Të bëhet një pikë gjithnjë e më atraktive për shpërndarjen e librit me profil bujqësine, agrobiznesin, ekonominë, mjedisin, veterinarinë, bioteknologjinë, ushqimin dhe pyjet, për studentët e UBT-së, stafin dhe të interesuarit e tjerë të këtyre fushave.

Libraria Universitare e UBT-së, ofron për studentët dhe lexuesit libra në fushat: Sociologji, Drejtësi, Personalitete, Filozofi, Psikologji, Fjalorë, Histori, Letërsi artistike etj.

LIGJI PËR ZONAT E MBROJTURA - Nr. 8906, datë 6.6.2002

Postby Libraria UBT » 30 Jul 2015, 19:02

LIGJI PËR ZONAT E MBROJTURA - Nr. 8906, datë 6.6.2002

I azhurnuar me:
Ligjin nr.9868, datë 04.02.2008


Në mbështetje të neneve 78, 81 pika 1 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:


Neni 1
Objekti i ligjit

Ky ligj ka për objekt shpalljen, ruajtjen, administrimin, menaxhimin dhe përdorimin e qëndrueshëm të zonave të mbrojtura dhe të burimeve natyrore e biologjike të tyre; lehtësimin e kushteve për zhvillimin e turizmit mjedisor; për informimin dhe edukimin e publikut dhe për përfitime ekonomike, të drejtpërdrejta dhe të tërthorta, nga popullsia vendore, nga sektori publik dhe privat.

Neni 2
Qëllimi i ligjit

1. Qëllimi i këtij ligji është të sigurojë mbrojtje të veçantë të përbërësve të rëndësishëm të rezervave natyrore, të biodiversitetit dhe të natyrës, në tërësi, nëpërmjet krijimit të zonave të mbrojtura.
2. Zonat e mbrojtura krijohen për të siguruar ruajtjen dhe ripërtëritjen e habitateve natyrore, të llojeve, të rezervave dhe të peizazheve natyrore.
3. Ky ligj rregullon mbrojtjen e 6 kategorive të zonave të mbrojtura, që zbatohen në territorin e Republikës së Shqipërisë. Kategorizimi i zonave, statusi dhe niveli i mbrojtjes për secilën zonë mbështetet në kriteret e Qendrës Botërore të Ruajtjes së Natyrës (IUCN).

Neni 3
Përcaktimi i termave

Në kuptim të këtij ligji:
1. “Zona të mbrojtura” shpallen territore tokësore, ujore, detare e bregdetare të caktuara për mbrojtjen e diversitetit biologjik, të pasurive natyrore dhe kulturore, bashkëshoqëruese, të cilat menaxhohen me rrugë ligjore dhe me metoda shkencore bashkëkohore.
2. “Shumëllojshmëria biologjike” (tani e tutje “biodiversiteti”) nënkupton larminë gjenetike, të llojeve dhe ekosistemeve.
2.1. “Larmia gjenetike” nënkupton tërësinë e gjeneve brenda popullatës (popullatave) së një lloji të dhënë, të egër ose të zbutur. Ajo përfshin popullata të ndryshme të të njëjtit lloj ose ndryshueshmërinë gjenetike brenda një popullate.
2.2. “Larmia e llojeve” nënkupton tërësinë e llojeve, të bimëve dhe të kafshëve.
2.3. “Larmia e ekosistemeve” nënkupton tërësinë e tipeve të ekosistemeve.
3. “Sistem territorial i qëndrueshmërisë ekologjike të një peizazhi” është një kompleks i integruar së brendshmi i ekosistemeve natyrore dhe të ndryshuara, i aftë të ruajë qëndrueshmëri natyrore.
4. “Bioqendër” (qendra e biodiversitetit) është pjesa e peizazhit, ku sigurohen kushte afatgjata për riprodhimin dhe veprimtaritë jetësore të organizmave dhe për zhvillimin natyror të bashkësive të tyre.
5. “Biokorridor” (korridor biologjik) është segmenti i peizazhit, që lidh bioqendrat dhe mundëson migrimin e organizmave e të bashkësive të tyre, si dhe shkëmbimin e të dhënave gjenetike ndërmjet tyre.
6. “Habitat” është mjedisi i disa individëve bimorë ose shtazorë, i popullatave ose i bashkësive të tyre.
7. “Peizazh” është pjesë territori (përfshirë edhe hapësira detare e bregdetare), me karakteristika të veçanta të relievit, formuar nga një kompleks ekosistemesh të integruar në mënyrë funksionale, përfshirë edhe elementë të qytetërimit.
8. “Shpellë”, sipas këtij ligji, është një zgavër/hapësirë nëntokësore, më e gjatë se 5 m, e krijuar në kushte natyrore nën veprimin e faktorëve me origjinë joorganike.
9. “Shpellë vertikale” nënkupton hapësirën vertikale nëntokësore, e cila është më e thellë se 5 m.
10. “Ujëvarë natyrore” nënkupton një formacion ku uji, nën veprimin e forcave të natyrës, pa ndërhyrjen e njeriut, bie në shtratin e vet lumor nga një lartësi jo më pak se 1 m.
11. “Kanion” nënkupton një grykë të thellë, me shpate të rëna thikë, të krijuar nga proceset fiziko-natyrore, në bazën e së cilës, përgjithësisht, rrjedhin ujërat sipërfaqësore.
12. “Element i rëndësishëm i peizazhit” është një pjesë e peizazhit me vlera mjedisore, gjeomorfologjike ose estetike, që mbart një pamje tipike të peizazhit ose ndihmon në qëndrueshmërinë ekologjike të tij.
13. “Zonë buferike” quhet hapësira e kufizuar, në periferi të zonës së mbrojtur, që shërben për parandalimin ose zbutjen e ndikimeve ekologjikisht të dëmshme në mjediset dhe elementet e rëndësishme të një zone të mbrojtur.
14. “Ekosistem” është një njësi që përbëhet prej ndërveprimit të organizmave dhe mjedisit të tyre.
15. “Administrata e zonës së mbrojtur” është organi shtetëror i ngarkuar për ruajtjen dhe administrimin e një zone konkrete të mbrojtur.
16. “Leje mjedisi” është dokumenti zyrtar që lëshohet nga autoriteti mjedisor për veprimtari ekonomike e shoqërore, të cilat ndikojnë ose mund të ndikojnë në mjedis, sipas kërkesave të legjislacionit për mjedisin.
17. “Rrjeti përfaqësues i zonave të mbrojtura” përbën sistemin e zonave të mbrojtura në vendin tonë dhe brenda tij përzgjidhen ekosistemet, habitatet dhe peizazhet kryesore e përfaqësuese të vendit.
18. “Rrjeti ekologjik” përbën sistemin e zonave të mbrojtura, të njohura në bazë të rrjetit përfaqësues të tyre dhe të lidhura me biokorridore. Rrjetet ekologjike dallohen si sisteme vendore, rajonale dhe ndërrajonale.
19. Me “status të favorshëm të ruajtjes së një ekosistemi, habitati ose peizazhi” nënkuptohet se:
a) shtrirja natyrore dhe sipërfaqet brenda kësaj shtrirjeje janë të qëndrueshme ose në rritje;
b) struktura dhe funksionet e veçanta, të cilat janë të nevojshme për mirëmbajtjen afatgjatë, ekzistojnë dhe mund të vazhdojnë të ekzistojnë për të ardhmen e afërt;
c) speciet e veta tipike kanë një status të favorshëm ruajtjetje.
20. “Ruajtja” nënkupton ndërmarrjen e një sërë masash, për të mbajtur ose rivendosur në një status të favorshëm habitatet natyrore dhe popullatat e llojeve të florës dhe faunës së egër.
21. “Habitatet natyrore” janë sipërfaqet tokësore ose detare, të dallueshme për nga tiparet gjeografike, abiotike dhe biotike, natyrore ose gjysmënatyrore.
22. “Tipa habitati natyror, me interes për komunitetin evropian” janë ata tipa, që gjenden në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe plotësojnë njërën nga kushtet e mëposhtme:
i) janë në rrezik zhdukjeje në shtrirjen e tyre natyrore;
ii) kanë një shtrirje të vogël natyrore, si pasojë e regresit të tyre ose të sipërfaqes së tyre të kufizuar;
iii) përfaqësojnë shembuj të jashtëzakonshëm të karakteristikave tipike të rajoneve biogjeografike, alpine dhe mesdhetare.
23. “Tipat përparësorë të habitateve natyrore” janë habitate natyrore, me interes për komunitetin evropian, në rrezik zhdukjeje, të cilat ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë, për ruajtjen e të cilave Republika e Shqipërisë ka përgjegjësi të veçantë.
24. “Habitat i një lloji” është një mjedis, që përcaktohet nga faktorë specifikë, biotikë dhe abiotikë, ku lloji jeton në çdo fazë të ciklit biologjik të tij.
25. “Lloje me interes për komunitetin evropian” janë lloje që, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, plotësojnë njërën nga kushtet e mëposhtme:
i) janë të rrezikuara, me përjashtim të atyre llojeve, shtrirja natyrore e të cilave është e parëndësishme në territor;
ii) janë të prekshme, që do të thotë se ka të ngjarë të bëhen pjesë e kategorive "të rrezikuara" në një të ardhme të afërt, nëse faktorët shkaktarë vazhdojnë të veprojnë;
iii) janë të rralla, që do të thotë se janë lloje me numër të kufizuar, të cilat, edhe pse për çastin nuk janë të rrezikuara apo të prekshme, ndodhen në situatë kritike;
iv) janë endemike dhe kërkojnë vëmendje të posaçme për shkak të natyrës së veçantë të habitatit të tyre dhe/ose ndikimit të mundshëm të shfrytëzimit në habitatin përkatës dhe/ose ndikimit të mundshëm të shfrytëzimit të tyre mbi statusin e ruajtjes.
26. “Lloje përparësore” janë llojet me interes për komunitetin evropian, të rrezikuara, për ruajtjen e të cilave Republika e Shqipërisë, për sa i përket shtrirjes së tyre natyrore, ka përgjegjësi të veçantë.
27. “Zonë” është sipërfaqja e përcaktuar gjeografikisht, shtrirja e së cilës përshkruhet me hollësi.
28. “Zonë me interes për komunitetin evropian” është zona, rajoni apo rajonet biogjeografike, të cilave ajo u përket, që ndikojnë dukshëm në mirëmbajtjen apo rivendosjen e tipit të habitatit natyror, me interes për komunitetin evropian, ose të llojeve, me interes për komunitetin evropian, në një status ruajtjeje të favorshëm, ose që ndikon dukshëm në ruajtjen e diversitetit biologjik, brenda rajonit apo rajoneve biogjeografike në fjalë.
Për llojet shtazore, që gjenden në sipërfaqe të gjera, zonat me interes për komunitetin evropian përputhen me vendet brenda shtrirjes natyrore të këtyre llojeve, duke përfaqësuar faktorë fizikë ose biologjikë, thelbësorë për jetën dhe riprodhimin e tyre.
29. “Zona të veçanta ruajtjeje” janë zona me rëndësi për komunitetin evropian, të përcaktuara të tilla nga Republika e Shqipërisë me një akt normativ, administrativ ose kontraktual, ku përcaktohen masat e nevojshme ruajtëse për mbajtjen ose rivendosjen në një status të favorshëm ruajtjeje të habitateve natyrore ose të popullatave të llojeve, për të cilat është përcaktuar zona.

Neni 4
Kategoritë e zonave të mbrojtura

1. Pjesë të rëndësishme ose të kërcënuara të territorit shpallen zona të mbrojtura, sipas këtyre kategorive:
a) rezervë strikte natyrore/rezervat shkencor/ (Kategoria I);
b) park kombëtar (Kategoria II);
c) monument natyror (Kategoria III);
ç) rezervat natyror i menaxhuar/zonë e menaxhimit të habitateve dhe llojeve (Kategoria IV);
d) peizazh i mbrojtur (Kategoria V);
dh) zonë e mbrojtur e burimeve të menaxhuara/zonë e mbrojtur me përdorim të shumëfishtë (Kategoria VI).
2. Rreth një zone të mbrojtur mund të shpallet një zonë buferike.
3. (e shfuqizuar)

Neni 4/1
Kriteret

Për shpalljen zonë e mbrojtur, territori duhet të plotësojë, të paktën, njërën prej kritereve të mëposhtme:
a) të ketë diversitet të lartë të llojeve dhe/ose të habitateve;
b) të ketë dendësi të ulët të llojeve dhe/ose habitateve;
c) të ketë përfaqësueshmëri;
ç) të ketë minimumin kritik të madhësisë së ekosistemit;
d) të ketë natyralitet, trashëgimi dhe integritet;
dh) të ketë vlera shkencore;
e) të karakterizohet nga prekshmëria ekologjike/llojet e prekshme;
ë) të karakterizohet nga papërsëritshmëria/llojet endemike;
f) të mos rrezikohet nga ndërhyrjet e veprimtarive njerëzore;
g) të ketë mundësi për ruajtjen e jetës së egër.

Neni 4/2
Zonimi i territorit të zonës së mbrojtur

1. Territori i zonës së mbrojtur ndahet në nënzona, sipas rëndësisë së habitateve dhe të ekosistemeve që bëjnë pjesë në to.
2. Zonimi i brendshëm mund të përmbajë zonën qendrore, zonën e rekreacionit, zonën e përdorimit tradicional, zonën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe nënzona të tjera që i përshtaten territorit. Ministri përgjegjës për mjedisin përcakton, me udhëzim, kërkesat dhe mënyrën e zonimit të territorit të një zone të mbrojtur.
3. Zonimi përputh shkallën e mbrojtjes me veçoritë e nënzonës, duke mbajtur parasysh natyrën e zonës, llojet e veprimtarive njerëzore që zhvillohen në të dhe ndikimin e tyre në natyrë.
4. Vendimi i Këshillit te Ministrave, që shpall zonën e mbrojtur, përcakton emërtimin, sipërfaqen dhe shkallën e mbrojtjes së nënzonave të saj.

Neni 4/3
Përcaktimi i zonave të veçanta të ruajtjes

1. Zonat ku strehohen tipat e habitateve natyrore, me interes për komunitetin evropian dhe të habitateve te llojeve, me interes për këtë komunitet, shpallen zona të veçanta ruajtjeje. Këto zona janë pjesë e rrjetit ekologjik kombëtar dhe mund të përfshijnë edhe zona të mbrojtura brenda rrjetit përfaqësues të zonave të mbrojtura, si dhe ekosisteme, habitate e peizazhe jashtë këtij rrjeti.
2. Vlerësimi i rëndësisë së zonave për çdo habitat natyror, përfshirë tipat e habitateve natyrore përparësore dhe llojet përparësore, kryhet sipas këtyre kritereve:
A. Kriteret e vlerësimit të zonës për një tip të caktuar habitati natyror, me interes për komunitetin evropian:
a) shkalla e përfaqësueshmërisë së tipit të habitatit natyror në zonën përkatëse;
b) sipërfaqja e zonës së mbuluar nga tipi i habitatit natyror në raport me sipërfaqen e përgjithshme, të mbuluar nga ai tip habitati natyror, brenda territorit kombëtar;
c) shkalla e ruajtjes së strukturës dhe funksioneve të tipit të habitatit natyror në fjalë dhe mundësitë e ripërtëritjes;
ç) vlerësimi global i vlerës së zonës për ruajtjen e tipit përkatës të habitatit natyror.
B. Kriteret e vlerësimit të zonës për një lloj, me interes për komunitetin evropian:
a) madhësia dhe dendësia e popullatës së llojit të pranishëm në zonë në raport me popullatat e pranishme brenda territorit kombëtar;
b) shkalla e ruajtjes së tipareve të habitatit, të cilat janë të rëndësishme për llojin në fjalë dhe mundësitë e ripërtëritjes;
c) shkalla e izolimit të popullatës së pranishme në zonë në raport me shtrirjen natyrore të llojit;
ç) vlerësimi global i vlerës së vendit për ruajtjen e llojit përkatës.
3. Në bazë të kritereve, të përcaktuara në pikën 2 të këtij neni dhe të të dhënave përkatëse shkencore, ministri përgjegjës për mjedisin miraton listën e zonave shqiptare, duke përcaktuar tipat e habitateve natyrore, me interes për komunitetin evropian dhe llojet, me interes për këtë komunitet, autoktone për territorin shqiptar e që ndodhen në zonë. Në listë identifikohen ato zona, ku gjenden një ose disa tipa habitatesh natyrore përparësore ose lloje përparësore.
4. Për llojet e kafshëve, që gjenden në sipërfaqe të gjera, zonat përputhen me vendet brenda shpërndarjes natyrore të këtyre llojeve dhe përfaqësojnë faktorët fizikë dhe biologjikë, thelbësorë për jetën dhe riprodhimin e tyre.
Për llojet ujore, që gjenden në sipërfaqe të gjëra, zonat propozohen vetëm në rastet kur janë qartësisht të identifikueshme dhe përfaqësojnë faktorët fizikë dhe biologjikë, të domosdoshëm për jetën dhe riprodhimin e tyre.
5. Lista dhe të dhënat përkatëse për çdo zonë i dërgohen Komisionit Evropian. Të dhënat përfshijnë hartën e zonës, emrin, vendndodhjen, shtrirjen dhe të dhëna të tjera, si rezultat i zbatimit të kritereve të përmendura në pikën 2 të këtij neni. Të dhënat paraqiten në formatin e miratuar prej komisionit.
6. Rregullat për shpalljen e zonave të veçanta të ruajtjes miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 4/4
Menaxhimi i zonave të veçanta të ruajtjes

1. Për zonat e veçanta të ruajtjes, ministria përgjegjëse për mjedisin merr masa mbrojtëse, ku përfshihen planet menaxhuese, të hartuara për zonat ose të integruara në plane të tjera zhvillimi, si dhe masa juridike, administrative ose kontraktuale, në përputhje me kërkesat ekologjike të tipave të habitateve natyrore, me interes për komunitetin evropian dhe të llojeve me interes për këtë komunitet.
2. Për të shmangur shkatërrimin e habitateve natyrore dhe të habitateve të llojeve në zonat e veçanta të ruajtjes, si dhe shqetësimin e llojeve, për të cilat këto zona janë përcaktuar, ministria përgjegjëse për mjedisin u kërkon personave fizikë e juridikë, veprimtaria e të cilëve ndikon negativisht në zonë, të zbatojnë kërkesat e përcaktuara në lejen mjedisore.
3. Çdo plan ose projekt, që mund të ndikojë në zonë, i nënshtrohet procedurave ligjore të vlerësimit të ndikimit në mjedis. Ministria përgjegjëse për mjedisin pranon planin ose projektin, vetëm pasi sigurohet se ai nuk ndikon negativisht ne integritetin e zonës, si dhe pasi ka marrë mendimin e publikut.
4. Për planin ose projektin, që do të zbatohet për nevoja të ngutshme me interes publik parësor, ministria përgjegjëse për mjedisin i kërkon zbatuesit marrjen e masave kompensuese, që sigurojnë respektimin e ruajtjes së përgjithshme dhe vë në dijeni për to edhe Komisionin Evropian.
5. Kur është e nevojshme, në kuadër të planifikimit të përdorimit të tokës, ministria përgjegjëse për mjedisin u kërkon hartuesve dhe zbatuesve të planifikimit të tokës menaxhimin e veçorive të peizazhit, me rendësi të veçantë për florën dhe faunën e egër.
6. Ministria përgjegjëse për mjedisin mbikëqyr statusin e ruajtjes së habitateve natyrore dhe të llojeve, duke u kushtuar kujdes të veçantë habitateve natyrore përparësore dhe llojeve përparësore, si dhe nxit kërkimet dhe punën shkencore, duke pasur parasysh kërkesat e këtij neni.

Neni 5
Rezervë strikte natyrore

1. Territore jo më të vogla se 50 ha, me vlera natyrore të veçanta, të formuara nga ekosisteme natyrore ose lehtësisht të ndryshueshme, që përfaqësojnë bioqendra dhe biokorridore me rëndësi kombëtare dhe rajonale, shpallen rezervë strikte natyrore.
2. Në rezervën strikte natyrore zbatohet shkalla e parë e mbrojtjes, ku janë të ndaluara:
a) prerja e drurëve dhe e shkurreve;
b) përdorimi i kimikateve dhe i plehrave kimike;
c) ndërtime të çdo lloji;
ç) nxjerrja e mineraleve dhe e torfave;
d) gjuetia dhe peshkimi;
dh) ndezja e zjarreve; .
e) kullotja, kalimi i kafshëve shtëpiake dhe ndërtimi i objekteve për mbajtjen e tyre;
ë) ngritja e objekteve çlodhëse, argëtuese dhe sportive;
f) kalimi nëpër shtigje, me përjashtim të pronarit ose të përdoruesit të tokës;
g) lëvizja me mjete motorike të çdo lloji, me përjashtim të makinave të administratës së ruajtjes së rezervatit dhe të zjarrfikësve;
gj) vozitja me barka, kanoe dhe mjete të tjera lundrimi;
h) riprodhimi intensiv i kafshëve të gjahut.
3. Zonë buferike e rezervatit strikt natyror mund të shpallet territori rreth rezervatit, me gjerësi rreth 100 m nga kufiri i tij.
4. Veprimtaritë e tjera, që kërkohen të ushtrohen në rezervat ose në zonën e tij buferike, duhet të pajisen me leje mjedisi.

Neni 6
Park kombëtar

1. Territoret e gjera, zakonisht jo më të vogla se 1000 ha, unike për nga vlerat kombëtare dhe ndërkombëtare, një pjesë e madhe e të cilave janë ekosisteme natyrore, të ndikuara pak nga veprimtaria e njeriut, ku bimët, kafshët dhe mjedisi natyror, fizik janë të një rëndësie të veçantë shkencore dhe edukative, shpallen park kombëtar.
2. Në parkun kombëtar zbatohet shkalla e dytë e mbrojtjes, ku janë të ndaluara:
a) shfrytëzimi i tokës me teknologji intensive, me mjete dhe mënyra që shkaktojnë ndryshime rrënjësore në biodiversitet, në strukturën dhe funksionet e ekosistemeve ose që dëmtojnë në mënyrë të pandreqshme sipërfaqen e tokës;
b) neutralizimi i mbetjeve me origjinë jashtë territorit të parkut kombëtar;
c) shpërndarja e kafshëve dhe e bimëve jovendase, kur ato sjellin ndryshime në biodiversitetin e zonës;
ç) riprodhimi intensiv i kafshëve të gjahut, me përjashtim të riprodhimeve shpëtuese;
d) ndërtimi i rrugëve, autostradave, hekurudhave, zonave urbane, linjave të tensionit të lartë dhe sistemeve të naftës dhe gazit me shtrirje të gjatë;
dh) larja dhe spërkatja e rrugëve me kimikate;
e) mbjellja e pyjeve monokulturë;
ë) ndezja e zjarreve jashtë vendeve e pikave të caktuara;
f) lëvizja e mjeteve të transportit jashtë rrugëve të caktuara;
g) gjuetia me ushqime të helmuara;
gj) nxjerrja e mineraleve, gurëve, torfave me përjashtim të gurëve dhe rërës për mirëmbajtjen e parkut;
h) veprimtari masive sportive, turistike, jashtë pikave të caktuara;
i) organizimi i garave me automjete e motoçikleta.
3. Në këtë zonë mund të ushtrohen, por vetëm pasi të pajisen me leje mjedisi, veprimtaritë që synojnë:
a) ndryshimin e gjendjes natyrore të rezervave ujore, burimeve, liqeneve dhe sistemeve të zonave të lagura;
b) ngritjen dhe funksionimin e objekteve për qëllime ushtarake dhe mbrojtjeje;
c) programe kërkimore-shkencore dhe monitoruese;
ç) veprimtari kërkimore shkencore, arkeologjike, paleontologjike dhe për mbartjen e gjetjeve të tilla.
d) përdorimi ose magazinimi i përkohshëm i agrokimikateve;
dh) veprimtari të tjera që nuk ndalohen shprehimisht nga pika 2 e këtij neni.
4. Administrata e ruajtjes së parkut mund të miratojë:
a) kullotjen dhe kalimin e kafshëve shtëpiake dhe ngritjen e objekteve të lehta ose të përkohshme për mbajtjen e tyre;
b) vendosjen e stendave, tabelave të të dhënave, reklamave, shenjave dhe posterave;
c) vozitjen me barka, kanoe dhe mjete të tjera lundrimi;
ç) fluturime joushtarake me helikopterë, balona, deltaplane etj;
d) lëvizje dhe parkim automjetesh jashtë rrugëve dhe vendeve të caktuara;
dh) ngjitje alpine, ski, kampingje dhe ndezje zjarri jashtë pikave të caktuara;
e) mbledhje bimësh, frutash, farash e kërpudhash.
ë) ushtrim veprimtarish të strukturave turistike sezonale që nuk kërkojnë zënie përfundimtare të tokës.
5. Kur administrata e ruajtjes së parkut vëren se cenohet qëllimi për të cilin ky park është shpallur park kombëtar, mund të kufizojë ose të ndalojë përkohësisht lëvizjen e mjeteve të transportit, gjuetinë e peshkimin dhe veprimtari të tjera të lejuara.
6. Zona buferike e parkut kombëtar mund të shpallet territori rreth parkut, me gjerësi rreth 50 m nga kufiri i tij.

Neni 7
Monument natyror

1. Formacioni natyror (përfshirë edhe dru të veçantë), me sipërfaqe deri 50 ha, formacioni i veçantë gjeologjik dhe gjeomorfologjik, një depozitë mineralesh ose një habitat i një lloji të rrallë e të kërcënuar ose me rëndësi e vlerë të veçantë shkencore dhe estetike, shpallet monument natyror.
2. Në një monument natyror zbatohet shkalla e parë e mbrojtjes.
3. Në pajtim me shkallën e mbrojtjes së zonës Ministri i Mjedisit, në bashkëpunim me Ministrin e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit dhe Ministrin e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, miratojnë rregulla të veçanta për kalim vizitorësh (turistë), për afate të shkurtra kohore.

Neni 8
Shpellat si monument natyror

1. Shpellat shpallen monumente natyrore.
2. Hyrja në shpella, eksplorimi dhe studimi i shpellave bëhen me leje nga Ministria e Mjedisit, e cila jepet me propozimin e autoriteteve vendore përkatëse, institucioneve shkencore dhe organizatave jofitimprurëse të specializuara, në përputhje me rekomandimet e tyre.
3. Zbulimi i shpellave të reja dhe rezultatet e eksplorimit të tyre i bëhen të njohura, me raporte të hollësishme, Ministrisë së Mjedisit. Ministria u dërgon kopje të raportit Akademisë së Shkencave, universiteteve dhe organizatave jofitimprurëse të interesuara, si dhe autoriteteve vendore përkatëse. Eksploruesve u njihet dhe u sigurohet e drejta e autorësisë së zbulimit.
4. Shpellat mund të vizitohen, të përdoren për qëllime turistike ose mjekësore vetëm pasi të jenë përshtatur për këto veprimtari me autorizim dhe nën mbikëqyrjen e agjencive rajonale të mjedisit dhe të strukturave përkatëse të turizmit dhe pushtetit vendor. Përgatitja dhe përdorimi i tyre mund të bëhen nga subjekte publike ose private të pajisura me leje mjedisi. Këshilli i Ministrave përcakton rregullat, kriteret dhe procedurat, të drejtat e detyrimet për dhënien e shpellave në përdorim. Eksplorimi, hyrjet e autorizuara dhe çdo përdorim i shpellave, duhet të sigurojnë mbrojtjen dhe pastërtinë e tyre, ruajtjen e mikroklimës, të regjimit ujor, të ekosistemeve, të tipareve gjeologjike dhe gjeomorfologjike, të gjetjeve paleontologjike e arkeologjike dhe të gjallesave.
5. Për shpellat, kanionet e ujëvarat zbatohet shkalla e parë e mbrojtjes.
6. Shpellat, kanionet dhe ujëvarat natyrore nuk rrethohen me zonë buferike.

Neni 9
Rezervat natyror i menaxhuar

(Park natyror)
1. Territoret që përfaqësojnë bioqendra dhe biokorridore me rëndësi rajonale e vendore ose zonat me bimë, kafshë, minerale e gjetje paleontologjike, veçanërisht të mbrojtura ose zonat që përdoren për qëllime studimore, edukative dhe kulturore shpallen rezervat natyror i menaxhuar (zonë e menaxhimit të habitateve dhe llojeve).
2. Në zonën e menaxhimit të habitateve dhe llojeve zbatohet shkalla e tretë e mbrojtjes, ku ndalohen:
a) ndryshimi i gjendjes natyrore të rezervave ujore, burimeve, liqeneve dhe sistemeve të zonave të lagura;
b) depozitimi i kimikateve;
c) lëvizja dhe parkimi i automjeteve jashtë rrugëve publike dhe vendeve të caktuara për parkim;
ç) mbledhja e bimëve, mineraleve, gjetjeve poleontologjike dhe e gurëve;
d) ngritja dhe funksionimi i objekteve për qëllime ushtarake dhe mbrojtjeje.
dh) vendosja e stendave, tabelave të të dhënave, reklamave, shenjave dhe posterave, me përjashtim të atyre që japin të dhëna për objektivat e mbrojtjes së rezervatit;
e) ngjitjet alpine, skitë, kampingjet dhe ndezja e zjarreve jashtë pikave të caktuara.
3. Veprimtaritë e parashikuara në pikën 2 të nenit 5 të këtij ligji dhe çdo veprimtari tjetër, që nuk ndalohet nga ky nen, mund të ushtrohen, pasi të pajisen me leje mjedisi.
4. Zonë buferike e zonës së menaxhimit të habitateve dhe llojeve mund të shpallet territori rreth saj, me gjerësi 50 m nga kufiri i zonës.
5. Për shfrytëzimet turistike të formacioneve natyrore, të cilat ndodhen në këtë rezervat, Ministri i Mjedisit dhe Ministri i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, si dhe Ministri i Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit të miratojnë rregulla të qëndrueshme dhe të kontrollueshme për kalime vizitorësh (turistë) vetëm për afate kohore të shkurtra, duke respektuar masat mbrojtëse të shkallës së tretë.

Neni 10
Peizazhi i mbrojtur

1. Territoret më të mëdha se 1000 ha, me peizazh harmonik e të formuar mirë, me reliev të zhvilluar karakteristik, me larmi ekosistemesh, detare ose tokësore, me monumente historike, shpallen peizazh i mbrojtur.
2. Në një peizazh të mbrojtur zbatohet shkalla e katërt e mbrojtjes, ku ndalohen:
a) mbjellja e pyjeve monokulturë;
b) neutralizimi i mbetjeve dhe ndezja e zjarreve jashtë vendeve e pikave të caktuara;
c) shpërndarja e kafshëve dhe e bimëve jovendase;
ç) gjuetia me ushqime të helmuara;
d) ndërtimi i autostradave, i kanaleve lundruese dhe i zonave urbane;
dh) lëvizja me mjete trasporti jashtë rrugëve dhe vendeve të caktuara. Ky rregull nuk zbatohet për automjetet dhe makineritë shtetërore, bujqësore e pyjore, të zjarrfikësve, autoambulancave, makinerive të shërbimeve veterinare dhe atyre të menaxhimit të ujërave;
e) organizimi i garave me automjete, motoçikleta e biçikleta.
3. Veprimtaritë që ndryshojnë përdorimin e territorit, ndërtimet, përdorimi i kimikateve e pesticideve, trajtimi i ujërave të zeza në ferma, për zona më të mëdha se 2 ha dhe veprimtaritë e tjera, që nuk ndalohen shprehimisht nga pika 2 e këtij neni, mund të ushtrohen vetëm pasi të jenë pajisur me leje mjedisi dhe të miratohen në Këshillin e Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë.

Neni 11
Zonë e mbrojtur e burimeve të menaxhuara

1. Zonat që përfshijnë territore të gjëra e, relativisht, të izoluara dhe të pabanuara, ku hyhet me vështirësi ose rajone që janë ende pak të populluara dhe që mund të jenë nën presion të vazhdueshëm për t’u populluar dhe përdorur më gjerësisht dhe kthimi i tyre për përdorim intensiv është i paqartë ose i papërshtatshëm, shpallen zona të mbrojtura të burimeve të menaxhuara.
Hyrja e kufizuar në to nënkupton që këto zona, normalisht, do të kërkojnë kontroll, i cili do të varet nga presionet për të hyrë dhe përdorur zonën.
2. Kjo kategori mund të përdoret dhe për ato zona që janë të mbrojtura me legjislacion, por që nuk janë përdorur për ndonjë arsye.
3. Në një zonë të mbrojtur të burimeve të menaxhuara zbatohet shkalla e katërt e mbrojtjes.

Neni 11/1
Parqet natyrore rajonale

1. Përveç zonave të mbrojtura, me karakter kombëtar, që përfshihen në rrjetin përfaqësues të zonave të mbrojtura, këshillat e qarqeve, për nevoja të komunitetit, mund të shpallin parqe natyrore rajonale mjedise, që janë pronë e tyre e që kanë vlera natyrore, të tilla si pyje, kullota, rezervuarë, ligatina etj.
2. Parqet natyrore rajonale sigurojnë një përdorim të qëndrueshëm të territorit dhe zhvillimin e veprimtarive, që i përshtaten karakterit të zonës.
3. Procedurat e propozimit e të miratimit dhe rregullat e administrimit të parqeve natyrore rajonale miratohen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për mjedisin.

Neni 12
Pyjet, ujërat dhe pasuri të tjera natyrore brenda zonave të mbrojtura

1. Pyjet në zonat e mbrojtura përjashtohen nga klasifikimi si pyje për shfrytëzim.
2. Menaxhimi i pyllit dhe i pasurive pyjore, i ujërave e pasurive ujore, si dhe i pasurive të tjera pronë shtetërore, që ndodhen brenda një zone të mbrojtur, bëhen nga administrata e ruajtjes së zonës. Administrata këto veprimtari i ushtron drejtpërdrejt ose nëpërmjet një subjekti të autorizuar prej saj.
3. Kur këto pasuri janë pronë private, ato menaxhohen e përdoren nga pronari ose përdoruesi i ligjshëm vetëm në përputhje me planin e menaxhimit të zonës, të miratuar nga Ministria e Mjedisit.
4. Dispozitat për ndërhyrjet kundër dëmtuesve dhe sëmundjeve që sjellin dëme në pyjet ose në ujërat e zonave të mbrojtura zbatohen vetëm me miratimin e administratës së zonës përkatëse dhe në shkallën e përcaktuar prej saj.

Neni 13
Shpallja dhe menaxhimi i zonave të mbrojtura

1.1. Shpallja e një zone të mbrojtur dhe zonimi i saj bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për mjedisin, pas marrjes së mendimit të institucioneve të specializuara dhe të organeve të qeverisjes vendore, të cilat kanë marrë, paraprakisht, mendimin e pronarëve privatë, pronat e të cilëve do të përfshihen në zonën e mbrojtur.
2. Këshilli i Ministrave miraton procedurat për propozimin dhe shpalljen e zonave të mbrojtura dhe buferike. Ato përgatiten nga Ministria e Mjedisit në mbështetje të kritereve të konventës së biodiversitetit, të udhëzimeve përkatëse të Bashkimit Europian dhe të planeve e strategjive mjedisore kombëtare.
3. Çdo person fizik a juridik ka të drejtë t’i kërkojë ministrisë që territori i vet privat ose pjesë e objekteve natyrore të veta, të shpallen ose të përfshihen në njërën nga kategoritë e zonave të mbrojtura.

Neni 14
Shpallja e zonave të mbrojtuara

1. Në propozimin për të shpallur një zonë të mbrojtur do të përfshihen të paktën:
a) argumentimi për krijimin e zonës së mbrojtur mbështet objektivat e planit të administrimit të rrjetit përfaqësues të këtyre zonave, epërsitë dhe mangësitë e krijimit të zonës, zonimin e saj, si dhe shkallët e mbrojtjes, të propozuara për secilën zonë;
b) rezultatet e procesit të këshillimit me grupet e interesuara të shoqërisë civile, veçanërisht miratimi nga bashkësia vendore, brenda dhe rreth zonës së propozuar, duke përfshirë komentet e marra dhe reflektimet në propozim;
c) një vëzhgim fizik i vendit të propozuar;
ç) një vlerësim i ndikimit në mjedis, duke përfshirë identifikimin e proceseve dhe të kategorive të veprimtarive, të cilat mund ta kërcënojnë diversitetin biologjik dhe atribute të tjera të vendit të propozuar, duke përfshirë zonat përreth;
d) një vëzhgim të ndikimit shoqëror dhe ekonomik të popullatës vendore, që përfshin përdorimin e zonës së propozuar dhe ndikimin e mundshëm të zonës së mbrojtur në këto përdorime;
dh) një përshkrim të masave kompensuese, që mund të nevojiten të merren për të adresuar transferimin e pronësisë dhe të të drejtave për përdorimin e elementëve të diversitetit biologjik.
2. Organet shtetërore marrin masa të përkohshme për mbrojtjen dhe administrimin sipas rastit.

Neni 15
Planet e menaxhimit të zonës së mbrojtur

1. Ministria e Mjedisit, organet e tjera shtetërore dhe organet e qeverisjes vendore ose në bashkëpunim me të tretët, hartojnë për secilën zonë të mbrojtur planet e menaxhimit të kësaj zone.
2. Të gjitha planet e menaxhimit të zonës së mbrojtur, që nuk janë hartuar nga Ministria e Mjedisit, duhet të miratohen nga kjo Ministri, për të siguruar përputhshmërinë me objektivat e këtij ligji ose të ligjeve të tjera që lidhen me të.
3. Planet e menaxhimit të zonës së mbrojtur do të përfshihen në politikat, planet, programet dhe veprimtaritë qeveritare, që lidhen me to, dhe në vendimmarrjen në nivele kombëtare, rajonale ose vendore.
4. Planet e menaxhimit të zonës së mbrojtur do të përfshijnë të paktën:
a) objektivat e menaxhimit të zonës së mbrojtur;
b) mekanizmat dhe autoritetin drejtues, si të Ministrisë së Mjedisit, ashtu edhe të organeve të tjera shtetërore ose të organizatave të tjera ose personave juridikë e fizikë;
c) proceset dhe kategoritë e veprimtarive, të cilat kërcënojnë ose janë kërcënuese për zonën e mbrojtur, duke përfshirë edhe zonat rrethuese;
ç) masat rregullatore ose administrative që nevojiten për të shmangur ose pakësuar kërcënimet e identifikuara;
d) veprimtaritë e lejuara brenda zonës së mbrojtur;
dh) veprimtaritë e duhura për zonat përreth, duke përfshirë ato në zonat buferike dhe më tej;
e) kushtet për kontrollin e turizmit dhe të shërbimeve të tjera;
ë) të dhënat për pronësinë e mëparshme të truallit dhe të drejtat për të përdorur elementët e diversitetit biologjik brenda tij, duke përfshirë veprimtaritë tradicionale për jetesën e popullatës ose të bashkësisë vendore;
f) kushtet për të zhvilluar veprimtari tradicionale për jetesë, të zonës ose të elementëve të diversitetit biologjik brenda saj, nëse ato nuk bien ndesh me objektivat e administrimit të zonës së mbrojtur;
g) kushtet për të ndarë përfitimet nga krijimi dhe administrimi i zonës së mbrojtur, veçanërisht, me bashkësitë dhe popullatat vendore;
gj) kushtet për kërkim shkencor, inventarizim dhe monitorim;
h) burimet financiare, duke përfshirë ato që sjellin fitim;
i) kushte të tjera të veçanta për zonën në fjalë.
5. Planet e menaxhimit të zonës së mbrojtur do të rishihen dhe do të ripunohen periodikisht, në përputhje me nevojat e kohës.

Neni 16
Detyrat e Ministrisë së Mjedisit për shpalljen e zonave të mbrojtura

Ministria e Mjedisit:
a) harton dhe publikon planin e zonave, që do të shpallen të mbrojtura, pasi merr edhe mendimin e organeve të qeverisjes vendore;
b) jep njoftime publike për zonat e mbrojtura, të miratuara, për monumentet natyrore, për drurët e mbrojtur, për llojet e bimëve dhe të kafshëve, veçanërisht të mbrojtura, për gjetjet minerare dhe paleonotologjike, duke përcaktuar me hollësi kushtet për mbrojtjen e tyre;
c) miraton dhe shpall planet për menaxhimin e zonave të mbrojtura, si dhe programet për mbrojtjen e llojeve të bimëve dhe kafshëve, veçanërisht të rrezikuara, për burimet ujore dhe liqenet natyrore e artificiale në këto zona.
2. Planet e menaxhimit dhe programet e mbrojtjes hartohen në bashkëpunim me institucionet administruese dhe me pronarët e objekteve të përfshira në zonat e mbrojtura.
3. Pronarët dhe përdoruesit e tokës, që do të shpallet zonë e mbrojtur, si dhe çdo person ose autoritet, që ka interesa në zonë, kanë të drejtë të ngrenë kundërshtime ndaj synimit për ta shpallur zonë të mbrojtur. Kundërshtimet paraqiten me shkrim në Ministrinë e Mjedisit brenda 30 ditëve nga data e njoftimit të synimit.
4. Ministria e Mjedisit shqyrton kundërshtimet dhe, brenda 1 muaji, njofton të interesuarit për vendimin e marrë. Kundër vendimit të Ministrisë, të interesuarit kanë të drejtë, brenda 15 ditëve, të ankohen në gjykatën e rrethit.
5. Nga njoftimi i planit për shpalljen e një territori zonë e mbrojtur e deri në hyrjen në fuqi të vendimit që e shpall atë zonë të mbrojtur, pronarëve dhe përdoruesve të tokës, pyjeve, kullotave, u ndalohen ndërhyrjet, që ndryshojnë ose dëmtojnë gjendjen dhe vlerat natyrore të territorit, të propozuar për mbrojtje.

Neni 17
Zbatimi i planit të menaxhimit

1. Planet e menaxhimit dhe programet e mbrojtjes zbatohen nga administrata e ruajtjes së zonës.
2. Për të ndjekur zbatimin e planeve të menaxhimit në zonat e mbrojtura ngrihen komitetet e menaxhimit. Përbërja, funksionet, detyrat dhe përgjegjësitë e këtyre komiteteve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Për zbatimin e planeve të menaxhimit mund të angazhohen institucione publike dhe private, persona juridikë, vendas ose të huaj, organizata jofitimprurëse mjedisore, duke zbatuar rregullat dhe procedurat e konkurrimit e të tenderimit.

Neni 18
Pronësia në zonat e mbrojtura

1. Zonat e mbrojtura shpallen ato territore që janë pronë publike, bashkiake, komunale dhe në raste të veçanta pronë private.
2. Për interesa të veçantë të mbrojtjes së natyrës e biodiversitetit, në përbërje të zonave të mbrojtura përfshihen edhe toka, pyje, kullota, etj., private, duke marrë, në çdo rast, pëlqimin e pronarit.
3. Territoret dhe objektet private, të përfshira në zonat e mbrojtura, mbeten pronë e pronarit privat. Ato administrohen e përdoren prej tij ose prej përdoruesit të ligjshëm, vetëm sipas kërkesave të planit të menaxhimit të zonës, të miratuar nga Ministria e Mjedisit.
4. Pronarëve privatë, prona e të cilëve përfshihet brenda territorit të zonës së mbrojtur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, u njihet e drejta e administrimit dhe përdorimit të saj, sipas kërkesave të planit të menaxhimit. Në rast se pronarët nuk janë dakord, kanë të drejtë të kërkojnë kompensimin me vlerë ose me një sipërfaqe tjetër ose ia shesin shtetit, sipas legjislacionit në fuqi.
5. Monumentet natyrore, pronë publike, janë të patjetërsueshme.

Neni 19
Përdoruesit e zonave të mbrojtura

1. Pronarët privatë, pronat e të cilëve janë përfshirë në zonën e mbrojtur, si dhe përdoruesit e këtyre pronave marrin pjesë në planifikimin, ruajtjen dhe përdorimin e burimeve natyrore të zonës. Ata detyrohen të bashkëpunojnë me administratën e zonës dhe të zbatojnë me përpikëri rregullat e caktuara, planet e menaxhimit dhe programet e hartuara për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës.
2. Veprimtaritë dhe ndërtimet në zonat e mbrojtura bëhen vetëm sipas kërkesave të këtij ligji, në përputhje me planin e menaxhimit dhe pasi të jetë marrë leja e mjedisit. Për ndërtimet që janë bërë ose bëhen në kundërshtim me këtë ligj, zbatohet ligji nr.8405, datë 17.9.1998 “Për urbanistikën”, i ndryshuar.
3. Veprimtaritë ekonomike e shoqërore, projektet që synojnë të zbatohen në një zonë të mbrojtur, pajisen me leje mjedisi, pasi të paraqesin studimin përkatës dhe raportin e plotë të vlerësimit të ndikimit në mjedis.
4. Të gjitha ndërtimet publike, private e turistike në territorin e zonave të mbrojtura, bëhen në bazë të studimeve dhe planeve rregulluese të përgjithshme, të cilat miratohen nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë.
5. Administrata e zonave të mbrojtura, inspektorët e mjedisit, organet e qeverisjes vendore, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe atë ndërtimore ndalojnë zbatimin e projekteve e të veprimtarive me ndikim në mjedis dhe që bien ndesh me planin e menaxhimit të zonës.
6. Personat juridikë e fizikë, që kryejnë veprimtari të lejuara në territorin e zonave të mbrojtura, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, janë të detyruar të lidhin kontratë me institucionet administruese për ushtrimin e veprimtarisë, kundrejt pagesave përkatëse.

Neni 20
Monitorimi i zonave të mbrojtura

1. Ministria e Mjedisit harton objektivat e monitorimit të zonave të mbrojtura, drejton organizimin dhe realizimin e tyre dhe përpunon e publikon rezultatet e monitorimit.
2. Në zbatimin e programeve të monitorimit, Ministria angazhon institucione publike ose private në përputhje me rregullat e procedurat e konkurrimit e të tenderimit. Subjektet e angazhuara në monitorim dërgojnë në Ministri të dhënat e monitorimit.
3. Subjektet që kryejnë veprimtari të lejuar në zonat e mbrojtura janë të detyruara të monitorojnë, sipas kërkesave të programit të monitorimit të zonës dhe të publikojnë të dhënat e këtij monitorimi.

Neni 21
Skedimi dhe shënimi i zonave të mbrojtura

1. Ministria e Mjedisit përcakton mënyrën e shënimit të zonave të mbrojtura në terren dhe në harta.
2. Për markimin dhe shënimin e zonave të mbrojtura përdoret stema e Republikës së Shqipërisë.
3. Ministria e Mjedisit njofton organet përkatëse gjeodezike dhe kartografike për çdo shpallje, ndryshim ose heqje të statusit të çdo zone të mbrojtur.
4. Zonat e mbrojtura shënohen në skedarin qendror të Ministrisë së Mjedisit, i cili do të ngrihet duke shfrytëzuar të dhënat e institucioneve përkatëse shtetërore dhe të institucioneve të tjera të specializuara.
5. Ministria e Mjedisit harton dhe miraton rregullat për ndërtimin, funksionimin dhe shfrytëzimin e skedarit qendror.
6. Skedari qendror është publik dhe kushdo mund ta përdorë me leje dhe në prani të punonjësit të autorizuar.

Neni 22
Heqja dhe ndryshimi i statusit të zonës së mbrojtur dhe zonës së saj buferike

1. Një zone të mbrojtur i hiqet ose i ndryshohet statusi i mbrojtjes, sipas këtij ligji, kur kanë ndryshuar rrethanat dhe qëllimi për të cilat ajo e fitoi këtë status.
2. Heqja e statusit të një zone të mbrojtur bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e Ministrisë së Mjedisit, pas marrjes së mendimit nga institucionet e specializuara, organet e qeverisjes vendore, organizatat jofitimprurëse dhe nga pronarët privatë kur në zonën e mbrojtur do të përfshihen edhe pronat e tyre.
3. Me heqjen e statusit të një zone të mbrojtur pushon së qeni edhe zona e saj buferike.
4. Në propozimin për heqjen e statusit të një zone të mbrojtur do të përfshihen:
a) argumentimi për heqjen e statusit;
b) vlerësimi i ndikimit në mjedis, që pasqyron ndikimin në kategorizimin ekzistues të zonës së mbrojtur në biodiversitetin dhe popullatat ose bashkësitë vendore;
c) përshkrimi i masave zbutëse;
ç) rezultatet e proceseve të bashkërendimit dhe këshillimit me grupet e interesit të shoqërisë civile, veçanërisht me popullatat ose bashkësitë brenda dhe përreth zonës së mbrojtur, duke përfshirë një përmbledhje të komenteve të marra dhe reflektimin në propozim.

Neni 23
Administrata e zonës së mbrojtur

1. Autoriteti shtetëror, që ngarkohet për administrimin e një zone të mbrojtur dhe administrata e zonës së mbrojtur caktohen në vendimin e Këshillit të Ministrave për shpalljen e zonës së mbrojtur.
2. Përbërja, struktura, detyrat, përgjegjësitë dhe funksionimi i administratës për çdo kategori të zonave të mbrojtura, miratohen nga Këshilli i Ministrave.
3. Me miratimin e këtij ligji strukturat e ngritura deri më sot për administrimin e zonave të mbrojtura kalojnë, gradualisht, në varësi të institucioneve të përcaktuara, sipas pikës 1 të këtij neni.
4. (e shfuqizuar)

Neni 24
E drejta për të vizituar zonat e mbrojtura

Kushdo ka të drejtë të vizitojë zonat e mbrojtura, me kusht që të respektojë të drejtat e ligjshme të pronarit ose të përdoruesit të tokës, detyrimet ligjore, që rrjedhin nga ky ligj, rregullat e vendosura nga administrata e ruajtjes së zonës dhe ligjet e tjera, që përcaktojnë detyrime ligjore për ruajtjen e pronës.

Neni 25
Veprimtaritë në zonat e mbrojtura

1. Në zonat e mbrojtura mund të zhvillohen veprimtari ekonomike, shoqërore, turistike, kërkimore-shkencore etj., sipas kërkesave të këtij ligji.
2. Organet qendrore dhe të pushtetit vendor nxitin dhe përkrahin nisma, projekte, programe e veprimtari, që synojnë përmirësimin e treguesve ekologjikë e natyrorë të një zone të mbrojtur ose që ndikojnë pozitivisht në to.
3. Në zonat e mbrojtura, veprimtaritë mund të ushtrohen vetëm pasi të jetë marrë më parë leja e mjedisit ose pasi të jetë marrë miratimi i organit të mbrojtjes së zonës, në rastet kur kjo kërkohet shprehimisht nga ky ligj.

Neni 26
Objektivat e rrjetit përfaqësues të zonave të mbrojtura

Objektivat e përgjithshëm të rrjetit përfaqësues janë:
a) të mbrojë drejtimet e zhvillimit të tanishëm dhe të ardhshëm të vendit nëpërmjet ruajtjes dhe, kur është e nevojshme, nëpërmjet restaurimit të ekosistemeve, habitateve dhe peizazheve përfaqësuese, si edhe integrimit të administrimit të tyre në politikat, planet, programet dhe veprimtaritë qeveritare, në nivel kombëtar, rajonal dhe vendor;
b) të sigurojë përdorimin e qëndrueshëm të elementëve të diversitetit biologjik, nëpërmjet përfshirjes së bashkësive vendore në vendimmarrje dhe veprimtari të tjera që lidhen me zonat e mbrojtura, që përfshijnë caktimin dhe përvijëzimin e zonave, hartimin e planeve të administrimit të integruar dhe drejtimin e zonave të mbrojtura.

Neni 27
Zhvillimi, planifikimi, bashkërendimi dhe drejtimi i rrjetit përfaqësues

1. Ministria e Mjedisit bashkërendon ngritjen e rrjetit përfaqësues të zonave të mbrojtura.
2. Planifikimi, bashkërendimi dhe drejtimi i rrjetit përfaqësues specifikohen në një plan administrimi të rrjetit, që ripunohet periodikisht dhe u vihet në dispozicion organeve shtetërore dhe shoqërisë civile.
3. Plani i administrimit të rrjetit përfaqësues përfshin:
a) objektivat e rrjetit;
b) kontributin e secilës zonë të mbrojtur në arritjen e objektivave të rrjetit përfaqësues dhe atyre të rrjetit ekologjik;
c) mangësitë në mbulimin e të gjitha zonave me vlerë në rrjetin përfaqësues;
ç) planveprimin për të zbatuar dhe zhvilluar më tej rrjetin përfaqësues.
4. Buxhetet që mbështesin ngritjen e rrjetit përfaqësues, por edhe të zonave të mbrojtura, sigurohen nga burime financiare shtetërore dhe nga donatorët.

Neni 28
Dispozita të përgjithshme për zonat e mbrojtura

Krijimi i zonave të mbrojtura bëhet në përputhje me planin e administrimit të rrjetit përfaqësues të zonave të mbrojtura dhe me planin e administrimit të rrjetit ekologjik të vendit.

Neni 29
Objektivat e rrjetit ekologjik

Rrjeti ekologjik shqiptar krijohet për të mbajtur ose rivendosur një status të favorshëm ruajtjeje për ekosistemet, habitatet dhe peizazhet.

Neni 30
Elementet e rrjetit ekologjik

Rrjeti ekologjik formohet nga:
a) zona e vet qendrore, me rëndësi botërore, rajonale dhe kombëtare për ruajtjen e diversitetit biologjik, që përfshijnë ekosisteme natyrore e gjysmënatyrore, habitate dhe peizazhe. Zona qendrore përfshin elementë të rrjetit përfaqësues të zonave të mbrojtura;
b) korridoret, për të përmirësuar lidhjen e zonave qendrore, duke mbështetur lëvizjen e llojeve;
c) zonat e restaurimit ose të rehabilitimit;
ç) zonat buferike, për të mbështetur dhe mbrojtur rrjetin ekologjik nga ndikimet e jashtme dhe ku brenda tyre të promovohet zhvillimi i qëndrueshëm dhe ekologjik.

Neni 31
Zhvillimi, planifikimi, bashkërendimi dhe drejtimi i rrjetit ekologjik

Ministria e Mjedisit bashkërendon në ngritjen e rrjetit ekologjik.
2. Planifikimi, bashkërendimi dhe drejtimi i rrjetit ekologjik specifikohen në një plan administrimi të rrjetit, i cili ripunohet periodikisht dhe vihet në dispozion të organeve shtetërore dhe shoqërisë civile.
Plani i administrimit të rrjetit përcakton:
a) objektivat e rrjetit;
b) kontributin e secilit element të rrjetit për të arritur këta objektiva;
c) mangësitë e rrjetit;
ç) planveprimin për të arritur objektivat.
4. Plani i administrimit të rrjetit miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
5. Politikat, planet dhe programet qeveritare, si edhe vendimmarrja në nivele kombëtare, rajonale dhe vendore sigurojnë integritetin e rrjetit ekologjik.

Neni 32
Sanksionet

1. Shkeljet e dispozitave të këtij ligji, që nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative.
2. Llojet e shkeljeve dhe të masave, si dhe subjektet që konstatojnë shkeljet dhe japin masat përkatëse përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 33
Aktet nënligjore

Ngarkohen Këshilli i Ministrave dhe ministritë përkatëse të nxjerrin aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji.

Neni 34
Shfuqizime

Nenet 12, 20 pika 2, 37 pika 2 dhe 41 të ligjit nr.7623, datë 13.10.1992 "Për pyjet dhe policinë e shërbimit pyjor", si dhe nenet 8 shkronja "c", 10 dhe 13 të ligjit nr.7875, datë 23.11.1994 "Për mbrojtjen e faunës së egër dhe gjuetinë" shfuqizohen.

Neni 35
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.3380, datë 24.6.2002, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,

Share This


0
0
0
Loading...

Return to “Legjislacion - Bujqësia dhe Mjedisi”

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 1 guest