LIGJI PËR PESHKIMIN

User avatar
Libraria UBT
Posts: 96
Joined: 06 Jul 2015, 19:54
Rreth Jush: Libraria Universitare e UBT-së është një subjekt shërbimi i specializuar në shpërndarjen e librit, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. E kryen këtë aktivitet që nga viti 1998.

Qellimi i saj është promovimi dhe shpërndarja e librave që kanë si objekt fushat e studimeve universitare të UBT-së, për studentët dhe të interesuarit e tjerë.
Misioni: Të bëhet një pikë gjithnjë e më atraktive për shpërndarjen e librit me profil bujqësine, agrobiznesin, ekonominë, mjedisin, veterinarinë, bioteknologjinë, ushqimin dhe pyjet, për studentët e UBT-së, stafin dhe të interesuarit e tjerë të këtyre fushave.

Libraria Universitare e UBT-së, ofron për studentët dhe lexuesit libra në fushat: Sociologji, Drejtësi, Personalitete, Filozofi, Psikologji, Fjalorë, Histori, Letërsi artistike etj.

LIGJI PËR PESHKIMIN

Postby Libraria UBT » 31 Jul 2015, 19:15

LIGJI PËR PESHKIMIN - Nr. 64/2012 DATË 31.5.2012

I azhurnuar me ndryshimet e:
- LIGJIT Nr. 129/2012 datë 27.12.2012
- LIGJIT Nr. 29/2013. datë 1.3.2013

Vemendje:Kudo në ligj emërtimi “Inspektorati i Peshkimit” zëvendësohet me emërtimin “Inspektorati që mbulon fushën e peshkimit” dhe emërtimi “inspektorët për peshkimin” zëvendësohet me emërtimin “inspektorët e inspektoratit që mbulon fushën e inspektimi

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:



KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME


Neni 1
Objekti

1. Ky ligj rregullon veprimtarinë e peshkimit në tërësi, menaxhimin e tij, siguron mbrojtjen e gjallesave detare dhe të ujërave të brendshme, nëpërmjet nxitjes së zhvillimit të qëndrueshëm në aktivitetin në hapësirën detare dhe në ujërat e brendshme të Republikës së Shqipërisë.
2. Ky ligj nuk rregullon marrëdhëniet që lindin dhe lidhen me sigurinë ushqimore të produkteve të peshkimit, mbrojtjen e konsumatorit dhe sëmundjet e peshqve, të cilat rregullohen me ligje të veçanta.

Neni 2
Qëllimi i ligjit

Ky ligj ka për qëllim:
a) sigurimin e një shfrytëzimi racional dhe të përgjegjshëm të burimeve biologjike të ujërave të brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe atyre detare;
b) përcaktimin e rregullave për menaxhimin dhe bashkëmenaxhimin e sektorit të peshkimit nëpërmjet përfshirjes së komuniteteve përkatëse në proceset e vendimmarrjes;
c) përcaktimin e masave të ruajtjes, që garantojnë mbrojtjen e burimeve biologjike detare dhe ujërave të brendshme;
ç) nxitjen dhe përkrahjen e kërkimit shkencor e teknologjik dhe grumbullimit të të dhënave në peshkim;
d) sigurimin e funksionimit dhe menaxhimit të porteve e të qendrave të peshkimit;
dh) hartimin dhe sigurimin e një politike strukturore, me qëllim ristrukturimin e sektorit të peshkimit, sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit, forcimin e konkurrencës e zhvillimit ekonomikisht të vlefshëm të subjekteve të peshkimit, rigjallërimin e zonave që varen nga peshkimi, si dhe përmirësimin e furnizimit të tregut dhe rritjen e vlerës së prodhimit;
e) përcaktimin e masave dhe rregullave të nevojshme për kontrollin, inspektimin dhe zbatimin e politikave të peshkimit, në përputhje të plotë me politikat europiane në këtë drejtim;
ë) ngritjen e një sistemi kontrolli për peshkimin dhe vendosjen e procedurave të inspektimit të standardizuara dhe të koordinuara si në det, në tokë dhe në të gjithë zinxhirin e tregut.

Neni 3
Fusha e zbatimit

Këtij ligji u nënshtrohen:
a) Shtetasit shqiptarë dhe të huaj që kërkojnë të ushtrojnë apo që ushtrojnë aktivitet peshkimi në hapësirën detare dhe ujërat e brendshme të Republikës së Shqipërisë.
b) Mjetet lundruese shqiptare dhe ato të huaja që kërkojnë të ushtrojnë apo ushtrojnë aktivitet peshkimi në hapësirën detare të Republikës së Shqipërisë.
c) Veprimtaritë e anijeve të peshkimit me flamur shqiptar, të cilat veprojnë në ujërat e vendeve të tjera dhe në det të hapur, pa paragjykuar dispozitat e veçanta të marrëveshjeve të peshkimit, të ratifikuara ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe një vendi tjetër, ose të konventave ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë.
ç) Të gjitha veprimtaritë e peshkimit që zhvillohen në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Neni 4
Përkufizimi i termave

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Aktivitet peshkimi” janë veprimtaritë e lidhura me kërkimin e peshkut, me lëshimin, vendosjen dhe tërheqjen e mjeteve të peshkimit, transferimin në bord të zënieve, trasbordimin, ruajtjen në bord, transformimin në bord, transferimin, vendosjen në kosha, majmërinë dhe shkarkimin e peshqve dhe produkteve të peshkimit.
2. “Anije peshkimi” është mjeti lundrues i çfarëdolloj madhësie që përdoret apo që synohet të përdoret për shfrytëzimin e burimeve peshkore për qëllime tregtare, përfshirë anijet mbështetëse, anijet përpunuese të peshkut, anijet e përfshira në transbordim dhe anijet transportuese të pajisura për transportimin e produkteve peshkore, përjashtuar anijet e konteinerëve.
3. “Anije e huaj peshkimi” është një anije peshkimi, e cila nuk lundron nën flamurin shqiptar.
4. “Aparat zhytjeje” është çdo lloj aparati zhytjeje apo pajisja e ngjashme që i mundëson zhytësit të marrë frymë nën ujë.
5. “Autoritete përgjegjëse” janë autoritetet e ngarkuara nga ky ligj ose nga ligje të veçanta që përcaktojnë fushën e tyre të veprimtarisë, për të kontrolluar hallka të caktuara të aktivitetit të peshkimit.
6. “Autorizimi për peshkim” është dokumenti zyrtar i lëshuar nga ministri për subjektin që aplikon për ushtrim aktiviteti peshkimi, gjatë një periudhe të caktuar, për qëllime të kërkimit shkencor, si dhe për zona peshkimi dhe specie objekt kufizimesh ligjore apo nënligjore.
7. “Barrierë koralore” është një strukturë biogjenike komplekse që është krijuar nga mbivendosja e vazhdueshme e shtresave shkëmbore apo të forta me shtresa gëlqerore, strukturë kjo e krijuar kryesisht nga mbulimi i algave të kuqe të kalcifikuara dhe organizmave të kafshëve (sfungjerë, ashidie, knidarë, briozoarë, krimba unazorë), së bashku me organizma të tjerë që lidhen/ndërveprojnë me gëlqeren.
8. “Biodiversitet” është kuptimi i dhënë në ligjin nr.9587, datë 20.7.2006 “Për mbrojtjen e biodiversitetit”.
9. “Biotoksina detare” janë substancat helmuese që grumbullohen në molusqet dykapakore, si rezultat i të ushqyerit me plankton që përmban toksina.
10. “Burime të gjalla ujore” janë llojet e disponueshme të peshkut dhe organizmave të tjerë ujorë, përfshirë llojet anadrome dhe katadrome në hapësirën detare dhe ujërat e brendshme.
11. “Dragë” është një pajisje peshkimi, e cila përdoret për të kapur molusqe dykapakore, kërmij apo sfungjerë dhe tërhiqet nga një anije me motor (anije dragë) apo nga një pajisje tërheqëse e montuar në një anije të ankoruar (dragë e mekanizuar). Draga përbëhet nga një rrjetë në formë çante apo kafaz metalik i fiksuar në një kontur të ngurtë apo tub hekuri me madhësi dhe forma të ndryshme, fundi i të cilave mund të mbajë një lamë prerëse/gërryese që mund të jetë rrethore, e mprehtë apo me dhëmbë dhe që mund të pajiset me rrëshqitëse apo depresorë.
12. “Dragë hidraulike” është një dragë sipas përkufizimit të pikës 11 të këtij neni dhe që ka pajisje hidraulike.
13. “Dragë dore” është një dragë që tërhiqet me dorë apo vinç dore në ujëra të cekëta me ose pa përdorur varkë, e cila shërben për të kapur molusqe dykapakore, kërmij apo sfungjerë dhe që, për qëllim të këtij ligji, nuk konsiderohet si pajisje tërheqjeje.
14. “Drejtoria e peshkimit” është drejtoria përgjegjëse për zbatimin e politikave të peshkimit pranë ministrisë.
15. “Ekosistem detar/ujor” është një kompleks dinamik, i përbërë nga komunitete të bimëve, kafshëve e mikroorganizmave, si dhe mjedisi jo i gjallë, të cilat ndërveprojnë ndërmjet tyre si një njësi funksionale.
16. “Formulari i procesverbalit të konstatimit të shkeljes” është dokumenti me vlerë, me numër serie progresive,
i përgatitur në katër kopje.
17. “Flotë peshkimi” është numri i përgjithshëm i anijeve të peshkimit me flamur shqiptar, të regjistruara
në regjistrin kombëtar të mjeteve të peshkimit.
18. “Fuqi motorike” është fuqia maksimale e vazhdueshme që mund të arrihet në aks të secilit motor dhe që mund të përdoret për lëvizjen e anijes. Kur motorit i është montuar një reduktor i integruar, fuqia motorike matet në flanxhën dalëse të reduktorit. Njësia e fuqisë së motorit shprehet në kilovat (KW) ose kuaj-fuqi (HP).
19. “Gjatësi e një anijeje” është gjatësia e përgjithshme ose distanca e matur në vijë të drejtë nga ekstremi i përparmë i bashit në ekstremin e prapmë të kiçit, e matur kjo me metra, me përafrim në centimetra, pa marrë parasysh pjesët e dala.
20. “Gjerësi e një anijeje” është gjerësia maksimale e matur në pjesën e jashtme të brinjës së mesit të anijes. Gjerësia e përgjithshme matet me metra me përafrim në centimetra.
21. “Hapësirë detare” është hapësira e përcaktuar në ligjin nr. 9251, datë 8.7.2004 “Kodi detar i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
22. “Hedhurinë” është sasia e përgjithshme e peshkut pa vlerë tregu që hidhet në momentin e nxjerrjes nga uji ose pak pas saj.
23. “Introduktim” është procesi, nëpërmjet të cilit një lloj joindigjen merret dhe vendoset në një zonë tjetër,
e cila është jashtë habitatit të saj natyror.
24. “Inspektim” është çdo kontroll i kryer nga nëpunësit përkatës për të verifikuar zbatimin e rregullave të peshkimit dhe pasqyrimin e këtij kontrolli në raportin përkatës.
25. “Kapacitet biologjik” është kapaciteti i një ekosistemi për të pasur organizma të shëndetshëm, duke ruajtur produktivitetin, përshtatjen dhe kapacitetin e ripërtëritjes.
26. “Kontroll” është monitorimi dhe mbikëqyrja.
27. “Kampionim i bazuar mbi flotën e peshkimit dhe llojet e peshkimit” është grumbullimi i të dhënave biologjike, teknike dhe social - ekonomike mbi bazën e llojeve të peshkimit dhe segmenteve të flotës.
28. “Koshilok” është një rrjetë rrethore që përdoret për kapjen e llojeve pelagjike, me bova plastike sipër dhe pesha plumbi në fund, në mënyrë që bovat të mbajnë rrjetën në sipërfaqe. Rrjeta është e mbyllur nga poshtë me një litar, i cili kalon nëpërmjet një sistemi unazash dhe bën që peshku të mbyllet brenda rrjetës.
29. “Kurthe” janë pajisjet e peshkimit, të cilat fiksohen apo vendosen në fund/taban dhe që shërbejnë si një kurth për të kapur peshq. Ato ndërtohen në formën e një shporte, poçeje, fuçie apo kafazi dhe në shumicën e rasteve ato përbëhen prej një strukture të ngurtë apo gjysmë të ngurtë prej materialesh të ndryshme (dru, thupra, shufra metali, rrjeta hekuri etj.) që mund të jenë ose mund të mos jenë mbuluar me rrjetë.
30. “Leje peshkimi” është dokumenti zyrtar që i jep të drejtën mbajtësit të saj të ushtrojë aktivitet peshkimi dhe të përdorë një sasi të caktuar të peshkut dhe produkteve të tij për shfrytëzim tregtar, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
31. “Libri i anijes së peshkimit” është një dokument regjistrimi i aktivitetit të përditshëm të peshkimit.
32. “Linjë grepash” është një pajisje peshkimi, e cila përbëhet nga një linjë kryesore që mbart shumë grepa në degëzime të ndryshme, me gjatësi dhe gjerësi të ndryshme, në varësi të llojit të synuar. Ajo mund të hidhet si vertikalisht edhe horizontalisht në sipërfaqen e detit/ujit ose afër fundit të detit/ujit.
33. “Limiti i peshkimit” është limiti sasior i peshkut të përcaktuar për t’u sjellë në tokë të një popullate peshqish apo popullatave të ndryshme në një periudhë të caktuar.
34. “Livadh detar ose shtrat me bar i detit” është një zonë e funddetit, që karakterizohet nga prania mbizotëruese e fanerogameve, ose një zonë, në të cilën kjo bimësi ka ekzistuar dhe ka nevojë për ndërhyrje rehabilituese. Livadh detar është një përkufizim i përbashkët për llojet Posidonia oceanica, Cymodocea nodosa, Zoostera marina dhe Zoostera noltii.
35. “Lloj anadrom” është ai lloj peshku, i cili zhvendoset nga deti në ujëra të ëmbla, me qëllim lëshimin e vezëve,
lindjen e larvave/të vegjëlve.
36. “Lloj katadrom” është ai lloj peshku, i cili jeton në ujërat e ëmbla dhe lëviz për në det, me qëllim lëshimin e vezëve, lindjen e larvave/të vegjëlve.
37. “Lloj jovendas” janë llojet, të cilat vendndodhjen natyrore të njohur historikisht e kanë jashtë ujërave
ku ushtrohet aktiviteti i peshkimit.
38. “Lloj peshku vendas” janë llojet, të cilat kanë qenë gjithmonë në ujërat ku ushtrohet aktiviteti i peshkimit.
39. “Mbikëqyrje” është inspektimi i aktiviteteve të peshkimit me anije patrulluese, me mjete ajrore dhe mjete të tjera për të vëzhguar zbatimin e përcaktimeve të këtij ligji.
40. “Mbledhje” është procesi i mbledhjes së organizmave detarë/ujorë pa përdorur pajisje peshkimi.
41. “Mbishfrytëzim (mbipeshkim)” është situata kur presioni i ushtruar nga aktivitetet e peshkimit tejkalon limitin e peshkimit.
42. “Sistem të dhënash shumëvjeçare” është matja e ndryshimeve të një parametri të dhënë për një numër vitesh.
43. “Menaxhim i peshkimit” është procesi i integruar i mbledhjes së informacionit, analizimit, planifikimit, konsultimit, vendimmarrjes, shpërndarjes së burimeve, formulimit dhe zbatimit (me detyrim nëse është e nevojshme) të rregullave të aktivitetit të peshkimit, në mënyrë që të sigurohet produktiviteti i vazhdueshëm i burimeve dhe përmbushja e objektivave të tjerë të peshkimit.
44. “Milje detare” është njësi matëse ndërkombëtare prej 1852 metrash.
45. “Ministër” është ministri që mbulon aktivitetin e peshkimit.
46. “Ministria” është ministria që mbulon aktivitetin e peshkimit.
47. “Mjedis ujor” janë komponentët fizikë, kimikë, gjeologjikë dhe biologjikë, kushtet dhe faktorët, të cilët ndërveprojnë dhe përcaktojnë prodhimtarinë, stadin, kushtet dhe cilësinë e ekosistemit ujor, të ujërave dhe hapësirës ajrore mbi këto ujëra,
si dhe të shtratit të detit e shtresave të tyre.
48. “Mundësi peshkimi” është një sasi e përcaktuar ligjërisht e peshkut në terma të sasisë që duhet peshkuar
dhe/ose të përpjekjeve për peshkim.
49. “Molusqe dykapakore” janë molusqe lamelibranke (Lamellibranchia class) që ushqehen nëpërmjet filtrimit.
50. “Numër regjistri NFR (National Fleet Register – CFR (Community Fleet Register)” është numri në regjistrin e anijeve të peshkimit i ngjashëm me Regjistrin Komunitar të Flotës së Peshkimit.
51. “Organizma ujorë” janë organizmat e gjallë ose jo, shtazorë a bimorë, të ngrënshëm a të pangrënshëm, që kanë ujin si mjedis të zakonshëm ose natyror jetese, ku përfshihen peshqit, krustacetë, molusqet, koralet, sfungjerët, amfibët, reptilët ujorë, gjitarët ujorë, si dhe vezët, larvat e rasatet e tyre ose prodhime të tjera natyrore, me përjashtim të shpendëve.
52. “Operator” janë personat, fizikë apo juridikë, që veprojnë, ndërmarrin dhe kryejnë veprime që lidhen me të paktën një nga stadet e prodhimit, përpunimit, tregtimit, shpërndarjes dhe shitjes së produkteve të peshkimit dhe akuakulturës.
53. “Organizata” janë organizatat e menaxhimit të peshkimit, kooperativat ose organizatat e prodhuesve, të krijuara sipas nenit 26 të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë dhe të këtij ligji.
54. “Organizata rajonale e menaxhimit të peshkimit” janë organizmat ndërkombëtarë të krijuar nga shtete me
interesa të përbashkët për peshkimin.
55. “Pajisje mbledhëse peshkimi (PMP)” është çdo pajisje që pluskon në sipërfaqen e detit/ujit dhe që mbledh nën të individë të rritur apo të vegjël të llojeve shumë migratore.
56. “Pajisje peshkimi” është një mjet që mundëson ushtrimin e aktivitetit të peshkimit.
57. “Pajisje zhytëse” janë të gjitha pajisjet që përdoren për zhytje, përfshirë maskat, lopatat, pajisjet e frymëmarrjes
që përdoren për zhytje, si bombola ajri, tuba ajrimi të lidhura me pompa etj.
58. “Peshkatar” është një person fizik i kualifikuar, i cili ushtron peshkimin profesionist në një anije peshkimi ose përfshihet në aktivitet peshkimi.
59. “Peshkim fundor” është ajo formë e peshkimit tregtar që realizohet nga anijet e peshkimit të licensuara për këtë aktivitet dhe realizohet me një rrjetë të ndërtuar në formë konike të tërhequr në ujë nga një ose dy anije peshkimi.
60. “Peshkim i paligjshëm, i parregulluar dhe i paraportuar (PPP)” janë aktivitetet e peshkimit që janë të paligjshme, të parregulluara apo të paraportuara, kuptimet e të cilave jepen me hollësi më poshtë:
a) “Peshkim paligjshëm” është aktiviteti i peshkimit që kryhet:
i) nga një anije peshkimi, vendase apo e huaj, në ujërat detare nën juridiksionin e Republikës së Shqipërisë, pa lejen e saj, apo në shkelje të dispozitave ligjore të legjislacionit shqiptar;
ii) nga një anije peshkimi që mban flamurin e Republikës së Shqipërisë, por që ushtron aktivitetin në kundërshtim me masat menaxhuese dhe konservuese, të miratuara nga organizata të rëndësishme rajonale të menaxhimit të peshkimit, ku Shqipëria është palë kontraktuese dhe që ajo ka pranuar, apo me dispozitat e ligjit ndërkombëtar të zbatueshëm, për këtë rast;
iii) nga anijet e peshkimit në shkelje të dispozitave të legjislacionit shqiptar apo ndërkombëtar.
iv) nga individë të paautorizuar dhe të papajisur me leje peshkimi në hapësirën detare dhe ujërat e brendshme.
b) “Peshkim i paraportuar” janë aktivitetet e peshkimit që:
i) nuk janë raportuar apo janë raportuar në mënyrë jokorrekte në autoritetet e rëndësishme kombëtare të peshkimit, në kundërshtim me rregulloret dhe ligjet kombëtare të peshkimit;
ii) janë kryer në zonën e kompetencës së një organizate të rëndësishme rajonale të menaxhimit të peshkimit dhe nuk janë raportuar ose janë raportuar në mënyrë jokorrekte, në kundërshtim me procedurat raportuese të asaj organizate.
c) “Peshkim i parregulluar” janë aktivitetet e peshkimit që:
i) kryhen në zonën e aplikimit të një organizate të rëndësishme rajonale të menaxhimit të peshkimit nga anije peshkimi pa kombësi, nga anije peshkimi që kanë flamurin e një shteti joanëtar të kësaj organizate apo nga ndonjë njësi tjetër peshkimi, që nuk përputhet apo është në kundërshtim me masat konservuese apo menaxhuese të kësaj organizate;
ii) kryhen në zona ose mbi popullata peshkimi, në lidhje me të cilin nuk ka masa të zbatueshme konservuese ose menaxhuese nga anijet e peshkimit që nuk përputhen me përgjegjësitë e Republikës së Shqipërisë për ruajtjen e burimeve detare të gjalla,
sipas ligjit ndërkombëtar.
61. “Peshkim tregtar” është peshkimi pjesërisht apo plotësisht me qëllim shitjen, tregtimin apo shkëmbimin e produkteve. Këtu nuk përfshihet aktiviteti i peshkimit çlodhës - argëtues.
62. “Peshkim tregtar profesional” është ajo kategori e peshkimit detar që ushtrohet nga anije me gjatësi më të madhe se 12 metra dhe me fuqi motorike të barabartë dhe/ose më të madhe se 56 KW (75 kuaj-fuqi).
63. “Peshkim tregtar artizanal” është peshkimi tregtar që nuk është peshkim tregtar profesional.
64. “Peshkim çlodhës - argëtues” janë aktivitetet e peshkimit jotregtar për shfrytëzimin e burimeve ujore të gjalla për argëtim,
sport apo turizëm.
65. “Peshku dhe organizmat e tjerë detarë/ujorë” është një kafshë detare/ujore ose bimë që përfshin peshqit, molusqet, krustacetë, koralet, sfungjerët, iriq deti apo ekinodermatë të tjerë, breshkën, reptilët dhe gjitarët detarë/ujorë, vezët e tyre,
larvën dhe fazat fillestare të rritjes.
66. “Përdorues final” janë të gjitha entet që kanë një interes kërkimi ose menaxhimi në analizën shkencore të të dhënave,
në lidhje me sektorin e peshkimit.
67. “Përpunim” është procesi, nga i cili ka ardhur një produkt, që përfshin prerjen në feta, paketimin, konservimin, ngrirjen, tymosjen kriposjen, gatimin, marinimin, tharjen apo përgatitjen e peshkut për treg në çdo lloj mënyre tjetër.
68. “Pikat referuese të konservimit” janë vlerat e parametrave të një popullate peshku (si biomasa ose niveli i vdekshmërisë së peshqve etj.), që përdoren në menaxhimin e peshkimit, në përcaktimin e nivelit të pranueshëm të rrezikut biologjik
ose nivelin e dëshirueshëm të prodhimit.
69. “Plan bashkëmenaxhimi” është një plan për menaxhimin e zonës së bashkëmenaxhimit të peshkimit, që përgatitet në përputhje me dispozitat e nenit 53 të këtij ligji.
70. “Popullatë” është një burim i gjallë ujor që jeton në një zonë të përcaktuar menaxhimi.
71. “Port peshkimi” është një territor i përgatitur posaçërisht për akostimin e anijeve të peshkimit dhe i pajisur me të gjitha mjetet për shërbimet e kërkuara për peshkimin dhe për sigurinë detare.
72. “Qasje e kujdesshme ndaj menaxhimit të peshkut” është parimi se mungesa e informacionit të mjaftueshëm shkencor nuk duhet të përdoret si qëllim për të shtyrë apo për të mos marrë masa menaxhimi për konservimin/mbrojtjen e llojeve objekt peshkimi së bashku me lloje të tjera apo veçmas, si dhe llojeve jo objekt peshkimi, dhe mjedisit të tyre.
73. “Qasje pro ekosistemit” është menaxhimi gjithëpërfshirës dhe i integruar i aktivitetit njerëzor, që bazohet në njohuritë më të mira shkencore në lidhje me ekosistemin dhe dinamikat e tij, që, për rrjedhojë, arrin përdorimin e qëndrueshëm për përbërësit dhe shërbimet e ekosistemit dhe ruajtjen e integritetit të tij.
74. “Qendër peshkimi” janë qendrat në ujërat e brendshme, që përdoren për qëllime të aktivitetit të peshkimit, përfshirë edhe sjelljen në tokë nga mjetet lundruese të organizmave ujorë, së bashku me tokën, ndërtesat dhe infrastrukturat përkatëse.
75. “Qendra e monitorimit të peshkimit (QNOD)” është qendra e ngritur dhe e pajisur me hardware dhe software kompjuterikë që mundësojnë marrjen, përpunimin dhe transmetimin e të dhënave.
76. “Rezervat peshkimi” është ajo pjesë e detit/ujit, e përshtatshme për riprodhimin natyral të peshkut dhe zhvillimin e peshqve të vegjël, si dhe për organizmat e tjerë detarë/ujorë.
77. “Ripopullim” është lëshimi i llojeve të lejuara të peshkut dhe organizmave të tjerë detarë/ujorë në ujëra ku ata hasen natyrshëm, me qëllim përdorimin e mjedisit ujor natyral për të rritur numrin e peshqve dhe sasinë e kapshme.
78. “Rrjeta fikse fundore” është një mrezhë, një njicë fundore ose një rrjetë fikse fundore e kombinuar, për të cilat jepet me hollësi shpjegimi më poshtë:
a) “Mrezhë” është rrjetë e përbërë nga dy ose më shumë copa rrjetash të fiksuara së bashku në paralel në të njëjtën pjesë të vetme dhe që është apo mund të jetë e ankoruar me çfarëdo mënyre në fundin e detit;
b) “Njicë fundore” është rrjetë e formuar nga një copë e vetme dhe e mbajtur vertikalisht në ujë nëpërmjet plumbave dhe tapave dhe që është apo mund të jetë e ankoruar me çfarëdo mënyre në fund dhe që mbahet në afërsi të këtij fundi ose noton në kolonën e ujit;
c) “Rrjetë fikse fundore e kombinuar” është njicë fundore e pozicionuar në fund dhe që kombinohet me një
mrezhë që përbën pjesën fundore të rrjetës.
79. “Rrjeti kohë - hapësirë” është kombinimi i një intervali kohe të caktuar dhe një areali gjeografik, në një sektor të përcaktuar.
80. “Sasi” është sasia e produkteve të peshkut apo akuakulturës për një lloj të caktuar, të ardhur nga e njëjta zonë gjeografike dhe nga e njëjta anije peshkimi ose grup anijesh peshkimi ose nga e njëjta njësi e prodhimit të akuakulturës.
81. “Sektor peshkimi” është sektori i ekonomisë, që përfshin të gjitha aktivitetet e kapjes, përpunimit dhe marketingut të peshqve dhe produkteve të akuakulturës.
82. “Sistem identifikimi automatik” është një sistem i pavarur identifikimi dhe monitorimi i vazhdueshëm në një anije, i cili bën të mundur komunikimin elektronik të anijes me autoritetet e tjera të afërta, në breg, për të siguruar të dhënat që lidhen me identifikimin e saj, pozicionin, kursin dhe shpejtësinë.
83. “Sistem i të dhënave të monitorimit të anijes” janë të dhënat për identifikimin e një anijeje, pozicionin e saj gjeografik, datën, orën, kursin dhe shpejtësinë, të transmetuara nëpërmjet pajisjeve përkatëse të vendosura në bordin e anijeve të peshkimit
drejt qendrave të monitorimit.
84. “Sistem i zbulimit të anijeve” është një stacion me një teknologji të lartë, i vendosur në një distancë të caktuar për të zbuluar anijet dhe pozicionet e tyre në det.
85. “Sistem të dhënash shumëvjeçare” është matja e ndryshimeve të një parametri të dhënë për një numër të caktuar vitesh.
86. “Sforco peshkimi” është një mënyrë matjeje e aktivitetit të peshkimit, e shprehur si prodhimi (shumëzimi) i një numri parametrash të lidhura me kapacitetin e anijes së peshkimit dhe veglave të peshkimit, të përdoruara në një zonë peshkimi në një njësi të caktuar kohe p.sh. orë tralimi (tërheqje trate) në ditë, i një numri grepash të vendosur në ditë apo numri rrethimesh me tratë zalli në një ditë. Kur janë përdorur dy ose më shumë lloje veglash peshkimi, sforcoja përkatëse duhet të ketë një lloj standardizimi përpara se të mblidhet.
87. “Shitja e parë e peshkut” është sasia e peshkut që nxirret për shitje për të parën herë në një vend të caktuar për shitjen.
88. “Shkelje të rënda” janë aktivitetet e peshkimit PPP, aktivitetet e tregtimit të lidhura me peshkimin PPP dhe falsifikimin e dokumentacionit, në zbatim të dispozitave të krerëve IX dhe X të këtij ligji.
89. “Shitje me pakicë” është kapja dhe/ose përpunimi i produkteve të burimeve nënujore dhe ruajtja deri në shitje apo dorëzim konsumatorit të fundit, përfshirë këtu dhe shpërndarjen.
90. “Shfrytëzim i qëndrueshëm” është shfrytëzimi i një popullate në një mënyrë të tillë që nuk rrezikohet shfrytëzimi i ardhshëm i kësaj popullate dhe pa shkaktuar një impakt negativ në ekosistemin ujor.
91. “Të dhëna parësore” janë të dhënat që u referohen anijeve të veçanta, personave fizikë ose juridikë ose kampioneve të veçanta.
92. “Të dhëna të hollësishme” janë të dhënat e bazuara mbi të dhënat parësore, në një formë që nuk mundëson identifikimin në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, të cilitdo person, fizik ose juridik.
93. “Të dhëna të përgjithshme” është përfundimi i ardhur nga përpunimi i të dhënave nga një grup anijesh peshkimi, për një periudhë të caktuar dhe, atëherë kur është e arsyeshme, për një sektor specifik gjeografik, duke pasur parasysh marrjen e një numri
përfaqësues të së tërës.
94. “Tratë krahu bregdetare” është një tratë me rrethim të hedhur nga një barkë e që komandohet nga bregu.
95. “Tratë zalli” janë rrjetat rrethuese dhe tërheqëse, të cilat përdoren e tërhiqen nëpërmjet litarëve dhe vinçave nga barkat në lëvizje apo të ankoruara dhe nuk tërhiqen nëpërmjet motorit të anijes, të cilat përbëhen prej dy krahëve anësorë dhe një pjese të thelluar qendrore, të gjithë në formën e një luge ose me një çantë/thes në pjesën fundore dhe që mund të përdoren nga sipërfaqja deri në fund të detit/ujërave, në varësi të llojit/llojeve që janë objekt peshkimi.
96. “Trata tërheqëse” janë rrjetat, të cilat tërhiqen në mënyrë aktive prej motorit të anijes dhe kanë një trup në formën e një koni ose piramide, e mbyllur në fund prej thesit dhe që mund të zgjatet në hapje prej krahëve ose që mund të vendoset në një kontur të ngurtë. Hapja anësore arrihet nëpërmjet timonëve dhe mund të tërhiqet ose në fund të detit/ujit (trata thellësie),
ose në gjysmëthellësi (trata pelagjike).
97. “Transbordim” është shkarkimi, i plotë ose i pjesshëm, i produktit të peshkimit apo akuakulturës, nga bordi
i një anijeje në bordin e një anijeje tjetër.
98. “Ujëra të Republikës së Shqipërisë” përfshin ujërat detare, si dhe ujërat e brendshme.
99. “Ujëra të brendshme” janë lagunat bregdetare, liqenet natyrore, liqenet e hidrocentraleve, ujëmbledhësit e bujqësisë, lumenjtë dhe ujëra të tjera të Republikës së Shqipërisë, të ndryshme nga ujërat detare.
100. “Ujëra të brendshme detare” është hapësira ujore, sipas përcaktimit në ligjin nr. 9251, datë 8.7.2004
“Kodi detar i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
101. “Ujëra territoriale” është hapësira ujore, sipas përcaktimit në ligjin nr. 9251, datë 8.7.2004
“Kodi detar i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
102. “Ujëra transitore” është sasia e ujërave sipërfaqësore në afërsi të deltave të lumenjve, të cilat janë pjesërisht të kripura, si rezultat i afërsisë së tyre me ujërat bregdetare, por që kryesisht ndikohen prej rrjedhjeve të ujit të ëmbël.
103. “Vegël peshkimi” është një instrument që përdoret për peshkim.
104. “Vend i zbarkimit të parë” është një mol, port apo vend tjetër, i cili përmbush kriteret e përcaktuara për zbarkimin e peshkut.
105. “Vend/post peshkatarësh” është një hapësirë në brigje ku rrjetat tërhiqen dhe transportohen.
106. “Zbarkim/zbritje në tokë” është shkarkimi fillestar i çdo sasie produktesh peshkimi nga bordi i një anijeje në breg (tokë).
107. “Zënia, jo objekt peshkimi” është sasia e peshkut, e cila:
a) nuk i përket atij lloji peshku i cili është synuar për t’u kapur;
b) i përket një lloji që nuk është identifikuar si lloj shoqërues në lejen e marrë;
c) përfshin flakjet ekonomike dhe rregullatore;
ç) nuk përfshin peshkun, i cili lëshohet i gjallë në kuadrin e një programi çlodhës - argëtues “kap dhe lësho”.
108. “Zonë e kufizuar peshkimi” është zona ujore, e cila është shpallur nga autoritetet përkatëse si zonë e ndaluar për peshkim apo si zonë me kapacitet të kufizuar peshkimi.
109. “Zonë bashkëmenaxhimi” është një zonë e peshkimit, e caktuar sipas këtij ligji, ku një organizatë merr pjesë
në menaxhimin e burimeve të peshkimit.
110. “Zonë e mbrojtur peshkimi” është një zonë gjeografikisht e përcaktuar e sistemit ujor, në të cilën të gjitha aktivitetet e peshkimit janë përkohësisht ose në mënyrë të përhershme të ndaluara ose të kufizuara, me qëllim përmirësimin dhe mbrojtjen e burimeve ujore të gjalla ose mbrojtjen e ekosistemeve ujore.
111. “Zhvendosje” është veprimi ku pjesa e kapur ose një pjesë e saj transferohet apo lëvizet nga anijet e përbashkëta të peshkimit në një anije të vetme, ose nga zotëruesi i anijes apo pronari i anijes në kosha notues, konteinerë apo vende jashtë anijes, në të cilat peshku i gjallë mbahet deri në zbarkim.

Neni 5
Menaxhimi i qëndrueshëm i mjedisit ujor dhe gjallesave të tyre

1. Shfrytëzimi, në harmoni me zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, mjedisor dhe social, i burimeve të gjallesave të ujërave detare dhe ujërave të brendshme duhet të arrihet nëpërmjet:
a) zbatimit, në mënyrë të kujdesshme, të masave që synojnë mbrojtjen dhe konservimin e burimeve të gjallesave ujore,
duke ruajtur diversitetin biologjik;
b) minimizimit të ndikimit të aktivitetit të peshkimit në ekosistemin ujor;
c) zbatimit të një qasjeje me kujdesin maksimal për ruajtjen e ekosistemit gjatë ushtrimit të aktivitetit të peshkimit;
ç) zbatimit të përpiktë dhe racional të aktivitetit të peshkimit, në kuadër të një sektori peshkimi konkurrues dhe ekonomikisht të vlefshëm, duke u mundësuar një standard të drejtë jetese personave që ushtrojnë aktivitetin e peshkimit, si dhe nëpërmjet marrjes në konsideratë të interesave të konsumatorëve;
d) zbatimit të qasjes së kujdesshme ndaj menaxhimit të peshkimit, nëpërmjet marrjes së masave menaxhuese për konservimin dhe mbrojtjen e llojeve objekt peshkimi, shoqëruese apo të varura, dhe llojeve jo objekt peshkimi, dhe mjedisit të tyre, pavarësisht se mund të mos ketë një informacion të mjaftueshëm shkencor për to;
dh) vendosjes së parimeve të zhvillimit të aktiviteteve të përgjegjshme të peshkimit;
e) marrjes parasysh të mendimit të institucioneve shkencore të specializuara gjatë procesit të vendimmarrjes
prej autoriteteve kompetente.
2. Përfshirja e institucioneve të tjera në marrjen dhe zbatimin e masave menaxhuese të burimeve të gjallesave miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 6
Mbrojtja e gjallesave ujore

Peshqit dhe organizmat e tjerë ujorë mbrohen prej kërcënimeve, që lidhen me mjedisin e tyre të domosdoshëm të rritjes, si dhe prej mbishfrytëzimit, nëpërmjet zbatimit të masave që synojnë ruajtjen e biodiversitetit ujor, potencialeve riprodhuese bioekologjike, si dhe kushteve të mjedisit.


KREU II
PESHQIT DHE MBROJTJA E TYRE


Neni 7
Masat për mbrojtjen e biodiversitetit dhe kushteve mjedisore

Masat për mbrojtjen e biodiversitetit dhe kushteve mjedisore synojnë:
a) ndalimin e hedhjeve apo drenazhimin e mbeturinave të lëngshme apo të ngurta që burojnë nga prodhimi apo përpunimi i cilitdo material apo çfarëdo lloj energjie, që ka efekte negative në cilësinë e mjedisit ujor;
b) ndalimin e ripopullimit, lëshimit të llojeve të peshkut, joindigjene, dhe/ose organizmave të tjerë ujorë, llojeve të peshkut të modifikuara gjenetikisht ose organizmave të tjerë në det dhe ujërat e brendshme, pa marrë më parë autorizimin për kryerjen e këtij veprimi prej organit kompetent;
c) ndalimin e aktiviteteve nënujore që synojnë peshkimin në vende ku nuk është marrë më parë leje prej autoritetit menaxhues përgjegjës me ligj, sikurse është përcaktuar në këtë ligj;
ç) ndalimin e peshkimit, zënies dhe tregtimit të llojeve të mbrojtura të peshkut dhe organizmave të tjerë ujorë.

Neni 8
Llojet e peshqve objekt peshkimi

1. Lloji i peshkut apo grupet e llojeve të peshkut që peshkohen/zihen në det dhe në ujërat e brendshme, si dhe zonat respektive të peshkimit, me qëllim sigurimin dhe përmirësimin e zhvillimit të qëndrueshëm në mjedisin ujor, miratohen me rregullore nga ministri.
2. Rregullorja e parashikuar në pikën 1 të këtij neni përmban edhe:
a) emrin shqip dhe shkencor të llojeve të peshkut;
b) koordinatat gjeografike të zonës së peshkimit;
c) të dhëna të tjera, të cilat janë të rëndësishme për menaxhimin e llojeve të peshkut në përputhje me këtë ligj.

Neni 9
Llojet e mbrojtura të peshkut dhe organizmave të tjerë ujorë

Lista e llojeve të mbrojtura të peshkut dhe organizmave të tjerë ujorë, përfshirë këtu llojet anadrome dhe ato katadrome, miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 10
Mbrojtja e të vegjëlve dhe e organizmave të tjerë ujorë, si dhe dimensionet minimale të peshkut

1. Dimensionet minimale të peshkut e të organizmave të tjerë ujorë, përfshirë llojet anadrome dhe katadrome, në përputhje me të cilat ndalohet zënia, mbajtja në bord, transitimi në barkë e anije, zbarkimi qëllimisht dhe hedhja në treg apo për konsum e tyre, miratohen me rregullore të veçantë nga ministri.
2. Pavarësisht nga sa parashikohet në pikën 1 të këtij neni, ministri mund të lejojë kapjen e të vegjëlve, llojeve të peshkut dhe organizmave të tjerë ujorë të paaftë për t’u riprodhuar gjatë një afati të caktuar dhe me pajisje të caktuara peshkimi, me qëllim ripopullimin për mbrojtjen e llojit dhe aktivitetet kërkimore.

Neni 11
Zonat e mbrojtura të peshkimit

1. Zonat e mbrojtura të peshkimit miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Në vendimin e Këshillit të Ministrave pasqyrohet marrja e mendimeve dhe konsultimi me institucionet shkencore të specializuara në fushën e peshkimit, të mjedisit, si dhe konsultimi me grupet e interesit, në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi.
3. Në rastet kur zona e mbrojtur e peshkimit ndikon ose mund të ndikojë aktivitetin e peshkimit të një apo më shumë vendeve, me të cilat Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare, ministria njofton dhe merr miratimin e autoriteteve të vendit/vendeve, palë në marrëveshje, apo të një autoriteti tjetër, të parashikuar në marrëveshje, dhe mbikëqyr zbatimin e saj përpara përcaktimit dhe shpalljes së zonës së mbrojtur të peshkimit.

Neni 12
Zonat e mbrojtura të peshkimit

1. Në zonat e mbrojtura të peshkimit ndalohet:
a) të ushtrohet aktivitet peshkimi;
b) të merret apo të shfrytëzohet fauna ose flora;
c) të hidhet apo të shfrytëzohet rëra ose zhavorri, të shkarkohet apo të zhvendosen ujërat apo çdo material tjetër ndotës, si dhe të ndërhyhet, të prishet apo të shkatërrohet mjedisi;
ç) të ndërtohen struktura në tokë apo në ujë;
d) të ndërmerren apo të kryhen aktivitete të tjera që mund të kenë një ndikim negativ mbi ekosistemin e zonës së mbrojtur.
2. Në raste përjashtimore, pavarësisht nga sa parashikohet në pikën 1 të këtij neni, peshkimi i llojeve të caktuara të peshkut, në periudha të caktuara të vitit, me pajisje të caktuara, mund të lejohet vetëm pas autorizimit përkatës, të lëshuar prej ministrit. Autorizimi për peshkimin mund të lëshohet vetëm në rast se:
a) ndihmon në riprodhimin, kultivimin e këtyre llojeve dhe/ose popullimin e zonave të reja të peshkimit;
b) në zonë janë futur sasi të mëdha të llojeve të caktuara të peshkut dhe organizmave të tjerë detarë;
c) është për qëllime shkencore/studimore.
3. Ministri, në autorizimin e lëshuar subjektit përkatës, përcakton, ndërmjet të tjerash, kohëzgjatjen, pajisjet e peshkimit, si dhe rregullat teknike të përdorshme në zonat e mbrojtura ujore për qëllime peshkimi.

Neni 13
Zonat e tjera ku ndalohet peshkimi

1. Me qëllim mbrojtjen e riprodhimit natyror të peshqve detarë dhe të ujërave të brendshme dhe të të vegjëlve, si dhe të organizmave të tjerë ujorë, ministri urdhëron ndalimin e peshkimit për periudha kohe të caktuara.
2. Urdhri për ndalimin e peshkimit përcakton:
a) llojet ose grupllojet e peshkut dhe organizmave të tjerë detarë, peshkimi i të cilave ndalohet;
b) koordinatat gjeografike të zonës së ndaluar;
c) ditën e fillimit dhe të përfundimit të sezonit;
ç) masat për mbrojtjen dhe promovimin e peshkimit, pas konsultimit edhe me institucionet shkencore dhe grupet e interesit.
3. Pavarësisht nga sa parashikohet në pikën 2 të këtij neni, ministri lejon, në raste të veçanta dhe në kushte të caktuara, fillimin e peshkimit për:
a) të vegjlit;
b) llojet e peshkut dhe organizmave të tjerë ujorë, jo në gjendje për t’u riprodhuar, në zona të caktuara;
c) kohëzgjatje të caktuara dhe për përdorimin e pajisjeve të caktuara të peshkimit, me qëllim aktivitetet kërkimore apo ripopulluese.

Neni 14
Mbrojtja nga mbipeshkimi

Për të mbrojtur llojet e veçanta të peshkut e të organizmave të tjerë detarë dhe të ujërave të brendshme nga mbipeshkimi, ministri vendos:
a) të deklarojë mbylljen e sezonit dhe/ose të ndalojë përdorimin e veglave dhe mjeteve të caktuara për peshkimin tregtar apo çlodhës - argëtues;
b) të përcaktojë karakteristikat kryesore, konstruktive dhe teknike, metodat e përdorimin, kohën dhe qëllimin e përdorimit të llojeve specifike të veglave e të pajisjeve të peshkimit tregtar dhe çlodhës - argëtues;
c) të përcaktojë madhësinë që duhet të ketë peshku dhe organizmat e tjerë ujorë, në përputhje me parashikimet e pikës 1 të nenit 10 të këtij ligji.

Neni 15
Mbrojtja e llojeve ekonomikisht të rëndësishme

Ministri, me qëllim përdorimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e llojeve ekonomikisht të rëndësishme të peshkut dhe të organizmave të tjerë ujorë, pas konsultimit paraprak me institucionet shkencore të specializuara të fushës, përcakton:
a) numrin dhe madhësinë e anijeve të peshkimit, fuqinë motorike të anijeve, llojin dhe cilësinë e veglave e të pajisjeve të peshkimit, për të cilat lejohet peshkimi në zona të caktuara peshkimi;
b) ndalimet e peshkimit në një zonë të caktuar;
c) zënien e lejuar në terma të sasisë ose mbledhjen e lejuar për leje peshkimi;
ç) numrin e lejeve për llojet e caktuara të peshkimit.

Neni 16
Ndalimet në peshkim dhe në zonat e veçanta

1. Ndalohen zënia, mbledhja dhe/apo tregtia e peshkut dhe organizmave të tjerë ujorë me eksplozivë, substanca kimike ose çdo mënyrë tjetër që vret, intoksikon apo i helmon ato.
2. Ndalohet mbajtja në breg e eksplozivëve apo substancave kimike që vrasin, helmojnë apo intoksikojnë peshkun dhe organizmat e tjerë ujorë.
3. Ndalohen përdorimi dhe mbajtja në bord e:
a) substancave toksike, narkotike dhe gërryese;
b) pajisjeve që gjenerojnë shkarkime elektrike;
c) eksplozivëve;
ç) substancave që, nëse bashkohen së bashku, mund të shpërthejnë;
d) mjeteve me tërheqje, kryqeve të Shën-Andreas apo pajisjeve të ngjashme me to, që përdoren për mbledhjen e koralit të kuq dhe llojeve të tjera të koraleve apo organizmave të tjerë të ngjashëm me koralet;
dh) çekiçëve pneumatikë ose pajisjeve të tjera me goditje për grumbullimin, sidomos të molusqeve dykapakorë të futur në shkëmb;
e) rrjetave fundore mbledhëse me madhësi hapjeje më të vogël se 40 mm për peshkarexha.
4. Ndalohet peshkimi në zonën e portit, rrugët e hyrjes, si dhe vendet e ankorimit.
5. Ndalohet peshkimi me trata koçe, draga, kurthe, koshilok, trata zalli, trata krahu bregdetare dhe rrjeta të ngjashme në fundet me bimësi, sidomos të Posidonia oceanica dhe fanerogameve të tjera detare.
6. Si përjashtim i pikës 5 të këtij neni, lejohet përdorimi i koshilokut, tratave të zallit dhe i rrjetave të ngjashme, në të cilat lartësia totale dhe sjellja gjatë aktivitetit të peshkimit nënkuptojnë që koshiloku, kavoja e plumbit dhe kavot e tërheqjes nuk prekin livadhet.


KREU III
POLITIKAT STRUKTURORE


Neni 17
Parimet e politikës strukturore

1. Politikat strukturore në peshkim janë pjesë e politikave të përgjithshme të ministrisë dhe rishikohen të paktën një herë në katër vjet.
2. Politika strukturore synon të kontribuojë në:
a) mbështetjen e strategjisë kombëtare të peshkimit për të garantuar një shfrytëzim të qëndrueshëm të burimeve ujore të gjalla;
b) promovimin e një ekuilibri të qëndrueshëm midis burimeve dhe kapacitetit të peshkimit të flotës së peshkimit;
c) mbështetjen e konkurrencës të strukturave prodhuese dhe zhvillimin e ndërmarrjeve ekonomikisht aktive në sektorin e peshkimit;
ç) forcimin e mbrojtjes dhe përmirësimin e mjedisit e të burimeve natyrore atje ku ekziston një lidhje me sektorin e peshkimit;
d) nxitjen e qëndrueshme dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në zonat në të cilat zhvillohet aktivitet peshkimi;
dh) promovimin e shanseve të barabarta midis burrave dhe grave në zhvillimin e sektorit të peshkimit dhe të zonave të peshkimit.

Neni 18
Fushat e ndërhyrjeve strukturore

Fushat e ndërhyrjeve strukturore janë:
1. Masat për përshtatjen e flotës së peshkimit janë si më poshtë:
a) Mbështetja për pronarët e anijeve të peshkimit, të përfshira në planet e përshtatjes së kapaciteteve të peshkimit
dhe disponibilitetit të burimeve.
b) Mbështetja për ndalimin e përkohshëm të aktivitetit të peshkimit.
c) Mbështetja për investime në bordin e anijeve të peshkimit për sigurinë në bord, furnizimin me karburant, përmirësimin e kushteve të punës, higjienës e efiçencës energjetike dhe selektiviteti i mjeteve të peshkimit, me kusht që të mos sjellë një rritje
të sforcos së peshkimit.
ç) Kompensimi social – ekonomik, me qëllim diversifikimin e aktivitetit dhe promovimin e shumëpunësimit për peshkatarët, rritjen e kualifikimit, sidomos të të rinjve dhe të profesioneve të reja, në peshkim.
d) Mbështetje për peshkimin e vogël bregdetar artizanal, me qëllim përmirësimin dhe kontrollin e kushteve të hyrjes në ujërat dhe burimet ujore, promovimin e organizimit të zinxhirit të prodhimit, përpunimit dhe tregtimit të prodhimeve peshkore, nxitjes së nismave të reduktimit vullnetar të sforcos së peshkimit dhe mbrojtjes së resurseve, nxitjes së përdorimit të teknologjive të reja (teknikave të peshkimit që rritin selektivitetin tej atyre të parashikuara nga legjislacioni dhe që nuk rritin sforcon e peshkimit).
dh) Mbështetja, në kuadër të planeve të shpëtimit dhe ristrukturimit, të ndërmarrjeve në vështirësi.
2. Masat për ujërat e brendshme dhe përpunimin e tregtimin e prodhimeve peshkore janë si më poshtë:
a) Mbështetja për peshkimin në ujërat e brendshme për ndërtimin, zgjerimin fuqizimin dhe modernizimin e mjeteve të peshkimit, me qëllim përmirësimin e sigurisë në bord, të kushteve të punës, higjienës, cilësisë së prodhimit, si dhe reduktimin e
impaktit negativ mbi mjedisin.
b) Mbështetja për peshkatarët dhe pronarët e mjeteve lundruese të peshkimit, në kuadër të masave për mbrojtjen e llojeve të veçanta të peshkut dhe organizmave të tjerë të ujërave të brendshme, në ndalimin e përkohshëm të aktivitetit të peshkimit.
c) Mbështetja për ndërtimin, zgjerimin, pajisjen dhe modernizimin e ndërmarrjeve, duke u përqendruar në përmirësimin e kushteve të punës, përmirësimin e cilësisë së prodhimit, të prodhimit të produkteve cilësore të destinuara për tregje specifike, të reduktimit të ndikimit negativ mbi mjedisin, përmirësimit të përdorimit të llojeve më pak të përdorura, të prodhimeve të reja me teknologji të reja, të tregtimit të prodhimeve vendase dhe të promovimit të punësimit të qëndrueshëm në sektor.
3. Masat me karakter publik janë si më poshtë:
a) Mbështetja për veprimtari kolektive për të kontribuar në një menaxhim të qëndrueshëm dhe mbrojtje të burimeve ujore, promovimi i mënyrave dhe mjeteve të peshkimit selektiv që reduktojnë zëniet, jo objekt peshkimi, heqja e mjeteve të peshkimit të humbura, përmirësimi i kushteve të punës dhe sigurisë, rritja e transparencës së tregtimit të prodhimeve peshkore, zhvillimi, ristrukturimi dhe përmirësimi i zonave ujore, promovimi i bashkëpunimit midis shkencëtarëve dhe operatorëve të sektorit, promovimi i shanseve të barabarta, promovimi i krijimit të organizatave të prodhuesve.
b) Mbrojtja dhe zhvillimi i florës dhe faunës ujore, nëpërmjet ndërtimit ose instalimit të strukturave fikse për të mbrojtur dhe zhvilluar faunën dhe florën ujore ose rigjenerimin e zonave të riprodhimit në ujërat e brendshme.
c) Investime në portet e peshkimit, vendet e zbarkimit për të përmirësuar kushtet për peshkun e zbarkuar, furnizimin me akull, karburant, ujë dhe energji elektrike, pajisjet për riparimin dhe për mirëmbajtjen e mjeteve të peshkimit, ndërtimit, modernizimit dhe zgjerimit të bankinave, duke përmirësuar sigurinë dhe operacionet e imbarkimit dhe të zbarkimit, menaxhimit të informatizuar të aktiviteteve të peshkimit, përmirësimit të kushteve të punës, depozitimit dhe trajtimit të mbetjeve dhe masave për reduktimin e hedhurinave.
ç) Zhvillimi i tregjeve të reja dhe fushata të drejtuara konsumatorëve për promovimin e prodhimeve peshkore, të furnizimit të tregut edhe me lloje më pak të përdorura, promovimit të prodhimeve të zëna, duke përdorur teknikë me impakt të ulët mjedisor, dhe fushatave për përmirësimin e imazhit të prodhimeve peshkore dhe të vetë sektorit.
4. Masat për një zhvillim të qëndrueshëm të zonave të peshkimit janë si më poshtë:
a) Shtimi vlerës së prodhimeve peshkore, përmirësimi i menaxhimit dhe kontrollit të kushteve të hyrjes në zonat e peshkimit, mbrojtja dhe shtimi i punësimit në zonat e peshkimit, promovimi i cilësive mjedisore të mjedisit detar.
b) Forcimi i konkurrencës, promovimi i ekoturizmit, ndërtimi i infrastrukturës për peshkimin e vogël artizanal, rikuperimi i potencialit prodhues në rast fatkeqësish natyrore.
5. Masat e parashikuara në pikat 1, 2, 3 dhe 4 të këtij neni miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.


KREU IV
AUTORITETET VENDIMMARRËSE
DHE ORGANET KONSULTATIVE


Neni 19
Autoriteti vendimmarrës/menaxhues dhe detyrat e tij

1. Mbikëqyrja, menaxhimi e rregullimi i peshkimit dhe i aktiviteteve që kanë lidhje dhe e mundësojnë atë bëhet nga ministria.
2. Ministria, gjatë zbatimit të detyrave dhe ushtrimit të kompetencave që burojnë prej këtij ligji, bashkëpunon me të gjitha ministritë që lidhen me aktivitetin e peshkimit.
3. Në zbatim të dispozitave të këtij ligji, ministri miraton rregullore për:
a) përbërjen, funksionimin dhe detyra të veçanta të organeve konsultative që krijohen në bazë të këtij ligji;
b) kushtet për lëshimin dhe rinovimin e autorizimeve të kërkimit shkencor në fushën e peshkimit;
c) kriteret dhe mënyrat për njohjen e enteve kërkimore;
ç) kushtet, kërkesat dhe mënyrat e regjistrimit në regjistrin e peshkatarëve, sipas nenit 31 të këtij ligji, si dhe modelin e regjistrit e normat për mbajtjen e tij;
d) detyrimet dhe mënyrat e paraqitjes së relacioneve nga titullarët e autorizimeve të kërkimit;
dh) krijimin dhe mbajtjen pranë ministrisë të një arkivi të lejeve të peshkimit;
e) ndalimet në peshkim, sipas përcaktimeve në këtë ligj ose ndalime të tjera;
ë) detyrimet dhe mënyrat e paraqitjes së informacioneve dhe të të dhënave statistikore për peshkimin dhe akuakulturën, si dhe për shfrytëzimin ekonomik të prodhimeve të peshkimit e akuakulturës;
f) ndërprerjen, anulimin, rinovimin ose refuzimin për rinovimin e lejeve dhe autorizimeve të parashikuara nga ky ligj;
g) organizimin e tregjeve të peshkut e, në veçanti, detyrimin për të paraqitur të dhënat statistikore për veprimtarinë e zhvilluar;
gj) peshkimin çlodhës - argëtues e, në veçanti, llojet, pajisjet, zonat, periudhat, ushtrimin e kësaj veprimtarie në ujërat e brendshme, përdorimin e mjeteve lundruese, lëshimin e lejeve nga ana e shoqatave të peshkimit ose enteve të tjera,
kushtet për përdorimin e pushkës nënujore;
h) autorizimin e organeve administrative ose enteve të tjera për lëshimin e lejeve të parashikuara në këtë ligj;
i) Shfuqizohet
j) kushtet për lejet e peshkimit dhe zhvillimit të aktivitetit të peshkimit;
k) kushtet që duhet të plotësojnë personat që emërohen vëzhgues ose marrësve të mostrave në peshkim.

Neni 20
Organet konsultative

Organet konsultative në lidhje me aktivitetin e peshkimit janë:
a) Komisioni Konsultativ Qendror për Peshkimin dhe Akuakulturën (KKQPA).
b) Komiteti për Koordinimin e Kërkimit Shkencor, Teknik dhe Ekonomik (KKKSHTE).

Neni 21
Komisioni Konsultativ Qendror për Peshkimin dhe Akuakulturën

1. Pranë ministrisë ngrihet Komisioni Konsultativ Qendror për Peshkimin dhe Akuakulturën, i cili jep mendime dhe sugjerime për çështje të përgjithshme dhe të analizës së zinxhirit të peshkimit, për hyrjen në burime dhe aktivitetin e peshkimit, për politikat strukturore, për organizimin e tregut dhe probleme të akuakulturës.
2. KKQPA-ja kryesohet nga ministri dhe ka në përbërje drejtorë të drejtorive të ministrisë, përfaqësues të organizatave më të mëdha të menaxhimit dhe të prodhuesve të peshkimit, si dhe ekspertë në lëmin e peshkimit, akuakulturës dhe mjedisit.
3. Anëtarët e komisionit caktohen me urdhër të ministrit për një afat trevjeçar.
4. Drejtori i drejtorisë së peshkimit kryen funksionet e nënkryetarit të komisionit. Funksionet e sekretarit të komisionit kryhen nga një funksionar i po kësaj drejtorie.
5. Ministri mbledh KKQPA-në jo më pak se një herë në vit.
6. Mënyra e funksionimit të KKQPA-së miratohet me rregullore të ministrit.

Neni 22
Komiteti për Koordinimin e Kërkimit Shkencor, Teknik dhe Ekonomik, përbërja dhe detyrat e tij

1. Pranë ministrisë krijohet Komiteti për Koordinimin e Kërkimit Shkencor, Teknik dhe Ekonomik, i cili është një organ i përhershëm konsultativ për çështje që lidhen me studimet e kërkimet me interes shkencor, teknik, shtetëror dhe ekonomik për
peshkimin dhe akuakulturën.
2. Anëtarët e komitetit caktohen me urdhër të ministrit ndërmjet shkencëtarëve dhe personaliteteve më të njohura në fushën e peshkimit, akuakulturës dhe mjedisit.
3. KKKSHTE-ja kryen detyrat e koordinimit të:
a) kërkimit dhe vlerësimit të popullatës së peshqve;
b) monitorimit të kushteve dhe vlerësimet në lidhje me shfrytëzimin e qëndrueshëm të peshkut dhe organizmave të tjerë detarë;
c) përgatitjes së bazës profesionale për planin strategjik kombëtar, planin e menaxhimit dhe atë të zbatimit të peshkimit;
ç) përcaktimit të termave teknikë dhe teknologjikë për të gjitha llojet e peshkimit;
d) dhënies së asistencës profesionale në aktivitetin e peshkimit.
4. Mënyra e funksionimit të KKKSHTE-së miratohet me rregullore të ministrit.


KREU V
POLITIKAT DHE STRATEGJIA E PESHKIMIT


Neni 23
Politikat e peshkimit

Politikat e peshkimit në Republikën e Shqipërisë përcaktohen dhe zbatohen në përputhje me strategjinë kombëtare të peshkimit, planin e menaxhimit të peshkimit dhe planin e zbatimit të peshkimit.

Neni 24
Strategjia kombëtare e peshkimit

1. Strategjia kombëtare e peshkimit përcakton drejtimet afatgjata, përparësitë dhe objektivat e zhvillimit të peshkimit, fondet e nevojshme e afatet e realizimit, si dhe përgjegjësitë që dalin në zbatim të marrëveshjeve ndërkombëtare, veçanërisht për:
a) menaxhimin dhe promovimin e flotës së peshkimit, në veçanti, promovimin e përpjekjes së peshkimit dhe kapaciteteve të saj, duke pasur gjithmonë parasysh burimet e peshkimit, metodat e peshkimit pro mjedisit, si dhe zhvillimin e
qëndrueshëm të aktiviteteve të peshkimit;
b) zhvillimin e qëndrueshëm të përpunimit dhe tregtisë së peshkut;
c) zhvillimin e qëndrueshëm të zonave të peshkimit, përfshirë kriteret për përcaktimin e zonave parësore;
ç) konkurrueshmërinë e sektorit të peshkimit, përfshirë përmirësimin e strukturës, organizimit dhe mjedisit të punës;
d) ruajtjen e burimeve njerëzore, në veçanti, përmirësimin e aftësive profesionale, punësimin e qëndrueshëm,
si dhe rritjen e numrit e të përgjegjësive të grave në sektor;
dh) mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit.
2. Strategjia kombëtare e peshkimit përcakton, gjithashtu, përparësitë, qëllimet, fondet e nevojshme, si dhe afatet e parashikuara për:
a) sigurimin e pajisjeve dhe kushteve të tjera për kryerjen e inspektimeve/kontrolleve të aktivitetit të peshkimit, si dhe mbledhjen e të dhënave dhe informacioneve që janë të rëndësishme për politikat e përbashkëta të peshkimit;
b) mbështetjen dhe asistencën teknike për nismat që forcojnë qëndrueshmërinë e sektorit;
c) peshkimin dhe zhvillimin e aktiviteteve të peshkimit jashtë detit territorial, në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare.
3. Strategjia kombëtare e peshkimit përgatitet prej ministrisë në bashkëpunim dhe bashkërendim me:
a) autoritetet kompetente kombëtare publike, qendrore dhe vendore;
b) institucionet shkencore, si dhe institucionet dhe/ose organet e tjera eksperte në fushën e peshkimit dhe mjedisit;
c) grupet e interesit në fushën e peshkimit dhe mjedisit.
4. Strategjia kombëtare e peshkimit miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 25
Plani i menaxhimit të peshkimit

1. Plani i menaxhimit të peshkimit (PMP) përmban objektivat afatshkurtër dhe afatmesëm të zhvillimit të peshkimit, llojet e masave dhe të programeve, rezultatet e pritshme, si dhe burimet e nevojshme të fondeve për financimin e masave të politikave të peshkimit.
2. Ministri, kur e çmon të nevojshme, shpall planin emergjent të menaxhimit për të mbrojtur popullatat që janë në rrezik,
si dhe urdhëron ripopullimin në zonat përkatëse.
3. Planet e menaxhimit të peshkimit përgatiten në bashkëpunim me përfaqësuesit e grupeve të interesit.
4. PMP-ja përgatitet prej drejtorisë së peshkimit dhe miratohet me urdhër të ministrit për një periudhë 5-vjeçare.

Neni 26
Plani i zbatimit të peshkimit

1. Plani i zbatimit të peshkimit (PZP) përmban:
a) një përshkrim të peshkimit në lidhje me zonën, llojet e peshkut, të karakteristikave të peshkimit, metodave të peshkimit, si dhe të gjendjes aktuale të shfrytëzimit;
b) monitorimin e gjendjes së popullatave të llojeve ekonomikisht të rëndësishme të peshkut dhe organizmave të tjerë fundorë, si dhe pelagjikë;
c) analiza të popullatës së peshkut, përfshirë karakteristikat biologjike dhe statusin e mbrojtjes;
ç) objektivat që synohen të arrihen gjatë afatit të përcaktuar;
d) detyrat që do të zbatohen gjatë afatit të përcaktuar;
dh) masat teknike që do të zbatohen, përfshirë masat për mbrojtjen e popullatës së peshkut;
e) menaxhimin mbi bazë ekosistemi;
ë) rrugët që do të përdoren për arritjen e objektivave të vendosur dhe të përcaktuar në strategjinë kombëtare të peshkimit;
f) impaktin ekonomik të masave të ndërmarra në fushën e peshkimit;
g) kriteret për vlerësimin e efiçencës së planit;
gj) datën e vlerësimit prej autoriteteve të rezultateve të arritura prej planit të zbatimit.
2. PZP-ja përcakton, gjithashtu, kriteret për:
a) dhënien e lejeve, të cilat përfshijnë anijet/varkat, peshkatarët ose metodat e kontrollit të kapjes së peshkut apo organizmave të tjerë ujorë, por jo vetëm;
b) dhënien e lejeve speciale për peshkimin eksperimental;
c) dhënien e lejeve speciale për anije specifike peshkimi dhe për anijet e peshkimit më të vogla se 10 metra;
ç) zvogëlimin e hedhurinave;
d) mënyrën e monitorimit të mjeteve të lundrimit, gjatësia e të cilave është nën 15 metra;
dh) dhënien e lejeve për peshkimin çlodhës - argëtues ose zhytjen;
e) shmangien e përkohshme nga PZP-ja, përfshirë masat teknike ose pengesa të tjera që lidhen me zonën e peshkimit dhe që kanë të bëjnë me pajisje ose mjete lundrimi;
ë) kufizime, nëse nevojiten, për zbatimin e aktiviteteve të peshkimit.
3. Plani i zbatimit të peshkimit përgatitet nga ministria në bashkëpunim me institucionet shkencore kompetente e grupet e tjera të interesit në fushën e peshkimit e akuakulturës dhe miratohet me urdhër të ministrit.
4. Në zbatim të PZP-së aktiviteti i peshkimit menaxhohet nga drejtoria e peshkimit apo, kur është rasti, nga autoriteti i përcaktuar në marrëveshjet ndërkombëtare, në të cilat Shqipëria është pjesë.

Neni 27
Masat e emergjencës

1. Ministria, në rast se ka të dhëna për ekzistencën e një rreziku serioz dhe të paparashikueshëm që kërcënon burimet e gjalla ujore apo ekosistemin detar/ujor dhe që vjen për shkak të aktivitetit të peshkimit, ndërmerr masat e emergjencës për të larguar/shmangur rrezikun.
2. Masat e emergjencës, të parashikuara në pikën 1 të këtij neni, si rregull nuk mund të zbatohen për më shumë se tre muaj rresht. Në rastet kur gjykohet se situata e emergjencës nuk është larguar, ministria mund të vendosë dhe të lejojë zgjatjen e masave të emergjencës përtej afatit të parashikuar, por jo më shumë se 6 muaj.
3. Ministria, në rastet e marrjes së masave emergjente dhe në zbatim të dispozitave të një marrëveshjeje ndërkombëtare, ku shteti shqiptar është palë, njofton autoritetin e shtetit tjetër që administron marrëveshjen dhe/ose autoritetin kompetent rajonal të peshkimit, të përcaktuar në marrëveshje, duke u dërguar, së bashku me njoftimin për masat emergjente që do të merren, edhe një memorandum shpjegues. Ministria njofton autoritetin përkatës përpara nisjes së zbatimit të masave emergjente.


KREU VI
AKTIVITETI I PESHKIMIT


Neni 28
Përcaktimi i llojeve të peshkimit

Llojet e peshikimit janë:
a) peshkim tregtar;
b) peshkim çlodhës-argëtues;
c) peshkim për qëllime studimore dhe shkencore.


Seksioni I
Peshkimi tregtar


Neni 29
Llojet e peshkimit tregtar

1. Peshkimi tregtar përbëhet nga peshkimi tregtar profesional dhe peshkim tregtar artizanal.
2. Qëllimi, karakteristikat teknike dhe sasia e veglave dhe e pajisjeve të peshkimit që lejohen të përdoren në peshkimin tregtar përcaktohen me rregullore të miratuara nga ministri.

Neni 30
Leja e peshkimit tregtar

1. Leja e peshkimit tregtar përfshihet në kategorinë III.5 të shtojcës së ligjit nr. 10 081, datë 23.2.2009 “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”. Leja e peshkimit tregtar lëshohet, menaxhohet dhe hiqet në përputhje të plotë me procedurat e përcaktuara në këtë ligj dhe në ligjin nr. 10 081, datë 23.2.2009 “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”.
2. Leja e peshkimit tregtar mbahet gjithmonë në bordin e mjetit të lundrimit/anijes së peshkimit dhe është e vlefshme vetëm për një mjet lundrimi/anije peshkimi.
3. Numri maksimal i lejeve të peshkimit tregtar përcaktohet nga ministri në zbatim të planit të menaxhimit të
peshkimit dhe planit të zbatimit të peshkimit.
4. Leja e peshkimit tregtar ka një kohëzgjatje të caktuar, e cila tregohet qartë në leje. Me mbarimin e këtij afati, leja mund të rinovohet pas dorëzimit më parë të kërkesës përkatëse.
5. Ndalohet dhënia e lejeve të peshkimit tregtar për mjete lundruese/anije peshkimi me flamur të huaj.
6. Shtetasve të huaj u ndalohet të zotërojnë më shumë se 49 për qind të kapitalit të një anijeje me flamur shqiptar ose të shoqërive tregtare me aktivitet në peshkimin tregtar.

Neni 31
Regjistri i Peshkatarëve Profesionistë

1. Drejtoria e peshkimit krijon dhe administron Regjistrin e Peshkatarëve Profesionistë (RPP).
2. Forma, përmbajtja dhe mënyra e administrimit të RPP-së, si dhe dokumentacioni, procedurat dhe afatet që duhen respektuar për dorëzimin e kërkesës për regjistrim dhe/ose ankimimin e vendimit për refuzimin e regjistrimit përcaktohen me rregullore të miratuar nga ministri.

Neni 32
Regjistri i Anijeve të Peshkimit

1. Drejtoria e peshkimit krijon dhe administron Regjistrin e Anijeve të Peshkimit (RAP), ku regjistrohet çdo mjet lundrues që përdoret për peshkim tregtar.
2. Përjashtohen nga pika 1 e këtij neni mjeti lundrues, pronari i mjetit lundrues ose përdoruesi i tij, i cili është regjistruar në listën e zezë të anijeve që zhvillojnë aktivitet PPP (IUU) të Bashkimit Europian, ose të çdo organizate ndërkombëtare, të njohur nga
Republika e Shqipërisë.
3. Çdo mjeti lundrues, që është regjistruar në regjistrin e flotës së peshkimit, i jepet numri unik identifikues (NFR- CFR).
4. Zotërimi i mjeteve lundruese, që përdoren për peshkim tregtar, nuk përbën kusht të mjaftueshëm për të fituar të drejtën e pajisjes me leje të peshkimit tregtar.
5. Forma, përmbajtja dhe mënyra e administrimit të RAP-së, si dhe dokumentacioni, procedurat dhe afatet që duhen respektuar për aplikimin për regjistrim dhe/ose ankim të vendimit për refuzimin e regjistrimit përcaktohen me rregullore të miratuar nga ministri.

Neni 33
Ndalimet për anijet e peshkimit

1. Anijet e peshkimit, të pajisura me leje peshkimi tregtar, ndalohen të përdorin pajisje që nuk janë markuar në vendet e caktuara, përtej distancës prej 12 milje detare nga deti territorial.
2. Ndalohet të pajisen me leje për peshkimin fundor anijet e peshkimit me fuqi motorike më të vogël se 224 KWdhe më të madhe se 746 KW.
3. Pajisjet dhe mënyra e markimit të pajisjeve të përmendura në pikën 1 të këtij neni përcaktohen me rregullore të miratuar nga ministri.

Neni 34
Peshkimi jashtë ujërave territoriale

Peshkimi jashtë ujërave territoriale të Republikës së Shqipërisë bëhet me autorizim të veçantë të ministrit.

Neni 35
Marrëveshje ndërkombëtare të peshkimit

1. Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë lidh marrëveshje me qeveritë e vendeve të tjera dhe/ose me organizata ndërkombëtare në fushën e peshkimit.
2. Detyrimet dhe të drejtat e përcaktuara në marrëveshjet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni në asnjë rast nuk cenojnë të drejtat dhe detyrimet e përcaktuara në dispozitat e këtij ligji për subjektet vendase të peshkimit.

Neni 36
Detyrimi për t’u kthyer në një port shqiptar

Çdo mjet lundrues, i pajisur me leje për peshkimin tregtar në ujërat e Republikës së Shqipërisë, është i detyruar, pas veprimtarisë së peshkimit dhe para eksportit të mundshëm të organizmave ujorë të peshkuar, të kthehet pranë një porti shqiptar për të kryer të gjitha veprimet e kërkuara sipas këtij ligji dhe në zbatim të tij.

Neni 37
Ndalimi i peshkimit të disa llojeve të organizmave ujorë

1. Ndalohen peshkimi, mbajtja në bord, transitimi në barkë dhe anije, zbarkimi i qëllimtë dhe hedhja në treg ose për konsum, në çdo periudhë, zonë e me çfarëdo lloj mjeti a pajisjeje i këtyre organizmave ujorë:
a) Korani i lumit - Salmo letnica lumi;
b) Blini -Acipenser sturio;
c) Peshkaqenët - Cetorhinus maximus, Carcharodon carcharias;
ç) Lopa e detit - Mobula mobular;
d) Gurëshpuesi (dateri) - Lithophaga lithophaga;
dh) Koralet (Corallium spp.);
e) Sfungjerët (spongidae);
ë) Gjitarët e detit;
f) Breshkat e detit;
g) Kastravecat e detit.
Lloje të tjera që mund të identifikohen si të rrezikuara, i shtohen kësaj liste me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Ministri, me autorizim të veçantë, lejon peshkimin e organizmave ujorë, të parashikuar në pikën 1 të këtij neni, vetëm për qëllime studimore e shkencore.


Seksioni II
Peshkimi çlodhës - argëtues


Neni 38
Peshkimi çlodhës - argëtues

1. Peshkimi çlodhës - argëtues konsiston në zënien/mbledhjen e një sasie peshku dhe organizmash të tjerë ujorë, nëpërmjet përdorimit të veglave dhe pajisjeve të lejuara për peshkimin çlodhës - argëtues dhe që nuk ka për qëllim final shitjen/shkëmbimin apo
tregtimin e peshkut.
2. Në asnjë rast dhe për asnjë arsye, ushtrimi i peshkimit çlodhës - argëtues nuk duhet të ndërhyjë, të pengojë, të rrezikojë apo të vështirësojë peshkimin tregtar.

Neni 39
Kategoritë e peshkimit çlodhës - argëtues

Peshkimi çlodhës - argëtues ndahet në tri kategori të veçanta, si më poshtë:
a) Peshkim amator, peshkim i kohës së lirë, me grepa ose mjete të tjera, peshkimi jotregtar, i paorganizuar i palidhur me ngjarje ose gara të përcaktuara, pa mjete lundruese.
b) Peshkim sportiv, peshkim i organizuar që përfshin garimin e lirë midis peshkatarëve për të zënë individin (peshkun) më të madh të disa llojeve, numrin më të madh të individëve ose peshën më të madhe të përgjithshme në varësi të rregullave të çdo gare të veçantë.
c) Peshkim turistik, peshkim i kryer nga peshkatarë profesionistë ose nga profesionistë të peshkimit çlodhës, të konsideruar si palë e tretë, e cila organizon ekspeditat e peshkimit.

Neni 40
Autorizimi për peshkimin çlodhës - argëtues

1. Individët, vendas dhe/ose të huaj, që ushtrojnë peshkimin çlodhës – argëtues, pëveç atyre që marrin pjesë në peshkimin sportiv, pajisen me autorizim peshkimi.
2. Lloji, numri maksimal i autorizimeve për çdo komunë/bashki/qark, gjatë një viti kalendarik, si dhe kriteret që duhen përmbushur për lëshimin/marrjen e autorizimit të peshkimit përcaktohen nga ministri.
3. Për peshkimin amator, institucionet që verifikojnë plotësimin e kritereve të lejimit, janë organet e pushtetit vendor.
4. Kriteret, që duhet të përmbushë një mjet lundrues për t’u konsideruar si mjet turistik, përcaktohen nga autoritetet klasifikuese të përcaktuara në legjislacioni përkatës.
5. Autorizimi për peshkimin amator lëshohet nga autoriteti përgjegjës i qeverisjes vendore.
6. Autorizimi për peshkimin turistik lëshohet nga ministria ose çdo ent tjetër i autorizuar prej saj.
7. Përjashtohen nga pika 6 e këtij neni autorizimet për peshkimin amator në ujërat e brendshme, të shpallura si zona të bashkëmenaxhimit, të cilat jepen nga organizatat përgjegjëse të bashkëmenaxhimit.

Neni 41
Lloji i autorizimit për peshkimin amator dhe turistik

1. Autorizimi për peshkimin amator mund të jetë afatgjatë ose afatshkurtër.
2. Autorizimi për peshkimin turistik është afatshkurtër.
3. Autorizimi është afatgjatë kur vlefshmëria e tij shtrihet gjatë gjithë vitit kalendarik në të cilin është lëshuar. Të drejtën për të aplikuar, me qëllim pajisjen me autorizim për peshkim amator, e kanë vetëm shtetasit, shqiptarë ose të huaj, që janë anëtarë të shoqatave kombëtare të peshkimit çlodhës - argëtues.
4. Autorizimi është afatshkurtër kur vlefshmëria e tij përfshin një periudhë kohore jo më të gjatë se 30 ditë. Kjo periudhë fillon nga data e lëshimit të autorizimit.
5. Shtetasit e huaj kanë të drejtë të aplikojnë dhe të pajisen vetëm me autorizime afatshkurtra.

Neni 42
Detyrimi për mbajtjen e autorizimit të peshkimit çlodhës - argëtues

1. Autorizimi për peshkimin çlodhës - argëtues përdoret vetëm prej personit, në emër të të cilit është lëshuar.
2. Mbajtësi i autorizimit, gjatë ushtrimit të aktivitetit çlodhës - argëtues, është i detyruar të mbajë gjithmonë me vete autorizimin përkatës, si dhe t’ua tregojë atë personave të autorizuar në bazë të këtij ligji, me kërkesën e parë.

Neni 43
Tarifa e autorizimit të peshkimit çlodhës - argëtues

1. Për t’u pajisur me autorizim për peshkimin çlodhës - argëtues paguhet tarifa e caktuar.
2. Tarifat, në varësi të llojit të peshkimit, përcaktohen me urdhër të përbashkët të ministrit dhe Ministrit të Financave.

Neni 44
Mjetet e përdorura për peshkimin çlodhës - argëtues

1. Mjetet që përdoren për peshkimin çlodhës - argëtues përcaktohen me udhëzim të ministrit.
2. Ministri përcakton, gjithashtu, edhe sasinë maksimale të peshkut, që mbajtësi i autorizimit, për këtë lloj peshkimi, mund të zërë gjatë një dite (24 orë).

Neni 45
Ndalimet në peshkimin çlodhës - argëtues

Gjatë ushtrimit të aktivitetit të peshkimit çlodhës - argëtues ndalohen:
a) peshkimi gjatë periudhës nga perëndimi i diellit deri në agim;
b) peshkimi me pushkë nënujore prej personave nën 16 vjeç;
c) shitja e peshkut të kapur gjatë këtij aktiviteti.

Neni 46
Kontrolli i autorizimeve për peshkimin çlodhës - argëtues

Shoqatat kombëtare të peshkimit çlodhës - argëtues (degët e tyre në qarqe), autoriteti përgjegjës i qeverisjes vendore, si dhe Inspektorati i Peshkimit, bashkërendojnë punën për të kontrolluar zbatimin e kushteve të autorizimit për peshkimin çlodhës - argëtues.

Neni 47
Kontrolli i peshkimit çlodhës - argëtues

1. Të gjitha masat mbrojtëse dhe menaxhuese, që zbatohen për peshkimin tregtar në det dhe ujëra të brendshme, janë njësoj të zbatueshme edhe për peshkimin çlodhës - argëtues.
2. Ministria merr masat përkatëse për kontrollin e peshkimit çlodhës - argëtues në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
3. Të dhënat, që rezultojnë nga ky kontroll, mbahen në një bazë të dhënash të posaçme.
4. Ministria, nëse vlerëson se ndikimi i peshkimit çlodhës - argëtues është i konsiderueshëm, pasi ka marrë edhe mendimin e KKKSHTE-së, mund të vendosë zbatimin e masave të veçanta menaxhuese në lidhje me autorizimet dhe deklarimin e zënieve.

Neni 48
Kampionatet kombëtare/ndërkombëtare të peshkimit sportiv

1. Organizimi i kampionateve kombëtare/ndërkombëtare të peshkimit sportiv apo i çdo lloj aktiviteti tjetër konkurrues të organizuar, si dhe kushtet e zhvillimit të tyre miratohen nga ministri.
2. Sasia e peshkut të kapur gjatë këtyre aktiviteteve nuk mund të limitohet.

Seksioni III
Peshkimi për qëllime studimore dhe shkencore


Neni 49
Autorizimi për peshkimin për qëllime studimore dhe shkencore

1. Peshkimi për qëllime studimore dhe shkencore kryhet vetëm në bazë të autorizimit të lëshuar nga ministri.
2. Ministri, në autorizimin, sipas pikës 1 të këtij neni, përcakton kushtet, në të cilat mund të kryhet peshkimi për qëllime
studimore dhe shkencore.

Neni 50
Entet e njohura të kërkimit

Ministri njeh si ent kërkimi çdo subjekt shtetëror ose privat që bën kërkesën, në bazë të verifikimit të kualifikimit dhe kapacitetit të tyre dhe mbi bazën e mendimit të KKKSHTE-së.


Seksioni IV
Peshkimi në ujërat e brendshme


Neni 51
Rregullat e përgjithshme

1. Në aktivitetin e peshkimit tregtar dhe menaxhimin e tij në ujërat e brendshme zbatohen, për aq sa është e mundur, të njëjtat rregulla që përcaktohen në këtë ligj edhe për peshkimin dhe menaxhimin e tij në ujërat territoriale.
2. Në rastet kur peshkimi ose menaxhimi i tij në ujërat e brendshme rregullohet në mënyrë specifike nga ky ligj, atëherë këta të fundit kanë përparësi në raport me rregullat e përgjithshme.

Neni 52
E drejta e peshkimit në ujërat e brendshme

1. E drejta e peshkimit në ujërat e brendshme fitohet nëpërmjet konkurrimit publik.
2. Kur aktiviteti i peshkimit ushtrohet në ujëmbledhësit e bujqësisë, që përdoren për ujitje nga ministria përgjegjëse e bujqësisë, si dhe komunat apo bashkitë, kushtet e së drejtës së peshkimit duhet të garantojnë sigurinë e digave, sipas legjislacionit në fuqi, si dhe sasitë e ujit për ujitje.
3. Procedurat e konkurrimit publik përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 53
Marrëveshjet për bashkëmenaxhim

Me qëllim bashkëmenaxhimin e ujërave të brendshme të Republikës së Shqipërisë, ministria bashkëpunon me organizatat e menaxhimit të peshkimit, eventualisht edhe për zona limitrofe, me qëllim që të ruhet ekuilibri ekologjik dhe shfrytëzimi racional i burimeve peshkore të këtyre zonave.

Neni 54
Përcaktimi i një zone bashkëmenaxhuese

1. Çdo hapësirë gjeografike e caktuar e ujërave të brendshme të Republikës së Shqipërisë mund të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave si zonë bashkëmenaxhuese e peshkimit.
2. Organizata e menaxhimit të peshkimit, e lidhur me një zonë bashkëmenaxhuese, përfshihet në përgatitjen dhe zbatimin e planit të bashkëmenaxhimit për zonën përkatëse.
3. Nuk mund të krijohet më shumë se një organizatë menaxhimi peshkimi për një qendër peshkimi dhe zonë bashkëmenaxhimi.

Neni 55
Planet e bashkëmenaxhimit

1. Çdo plan bashkëmenaxhimi miratohet për një periudhë jo më shumë se dhjetë vjet dhe ka si qëllim:
a) të nxisë përdorimin e burimeve të peshkimit, mbi bazën e zhvillimit të qëndrueshëm, duke siguruar, në të njëjtën kohë, mirëmbajtjen e tyre në nivele që arrijnë të plotësojnë nevojat për sot dhe për të ardhmen;
b) të mirëmbajë e të ruajë cilësinë dhe llojshmërinë biologjike të burimeve të peshkimit;
c) të nxisë zbatimin e teknologjisë së përshtatshme për peshkim;
ç) të shmangë tejkalimin e kapacitetit të peshkimit.
2. Brenda dymbëdhjetë muajve nga data e caktimit të zonës bashkëmenaxhuese, organizata përkatëse dhe drejtoria e peshkimit përgatisin planin e bashkëmenaxhimit të peshkimit për këtë zonë, i cili miratohet nga ministri.
3. Çdo plan bashkëmenaxhimi duhet:
a) të përmbajë një analizë të gjendjes së peshkimit në zonën e bashkëmenaxhimit;
b) të identifikojë objektivat afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, që duhen realizuar, për të siguruar një menaxhim të qëndrueshëm dhe të frytshëm të peshkimit në zonën e bashkëmenaxhimit;
c) të përcaktojë masat e rekomanduara të menaxhimit dhe strategjitë e zhvillimit, të nevojshme për të arritur këta objektiva;
ç) të identifikojë burimet e financimit për kostot e zbatimit të këtyre masave menaxhuese;
d) të përmbajë matës dhe mekanizma zyrtarë kontrolli, në mënyrë që të vlerësohen zbatimi, rregullimi dhe frytshmëria e tij;
dh) të përmbajë procedura të qarta dhe mekanizma kontrolli, të miratuar më parë nga organet përkatëse;
e) të përputhet me planin kombëtar për menaxhimin e peshkimit.

Neni 56
Ndalimi i aktivitetit të peshkimit në zonën bashkëmenaxhuese

Plani i bashkëmenaxhimit, siguron që personat që nuk janë anëtarë të organizatave bashkëmenaxhuese përkatëse të mos ushtrojnë:
a) aktivitet peshkimi apo peshkimi profesional në territorin e zonës bashkëmenaxhuese;
b) aktivitet peshkimi me pajisje apo teknika të veçanta.

Neni 57
Marrëveshjet për menaxhimin

1. Për menaxhimin e ujërave të brendshme të Republikës së Shqipërisë ministria lidh marrëveshje me subjekte private të shpallura fituese nga konkurrimi publik.
2. Marrëveshja shoqërohet me një plan për menaxhimin e zonës, ku specifikohen gjendja e burimeve të gjalla ujore dhe objektivat që synohen të arrihen nëpërmjet këtij menaxhimi, të gjitha kushtet për zbatimin e tij e veçanërisht:
a) përcaktimi dhe kufizimi i zonës ujore ose limitrofe, për të cilën do të bëhet marrëveshja;
b) kohëzgjatja e marrëveshjes;
c) përcaktimi i detyrimeve që ndërmerr pala kontraktuese, si riparimi i infrastrukturave ekzistuese, ndërtimi i infrastrukturave të reja, si dhe pagesat vjetore;
ç) garancitë që ofron pala kontraktuese për respektimin e detyrimeve të veta;
d) të drejtat që fiton pala kontraktuese për secilin nga burimet e zonës;
dh) masat që përcaktohen për të siguruar respektimin e së drejtës së peshkimit dhe të veprimtarive të tjera
, që tradicionalisht ushtrohen në atë zonë;
e) detyrimet që merr ministria për menaxhimin e zonës;
ë) pasojat në rastet e shkeljeve të dispozitave të marrëveshjes nga secila palë.


KREU VII
ORGANIZATAT E PESHKIMIT


Neni 58
Organizatat e peshkimit, format dhe anëtarësia e tyre

1. Organizatat e peshkimit janë persona juridikë privatë që krijohen me nismën e tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe mund të jenë në një nga format e mëposhtme:
a) organizatë e prodhuesve;
b) organizatë e menaxhimit të peshkimit;
c) kooperativat; dhe
ç) forma të tjera organizimi dhe menaxhimi.
2. Organizatat e peshkimit ushtrojnë veprimtarinë e tyre në përputhje me të drejtat dhe detyrimet e parashikuara në statutin e tyre, i cili miratohet nga asambleja e përgjithshme e organizatës, sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi.
3. Anëtarët e organizatës së peshkimit janë pronarë dhe/ose anëtarë jopronarë të anijeve të aktivitetit të peshkimit,
sipas vendit ku ai ushtrohet.

Neni 59
Strukturat e organizatave të peshkimit

1. Çdo organizatë krijon asamblenë e përgjithshme, këshillin administrativ, si dhe struktura të tjera të parashikuara në statut.
2. Asambleja e përgjithshme është struktura kryesore vendimmarrëse e organizatës dhe mblidhet të paktën një herë
në vit në mbledhjen vjetore të përgjithshme.
3. Këshilli administrativ është struktura përgjegjëse për menaxhimin e organizatës. Anëtarët e tij janë anëtarë të organizatës. Këshilli administrativ përgjigjet para asamblesë së përgjithshme për mbikëqyrjen e veprimtarisë së organizatës.

Neni 60
Organizatat e menaxhimit të peshkimit

Organizatat e menaxhimit të peshkimit:
a) marrin pjesë në bashkëmenaxhimin e burimeve të peshkimit, në përputhje me seksionin IV të kreut VI të këtij ligji;
b) tri të pestat e numrit të përgjithshëm të votave të anëtarëve caktohen për anëtarët pronarë të organizatës, pjesa tjetër e votave caktohet për anëtarët jopronarë të organizatës;
c) kanë buxhet të pavarur, që bazohet në kuotat e anëtarësisë, donacionet e ndryshme, si dhe nga çdo e ardhur, që realizohet nga veprimtaria e tyre. Çdo e ardhur shtesë mbi shpenzimet nuk shpërndahet ndërmjet anëtarëve të organizatës, por përdoret për realizimin e objektivave të saj;
ç) sigurojnë që anëtarët e tyre të zbatojnë rregullat e vendosura nga organizata për:
i) peshkimin;
ii) kuotat e vendosura nga ministri dhe, në rastet kur menaxhimi i sforcos së peshkimit u është lënë këtyre organizatave, të zbatojnë rregullat e vendosura prej saj;
iii) informacionin që duhet të japin sa herë u kërkohet nga organizata;
iv) pagesën e kontributeve financiare të parashikuara në rregullat e vetë organizatës;
v) vazhdimin e anëtarësisë në organizatë për të paktën tre vjet pas themelimit dhe njohjes së saj nga ana e ministrisë.

Neni 61
Organizatat e prodhuesve

Organizatat e prodhuesve:
a) Krijohen me nismën e tyre, duke bashkuar një grup prodhuesish të një ose më shumë produkteve.
b) Krijohen me qëllimin që të sigurojnë se peshkimi është kryer brenda kufijve dhe kushteve të parashikuara nga ky ligj dhe se kushtet e shitjes së produkteve nga anëtarët e tyre janë përmirësuar duke planifikuar prodhimin dhe duke zhvilluar strategji të përbashkëta tregtimi.
c) Sigurojnë që anëtarët e tyre të zbatojnë rregullat e vendosura nga organizata dhe që:
i) lidhen me peshkimin, prodhimin dhe tregtimin e produkteve;
ii) lidhen me kuotat e vendosura nga ministria dhe, në rastet kur menaxhimi i sforcos së peshkimit u është lënë këtyre organizatave, të zbatojnë rregullat e vendosura prej saj;
iii) të sigurojnë se çdo anije i përket një organizate prodhuesish për një produkt të caktuar ose për një grup të caktuar produktesh;
iv) të sigurojnë se menaxhojnë prodhimin në respekt të anëtarësisë së tyre në organizatë;
v) të japin informacionin e kërkuar nga organizata;
vi) t’i paguajnë kontributet financiare të parashikuara në rregullat e vetë organizatës;
vii) të mbeten anëtarë të organizatës për të paktën tre vjet pas themelimit dhe njohjes së saj nga ana e ministrisë.

Neni 62
Njohja e organizatave të peshkimit

1. Ministri, pas paraqitjes së kërkesës me shkrim nga përfaqësuesi i organizatës përkatëse dhe pas verifikimit për plotësimin e kushteve të përcaktuara nga ky ligj, vendos brenda tre muajve për njohjen e saj.
2. Kushtet shtesë për njohjen e organizatave të peshkimit përcaktohen në rregulloren që miratohet nga ministri.
3. Ministria kryen kontrolle të rregullta, periodike, për të verifikuar respektimin nga ana e organizatës të kushteve të njohjes. Njohja tërhiqet në rast se organizata nuk i plotëson kushtet e përcaktuara në rregulloren e parashikuar në pikën 2 të këtij neni, ose në rastet kur kjo njohje është realizuar mbi tregues të gabuar.

Neni 63
Regjistri i organizatave të peshkimit

1. Drejtoria e peshkimit krijon dhe administron regjistrin e organizatave të peshkimit.
2. Regjistri përmban, të paktën, të dhënat e mëposhtme:
a) emrin e organizatës;
b) selinë qendrore të organizatës;
c) emrat dhe adresat e kryetarit dhe të anëtarëve të këshillit administrativ të kësaj organizate;
ç) aktin e njohjes së organizatës nga ana e ministrisë.
3. Regjistri i organizatave të peshkimit publikohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Neni 64
Transferimi i infrastrukturave të peshkimit

1. Infrastrukturat e lidhura me veprimtarinë e peshkimit mund t’i transferohen në menaxhim një organizate peshkimi,
me kërkesën e kësaj të fundit.
2. Kalimi në përdorim i infrastrukturave të lidhura me veprimtarinë e peshkimit një organizate peshkimi realizohet sipas kritereve dhe kushteve të mëposhtme:
a) Të mos ndryshohen destinacioni dhe qëllimi.
b) Të garantohet përdorimi i infrastrukturës së peshkimit nga ana e shtetit në rastet e masave të jashtëzakonshme.
c) Të ruhet dhe të garantohet interesi publik.
ç) Të ruhet dhe të rritet vlera ekonomike.
3. Organet shtetërore, të ngarkuara nga legjislacioni në fuqi, kanë të drejtë të inspektojnë
infrastrukturën e transferuar, sipas dispozitave të këtij ligji dhe ligjit nr. 10 433, datë 16.6.2011 “Për
inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, si dhe dokumentacionin përkatës.

KREU VIII
MENAXHIMI I INFRASTRUKTURËS SË PESHKIMIT


Neni 65
Menaxhimi i infrastrukturës së peshkimit dhe format e tij

1. Menaxhim i infrastrukturës së peshkimit kryhet sipas rasteve dhe formave të përcaktuara nga ky ligj.
2. Përcaktimi i formave të menaxhimit të infrastrukturës bëhet me udhëzim të ministrit. Ministri vendos, rast pas rasti, për mënyrën e menaxhimit të çdo porti peshkimi ose infrastrukturave të lidhura me veprimtarinë e peshkimit, pas marrjes së
mendimit edhe të KKQPA-së.
3. Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës menaxhon
infrastrukturën e peshkimit, sipas njërës prej mënyrave të mëposhtme:
a) menaxhimi i drejtpërdrejtë i porteve;
b) menaxhimi i infrastrukturave të lidhura me peshkimin dhe i qendrave të peshkimit nëpërmjet shoqatave të peshkimit, konkretisht të organizatave të prodhuesve, kooperativave ose të menaxhimit të peshkimit;
c) menaxhimi i infrastrukturave të lidhura me peshkimin nga subjektet private;
ç) menaxhimi i kombinuar i përcaktimeve të bëra në shkronjat “a”, “b” dhe “c” të kësaj pike.
4. Kushtet e përdorimit të qendrave të peshkimit ose të strukturave të lidhura me veprimtarinë e peshkimit miratohen nga ministri.

Neni 66
Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës

1. Në varësi të ministrisë krijohet Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës (DSHPA).
2. Të gjitha portet e peshkimit i kalojnë në përgjegjësi menaxhimi DSHPA-së.
3. DSHPA-ja kryen këto funksione:
a) menaxhon infrastrukturën e peshkimit, që përfshijnë portet dhe qendrat e peshkimit;
b) grumbullon të dhënat e peshkimit, në bashkëpunim me Inspektoratin për Peshkimin;
c) harton programet e ripopullimit të kategorive ujore.
4. Organizimi dhe funksionimi i DSHPA-së, sipas pikës 3 të këtij neni, miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.


KREU IX
HYRJA NË UJËRAT DHE BURIMET UJORE, RREGULLA TË PËRGJITHSHME


Neni 67
Autoritetet e monitorimit të aktivitetit të peshkimit dhe të akuakulturës

Autoriteti përgjegjës për monitorimin e aktivitetit të peshkimit, i sforcos së peshkimit dhe akuakulturës është Inspektorati i Peshkimit, sektori i monitorimit të peshkimit dhe Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD).

Neni 68
Autoritetet e kontrollit të aktiviteteve të peshkimit dhe akuakulturës

1. Aktivitetet e peshkimit, të realizuara nga personat fizikë dhe ata juridikë, si transferimi ndërmjet anijeve, transferimi i peshkut në kosha ose instalimet për produktet e akuakulturës, përfshirë këtu dhe instalimet për mirëmbajtjen, zbarkimin në det, importin, transportin, përpunimin, tregtimin dhe ruajtjen e produkteve të peshkimit dhe akuakulturës, kontrollohen nga Inspektorati i Peshkimit.
2. Inspektorati i Peshkimit dhe QNOD-ja marrin masa për kontrollin e aktiviteteve të anijeve të peshkimit në ujërat dhe burimet ujore të vendeve të tjera, sipas marrëveshjeve në fuqi.
3. Inspektorati i Peshkimit dhe QNOD-ja sigurojnë zhvillimin e kontrollit, inspektimin dhe zbatimin e dispozitave të tjera të këtij ligji, mbi baza jo diskriminuese për sa i përket sektorëve, anijeve ose personave.

Neni 69
Autorizimi për peshkim

1. Autorizimi për peshkim i jepet subjektit që aplikon për të ushtruar aktivitete specifike peshkimi në një zonë:
a) subjekt i rregullave që përcaktojnë sforco peshkimi;
b) në të cilën zbatohet një plan shumëvjeçar për peshkimin;
c) subjekt i kufizimeve në peshkim;
ç) subjekt i peshkimit për qëllime shkencore;
d) në të cilën ka kufizime të tjera, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Autorizimi për peshkim, sipas pikës 1 të këtij neni, lëshohet në bazë të mendimit të KKKSHTE-së.
3. Autorizimi për ushtrimin e një aktiviteti të caktuar në peshkim u jepet atyre anijeve të peshkimit, të cilat zotërojnë lejen përkatëse sipas kushteve të përcaktuara në këtë ligj dhe në legjislacionin në fuqi.
4. Në rast të lëshimit të një autorizimi të tillë, ministria njofton, sipas rastit, subjektet e interesuara për të dhënat dhe informacionin që përmban ky autorizim, si dhe për shifrat e përcaktuara për sforco peshkimi.
5. Autorizimi për peshkim bëhet i pavlefshëm kur leja e peshkimit është e pavlefshme.

Neni 70
Shënjimi i mjeteve të peshkimit

1. Zotëruesi i një anijeje peshkimi respekton kushtet e vendosura për shënjimin dhe identifikimin e anijes dhe veglave përkatëse të saj.
2. Kushtet për shënjimin dhe identifikimin e anijeve të peshkimit dhe veglave përkatëse të tyre përcaktohen me rregullore të miratuar nga ministri.

Neni 71
Mbikëqyrja dhe zbulimi

QNOD-ja mbikëqyr hapësirën detare shqiptare nëpërmjet:
a) vëzhgimit të anijeve të peshkimit nga anijet e inspektimit ose mjete të tjera mbikëqyrëse;
b) sistemit të monitorimit;
c) çdo metode tjetër zbulimi apo identifikimi.

Neni 72
Sistemi i monitorimit të anijeve

1. Anijet e peshkimit me gjatësi të barabartë ose më të madhe se 12 metra instalojnë në bordin e tyre pajisjen përkatëse që mundëson identifikimin dhe lokalizimin e tyre automatik, të menjëhershëm, në intervale të caktuara dhe të rregullta kohore, nëpërmjet transmetimit të të dhënave për vendndodhjen përkatëse në sistemin satelitor.
2. Kostot e transmetimit satelitor apo mesazheve me sistemet e tjera të anijeve të peshkimit mbulohen nga vetë anijet e peshkimit. Kostoja e lidhjes së QNOD-së me sistemin satelitor mbulohet nga ministria.
3. Të dhënat e siguruara nga sistemi automatik i identifikimit në anijet e peshkimit i transmetohen QNOD-së.
4. Sistemi i monitorimit të anijeve të peshkimit synon zbulimin, identifikimin dhe përcaktimin e pozicionit të këtyre anijeve pas koordinimit të mesazheve satelitore të dërguara apo pas mesazheve të sistemeve të tjera të njëjta.
5. QNOD-ja ia transferon të dhënat për anijen shqiptare autoritetit përkatës të shtetit tjetër, ku ndodhet anija shqiptare, në rastet kur anijet shqiptare të peshkimit janë në ujërat e një shteti tjetër.
6. Sistemi i monitorimit të anijeve shqiptare të peshkimit u vihet në dispozicion me kërkesë edhe shteteve të tjera, në portet e të cilave anija do të zbarkojë zëniet e saj ose në ujërat e të cilave anija vazhdon të kryeje aktivitetin e peshkimit.
7. QNOD-ja ia transferon të dhënat e sistemit të monitorimit të anijes së peshkimit, në rastet kur ajo operon në ujërat e një vendi të tretë apo në det të hapur, i cili menaxhohet nga një organizatë ndërkombëtare, vendit të tretë apo organizatës ndërkombëtare, atëherë kur rregullat e tyre e kërkojnë këtë transferim.
8. Mënyra dhe koha kur ky sistem bëhet funksional përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
9. Ministria siguron që asnjë anije peshkimi, subjekt i pikës 1 të këtij neni, të mos zhvillojë aktivitet peshkimi pa qenë e pajisur me pajisjen përkatëse të identifikimit dhe lokalizimit automatik.

Neni 73
Transmetimi i të dhënave për veprimet e monitorimit

Të dhënat e mbledhura nga anijet me sistem monitorimi nga sistemi automatik i identifikimit, si dhe të dhënat e mbledhura nga sistemet e tjera të zbulimit në anije për çështje të sigurisë detare dhe mbrojtjes, kontrollit të kufijve, mbrojtjes së mjedisit detar dhe çështje të tjera, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, mund t’u transmetohen agjencive dhe autoriteteve kompetente të shteteve të përfshira në veprimet e mbikëqyrjes, në rast se kështu është rënë dakord më parë mes tyre.


KREU X
KONTROLLI I PESHKIMIT


Neni 74
Libri i anijes së peshkimit

1. Anijet e peshkimit me gjatësi të barabartë ose më të madhe se 10 metra mbajnë librin e anijes së peshkimit, ku raportojnë për të gjitha veprimet e tyre.
2. Libri i anijes së peshkimit përmban në mënyrë specifike të gjitha sasitë për secilin lloj të gjuajtur (zënë) dhe të mbajtur në bord, për një peshë mbi 50 kg peshë e gjallë ose kur është i mundur numri i individëve.
3. Hapësira e lejuar e tolerancës në regjistrimet e parashikuara në regjistrin e peshkimit për sasitë në kilogramë të peshkut të mbajtur në bord është 10 për qind për të gjitha llojet.
4. Përmbajtja, mënyra e mbajtjes dhe funksionimit të librit të anijes së peshkimit përcaktohen me vendim të Këshilli të Ministrave.
5. Anijet e peshkimit ia dërgojnë informacionin e përfshirë në librin e anijes së peshkimit, sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë se 48 orë pas daljes së tyre në breg (zbarkimit), inspektoratit të peshkimit të portit të cilit i përkasin ose, në rastin kur dalin në bregun e një shteti tjetër, autoritetit përgjegjës të portit të këtij të fundit.
6. Saktësia dhe vërtetësia e të dhënave të përfshira në librin e anijes janë përgjegjësi e kapitenit ose pronarit të anijes.

Neni 75
Regjistrimi i prodhimeve

Kapitenët ose pronarët e anijeve të peshkimit, me gjatësi të barabartë ose më të madhe se 10 metra, plotësojnë deklaratën e zbarkimit, duke treguar të gjitha sasitë e zbarkuara, për çdo lloj të zbarkuar.

Neni 76
Të dhënat në zonën e kufizuar të peshkimit

Zotëruesit e anijeve, në rastet kur ekziston një kufizim në regjimin e peshkimit në një zonë të caktuar, në zbatim të nenit 75 të këtij ligji, mbajnë dhe llogaritin në librat e tyre të anijeve të peshkimit për kohën e qëndrimit në atë zonë, të gjithë informacionin e kërkuar nga aktet nënligjore, në zbatim të këtij neni.

Neni 77
Regjistrimi elektronik dhe transmetimi i të dhënave të librit të anijes së peshkimit

1. Kapitenët ose pronarët e anijeve të peshkimit me gjatësi të barabartë ose më të madhe se 12 metra regjistrojnë në rrugë elektronike të gjithë informacionin e përmendur në nenin 74 të këtij ligji, të cilin ia dërgojnë, në rrugë
elektronike, QNOD-së, të paktën, një herë në 24 orë.
2. Informacioni, sipas pikës 1 të këtij neni, transmetohet pas përfundimit të veprimeve të fundit të procesit të peshkimit $dhe përpara hyrjes së tyre në port.
3. Mënyrat dhe koha kur ky sistem bëhet funksional përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 78
Raste përjashtimore nga detyrimi i regjistrimit

Kapitenët ose pronarët e anijeve të peshkimit, që mbajnë dhe raportojnë të dhënat elektronike për aktivitetin e peshkimit, përjashtohen nga detyrimi për të plotësuar librin e anijes së peshkimit, deklaratën e zbarkimit dhe atë të transferimit në një anije tjetër (transbordimit).

Neni 79
Anijet e peshkimit që nuk janë subjekt i kërkesave të librit të anijeve të peshkimit

Inspektorati që mbulon fushën e peshkimit dhe QNOD-ja monitorojnë aktivitetet e peshkimit të
anijeve që nuk janë subjekt i kërkesave për plotësimin e librit të anijeve të peshkimit, si rregull, në bazë
të programit të inspektimit.

Neni 80
Lajmërimi paraprak

Kapitenët ose pronarët e anijeve të peshkimit, me gjatësi të barabartë ose më të madhe se 12 metra, që ushtrojnë aktivitetin e peshkimit mbi një popullatë të caktuar, subjekte të detyrimit për të mbajtur të dhënat e regjistrit të peshkimit në mënyrë elektronike, lajmërojnë QNOD-në dhe Inspektoratin e Peshkimit për mbërritjen e tyre në port, duke u vënë në dispozicion, të paktën katër orë përpara mbërritjes së tyre në port, informacionin e mëposhtëm:
a) numrin e jashtëm të identifikimit dhe emrin e anijes së peshkimit;
b) emrin e portit të mbërritjes dhe motivet e ndalimit në këtë port, si për shembull zbarkimi, transferimi ose nevoja
për të pasur akses në shërbime;
c) të dhënat e itinerarit të peshkimit dhe zonat përkatëse gjeografike ku është gjuajtur;
ç) datën dhe kohën e parashikuar të arritjes në port;
d) sasitë për secilin lloj, sikurse janë regjistruar në librin e anijes së peshkimit;
dh) sasitë për secilin lloj që do të zbarkohet apo transferohet në një anije tjetër.

Neni 81
Zbarkimi në porte nga anijet me flamur të huaj

1. Anijet, të cilat lundrojnë me flamur të huaj dhe që synojnë përdorimin e portit ose të lehtësive zbarkuese në port, lajmërojnë autoritetet përgjegjëse të portit të paktën 24 orë para mbërritjes së tyre.
2. Informacioni i dërguar përmban të njëjtat kërkesa të përcaktuara në nenin 80 të këtij ligji, për anijet shqiptare.
3. Anija e peshkimit, e cila lundron nën flamurin e huaj, peshkun e zënë mund ta shkarkojë vetëm në portet, të cilat janë të hapura për tregti ndërkombëtare, në pjesë të bregut që plotëson kushtet për pritjen e ngarkesës, në përputhje me
rregulloren e miratuar nga ministri.
4. Autoritetet përgjegjëse të portit, ku anija synon të zbarkojë, mund të refuzojnë hyrjen në port të anijes nëse informacioni i parashikuar në nenin 80 të këtij ligji, nuk është i plotë.
5. Përjashtim nga ky rregull përbëjnë vetëm rastet e forcës madhore.

Neni 82
Deklarata e zbarkimit

1. Kapiteni ose pronari i anijes së peshkimit, me gjatësi të barabartë ose më të madhe se 10 metra, ose përfaqësuesi i tij plotëson deklaratën e zbarkimit, duke përfshirë në të edhe informacionin për sasinë e llojeve që do të zbarkohen.
2. Të dhënat, që kapiteni ose pronari i anijes së peshkimit është i detyruar të paraqesë në përputhje me pikën 1 të këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Kapiteni ose pronari i anijes së peshkimi apo një përfaqësues i anijes së peshkimit i paraqet deklaratën e zbarkimit Inspektoratit të Peshkimit sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë se 48 orë pas zbarkimit.
4. Në rast se ka zbarkuar në portin e një shteti fqinj, zotëruesi i anijes ia paraqet këtë deklaratë edhe autoriteteve përgjegjëse të portit të atij shteti.
5. Vërtetësia dhe saktësia e të dhënave të përfshira në deklaratën e zbarkimit janë përgjegjësi e kapitenit ose pronarit të anijes në fjalë.

Neni 83
Deklarata e zbarkimit për peshkimin në një shtet tjetër

1. Në rastet kur anija e peshkimit e zbarkon sasinë e peshkut të kapur në një shtet tjetër, autoritetet përgjegjëse shqiptare i dërgojnë shtetit tjetër deklaratën e zbarkimit në rrugë elektronike.
2. Në rastet kur informacioni për zëniet është mbajtur në rrugë elektronike, sipas përcaktimeve të parashikuara nga vendimi i Këshillit të Ministrave, atëherë anija shqiptare nuk i nënshtrohet detyrimit për të paraqitur një deklaratë për zbarkim në shtetin fqinj.

Neni 84
Autoritetet monitoruese të anijeve, jo subjekt i deklaratës së zbarkimit

Inspektorati i Peshkimit dhe QNOD-ja monitorojnë aktivitetet e peshkimit të anijeve, të cilat nuk janë subjekt i kërkesave për deklaratën e zbarkimit nëpërmjet një përzgjedhjeje rastësore.

Neni 85
Transbordimi në det

1. Nuk lejohet tansbordimi në det pa një autorizim paraprak dhe me kushte të përcaktuara për subjektin që zotëron anijen e peshkimit.
2. Rregullat dhe procedurat për autorizimin e kryerjes së veprimeve të transbordimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.


KREU XI
MONITORIMI I SFORCOS SË PESHKIMIT


Neni 86
Monitorimi i sforcos së peshkimit

1. Nuk lejohet tejkalimi i normave të përcaktuara nga anijet e peshkimit në zonat e peshkimit, për të cilat ka një regjim të përcaktuar peshkimi.
2. Inspektorati i Peshkimit dhe QNOD-ja monitorojnë anijet e peshkimit që ushtrojnë aktivitetet e parashikuara me këtë ligj, në zonën me regjim të përcaktuar peshkimi, me qëllim që të mos kapërcehet kufiri individual i lejuar për peshkim, si dhe të mos tejkalohet kufiri maksimal i zënieve të përcaktuara për atë zonë.

Neni 87
Rregullimi i sforcos së peshkimit

Rregullimi i kufijve minimalë dhe maksimalë për zonat, subjekt i një sforcoje të peshkimit, si dhe procedurat përkatëse për lajmërimin e mjeteve të peshkimit, për pajisjen me autorizim paraprak të anijeve të peshkimit, që janë subjekt i një sforcoje peshkimi të përcaktuar, si dhe përjashtimet përkatëse nga këto rregulla përcaktohen në rregullore të miratuar nga ministri.

Neni 88
Të dhënat e lidhura me sforcon e peshkimit

1. Anijet e peshkimit janë të detyruara të mbajnë të gjitha të dhënat që lidhen me mundësitë e peshkimit dhe me sforcon e peshkimit, të regjistruara në librat e anijes dhe në deklaratat e zbarkimit ose transbordimit.
2. Secila anije peshkimi njofton Inspektoratin e Peshkimit brenda datës 25 të çdo muaji për sasinë e çdo stoku apo grupi stoku, subjekt i kuotave totale të lejueshme (TAC), si dhe për kuotat e zbarkuara muajin e mëparshëm.
3. Në rastet kur anija e peshkimit është subjekt i një sforcoje peshkimi apo ka peshkuar në një zonë me këtë regjim, zotëruesi i saj mban të dhënat që lidhen me zëniet e kryera në këtë zonë, si dhe llojin/llojet e zëna nga anija e tij dhe i raporton ato brenda muajit pranë Inspektoratit të Peshkimit.

Neni 89
Kufizimet për mjetet e peshkimit

1. Kapiteni ose pronari i një anijeje peshkimi lajmëron pranë Inspektoratit të Peshkimit për mjetet e peshkimit ose, kur është rasti, sasinë e mjeteve të peshkimit që do të përdorë gjatë periudhës në vazhdim.
2. Kapiteni ose pronari i anijes së peshkimit është subjekt i pikës 1 të këtij neni, kur në zonën gjeografike ku ai do të peshkojë është vendosur regjimi i një sforcoje peshkimi dhe në të cilën ka kufizime për përdorimin e grupeve të mjeteve të peshkimit apo të numrit të mjeteve të peshkimit.
3. Nuk lejohet ushtrimi i aktivitetit të anijes së peshkimit në zonën me regjim të kufizuar në rast se nuk është kryer raportimi i përmendur në pikat 1 dhe 2 të këtij neni.

Neni 90
Përdorimi i mjeteve të ndryshme të peshkimit

Përdorimi i një ose më shumë mjeteve të ndryshme të peshkimit gjatë një udhëtimi për peshkim është subjekt i një autorizimi paraprak nga Inspektorati i Peshkimit, kur regjimi i një sforcoje peshkimi lejon përdorimin e këtyre mjeteve që i përkasin më shumë se një grupi, në një zonë të caktuar.

Neni 91
Raporti për sforcon e peshkimit

Kapiteni ose pronari i anijeve të peshkimit, që nuk janë të pajisura me sistemin e monitorimit në anije apo që nuk transmetojnë të dhënat e librit të anijes së peshkimit dhe që janë subjekt i një regjimi sforcoje peshkimi, i transmetojnë me telex, faks, mesazhe telefonike apo nëpërmjet sistemit të adresës elektronike (e-mail) në formën e një raporti për sforcon e peshkimit, në QNOD, të dhënat e mëposhtme, të mbajtura menjëherë përpara çdo hyrjeje dhe daljeje nga një zonë gjeografike, subjekt i sforcos së peshkimit:
a) emrin, shenjën e identifikimit të jashtëm, shenjat e thirrjeve në radio dhe emrin e zotëruesit të anijes së peshkimit;
b) zonën gjeografike të vendndodhjes së anijes, për të cilën po raportohet;
c) datën dhe orën për secilën hyrje në zonë apo dalje nga zona;
ç) sasinë e mbajtur në bord të llojeve, peshë e gjallë në kg.

Neni 92
Përjashtime

Në rastin kur anijet e peshkimit, që transitojnë në një zonë me mjete peshkimi, subjekt i regjimit të sforcos së peshkimit, por që nuk janë pajisur me autorizimin përkatës, i lidhin dhe i heqin mjetet e peshkimit gjatë kalimit në zonën me këtë kufizim.


KREU XII
GRUMBULLIMI, MENAXHIMI DHE PËRDORIMI I TË DHËNAVE


Neni 93
Programi kombëtar për grumbullimin, menaxhimin dhe përdorimin e të dhënave

1. Programi kombëtar shumëvjeçar për grumbullimin, menaxhimin dhe përdorimin e të dhënave biologjike, teknike, mjedisore dhe social - ekonomike krijohet në bazë të metodologjisë së miratuar nga ministri dhe të plotësuar me rregulla të rëndësishme ndërkombëtare.
2. Programi kombëtar shumëvjeçar për grumbullimin, menaxhimin dhe përdorimin e të dhënave biologjike, teknike, mjedisore dhe social - ekonomike përfshin të dhënat për:
a) peshkimin tregtar, të kryer nga anijet e peshkimit:
i) në ujërat territoriale;
ii) jashtë ujërave territoriale;
iii) në ujërat e brendshme, përfshirë edhe peshkimin e ngjalës;
b) peshkimin çlodhës - argëtues;
c) industrinë e përpunimit të prodhimeve peshkore.
3. Programi kombëtar shumëvjeçar për grumbullimin, menaxhimin dhe përdorimin e të dhënave përfshin:
a) programet e kampionimit shumëvjeçar;
b) sistemin e kontrollit të peshkimit tregtar dhe çlodhës - argëtues, nëse është e nevojshme;
c) fushatat e kërkimit shkencor në det;
ç) një sistem për menaxhimin dhe përdorimin e të dhënave me qëllim analizat shkencore.
4. Programi kombëtar shumëvjeçar për grumbullimin, menaxhimin dhe përdorimin e të dhënave miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
5. Përmbajtja e programeve të kampionimit shumëvjeçar të kërkimit shkencor në det, pavarësisht nga të dhënat që vijnë nga peshkimi tregtar, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 94
Ruajtja e të dhënave

1. Sistemi i të dhënave trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Të dhënat e përfshira në sistem konsiderohen si autentike dhe pronësia e tyre, bazuar në legjislacionin në fuqi, i përket shtetit shqiptar.
3. Drejtoria e peshkimit është përgjegjëse për ruajtjen në kushte sigurie të të gjitha të dhënave parësore në mënyrë informatike.
4. Në rast se drejtoria e peshkimit identifikon mospërputhje të të dhënave, atëherë ajo kërkon hetim.

Neni 95
Shkëmbimi i të dhënave

1. Të dhënat e përfshira në sistem janë të disponueshme për përdoruesit finalë dhe shkëmbim me shtete të tjera.
2. Drejtoria e peshkimit mund të kërkojë të shkëmbejë:
a) të dhënat nga sistemi i monitorimit të anijes, e cila ndodhet në ujërat e një shteti tjetër;
b) të dhënat e librit të anijes së peshkimit, kur anijet shqiptare të peshkimit janë duke peshkuar në ujërat e një shteti tjetër;
c) deklaratat e zbarkimit apo transbordimit, kur këto procese po kryhen në ujërat e një shteti tjetër;
ç) lajmërimin paraprak, kur porti përkatës ndodhet një ujërat e një shteti tjetër.
3. Drejtoria e peshkimit siguron shkëmbimin e të dhënave në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke i dërguar shtetit, të cilit anija i përket, informacione që lidhen me shitjen, kur shitja e parë vjen nga një anije peshkimi e një shteti tjetër.

Neni 96
Konfidencialiteti i të dhënave

Të dhënat e përfshira në sistemin kombëtar janë subjekt i konfidencialitetit profesional dhe tregtar, ashtu siç parashikohet nga legjislacioni në fuqi.

Neni 97
Mbrojtja e të dhënave personale

Dispozitat e këtij ligji nuk cenojnë të drejtat e individëve, lidhur me mbrojtjen e të dhënave të tyre personale, sikurse parashikohet në ligjin nr. 9887, datë 10.3.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.


KREU XIII
KONTROLLI I PLANEVE SHUMËVJEÇARE


Neni 98
Portet e përcaktuara

Ministri vendos për shpalljen e një porti të përcaktuar ose vendi në afërsi të bregut, në të cilin lejohen shkarkimet ose transbordimet e prodhimeve të peshkimit dhe të shërbimeve portuale, vetëm bazuar në kriteret e mëposhtme:
a) është përcaktuar koha e shkarkimit ose e transbordimit;
b) janë përcaktuar vendet e shkarkimit dhe të transbordimit;
c) janë përcaktuar procedurat e inspektimit të kryer dhe të mbikëqyrjes.

Neni 99
Transbordimi në port

1. Anijet e peshkimit, subjekt i planeve shumëvjeçare në peshkim, ndalohen të transbordojnë zëniet e tyre në bordin e ndonjë anijeje tjetër peshkimi nëse këto zënie nuk janë peshuar më parë sipas rregullave të përcaktuara nga ky ligj.
2. Rregulla të veçanta për përjashtimin nga ky nen përcaktohen me urdhër të ministrit.

Neni 100
Programi Kombëtar i Kontrollit

1. Programi Kombëtar i Kontrollit miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Programi Kombëtar i Kontrollit publikohet elektronikisht në faqen zyrtare të ministrisë.


KREU XIV
KAPACITETI I PESHKIMIT


Neni 101
Rregullimi i kapacitetit të peshkimit

1. Ministria është përgjegjëse për të kontrolluar se kapaciteti i peshkimit nuk është as më i lartë se kapaciteti i parashikuar në lejet përkatëse të peshkimit dhe as më i lartë se nivelet maksimale të kapacitetit të peshkimit, të përcaktuara në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Metodat e përdorura në lidhje me regjistrimin e anijeve të peshkimit, verifikimin e fuqisë motorike të këtyre anijeve, verifikimin e tonazhit të anijeve të peshkimit, si dhe verifikimin e tipit, numrit dhe karakteristikave të mjeteve të peshkimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Inspektorati i Peshkimit është përgjegjës për verifikimin e nivelit të kapacitetit të peshkimit.

Neni 102
Fuqia motorike

1. Ministri përcakton me rregullore kushtet për pajisjen me certifikatë për fuqinë motorike të anijeve të peshkimit. Përjashtim bëjnë anijet që përdorin ekskluzivisht rrjeta fikse ose draga, mjetet ndihmëse të peshkimit dhe anijet që përdoren ekskluzivisht
vetëm në akuakulturë.
2. Operatorët e anijeve të peshkimit paguajnë kostot përkatëse për pajisjen me certifikatën e fuqisë motorike.
3. Ndalohet përdorimi i një fuqie tjetër motorike, zëvendësimi i saj me një tjetër motor me tjetër fuqi apo përdorimi i një fuqie tjetër të modifikuar teknikisht, kur kjo e fundit nuk është certifikuar zyrtarisht nga autoritetet klasifikuese të përcaktuara në legjislacionin përkatës.
4. Ndalohet peshkimi me anije, të cilat janë pajisur me motorë me fuqi më të madhe se ajo e parashikuar në lejen e peshkimit, me të cilën është pajisur anija përkatëse.

Neni 103
Afatet

Ministri përcakton me rregullore të veçantë kohën kur anijet, subjekt i një regjimi në fushën e peshkimit, pajisen me certifikatën përkatëse të fuqisë motorike.


KREU XV
KONTROLLI NË ZONAT ME REGJIM PESHKIMI TË KUFIZUAR


Neni 104
Kontrolli në zonat me regjim peshkimi të kufizuar

1. Aktivitetet e peshkimit të anijeve shqiptare në një zonë peshkimi me regjim të kufizuar janë subjekt i monitorimit nga QNOD-ja.
2. QNOD-ja e pajisur me sistemin e detektimit monitoron anijet e shqiptare gjatë hyrjes, transitimit dhe daljes nga
zonat me regjim peshkimi të kufizuar.

Neni 105
Raportimi për zonat me regjim peshkimi të kufizuar

1. Anijet përkatëse raportojnë hyrjen apo daljen nga zona me regjim peshkimi të kufizuar nëpërmjet sistemit operacional që ato disponojnë në bordet e tyre.
2. Frekuenca e raportimit të të dhënave është në çdo 30 minuta duke u nisur nga koha kur ato
hyjnë në zonën me regjim peshkimi të kufizuar.

Neni 106
Transiti në zonat me regjim peshkimi të kufizuar

Transiti në një zonë me regjim peshkimi të kufizuar lejohet për të gjitha anijet e paautorizuara për peshkim, pasi janë plotësuar kushtet e mëposhtme:
a) të gjitha mjetet e peshkimit në bord janë hequr dhe lidhur gjatë transitit;
b) shpejtësia gjatë transitit nuk është më e vogël se 6 milje detare, përveçse në rastet e forcës madhore. Në këtë rast,
kapiteni i anijes informon QNOD-në.


KREU XVI
PËRDORIMI I MJETEVE TË PESHKIMIT


Neni 107
Mjetet e peshkimit

Në peshkimin, për të cilin nuk lejohet përdorimi i një ose më shumë tipave të rrjetave të peshkimit, çdo rrjetë tjetër bllokohet dhe lidhet, me qëllim që të mos përdoret, në përputhje kjo me kushtet e përcaktuara me rregullore të miratuar nga ministri.

Neni 108
Gjetja e mjeteve të humbura

1. Anijet e peshkimit duhet të jenë të pajisura me pajisje që mundëson gjetjen e mjeteve të peshkimit të humbura.
2. Në rastin kur mjeti i humbur nuk është gjetur, atëherë zotëruesi i anijes lajmëron inspektorin
përkatës që mbulon fushën e peshkimit për:
a) numrin e jashtëm të identifikimit dhe emrin e anijes së peshkimit;
b) tipin e mjetit të humbur;
c) kohën e humbjes së këtij mjeti;
ç) pozicionin e mjetit të humbur;
d) masat e marra për të gjetur mjetin.
3. Në rastin kur mjetet e humbura gjenden nga Inspektorati i Peshkimit dhe që nuk janë raportuar nga zotëruesi i anijes, atëherë inspektori i peshkimit i ngarkon koston e nxjerrjes së mjetit zotëruesit të anijes.


KREU XVII
KONTROLLI I TREGTIMIT TË PRODUKTEVE TË PESHKUT


Neni 109
Autoritetet e kontrollit të tregtimit të produkteve të peshkut

1. Në zbatim të këtij ligji, inspektorët për peshkimin kontrollojnë në territorin shqiptar të gjitha stadet e tregtimit të peshkut dhe të produkteve të akuakulturës, që nga shitja e parë deri në shitjen me pakicë, duke përfshirë këtu dhe transportin.
2. Në rast se për një lloj të caktuar është vendosur një sasi fikse, operatorët përgjegjës për kapjen, shitjen, magazinimin ose transportimin e saj duhet të paraqesin certifikatën e origjinës së këtij produkti, me qëllim identifikimin e zonës përkatëse të origjinës.
3. Ministri përcakton rregullat përkatëse për vendosjen e të gjitha produkteve të peshkimit dhe akuakulturës në sasi, duke nisur që nga kapja apo përpunimi.

Neni 110
Kontrolli i standardeve për tregtimin

1. Operatorët që merren me zënien, shitjen, magazinimin ose transportimin e sasive të peshkimit apo të produkteve të akuakulturës duhet të sigurojnë se këto produkte përmbushin standardet e tregtimit për të gjitha stadet.
2. Autoritetet përgjegjëse të ngarkuara me ligj sigurojnë se të gjitha produktet e peshkimit, të ekspozuara për shitjen e parë, të ofruara për shitjen e parë apo edhe të tregtuara, përmbushin standardet e përcaktuara për tregtimin e tyre.

Neni 111
Regjistrimi i sasive me produkte peshkimi

1. Të gjithat sasitë me produkte peshkimi duhet të regjistrohen në të gjitha stadet e prodhimit, përpunimit apo shpërndarjes, që nga zënia deri te vendosja në treg për shitje me pakicë.
2. Të gjitha sasitë e hedhura në treg duhet të jenë të etiketuara në përputhje me ligjin nr. 9863, datë 28.1.2008 “Për ushqimin”, të ndryshuar, me qëllim mundësimin e regjistrimit të çdo sasie.

Neni 112
Qendrat e ankandit

1. Ministria siguron që të gjitha produktet e peshkimit tregtohen ose regjistrohen për herë të parë, sipas rastit, në qendrat përkatëse të ankandit, në blerësit e parë apo në shoqatat e prodhuesve.
2. Përjashtohen nga pika 1 e këtij neni blerësit e parë, për një sasi deri në 30 kg, sasi të cilën e përdorin për
qëllime të konsumimit personal.
3. Procedurat për shitjen e parë të produkteve të peshkimit miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 113
Pesha e produkteve të peshkimit

1. Këshilli i Ministrave përcakton rregulla të veçanta për peshimin e produkteve të peshkimit, sipas sistemit përkatës në fuqi.
2. Produktet e peshkimit peshohen në kohën e zbarkimit dhe më parë se këto produkte të futen në magazinë,
të transportohen apo të shiten.
3. Vetëm në raste përjashtimore dhe atëherë kur ka një plan me përzgjedhje për anijen e peshkimit, lejohet peshimi i produkteve të peshkut në bordin e anijes në fjalë.
4. Saktësia dhe vërtetësia e të dhënave nga peshimi i produkteve të peshkut është përgjegjësi e blerësve të regjistruar, pjesëmarrësve në ankand apo organeve dhe personave të tjerë, përgjegjës gjithashtu për tregtimin e parë të këtyre produkteve.
5. Në rastin e pikës 3 të këtij neni, përgjegjësia për saktësinë dhe vërtetësinë e të dhënave nga peshimi është e kapitenit ose pronarit të anijes së peshkimit.

Neni 114
Të dhënat nga peshimi

Të dhënat e dala nga peshimi përdoren për plotësimin e deklaratave të zbarkimit, për dokumentet e transportit,
shënimet e shitjes dhe deklaratat e marrjes në dorëzim.

Neni 115
Detyrimet e blerësve të regjistruar

1. Blerësit e regjistruar, pjesëmarrësit e regjistruar në ankand ose organe dhe persona të tjerë të autorizuar nga autoritetet përgjegjëse i dërgojnë Inspektoratit të Peshkimit, brenda 48 orëve, dokumentin e shitjes, menjëherë pas përfundimit të procesit dhe mundësisht në rrugë elektronike.
2. Inspektorati autorizon apo dhe detyron, kur është rasti, blerësit e regjistruar, pjesëmarrësit e regjistruar në ankand ose organe dhe persona të tjerë të autorizuar, të regjistrojnë dhe të transmetojnë të gjitha të dhënat që përmbahen në dokumentin e shitjes.
3. Të dhënat, që duhen përfshirë në dokumentin e shitjes së parë, përcaktohen me rregullore nga ministri.

Neni 116
Marrja në dorëzim

Procedurat e marrjes në dorëzim dhe të kërkesave të hartimit të këtij dokumenti nga zotëruesit e anijeve të peshkimit, subjekt i këtij ligji, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.


KREU XVIII
PESHKIMI I PALIGJSHËM, I PARREGULLUAR DHE I PARAPORTUAR (PPP)


Neni 117
Peshkimi i paligjshëm, i parregulluar dhe i paraportuar

1. Peshkimi i paligjshëm, i parregulluar dhe i paraportuar rezulton në rastet kur mjeti lundrues:
a) ka peshkuar pa leje apo pa autorizim të vlefshëm;
b) nuk ka respektuar detyrimet e lidhura me regjistrimin dhe deklarimin e të dhënave për zëniet ose të të dhënave të lidhura me to, përfshirë këtu dhe të dhënat që transmetohen nëpërmjet satelitit ose lajmërimit paraprak;
c) ka peshkuar në një zonë të ndaluar, gjatë një periudhe kohore në të cilën ndalohet peshkimi me aktet përkatëse, ligjore dhe nënligjore,
ç) ka peshkuar në një zonë të ndaluar, pa pasur një kuotë për këtë peshkim;
d) ka peshkuar në një zonë të ndaluar kur ka mbaruar kuotën;
dh) ka peshkuar në një thellësi të ndaluar në zonën e ndaluar;
e) ka peshkuar në mënyrë të drejtpërdrejtë një popullatë, për të cilën peshkimi është i ndaluar ose i pezulluar;
ë) ka përdorur mjete peshkimi jo të autorizuara ose në kundërshtim me legjislacionin në fuqi;
f) ka falsifikuar apo fshehur markimin, identifikimin ose matrikulimin e saj;
g) ka fshehur, prishur ose zhdukur elemente të provës në lidhje me një hetim;
gj) ka penguar aktivitetin e inspektorëve në zbatim të detyrave të tyre të kontrollit për zbatimin e masave mbrojtëse dhe menaxhuese në fuqi ose të vëzhguesve në funksionet e vëzhgimit të zbatimit të rregullave kombëtare në fuqi;
h) ka imbarkuar, transborduar ose zbarkuar peshq me madhësi më të vogël se madhësia e përcaktuar në aktet përkatëse,
ligjore dhe nënligjore, në fuqi;
i) ka kryer transbordime ose ka marrë pjesë në veprimtari të peshkimit të përbashkët me mjete lundruese të identifikuara si mjete që zhvillojnë aktivitet PPP ose i ka dhënë ndihmë apo furnizuar këto anije;
j) ka kryer transbordime ose ka marrë pjesë në veprimtari të peshkimit të përbashkët me mjete lundruese të identifikuara si mjete lundruese të përfshira në listën e mjeteve lundruese PPP kombëtare ose i ka dhënë ndihmë apo i ka furnizuar këto anije;
k) ka kryer transbordime ose ka marrë pjesë në veprimtari të peshkimit të përbashkët me mjete lundruese të identifikuara në pronësi të një organizate rajonale të peshkimit;
l) ka kryer aktivitet peshkimi në zonën që është në kompetencë menaxhimi të një organizate rajonale peshkimi në kundërshtim me masat mbrojtëse dhe menaxhuese të kësaj organizate ose që shkel këto masa dhe mban flamurin e një shteti që nuk është palë në këtë organizatë apo që nuk bashkëpunon me të;
ll) është pa kombësi, sipas kushteve të përcaktuara në të drejtën ndërkombëtare.
2. Aktivitetet e ushtruara sipas pikës 1 të këtij neni, në kuptim të këtij ligji, konsiderohen si shkelje të rënda.

Neni 118
Ndalimi për produktet PPP

1. Ndalohen eksporti, importi ose hedhja në treg e prodhimeve peshkore që burojnë nga peshkimi PPP.
2. Produktet peshkore tregtohen, eksportohen ose importohen vetëm kur ato janë të shoqëruara nga certifikatat e zënies,
sikurse është miratuar nga ministri.
3. Skema e certifikimit të zënieve për eksportimin dhe importimin e produkteve peshkore dhe autoritetet përgjegjëse për kontrollin e saj miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.


KREU XIX
MBYLLJA E PESHKIMIT


Neni 119
Mbyllja e peshkimit

1. Ministri vendos mbylljen e peshkimit në një zonë të caktuar kur:
a) zëniet e një stoku apo grupi stoqesh, subjekt i një kuote, janë ezauruar nga anijet e peshkimit;
b) kufiri maksimal i lejueshëm për një anije/subjekt, për një lloj peshku apo për një zonë të caktuar gjeografike, subjekt i sforcos së peshkimit, konsiderohet i arritur.
2. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji mosha e mjeteve lundruese, të cilat përdoren për peshkimin tregtar, që do të regjistrohen në regjistrat e mjeteve lundruese të Republikës së Shqipërisë, përcaktohet më vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me standardet,
kriteret dhe kushtet mjedisore.

Neni 120
Detyrat e autoriteteve përgjegjëse gjatë mbylljes së peshkimit

1. Autoritetet përgjegjëse ndalojnë peshkimin për të gjitha apo për një pjesë të flotës, kur janë plotësuar parashikimet e përcaktuara në nenin 119 të këtij ligji.
2. Autoritetet përgjegjëse përcaktojnë datën, përtej së cilës nuk lejohet më peshkimi në këto zona, dhe datën e fundit deri kur transbordimet, transferimet dhe zbarkimet apo zëniet mund të lejohen.


KREU XX
INSPEKTIMI


Neni 121
Autoriteti i inspektimit të peshkimit

1. Autoriteti i inspektimit të peshkimit është inspektorati që mbulon fushën e peshkimit.
2. Inspektorët kryejnë inspektimin në përputhje me këtë ligj dhe ligjin për inspektimin.

Neni 122
Detyrat e inspektorëve të peshkimit

1. Inspektorët për peshkimin kontrollojnë:
a) rregullsinë e zënieve që ndodhen në bordin e mjetit lundrues të peshkimit, të magazinuara, të transportuara, në përpunim apo të tregtuara, si dhe vërtetësinë dhe saktësinë e dokumenteve apo transmetimeve elektronike që lidhen me to;
b) rregullsinë e veglave të peshkimit të përdorura për llojet, objekt kontrolli,
dhe për zëniet e tyre që janë në bordin e anijes së peshkimit;
c) nëse është e përshtatshme, planin e ngarkesës dhe ngarkesat e veçanta të llojeve;
ç) shënjimin e veglave të peshkimit;
d) informacionin përkatës për motorin, ashtu siç parashikohet në këtë ligj.
2. Kontrolli kryhet në ujëra apo në tokë, përfshirë portet, pikat e zbarkimit, mjetet e transportit, qendrat e grumbullimit të peshkut, merkatot, pikat e shitjes dhe restorantet.
3. Shfuqizohet
4. Inspektorët parandalojnë çdo degradim të mundshëm të zënieve gjatë kohës së tyre të inspektimit.
5. Shfuqizohet

Neni 123
Të drejtat e inspektorëve për peshkimin

Inspektorët për peshkimin, sa herë që vërejnë shkelje të dispozitave të këtij ligji dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij, kanë të drejtë:
a) të ndalojnë shkelësin dhe mjetin lundrues, në të cilin është konstatuar shkelja;
b) të kërkojnë gjenealitetet e shkelësit;
c) të përpilojnë formularin e procesverbalit të konstatimit të shkeljes;
ç) të ndalojnë e të shoqërojnë menjëherë në komisariatin apo rajonin më të afërt të policisë personat e ndaluar, në rast se këta të fundit refuzojnë të japin gjenealitetet e tyre, kur dyshohet se të dhënat e lidhura me gjenealitetet janë të pasakta,
si dhe në rastet kur shkelja përbën vepër penale;
d) të bëjnë kallëzim në organet gjyqësore, në rastet kur shkelja përbën vepër penale;
dh) të sekuestrojnë sendet e përdorura për kryerjen e shkeljes ose që janë pasojë e shkeljes.

Neni 124
Shfuqizohet

Neni 125
1. Kryeinspektori i inspektoratit që mbulon fushën e peshkimit ose personi i autorizuar prej tij
caktojnë specialistë me detyrën vëzhgues ose marrës i mostrave në peshkim, i cili:
a) duhet të pajiset me një dokument identifikimi të lëshuar nga kryeinspektori, i detyrueshëm për
ta mbajtur me vete në çdo kohë gjatë kryerjes së detyrës. Këtë dokument vëzhguesi ka për detyrë t’ua
tregojë pronarëve të subjekteve ose kapitenëve të anijeve të peshkimit, kur kërkojnë të hipin në një anije
peshkimi që ndodhet në ujërat shqiptare ose kur kërkojnë të kryejnë intervista në lidhje me aktivitetin e
peshkimit në territorin shqiptar;
b) gjithmonë duhet ta kryejë veprimtarinë e tij në prani të inspektorit të inspektoratit që mbulon
fushën e peshkimit dhe në përputhje me ligjin për inspektimin;
c) i caktuar, sipas këtij ligji, gëzon të njëjtën mbrojtje si inspektori për peshkimin.
2. Vëzhguesi ka për detyrë:
a) të vëzhgojë zënien, trajtimin e përpunimin e burimeve ujore dhe veprimtaritë e lidhura me to,
si dhe të regjistrojë të dhënat në lidhje me këto veprimtari;
b) të grumbullojë dhe të regjistrojë informacionin biologjik e informacionet e tjera të lidhura me aktivitetin që rregullohet nga ky ligj;
c) të grumbullojë mostra të burimeve ujore të peshkuara;
ç) të raportojë pranë inspektoratit që mbulon fushën e peshkimit për të gjitha vëzhgimet dhe informacionin e marrë sipas këtij neni;
d) të kryejë edhe aktivitete të tjera, të cilat përcaktohen nga inspektorati që mbulon fushën e peshkimit;
dh) në rast se vëzhguesi vepron në zbatim të rregullave të një marrëveshjeje ndërkombëtare,
të ndërmarrë ato aktivitete, për të cilat është rënë dakord ndërmjet inspektoratit që mbulon fushën e
peshkimit dhe autoritetit përkatës të këtij autoriteti, të shprehur në marrëveshje, por që nuk janë në
kundërshtim me shkronjat “a” deri në “ç” të kësaj pike.
3. Inspektorati që mbulon fushën e inspektimit i kërkon personit mbajtës të lejes së peshkimit
profesional ose kapitenit të një vendi tjetër:
a) të pranojë një vëzhgues peshkimi në bordin e anijes së peshkimit;
b) të pranojë vëzhguesit e peshkimit në çdo pronë dhe mjediset e përdorura për shfrytëzimin e burimeve ujore detare;
c) të lejojë vëzhguesit e peshkimit, të përmendur në shkronjat “a” dhe “b” të kësaj pike, të kenë
akses në të gjitha pjesët e tokës, anijet e peshkimit dhe lokaleve, si dhe tek të dhënat, dokumentet për
burimet ujore detare që gjenden atje;
ç) të sigurojë akomodim të arsyeshëm për vëzhguesit e peshkimit, të përmendur në shkronjat “a’ dhe “b” të kësaj pike;
d) të lejojë vëzhguesit e peshkimit, sipas shkronjave “a” dhe “b” të kësaj pike të përdorin të
gjitha pajisjet e nevojshme për kryerjen e funksioneve të tij ose të saj.
4. Një marrës mostrash i peshkimit është i autorizuar të mbledhë informacion të tillë apo
statistika, siç kërkohet nga inspektorati që mbulon fushën e peshkimit dhe mund:
a) të hipë në bord të çdo anije peshkimi, me qëllim mbledhjen e informacionit të peshkimit;
b) të intervistojë dhe të marrë informacione të tilla nga pronarët, kapitenët dhe peshkatarët e
anijeve të peshkimit shqiptare të regjistruara.
5. Marrësit e mostrave të peshkimit u nënshtrohen kërkesave të konfidencialitetit, sipas nenit 96 të këtij ligji.

KREU XXI
SANKSIONET


Neni 126
Masat që merren për të garantuar zbatimin e legjislacionit

Për të garantuar zbatimin e legjislacionit, vendoset gjobë si dënim kryesor, e cila shqyrtohet dhe
vendoset përfundimisht nga inspektorati që mbulon fushën e peshkimit. Inspektorati, krahas gjobës,
vendos dënime plotësuese dhe merr masat urgjente të nevojshme në përputhje me këtë ligj dhe ligjin për
inspektimin..

Neni 127
Subjektet përgjegjëse të kundërvajtjeve administrative

1. Përgjegjësia civile në hapësirën detare i takon:
a) kapitenit të mjetit lundrues për të gjitha shkeljet/kundërvajtjet administrative të dispozitave të këtij ligji, të realizuara prej/ose në bordin apo me mjetet e ndodhura në bordin e mjetit lundrues dhe të konstatuara prej autoriteteve kompetente;
b) ndonjë personi tjetër vetëm në rast se kapiteni vërteton se shkelja/kundërvajtja është kryer kundër vullnetit të tij, pavarësisht nga masat e marra, si dhe kur ai e identifikon personin, i cili ka realizuar shkeljen.
2. Përgjegjësia civile në ujërat e brendshme i takon:
a) sipërmarrësit ose subjektit të peshkimit, kur janë personalisht e juridikisht përgjegjës për gjobat dhe kundërvajtjet administrative të vendosura ndaj ndihmësve e vartësve të tyre për shkeljet e këtij ligji;
b) personave që kanë kryer shkeljen, në rastet kur sipërmarrësi apo subjekti i peshkimit vërteton se shkelja/kundërvajtja është kryer kundër vullnetit të tij, pavarësisht nga masat e marra prej këtij të fundit, si dhe kur identifikon personin, i cili ka realizuar shkeljen.

Neni 128
Kundërvajtjet administrative

A. Përbëjnë kundërvajtje administrative shkeljet e mëposhtme:
1. Hedhja e mbeturinave të lëngshme apo të ngurta që krijojnë efekte negative në cilësinë e mjedisit ujor, në kundërshtim me dispozitat e shkronjës “a” të nenit 7 të këtij ligji, dënohet sipas legjislacionit në fuqi në fushën e mbrojtjes së mjedisit.
2. Lëshimi i llojeve të peshkut joindigjenë dhe/ose organizmave të tjerë ujorë, llojeve të peshkut të modifikuara gjenetikisht ose organizmave të tjerë ujorë, në kundërshtim me dispozitat e shkronjës “b” të nenit 7 të këtij ligji, në hapësirën detare dhe në ujëra të brendshme, dënohet me gjobë, nga 100 000 lekë deri në 500 000 lekë.
3. Aktivitetet nënujore, që synojnë peshkimin në vende ku nuk është marrë më parë leje prej autoritetit menaxhues përgjegjës, në kundërshtim me dispozitat e shkronjës “c” të nenit 7 të këtij ligji, dënohen me gjobë, nga 10 000 lekë deri në 50 000 lekë.
4. Kapja e të vegjëlve, llojeve të peshkut dhe organizmave të tjerë ujorë të paarrirë për t’u riprodhuar ose me përmasa përtej atyre të parashikuara në aktet nënligjore, në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, dënohet me gjobë, nga 100 000 lekë deri në 500 000 lekë.
5. Ushtrimi i aktivitetit të peshkimit dhe marrja ose shkatërrimi i faunës dhe florës në zonat e mbrojtura ujore, në kundërshtim me dispozitat e shkronjave “a” dhe “b” të pikës 1 të nenit 12 të këtij ligji, dënohen me gjobë, nga 200 000 lekë deri në 1 000 000 lekë.
6. Hedhja apo shfrytëzimi i rërës ose zhavorrit, shkarkimi apo zhvendosja e ujërave apo çdo materiali tjetër ndotës, si edhe ndërhyrja, prishja apo shkatërrimi i mjedisit në zonat e mbrojtura ujore, në kundërshtim me dispozitat e shkronjës “c” të pikës 1 të nenit 12 të këtij ligji, dënohen me gjobë, nga 400 000 lekë deri në 2 000 000 lekë.
7. Ndërtimi i strukturave në tokë apo në ujë në kundërshtim me dispozitat e shkronjës “ç” të pikës 1 të nenit 12 të këtij ligji, dënohet me gjobë, nga 600 000 lekë deri në 3 000 000 lekë.
8. Ndërmarrja apo kryerja e aktiviteteve të tjera që mund të kenë një ndikim negativ mbi ekosistemin e zonës së mbrojtur në kundërshtim me dispozitat e shkronjës “d” të pikës 1 të nenit 12 të këtij ligji, dënohet me gjobë, nga 200 000 lekë deri në 1 000 000 lekë.
9. Kapja e peshkut dhe organizmave të tjerë ujorë në kundërshtim me urdhrin për ndalimin e peshkimit, jashtë sezonit apo në zonat ku nuk lejohet peshkimi, në kundërshtim me dispozitat e neneve 13 dhe 14 të këtij ligji, dënohet me gjobë,
nga 200 000 lekë deri në 1 000 000 lekë.
10. Zënia e peshkut dhe organizmave të tjerë ujorë me eksplozivë, substanca kimike ose çdo mënyrë tjetër që vret, intoksikon apo helmon, në kundërshtim me dispozitat e pikës 1 të nenit 16 të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 1 000 000 lekë deri në 5 000 000 lekë.
11. Mbajtja në bord apo në breg e eksplozivëve apo substancave kimike që vrasin, helmojnë apo intoksikojnë peshkun dhe organizmat e tjerë ujorë, në kundërshtim me dispozitat e pikës 2 të nenit 16 të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 500 000 lekë deri në 2 500 000 lekë.
12. Përdorimi dhe mbajtja në anije e substancave apo pajisjeve, sipas pikës 3 të nenit 16 të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 500 000 lekë deri në 2 500 000 lekë.
13. Shkelja e nenit 16 pika 4 të këtij ligji dënohet me gjobë, nga 5 000 lekë deri në 10 000 lekë.
14. Ushtrimi i veprimtarisë së peshkimit në kundërshtim me dispozitat e nenit 16 pikat 5 e 6 të këtij ligji, dënohet me gjobë, nga 100 000 lekë deri në 500 000 lekë;
15. Ushtrimi i peshkimit pa qenë i regjistruar në regjistrin e anijeve të peshkimit, sipas përcaktimeve të nenit 32 të këtij ligji, dënohet me gjobë, nga 5 000 lekë deri në 10 000 lekë.
16. Shkelja e dispozitave të nenit 33 të këtij ligji, dënohet me gjobë, nga 20 000 lekë deri në 50 000 lekë.
17. Shkelja e dispozitave të nenit 34 të këtij ligji përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë,
nga 30 000 lekë deri në 50 000 lekë.
18. Ushtrimi i veprimtarisë së peshkimit prej një anijeje të huaj në ujërat e Republikës së Shqipërisë, dënohet me gjobë, që varion nga 20 milionë lekë në 45 milionë lekë. Anija e peshkimit qëndron e bllokuar deri në pagesën e plotë të gjobës së vendosur. Shpenzimet e ruajtjes dhe mirëmbajtjes së anijes së bllokuar përballohen nga kundërvajtësi.
19. Peshkimi, mbajtja në bord, transitimi në barkë dhe anije, zbarkimi i qëllimtë dhe hedhja në treg ose për konsum e llojeve të mbrojtura të peshkut dhe organizmave të tjerë ujorë, në kundërshtim me dispozitat e pikës 1 të nenit 37 të këtij ligji dënohen me gjobë, nga 1 000 000 lekë deri në 5 000 000 lekë.
20. Ushtrimi i veprimtarisë së peshkimit çlodhës - argëtues në kundërshtim me dispozitat e nenit 38 pika 2 të këtij ligji, dënohet me gjobë, nga 5 000 lekë në 10 000 lekë.
21. Mbledhja dhe/apo tregtia e peshkut dhe organizmave të tjerë ujorë të zënë me eksplozivë, substanca kimike ose çdo mënyrë tjetër që vret, intoksikon apo helmon, dënohet me gjobë, nga 100 000 lekë deri në 500 000 lekë.
22. Ushtrimi i veprimtarisë së peshkimit amator, pa qenë i pajisur me autorizimin përkatës ose në kundërshtim me dispozitat e neneve 40 e 42 të këtij ligji, dënohet me gjobë, nga 500 lekë deri në 1 000 lekë.
23. Ushtrimi i veprimtarisë së peshkimit turistik, pa qenë i pajisur me autorizimin përkatës ose në kundërshtim me dispozitat e neneve 40 e 42 të këtij ligji, dënohet me gjobë, nga 50 000 lekë deri në 100 000 lekë.
24. Ushtrimi i veprimtarisë së peshkimit çlodhës - argëtues në kundërshtim me dispozitat e nenit 45 të këtij ligji, dënohet me gjobë:
a) nga 5 000 lekë deri në 10 000 lekë pa mjet lundrues;
b) nga 50 000 lekë deri në 100 000 lekë në rast se për kryerjen e shkeljes përdoret mjet lundrues.
25. Cilido, që zhvillon veprimtari studimore dhe shkencore pa autorizimin, sipas nenit 49 të këtij ligji ose në kundërshtim me kushtet e përcaktuara në autorizim, dënohet me gjobë nga 100 000 lekë deri në 300 000 lekë.
26. Ushtrimi i peshkimit, pa qenë i pajisur me leje apo në kundërshtim me kushtet e parashikuara në të, sipas dispozitave të nenit 30 të këtij ligji, dënohet me gjobë, nga 200 000 lekë deri në 1 000 000 lekë.
27. Ushtrimi i peshkimit, pa qenë i pajisur me autorizim apo në kundërshtim me kushtet e parashikuara në të, sipas dispozitave të nenit 69 të këtij ligji, dënohet me gjobë, nga 200 000 lekë deri në 1 000 000 lekë.
28. Mosshënjimi i mjeteve lundruese dhe veglave të peshkimit, sipas nenit 70 të këtij ligji, dënohet me gjobë,
nga 5 000 lekë deri në 10 000 lekë.
29. Mosinstalimi i pajisjeve, sipas nenit 72 të këtij ligji, manipulimi i tyre, shuarja ose nxjerrja jashtë përdorimit për një periudhë të caktuar kohe ose përfundimisht, dënohen me gjobë, nga 500 000 lekë deri në 1 000 000 lekë, sikurse ndalimi i aktivitetit të peshkimit të mjetit lundrues, sipas pikës 8 të nenit 72 të këtij ligji.
30. Mosrespektimi i detyrimeve në lidhje me regjistrimin dhe deklarimin e të dhënave në lidhje me zëniet ose të dhënave të lidhura me to në librin e anijes, të regjistrimit elektronik, të lajmërimit paraprak, dhe deklaratën e zbarkimit, sipas detyrimeve të neneve 74 deri 82 të këtij ligji, dënohen me gjobë, nga 5 000 lekë deri në 10 000 lekë.
31. Mosrespektimi i detyrimeve, sipas nenit 83 të këtij ligji, në lidhje me deklaratën e zbarkimit, dënohet me gjobë,
nga 5 000 lekë deri në 10 000 lekë.
32. Peshkimi mbi normat e lejuara në zonat e peshkimit, për të cilat ka një regjim të përcaktuar peshkimi, si dhe shkelja e procedurave dhe dispozitave të përcaktuara në nenet 88 deri 90 të këtij ligji, dënohen me gjobë, nga 50 000 lekë deri në 100 000 lekë, si dhe me konfiskimin e sasive mbi kuotat e lejuara.
33. Shkeljet nga ana e anijeve të peshkimit që nuk janë të pajisura me sistemin e monitorimit në anije apo që nuk transmetojnë të dhënat e librit të anijes së peshkimit dhe që janë subjekt i një regjimi sforcoje peshkimi të dispozitave të përcaktuara në nenet 91 dhe 92 të këtij ligji, dënohen me gjobë, nga 50 000 lekë deri në 100 000 lekë.
34. Transbordimi i zënieve nga një anije në tjetrën, në porte ose vende të pamiratuara, sipas përcaktimeve të nenit 99 të këtij ligji dhe në kundërshtim me nenin 98 të këtij ligji, dënohet me gjobë, nga 10 000 lekë deri në 50 000 lekë.
35. Përdorimi i një fuqie tjetër motorike, zëvendësimi i saj me një tjetër motor me tjetër fuqi apo përdorimi i një fuqie tjetër të modifikuar teknikisht, kur kjo e fundit nuk është certifikuar zyrtarisht nga Regjistri Detar, në shkelje të nenit 102 të këtij ligji, dënohen me gjobë, nga 10 000 lekë deri në 50 000 lekë.
36. Shkeljet e dispozitave të neneve 105 dhe 106 të këtij ligji dënohen me gjobë, nga 10 000 lekë deri në 50 000 lekë, si dhe kontrollin e anijes së peshkimit në daljen e saj më të parë në port.
37. Shkelja e dispozitave të nenit 107 të këtij ligji dënohet me gjobë, nga 10 000 lekë deri në 50 000 lekë.
38. Shkelja e dispozitave të nenit 108 të këtij ligji dënohet me gjobë, nga 30 000 lekë deri në 50 000 lekë.
39. Mosparaqitja e certifikatës së origjinës së produkteve peshkore, me qëllim identifkimin e zonës përkatëse të origjinës nga operatorët përgjegjës për zënien, shitjen, magazinimin ose transportimin e tyre, në shkelje të pikës 2 të nenit 109 të këtij ligji, si dhe shkelja e dispozitave të pikës 1 të nenit 110 dhe të pikës 1 të nenit 111 të këtij ligji, dënohen me gjobë, nga 50 000 lekë deri në 100 000 lekë.
40. Hedhja në treg, importi ose eksporti i prodhimeve peshkore nga peshkimi PPP, për rastet e tjera të paparashikuara në pikat e mësipërme të këtij neni, përbëjnë shkelje, të cilat dënohen me gjobë sa pesëfishi i vlerës së prodhimeve peshkore,
si dhe me konfiskimin e tyre.
B) .Shfuqizohet
C) Procedurat e ekzekutimit të gjobave bëhen në përputhje me dispozitat në fuqi për kundërvajtjet administrative.

Neni 129
Dënimet plotësuese

Në rastin e konstatimit të kundërvajtjes administrative, të parashikuar në nenin 128 të këtij ligji, dhe në varësi të shkallës së dëmit të shkaktuar, përveç vendosjes së gjobës, Inspektorati i Peshkimit mund të aplikojë cilindo prej dënimeve të mëposhtme:
a) konfiskimin e produkteve të peshkuara;
b) konfiskimin e mjeteve dhe pajisjeve të përdorura për peshkim;
c) konfiskimin e anijes së peshkimit/mjetit lundrues;
ç) ndërprerjen e lejes ose autorizimit të lëshuar në bazë të legjislacionit në fushën e tregtimit ose hedhjes për konsum të prodhimeve peshkore për një periudhë jo më të gjatë se 6 muaj e, në rast përsëritjeje të së njëjtës kundërvajtje,
deri në ndërprerjen e përhershme të tyre;
d) çregjistrimin nga regjistri i peshkatarëve për një periudhë jo më të gjatë se 6 muaj ose, në rast përsëritjeje të së njëjtës kundërvajtje, deri në ndërprerjen e përhershme të tij.

Neni 130
Sistemi i pikëve për shkeljet e rënda

1. Gjatë ushtrimit të aktivitetit të peshkimit, nga Inspektorati i Peshkimit aplikohet si “dënim plotësues edhe sistemi i pikëve për shkeljet e rënda.
2. Lejet e peshkimit, autorizimi ose e drejta e peshkimit, për qëllime dënimi për shkeljet e kryera gjatë ushtrimit të aktivitetit të peshkimit, kanë vlerën maksimale 90 pikë.
3. Nëse gjatë një inspektimi vërehen dy ose më shumë shkelje të rënda të kryera nga i njëjti person, fizik ose juridik, apo nga një anije peshkimi, atëherë titullarit të lejes ose anijes së peshkimit i vendosen maksimalisht 12 pikë penalitet për shkeljet e konstatuara, duke ia zbritur nga pikët e përcaktuara sipas pikës 2 të këtij neni.
4. Nëse mjeti lundrues ose subjekti i peshkimit gjatë ushtrimit të aktivitetit është dënuar për shkelje të ndryshme, duke arritur kështu deri në 18 pikë penalitet, atëherë leja e tij e peshkimit, autorizimi ose e drejta e peshkimit pezullohet automatikisht për dy muaj. Kjo periudhë pezullimi bëhet 4 muaj nëse mjeti lundrues ose subjekti i peshkimit gjatë ushtrimit të aktivitetit të tij është dënuar në vazhdimësi, duke grumbulluar kështu 36 pikë penalitet. Leja e peshkimit, autorizimi ose e drejta e peshkimit pezullohet tetë muaj për herë të tretë, nëse mjeti lundrues ose subjekti i peshkimit gjatë ushtrimit të aktivitetit të tij është dënuar në vazhdimësi për shkelje të ndryshme, duke grumbulluar kështu 54 pikë penalitet. Në rastin kur mjeti lundrues ose subjekti i peshkimit gjatë ushtrimit të aktivitetit të tij është dënuar në vazhdimesi për shkelje të ndryshme, duke grumbulluar 72 pikë penalitet, atëherë ai denohet për herë të katërt me pezullim të lejes së peshkimit, autorizimit ose të së drejtës së peshkimit për një periudhë kohore njëvjeçare. Nëse pikët e penalitetit të grumbulluara nga mjeti lundrues ose subjekti i peshkimit për shkelje të ndryshme të konstatuara gjatë ushtrimit të aktivitetit të tij arrijnë në 90, atëherë këtij të fundit i hiqet përfundimisht leja e peshkimit, autorizimi ose e drejta e peshkimit.
5. Denimi me pikët e penalitetit i mbetet mjetit lundrues/subjektit të peshkimit në fjalë edhe në rastin kur mjeti lundrues shitet apo ndryshon formën e pronësisë ose formën e menaxhimit.
6. Nëse mjeti lundrues/subjekti i peshkimit nuk kryen një shkelje të re, të rëndë, në tre vitet në vijim të shkeljes së fundit, të gjitha pikët penalizuese në lejen e peshkimit, autorizimin ose të drejtën e peshkimit anulohen.
7. Ky sistem pikësh për të sanksionuar kundërvajtësin shërben edhe për shkeljet e kryera nga kapiteni i anijes së peshkimit, përfshirë këtu dhe rastin e dëshmisë së tij si kapiten.


KREU XXII
ANKIMI


Neni 131
Ankimi

Ankimi ndaj vendimit të inspektoratit për marrjen e masave urgjente, dënimin me gjobë dhe
vendosjes e dënimeve plotësuese, bëhet në përputhje me ligjin për inspektimin
Neni 132
Ankimi për lejen e peshkimit

Ankimi në lidhje me vendimin për dhënien ose jo të miratimit për lejen e peshkimit bëhet në përputhje me përcaktimet në dispozitat e ligjit nr. 10 081, datë 23.2.2009 “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”.

Dispozitë kalimtareLIGJIT Nr. 29/2013. datë 1.3.2013
Organi ekzistues inspektues vazhdon të ushtrojë funksionin e vet sipas organizimit aktual deri në
krijimin e organit të ri, sikurse parashikohet në ndryshimet e bëra në këtë ligj

Dispozitë kalimtare
KREU XXIII
DISPOZITA KALIMTARE


Neni 133
Dispozita kalimtare

1. Lejet e peshkimit profesional, të vlefshme në bazë të dispozitave ekzistuese në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, mbeten të tilla deri në afatin e skadimit të tyre.
2. Lejet e peshkimit tregtar për anijet e peshkimit, të lëshuara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, vazhdojnë të jenë të vlefshme deri kur organi përkatës i lëshimit të këtyre lejeve konstaton mospërputhshmëri me kushtet që ato duhet të përmbushin apo duhet të kishin përmbushur për rinovimin e kësaj lejeje.

Neni 134
Përshtatja me kërkesat e ligjit

Brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, personat që ushtrojnë aktivitet peshkimi marrin të gjitha masat që të përshtatin aktivitetin e tyre në përputhje me dispozitat e tij.

Neni 135
Aktet nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave për nxjerrjen e akteve nënligjore, në zbatim të neneve 5 pika 2, 9, 11 pika 1, 18 pika 5, 24 pika 4, 37 pika 1, 52 pika 3, 66 pika 4, 72 pika 8, 74 pika 4, 77 pika 3, 82 pika 2, 85 pika 2, 93 pikat 4 e 5, 100 pika 1, 101 pika 2, 112 pika 3, 113 pika 1, 116, 118 pika 3 dhe 119 pika 2 të këtij ligji.
2. Ngarkohet ministri për nxjerrjen e akteve nënligjore, në zbatim të neneve 8, 10 pika 1, 13, 14, 15, 19 pika 3, 21 pika 6, 22 pika 4, 25 pika 4, 26 pika 3, 29 pika 2, 30 pika 3, 31 pika 2, 32 pika 5, 33 pika 3, 40 pika 2, 43 pika 2, 44 pikat 1 e 2, 50, 62 pika 2, 65 pikat 2 e 4, 70 pika 2, 81 pika 3, 87, 93 pika 1, 99 pika 2, 102 pika 1, 103, 107, 109 pika 3, 115 pika 3, 118 pika 2, 121 pikat 3 e 4 dhe 131 pika 4 të këtij ligji.

Neni 136
Shfuqizime

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, dispozitat që kanë të bëjnë me peshkimin të ligjit nr.7908, datë 5.4.1995 “Për peshkimin dhe akuakulturën”, të ndyshuar, si dhe aktet nënligjore për peshkimin, në zbatim të tij, shfuqizohen.

Neni 137
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Miratuar në datën 31.5.2012
Shpallur me dekretin nr.7544, datë 15.6.2012 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi


-------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
Ky ligj është përafruar pjesërisht me:
-- Rregulloren e Këshillit nr. 1224/2009/KEE, datë 20 nëntor 2009 “Mbi krijimin e një sistemi kontrolli komunitar për të garantuar respektimin e rregullave të politikës së përbashkët të peshkimit”, e cila ndryshon rregulloret nr. 847/96/KE, nr. 2371/2002/KE, nr. 811/2004/KE, nr. 768/2005/KE, nr. 2115/2005/KE, nr. 2166/2005/KE, nr. 388/2006/KE, nr. 509/2007/KE, nr. 676/2007/KE), nr. 1098/2007/KE, nr. 1300/2008/KE, nr. 1342/2008/KE dhe shfuqizon rregulloret nr. 2847/93/KEE, nr. 1627/94/KE dhe nr. 1966/2006/KE. Numri CELEX 32009R1224, Fletore Zyrtare e Bashkimit Europian, Seria L, nr. 343, datë 22.12.2009, faqe 1-50.
-- Direktivën e Parlamentit Europian dhe Këshillit nr. 2000/60/KE, datë 23 tetor 2000 “Mbi krijimin e një kuadri për veprimin komunitar në fushën e ujërave”, të ndryshuar. Numri CELEX 32000L0060, Fletore Zyrtare e Bashkimit Europian, Seria L, nr. 327, datë 22.12.2000 faqe. 1-73.
-- Rregulloren e Këshillit nr. 2371/2002/KE, datë 20 dhjetor 2002 “Mbi mbrojtjen dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve peshkore në kuadër të politikes së përbashkët të peshkimit”, të ndryshuar. Numri CELEX 32002R2371, Fletore Zyrtare e Bashkimit Europian, Seria L, nr. 358, datë 31.12.2002, faqe. 59-80.
Rregulloren e Këshillit nr. 1967/2006/KE, datë 21 dhjetor 2006 “Mbi masat menaxhuese për shfrytëzimin e qëndrueshëm te burimeve peshkore të Detit Mesdhe”, e cila ndryshon Rregulloren nr. 2847/93/KEE dhe shfuqizon Rregulloren nr. 1626/94/KEE. Numri CELEX 32006R1967, Fletore Zyrtare e Bashkimit Europian, Seria L, nr. 409, datë 30.12.2006, faqe. 11-85.
Rregulloren e Këshillit nr. 1198/2006/KE, datë 27 korrik 2006 “Mbi Fondin Europian të Peshkimit”. Numri CELEX 32006R1198, Fletore Zyrtare e Bashkimit Europian, Seria L, nr. 223, datë 15.8.2006, faqe. 1-44.
Rregulloren e Këshillit nr. 1005/2008/KE, datë 29 shtator 2008 “Mbi krijimin e një regjimi komunitar për të parandaluar, dekurajuar dhe eliminuar peshkimin ilegal, të padeklaruar dhe të parregulluar”, e cila ndryshon rregulloret nr. 2847/93/KE, nr. 1936/2001/KE, nr. 601/2004/KE dhe shfuqizon rregulloret, nr. 1093/94/KE e (KE), nr. 1447/1999/KE. Numri CELEX 32008R1005, Fletore Zyrtare e Bashkimit Europian nr. 286, datë 29.10.2008, faqe. 1-32.
Rregulloren e Këshillit (KE) nr. 199/2008 të 25 shkurtit 2008 “Mbi krijimin e një kuadri komunitar për mbledhjen, menaxhimin dhe përdorimin e të dhënave në sektorin e peshkimit dhe mbështetjen e këshillimit shkencor në lidhje me Politikën e Përbashkët të Peshkimit”. Numri CELEX 32008R0199, Fletore Zyrtare e Bashkimit Europian, Seria L, nr. 60, datë 5.3.2008, faqe 1-12.
Rregulloren e Këshillit nr. 104/2000/KE, datë 17 dhjetor 1999 “Mbi organizimin e përbashkët të tregjeve për produktet e peshkimit dhe akuakulturës”. Numri CELEX 32000R0104, Fletore

Zyrtare e Bashkimit Europian, Seria L, nr. 17, datë 21.1.2000, faqe. 22-52.
Vendimin e Komisionit nr. 1999/478/KE, datë 14 korrik 1999 “Për rinovimin e Komitetit Konsultativ për Peshkimin dhe Akuakulturën”. Numri CELEX 31999D0478, Fletore Zyrtare e Bashkimit Europian, Seria L, nr. 187, datë 20.7.1999, faqe. 70-73.
Vendimin e Komisionit nr. 2005/629/EC, datë 26 gusht 2005 “Për krijimin e Komitetit Shkencor, Teknik dhe Ekonomik për Peshkimin”. Numri CELEX 32005D0629, Fletore Zyrtare e Bashkimit Europian, Seria L, nr. 225, datë 31.8.2005, faqe. 18-22.
Rregulloren e Zbatimit të Komisionit nr. 404/2011/BE, datë 8 prill 2011 “Për përcaktimin e modaliteteve të zbatimit të Rregullores së Këshillit nr. 1224/2009/KEE, datë 20 nëntor 2009 “Mbi krijimin e një sistemi kontrolli komunitar për të garantuar respektimin e rregullave të Politikës së Përbashkët të Peshkimit””. Numri CELEX 32011R0404, Fletore Zyrtare e Bashkimit Europian, Seria L, nr. 112, datë 30.4.2011 faqe. 1-153.

Share This


0
0
0
Loading...

Return to “Legjislacion - Bujqësia dhe Mjedisi”

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 1 guest