LIGJI PËR UJITJEN DHE KULLIMIN - Nr.8518, datë 30.7.1999

User avatar
Libraria UBT
Posts: 96
Joined: 06 Jul 2015, 19:54
Rreth Jush: Libraria Universitare e UBT-së është një subjekt shërbimi i specializuar në shpërndarjen e librit, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. E kryen këtë aktivitet që nga viti 1998.

Qellimi i saj është promovimi dhe shpërndarja e librave që kanë si objekt fushat e studimeve universitare të UBT-së, për studentët dhe të interesuarit e tjerë.
Misioni: Të bëhet një pikë gjithnjë e më atraktive për shpërndarjen e librit me profil bujqësine, agrobiznesin, ekonominë, mjedisin, veterinarinë, bioteknologjinë, ushqimin dhe pyjet, për studentët e UBT-së, stafin dhe të interesuarit e tjerë të këtyre fushave.

Libraria Universitare e UBT-së, ofron për studentët dhe lexuesit libra në fushat: Sociologji, Drejtësi, Personalitete, Filozofi, Psikologji, Fjalorë, Histori, Letërsi artistike etj.

LIGJI PËR UJITJEN DHE KULLIMIN - Nr.8518, datë 30.7.1999

Postby Libraria UBT » 03 Aug 2015, 08:55

LIGJI PËR UJITJEN DHE KULLIMIN - Nr.8518, datë 30.7.1999

I azhurnuar me ndryshimet e ligjit - Nr.9860, datë 21.1.2008

Vemendje: Kudo në ligj emërtimet:
a) "Shoqata e përdoruesve të ujit" dhe "Federata e shoqatave të përdoruesve të ujit" zëvendësohen me
emërtimet "Organizata e përdoruesve të ujit" dhe "Federata e organizatave të përdoruesve të ujit".
b) "Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit" dhe "Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit" zëvendësohen me
emërtimet "ministri" dhe "ministria".
c) "Bordi i përfaqësuesve" zëvendësohet me emërtimin "Këshilli i përfaqësuesve".


Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË V E N D O S I:


KREU I DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi i ligjit

Ky ligj ka për qëllim:
a) të përcaktojë kuadrin ligjor për krijimin dhe funksionimin e shoqatave të përdoruesve të ujit, të federatave, të shoqatave të përdoruesve të ujit dhe të bordeve të kullimit;
b) të përcaktojë kuadrin institucional që t’i shërbejë një politike kombëtare për ujitjen, kullimin, mbrojtjen nga përmbytja dhe erozioni;
c) të përcaktojë të drejtat dhe detyrat e personave fizikë dhe juridikë që merren me ujitjen, kullimin
dhe mbrojtjen nga përmbytja dhe erozioni;
ç) të rregullojë transferimin e sistemeve të ujitjes shoqatave të përdoruesve të ujit dhe federatave të shoqatave të përdoruesve të ujit;
d) të rregullojë transferimin e sistemeve të kullimit dhe të veprave të mbrojtjes nga përmbytja tek bordet e kullimit.

Neni 2
Përkufizime

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. "Organizatë" është organizata e përdoruesve të ujit, që organizohet dhe vepron sipas këtij ligji.
2. "Asambleja e organizatës" është organi kryesor vendimmarrës.
3. "Përfitues" janë fermerët ose banorët, që jetojnë në zonat nënujitje dhe/ose nënkullim, të
përcaktuara në këtë nen dhe të cilët përfitojnë nga shërbimet përkatëse.
4. "Federatë" është federata e organizatave të përdoruesve të ujit, që organizohet dhe vepron sipas këtij ligji.
5. "Këshill administrativ" është organi i ngarkuar për drejtimin e një organizate apo federate.
6. "Bordi i kullimit" është person juridik publik, i krijuar në përputhje me kreun V të këtij ligji.
7. "Stacion pompash kullimi" është tërësia e elektro-pompave, të vendosura në grup apo të veçanta,
linjat e furnizimit me energji elektrike, linjat e telefonit dhe nënstacionet e lidhura me të, që shërbejnë për kullimin e tokave.
8. "Vepra të mbrojtjes nga përmbytja" janë pendë/argjinaturë të mbrojtjes nga përmbytja dhe
ndërtimet përgjatë lumenjve dhe rrjedhave të tjera ujore, kanaleve të ujërave të larta, për parandalimin
nga përmbytja të tokave bujqësore dhe të qendrave rurale.
9. "Zonë e shërbimit të ujitjes" është një zonë e caktuar gjeografike, që furnizohet me ujë nga
organizata ose federata, që përdor një/disa sisteme ujitjeje.
10. "Zonë nën kullim" është një zonë e caktuar gjeografike, që përfiton prej një sistemi kryesor kullimi.
11. "Sistem ujitjeje" është një rrjet kanalesh ujitëse, së bashku me veprat përkatëse hidroteknike,
rezervuarët, digat, strukturat devijuese, stacion pompash, rrugë, ndërtesa dhe infrastruktura e tyre, të
furnizuara nga një kanal parësor ose një rezervë ujore parësore, për ujitjen e një sipërfaqeje toke,
përfshirë tubacionet dhe kanalet, që kullojnë vetëm atë sipërfaqe toke. Sistemi i ujitjes përfshin edhe
tokën bashkëngjitur me kanalet e ujitjes, e cila është mbajtur nën pronësinë e shtetit, për sigurimin e aksesit në kanale të tilla.
12. "Sistem kullimi" është një rrjet kullimi, me kanale të ndërtuara/tubacione dhe kanale natyrore, si
dhe me veprat përkatëse hidroteknike dhe infrastrukturën, përfshirë këtu stacionet e pompave të
kullimit, rrugët dhe ndërtesat. Sistemi i kullimit shërben për të kulluar tokën, përfshirë edhe tokën
bujqësore, rrugët dhe zonat urbane. Sistemi i kullimit përfshin edhe tokën bashkëngjitur me kanalet
kulluese, të ndërtuara dhe ato natyrore, e cila është mbajtur në pronësinë e shtetit, për sigurimin e aksesit në kanale të tilla.
13. "Kanal kryesor ujitës" është kanali ujitës, që transporton ujë nga një lumë, përrua, rezervuar ose
burime të tjera ujore drejt një ose me shumë sistemeve ujitëse dhe çdo stacioni pompimi, mbi ose të lidhur me këtë kanal.
14. "Digë" ka kuptimin e përcaktuar në shkronjën "a" të nenit 2 të ligjit nr. 8681, datë 2.11.2000 "Për
projektimin, ndërtimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e digave dhe dambave".
15. "Rezervuar" është rezervë artificiale uji, formuar nga akumulimi ose bllokimi i ujit me anë të një dige.
16. "Ministri" është Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
17. "Ministria" është Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Neni 3
Burimet ujore të lumenjve, përrenjve, liqeneve natyrore, të ujëmbledhësve, ujërave nëntokësorë dhe ujërat e sistemeve ujitëse dhe të kullimit, janë pronë e shtetit.

Neni 4
Parimet kryesore

Administrimi i sistemeve të ujitjes, i sistemeve të kullimit dhe i veprave të mbrojtjes nga përmbytja kryhet në përputhje me parimet që vijojnë:
a) Sistemet e ujitjes dhe të kullimit funksionojnë për të nxitur dhe mbrojtjur interesat e të gjithë përfituesve.
b) Sistemet e ujitjes dhe të kullimit funksionojnë për rregullimin e regjimit ujor në tokë, si të tepricës
dhe deficitit të lagështisë, për të parandaluar erozionin dhe ndotjen, gjithnjë në funksion të mbrojtjes së mjedisit.
c) Përfituesit nga sistemet e ujitjes, të kullimit dhe veprave të mbrojtjes nga përmbytja, përballojnë shpenzimet e funksionimit dhe të mirëmbajtjes së tyre.

Neni 5
Administrimi i ujitjes dhe kullimit

1. Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit është organi kryesor përgjegjës për administrimin e ujitjes dhe të kullimit.
2. Shfuqizohet
3. Shoqatat kryejnë shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve të ujitjes, që u
jane transferuar atyre në përputhje me kreun III të këtij ligji.
4. Federatat kryejnë shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e kanaleve kryesore ujitëse, që u
janë transferuar atyre në përputhje me kreun IV të këtij ligji.
5. Bordet e kullimit kryejnë detyrat e përcaktuara në këtë ligj, në përputhje me kreun V të këtij ligji.

Neni 6
Detyrat dhe përgjegjësitë e ministrit

1. Ministri ka këto detyra dhe përgjegjësi:
a) përcakton politikën kombëtare të ujitjes dhe të kullimit;
b) mbikëqyr funksionimin d he veprimtarinë e organizatave të federatave dhe bordeve të kullimit nga ana ligjore dhe financiare;
c) mbikëqyr infrastrukturën e ujitjes dhe të kullimit nga ana teknike;
ç) propozon krijimin e bordeve të kullimit;
d) autorizon transferimin e sistemeve të ujitjes dhe të kanaleve kryesore ujitëse organizatave dhe federatave;
dh) ndërmerr veprime të nevojshme, për të garantuar sigurinë e veprave të mbrojtjes nga përmbytja
dhe të digave, që janë pjesë e sistemeve të ujitjes;
e) mban regjistrin e organizatave, të federatave dhe bordeve të kullimit;
ë) këshillon dhe udhëzon organizatat, federatat dhe bordet e kullimit, me kërkesën e këtyre të fundit,
për çështje ligjore, teknike dhe financiare;
f) mbikëqyr zgjedhjen e këshillave administrative të organizatave dhe federatave;
g) kryen kontrollet financiare të organizatave, federatave dhe të bordeve të kullimit;
gj) kryen kontrollin teknik dhe fizik të sistemeve të ujitjes, kanaleve kryesore, sistemeve kryesore të
kullimit dhe veprave mbrojtëse nga përmbytjet;
h) monitoron cilësinë e ujërave të ujitje-kullimit dhe të tokave nën sistemin e këtyre ujërave;
i) kryen detyra të tjera, të përcaktuara në këtë ligj.
2. Ministri ngarkon institucionet e varësisë për kryerjen e disa prej detyrave të përcaktuara në këtë nen.

Neni 7
[b][color=#FF4000]Shfuqizohet


KREU II
INFRASTRUKTURA E UJITJES DHE KULLIMIT


[size=150]Neni 8
Inventari i sistemeve të ujitjes dhe të kullimit

Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit mban inventarin e gjendjes së sistemeve të ujitjes, kullimit dhe veprave të mbrojtjes nga përmbytja, të cilat janë pronë shtetërore.

Neni 9
Bazat për transferimin e infrastrukturës së ujitjes dhe të kullimit

1. Transferimi i infrastrukturës së ujitjes dhe të kullimit bazohet në të drejtën kontraktuale të përdorimit
ose në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Konkretisht transferimi mbi bazën e së drejtës kontraktuale të përdorimit bëhet me marrëveshje me
shkrim, në formën e parashikuar, ndërmjet ministrisë dhe kujtdo, që i transferohet prona, për jo më pak
se 10 vjet. Në marrëveshje përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës.
2. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, mund të përcaktojë, me vendim, dhënien me
koncesion, transferimin në pronësi të infrastrukturës, sipas dispozitave ligjore në fuqi, pa ndryshuar destinacionin.
3. Organizata, federata ose bordi i kullimit, të cilit i është transferuar pronësia e infrastrukturës, nuk
mund ta shesë, ta lërë në hipotekë ose ta tjetërsojë në mënyra të tjera infrastrukturën ose çdo pjesë të saj.

Neni 10
Transferimi i infrastrukturës së ujitjes dhe të kullimit

Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit miraton që:
a) diga, rezervuari, kanali kryesor, që i shërben më shumë se një organizate, mund t'i transferohet
federatës, e cila është krijuar për t'i shfrytëzuar dhe mirëmbajtur ato;
b) kanali kryesor ose një rezervuar, i cili i shërben vetëm për një shoqatë, mund t’i transferohet asaj shoqate;
c) sistemi ujitës, i cili i shërben një shoqate, t’i mund t'i transferohet asaj shoqate;
ç) sistemi kryesor i kullimit t’i mund t'i transferohet bordit të kullimit;
d) çdo transferim të bëhet duke iu referuar një planimetrie ose harte, e cila përshkruan kanalin kryesor, rezervuarin, sistemin e ujitjes dhe të kullimit që është objekt transferimi.

Neni 11
Shfrytëzimi dhe mirëmbajtja e infrastrukturës së ujitjes dhe të kullimit

1. Organizata shfrytëzon sistemin e ujitjes së transferuar, në mënyrë të tillë, që çdo anëtar i saj të
marrë ujë në kohën dhe sasinë e kërkuar.
2. Çdo organizatë merr masat e nevojshme për të ruajtur dhe mirëmbajtur çdo sistem ujitjeje, që i
është transferuar, për të parandaluar ndërhyrjet e paautorizuara në to, përfshirë edhe sipërfaqet e tokës
bashkëngjitur, të cilat janë përfshirë në atë sistem.
3. Çdo federatë merr masat e nevojshme për të ruajtur dhe mirëmbajtur çdo infrastrukturë, që i është
transferuar, për të parandaluar ndërhyrjet e paautorizuara, përfshirë edhe sipërfaqet e tokës
bashkëngjitur, të cilat janë përfshirë në atë sistem.
4. Çdo federatë dhe organizatë duhet:
a) të mirëmbajë dhe të shfrytëzojë infrastrukturën, që i është transferuar;
b) të përmbushë detyrat, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e mjedisit, rezervave ujore dhe digave;
c) të monitorojë sasinë e ujit që përdor gjatë një viti.
5. Ministri nxjerr udhëzime për shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së ujitjes, të kullimit e
të mbrojtjes nga përmbytja, të transferuara sipas nenit 10 të këtij ligji.

Neni 11/1
Mosvënia në punë dhe shitja e infrastrukturës

1. Asetet e patundshme të një sistemi ujitjeje, i cili, brenda pesë viteve nga hyrja në fuqi e këtij ligji,
nuk i është transferuar një organizate, sipas nenit 10 të ligjit, ose nuk vihet në punë, mund të
privatizohen së bashku me sipërfaqen përkatëse të tokës, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Një kanal kryesor, i cili, brenda pesë viteve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, nuk i është transferuar një
organizate, sipas nenit 10 të ligjit, ose nuk vihet në punë, mund të privatizohet së bashku me
sipërfaqen përkatëse të tokës, sipas legjislacionit në fuqi.
3. Në kontekstin e këtij neni, termi "mosvënie në punë" për digën, që është një pjesë e sistemit të
ujitjes ose e kanalit kryesor, nënkupton që diga shembet ose modifikohet në mënyrë të tillë, që të mos
jetë në gjendje të mbledhë apo të akumulojë rezerva ujore.

KREU III
ORGANIZATAT E PËRDORUESVE TË UJIT

[b][color=#0000BF]Neni 12
Statusi juridik

Organizata është person juridik publik, me vetëfinancim, që nuk ushtron veprimtari fitimprurëse.
Çdo organizatë ka emrin dhe zonën, ku ajo ushtron veprimtarinë.

Neni 13
Qëllimi

Qëllimi i krijimit të organizatës është shfrytëzimi dhe mirëmbajtja e një ose më shumë sistemeve
ujitëse, brenda zonës së saj të shërbimit të ujitjes dhe sigurimi i ujit për ujitje për anëtarët e saj.
Organizata u shërben interesave publikë dhe interesave të anëtarëve.

Neni 14
Anëtarësia

1. Të drejtat dhe detyrimet, që rrjedhin nga krijimi i një organizate, janë të lidhura me tokën në pronësi
ose në përdorim, që ndodhet brenda zonës së shërbimit të ujitjes, pavarësisht nga qëllimi i përdorimit
dhe transferohen së bashku me tokën në çastin kur organizata shpërbëhet ose kur toka nuk përfshihet
më brenda zonës së shërbimit të ujitjes, pas një ndryshimi në statutin e organizatës. Ushtrimi i të
drejtave dhe i detyrimeve, që rrjedhin nga krijimi i një organizate, sipas nenit 14/1 të këtij ligji,
ndërmerret nga pronarët e tokës, brenda zonës së shërbimit të ujitjes, të cilët janë anëtarë të organizatës.
2. Kur një sipërfaqe toke zotërohet nga më shumë se një person, zotëruesit njoftojnë organizatën për
personin, që ushtron të drejtat dhe detyrimet e anëtarësisë për këtë sipërfaqe toke, pa pasur asnjë
ndikim mbi përgjegjësinë e tyre të përbashkët, për të shlyer çdo detyrim dhe tarifë ndaj organizatës.
3. Kur një sipërfaqe toke përdoret nga një person, që nuk është zotëruesi i saj, ky i fundit i drejtohet
me shkrim organizatës, ku i kërkon që të jetë anëtar i organizatës, për këtë sipërfaqe toke, me synim
mbarëvajtjen e marrëdhënieve me organizatën. Në çdo rast, zotëruesi i vërtetë është përgjegjës deri në
fund për shlyerjen e çdo detyrimi apo tarife të pashlyer.

Neni 14/1
Të drejtat dhe detyrat e anëtarëve të organizatës

1. Anëtari ka të drejtë:
a) të përfitojë nga shërbimet e ofruara nga organizata;
b) të ketë të drejta të barabarta në furnizimin me ujë për ujitje në dispozicion të organizatës;
c) të votojë;
ç) të propozojë çështje për diskutim për në asamblenë e përgjithshme;
d) të zgjidhet dhe të propozojë kandidatë për t'u zgjedhur në organet e organizatës.
dh) të marrë pjesë personalisht ose nëpërmjet një përfaqësuesi në mbledhjet e asamblesë së përgjithshme;
e) të shqyrtojë regjistrat dhe llogaritë e organizatës;
ë) të kompensohet për dëmtimin e tokës dhe të prodhimit në këtë sipërfaqe, si rrjedhojë e veprimtarive
të shfrytëzimit dhe mirëmbajtjes, të ndërmarra nga organizata në atë tokë.
2. Anëtari ka detyrë:
a) të zbatojë statutin, rregulloren e brendshme dhe vendimet e organizatës;
b) të paguajë të gjitha detyrimet financiare dhe tarifat e caktuara nga organizata;
c) të mbrojë pasurinë e organizatës;
ç) të sigurojë informacionin, që i kërkohet nga organizata për tokën dhe përdorimin e saj;
d) të lejojë stafin e organizatës të ketë akses në tokën e tij, me ose pa makineri, sipas rastit, për
kryerjen e veprimeve për mirëmbajtjen e sistemit të ujitjes.

Neni 15
Statuti

1. Veprimtaria dhe rregullat për zgjedhjen, funksionimin e organizimin e organeve të saj rregullohen
nga statuti i organizatës, i cili duhet të jetë në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të legjislacionit
në fuqi, ku përcaktohen:
a) adresa e selisë së organizatës;
b) përshkrimi i zonës së shërbimit nën ujitje, sipas hartave dhe projekteve, që i bashkëlidhen statutit;
c) kuota vjetore e anëtarësimit;
ç) të drejtat dhe detyrat e anëtarëve;
d) mënyra e organizimit, funksionet, përbërja dhe përgjegjësitë e organeve drejtuese;
dh) rregullat për organizimin e mbledhjeve, njoftimin, pjesëmarrjen, procedurën e votimit për marrjen e vendimeve;
e) burimet financiare, mënyra e administrimit dhe e kontrollit të tyre;
ë) mënyra e miratimit të ndryshimeve;
f) marrëdhëniet me organin mbikëqyrës.
2. Organizata dërgon statutin e vet te ministri, i cili, brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës, duhet ta
miratojë atë ose të kërkojë ndryshimin e dispozitave, që nuk janë në përputhje me këtë ligj. Pas
miratimit të statutit nga ministri, organizata regjistrohet në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.

Neni 16
Procedura e krijimit të organizatës

1. Për krijimin e një organizate, jo më pak se dhjetë zotërues të sipërfaqeve të tokës, të vendosura
brenda zonës së shërbimit të ujitjes, ngrenë një "grup nismëtar", i cili, pasi identifikon zonën e
shërbimit të ujitjes, që do të mbulojë organizata, i dorëzon një kërkesë me shkrim ministrisë, për të filluar procedurat.
2. Ministria shqyrton realizueshmërinë hidraulike dhe ekonomike të zonës së shërbimit të ujitjes së
organizatës së propozuar dhe nëse gjykon se ajo, në parim, mund të jetë e suksesshme, i shpall
zyrtarisht "grupit nismëtar" fillimin e procedurave të krijimit, duke njoftuar dhe organet përkatëse të
qeverisjes vendore dhe Këshillin e Basenit Ujëmbledh ës.
3. Me ndihmën e ministrisë, "grupi nismëtar" organizon, ndërmjet anëtarëve të mundshëm të
organizatës së propozuar, zgjedhjen e komitetit themelues, të përbërë prej jo më shumë se 11
personash, që përfaqësojnë, në mënyrë sa më të plotë, zonën e shërbimit të ujitjes.
4. Komiteti themelues harton projektstatutin e organizatës së propozuar, përgatit planin e zonës së
shërbimit të ujitjes, listën e anëtarëve të propozuar të organizatës, harton projektbuxhetin dhe planin e
punës për vitin e parë të funksionimit të organizatës.
Pas njohjes së projektstatutit nga anëtarët e mundshëm të organizatës dhe pas marrjes së mendimeve
të tyre, komiteti themelues i dërgon për miratim ministrit dokumentet e sipërpërmendura.
5. Ministri mund të refuzojë miratimin e projektstatutit dhe të dokumentacionit mbështetës nëse:
a) statuti nuk është në përputhje me kërkesat e këtij ligji;
b) zona e shërbimit të ujitjes së propozuar nuk përbën një zonë toke, e cila është e dallueshme nga ana
hidraulike, për të bërë të mundur furnizimin me ujë nga një ose më shumë sisteme ujitjeje;
c) në bazë të të dhënave për madhësinë e zonës së shërbimit të ujitjes së propozuar, numrit të
anëtarëve të ardhshëm, mënyrat e përdorimit të tokës brenda zonës së shërbimit të propozuar të
ujitjes, gjykohet se organizata e propozuar nuk do të jetë ekonomikisht e suksesshme.
Kur ministri refuzon miratimin e projektstatutit dhe të dokumentacionit mbështetës, njofton komitetin
themelues për arsyet e refuzimit.
6. Komiteti themelues, brenda 30 ditëve nga miratimi i statutit, thërret mbledhjen e parë të asamblesë
së përgjithshme, gjatë së cilës zgjidhen organet drejtuese të organizatës dhe komiteti themelues shpërndahet.
7. Komiteti themelues rimbursohet nga organizata për shpenzimet e kryera gjatë procedurës së krijimit,
të cilat përfshihen në projektbuxhetin e organizatës.
8. Në rastin kur mungon nisma për krijimin e organizatës, është vetë ministria që ndërmerr këtë nismë.
Në këtë rast procedura përcaktohet me udhëzim të ministrit.

Neni 17
Organet e organizatës

Organet e organizatës janë:
1. Asambleja e përgjithshme
2. Këshilli administrativ
3. Kryetari
4. Komisioni i auditimit.
Organizata ka të drejtë të parashikojë në statut krijimin dhe funksionimin e organeve të tjera shtesë, si grup arbitrash.

Neni 17/1
Asambleja e përgjithshme

1. Asambleja e përgjithshme është organi më i lartë vendimmarrës i organizatës dhe mblidhet të paktën një herë në vit.
2. Mbledhja e asamblesë së përgjithshme thirret nga këshilli administrativ, kur ky i fundit e sheh të
nevojshme. Mbledhja thirret edhe me kërkesë të së paktës 20 për qind të anëtarëve të përfaqësuesve të
tyre ose siç përcaktohet në statut dhe njoftimi bëhet me shkrim.
3. Vendimet e asamblesë së përgjithshme merren me shumicë të thjeshtë të votave të anëtarëve të
pranishëm, kur në të marrin pjesë jo më pak se gjysma e tyre. Sesionet e asamblesë së përgjithshme
drejtohen nga kryetari i organizatës ose, në mungesë të tij, nga një person tjetër, i parashikuar në statut.
4. Asambleja e përgjithshme ka këto detyra dhe përgjegjësi:
a) zgjedhjen e këshillit administrativ dhe të komisionit të auditimit;
b) miratimin e bilancit vjetor, raportit vjetor dhe buxhetit të propozuar;
c) miratimin e planit të shfrytëzimit, mirëmbajtjes së sistemeve ujitëse, si dhe planit të alarmit të
evakuimit dhe të ndihmës për mbrojtjen e popullatës e të vlerave materiale në rastet e jashtëzakonshme, si pasojë e prishjes së digës;
ç) miratimin e programit të shpërndarjes së ujit dhe planit të ujitjes, në funksion të planifikimit vjetor të mbjelljeve;
d) miratimin e nivelit të tarifave dhe të detyrimeve, që do të mblidhen nga organizata, si dhe sanksionet, që do të vendosen prej saj;
dh) propozimin e ndryshimeve në statut;
e) miratimin e rregullores së brendshme, sipas kuadrit të statutit;
ë) marrjen e vendimeve për bashkimin e organizatës, për anëtarësimin e saj në federatë.

Neni 17/2
Sistemi me përfaqësim

1. Nëse numri i anëtarëve të organizatës është i tillë saqë praktikisht është e pamundur të mbahen
sesione të asamblesë së përgjithshme, në përputhje me këtë nen, statuti parashikon sistemin me përfaqësim.
2. Anëtarët, sipas sistemit me përfaqësim, ndahen në grupe të veçanta, ku secili zgjedh një përfaqësues
grupi në sesionet e asamblesë së përgjithshme, i cili voton në emër të grupit. Statuti parashikon që çdo
përfaqësues të ketë një votë ose që çdo përfaqësues të ushtrojë votat e anëtarëve që përfaqëson. Në
rast se përdoret sistemi me përfaqësim, anëtarët e organizatës gëzojnë të drejtën të ndjekin sesionet e
asamblesë së përgjithshme, por pa të drejtë vote.
3. Statuti përcakton kohëzgjatjen e mandatit të përfaqësuesve dhe procedurat për zgjedhjen e tyre.

Neni 17/3
Këshilli administrativ

1. Këshilli administrativ është përgjegjës për administrimin dhe funksionimin e organizatës. Ky këshill
jep llogari përpara asamblesë së përgjithshme p ër mbikëqyrjen e funksionimit të organizatës dhe
përbëhet, minimumi, prej tre vetash dhe maksimumi, prej njëmbëdhjetë vetash.
2. Anëtarët e këshillit administrativ janë anëtarë të organizatës dhe zgjidhen nga asambleja e
përgjithshme në mbledhjen vjetore, për një afat deri në katër vjet. Anëtarët, që plotësojnë afatin, mund
të rizgjidhen. Askush nuk gëzon të drejtën për t'u zgjedhur nëse ka ndaj organizatës detyrime financiare, si pagesa, tarifa, sanksione.
3. Çdo anëtar i këshillit administrativ, në çdo çast, vepron në interes të organizatës, duke deklaruar çdo
interes financiar personal për çështjet që shtrohen për diskutim në mbledhjet e këshillit dhe, në këtë rast, nuk merr pjesë në diskutim.
Detyrat e këshillit administrativ janë:
a) thirrja e sesioneve të asamblesë së përgjithshme;
b) përgatitja e projektbuxhetit, planit të punës, planit të shfrytëzimit, mirëmbajtjes, planit të alarmit të
evakuimit dhe të ndihmës për mbrojtjen e popullatës dhe të vlerave materiale, në rastet e
jashtëzakonshme, si pasojë e prishjes së digës, për t'ia kaluar për miratim asamblesë së përgjithshme;
c) përgatitja e kontratave, në përputhje me buxhetin e miratuar, me planin e punës dhe me planin e shfrytëzimit e të mirëmbajtjes;
ç) rekrutimi dhe shkarkimi i menaxherit të përgjithshëm të organizatës;
d) propozimi i çështjeve, që do të vendosen nga asambleja e përgjithshme;
dh) monitorimi i funksionimit të organizatës;
e) ndjekja e zbatimit të procedurave financiare të organizatës;
ë) çështje të tjera, të përcaktuara në statut.

Neni 17/4
Funksionimi i këshillit administrativ

1. Mbledhjet e këshillit administrativ zhvillohen çdo muaj, nëse statuti nuk parashikon ndryshe.
Mbledhjet thirren me kërkesë të kryetarit ose të një të tretës së anëtarëve të këshillit administrativ.
Vendimet e këtij këshilli merren me shumicë të thjeshtë votash të anëtarëve të pranishëm dhe vota e
kryetarit është vendimtare, në rast barazie votash. Statuti përcakton numrin e anëtarëve të këshillit
administrativ, që duhet të jenë të pranishëm, për të arritur shumicën e duhur për fillimin e mbledhjes.
2. Asambleja e përgjithshme voton për largimin nga detyra të anëtarëve të këshillit administrativ dhe/ose të kryetarit për:
a) shkelje të rënda të detyrës;
b) mospjesëmarrje të përsëritur në mbledhjet e programuara;
c) shpalljen fajtor për një vepër penale.
3. Në rast se anëtari i këshillit administrativ largohet nga detyra gjatë një sesioni të asamblesë së
përgjithshme, në atë sesion caktohet zëvendësuesi.

Neni 17/5
Kryetari i organizatës

1. Kryetari i organizatës zgjidhet nga këshilli administrativ prej anëtarëve të tij.
2. Kryetari i organizatës është, njëkohësisht, edhe kryetar i këshillit administrativ.
3. Kryetari ka këto detyra dhe përgjegjësi:
a) thërret dhe kryeson mbledhjet e këshillit administrativ dhe të asamblesë së përgjithshme;
b) përfaqëson organizatën në marrëdhëniet me të tretët, sipas përcaktimeve të statutit;
c) nënshkruan kontrata dhe dokumente të tjera ligjore, në përputhje me vendimet e këshillit administrativ;
ç) ndërmerr detyra të tjera, të përcaktuara në statut.

Neni 17/6
Komisioni i auditimit

Komisioni i auditimit përbëhet nga kryetari dhe dy anëtarë, që zgjidhen nga asambleja e përgjithshme
për një periudhë katërvjeçare. Anëtarët e komisionit të auditimit mund të rizgjidhen vetëm një herë.
Komisioni i auditimit ka për detyrë të kontrollojë, në vazhdimësi, veprimtarinë ekonomiko-financiare të
organizatës dhe të raportojë në mbledhjen vjetore të asamblesë së përgjithshme.
Pas miratimit në këtë asamble, raporti i dërgohet ministrisë.
Largimi nga detyra i anëtarëve të komisionit të auditimit bëhet në bazë të përcaktimeve të pikës 2 të nenit 17/4 të këtij ligji.

Neni 17/7
Stafi ekzekutiv

1. Organizata punëson një staf ekzekutiv, përfshirë edhe një menaxher të përgjithshëm.
2. Menaxheri i përgjithshëm caktohet me konkurrim nga këshilli administrativ dhe duhet të ketë
kualifikimin dhe përvojën e duhur në menaxhimin e ujitjes. Ai i raporton këshillit administrativ dhe merr
pjesë në mbledhjet e tij, kur i kërkohet një gjë e tillë, por nuk gëzon të drejtën e vendimmarrjes apo të votimit.
3. Punonjësit e tjerë të stafit ekzekutiv caktohen nga menaxheri i përgjithshëm, nëpërmjet konkurrimit,
në përputhje me buxhetin vjetor, të miratuar nga asambleja e përgjithshme.
4. Stafi ekzekutiv i organizatës punësohet, në përputhje me legjislacionin në fuqi, që rregullon marrëdhëniet e punës.

Neni 18
Burimet e të ardhurave të organizatës

1. Burimet e të ardhurave të organizatës janë:
a) tarifa vjetore e mirëmbajtjes;
b) tarifa e shërbimit të ujitjes;
c) dhurimet ose grandet;
ç) burime të tjera, që nuk bien ndesh me ligjin.
2. Organizata krijon një fond rezervë, ku depozitohen të gjitha bilancet pozitive të të ardhurave, të cilat
përdoren për riparime emergjence dhe rehabilitim të infrastrukturës së ujitjes.
3. Tarifat e paguara nga çdo anëtar, sip as shkronjave "a"e"b" të pikës 1 të këtij neni, përcaktohen në statutin e organizatës.

Neni 19
Tarifa vjetore e mirëmbajtjes

1. Organizata mbledh tarifën vjetore të mirëmbajtjes për çdo sipërfaqe toke, brenda zonës së saj të
shërbimit të ujitjes, pavarësisht nëse kjo sipërfaqe toke përdoret dhe sipas qëllimit, për të cilin përdoret.
Afati i pagesës së kësaj tarife është brenda datës 31 janar të çdo viti.
2. Tarifa vjetore e mirëmbajtjes i njoftohet me shkrim zotëruesit të tokës dhe përllogaritet, duke iu
referuar madhësisë së asaj sipërfaqeje, në përpjesëtim me madhësinë totale të zonës së shërbimit të ujitjes.
3. Kjo tarifë përfshin:
a) shpenzimet e mirëmbajtjes vjetore të sistemit të ujitjes, shpenzimet për përgatitjen e këtij sistemi
për stinën e ardhshme të ujitjes dhe koston e pastrimit të kanaleve të treta kulluese;
b) detyrimin e organizatës për të paguar të tretët, për shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e kanalit kryesor ujitës;
c) pjesën për fondin rezervë të organizatës.
4. Vjelja e tarifës vjetore të mirëmbajtjes realizohet nga organizata, në bashkëpunim me pushtetin
vendor (komunë/bashki), sipas procedurës së përcaktuar në udhëzimin e përbashkët të ministrit dhe ministrit përkatës.

Neni 20
Tarifa e shërbimit të ujitjes

1. Organizata vendos një tarifë shërbimi për çdo shpërndarje të ujit për ujitje, në bazë të kërkesës së çdo anëtari.
2. Tarifa e shërbimit të ujitjes llogaritet sipas sipërfaqes së ujitur dhe numrit të ujitjeve ose vëllimit të
ujit të përdorur për çdo ujitje, ose kohëzgjatjes së ujitjes dhe çmimit për njësi kohe.
3. Tarifa e shërbimit të ujitjes për njësi përllogaritet, duke iu referuar shpenzimeve të organizatës, për
shfrytëzimin e sistemit të ujitjes dhe të shpërndarjes së ujit për ujitje, përfshirë çdo shpenzim të bërë
nga organizata për nxjerrjen dhe/ose furnizimin e një rezerve të tillë ujore.

Neni 21
Pagesa e anëtarëve të këshillit administrativ dhe komisionit të auditimit

Anëtarët e këshillit administrativ dhe të komisionit të auditimit paguhen për shpenzime të arsyeshme,
që kryhen gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre dhe, në varësi të buxhetit të organizatës, mund të paguhen me një vlerë nominale.

Neni 22
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve dhe sanksionet

1. Organizata në statut parashikon dispozita për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe zbatimin e
sanksioneve ndaj anëtarëve që shkelin statutin ose rregulloren e brendshme të organizatës. Këto
sanksione përfshijnë gjoba, pezullim dhe përjashtim.
2. Organizata në statut parashikon, gjithashtu, që asambleja e përgjithshme ose këshilli administrativ të
përcaktojë rastet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni. Statuti parashikon emërimin e një paneli për
zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, ose të një jurie, me anëtarë të emëruar nga:
a) asambleja e përgjithshme;
b) një palë e tretë, e pavarur.

Neni 23
Bashkimi ose ndarja e organizatave

Bashkimi ose ndarja e organizatave bëhet në përputhje me statutin e tyre dhe vendimet përkatëse të
asambleve të përgjithshme dhe, pas miratimit nga ministri, ndiqet procedura në bazë të legjislacionit në fuqi.

Neni 23/1
Ndryshimi i statutit

Organizata, me vendim të dy të tretave të asamblesë së përgjithshme, vendos ndryshimin e statutit.
Vendimi i asamblesë së përgjithshme i dorëzohet ministrit së bashku me një kërkesë me shkrim dhe një
kopje të statutit, që përmban ndryshimet e propozuara.
Procedura e miratimit të ndryshimeve në statut është ajo e përcaktuar në nenin 15 të këtij ligji.


KREU IV
FEDERATAT E ORGANIZATAVE TË PËRDORUESVE TË UJIT


Neni 24
Krijimi i federatës

1. Federata është person juridik, publik, anëtarë të së cilës janë dy ose më shumë organizata dhe ka si
qëllim shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e kanaleve kryesore ujitëse, të rezervuarëve dhe digave, që u shërbejnë anëtarëve të saj.
Federata nuk ushtron veprimtari fitimprurëse.
Çdo federatë ka emrin dhe zonën, ku ajo kryen veprimtarinë.
2. Çdo organizatë, e cila furnizohet me ujë nga një kanal kryesor, që shfrytëzohet dhe mirëmbahet nga
një federatë, gëzon të drejtën e anëtarësimit në këtë federatë.
3. Federata mund të krijohet nga dy ose më shumë organizata, me vendim të asambleve të
përgjithshme respektive, me miratim të ministrit, ose nga ministri, kur ky e vlerëson krijimin e saj me interes publik.
Procedura që ndiqet, përcaktohet me udhëzim të ministrit.
Federata e krijuar regjistrohet në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.

Neni 25
Detyrat e federatës

Detyrat e federatës janë:
a) shfrytëzimi dhe mirëmbajtja e kanaleve kryesore ujitëse, e rezervuarëve, digave dhe infrastrukturës
përkatëse, si dhe miratimi i planit të alarmit të evakuimit e të ndihmës, për mbrojtjen e popullatës dhe
vlerave materiale, në rastet e jashtëzakonshme, si pasojë e prishjes së digës;
b) furnizimi me ujë i organizatave, anëtare të federatës;
c) furnizimi me ujë i të tretëve, me miratimin e ministrit, kur nuk pengohet shërbimi i ujitjes;
ç) organizimi i veprimtarive ndërtuese dhe të zhvillimit të nevojshëm, për të arritur qëllimet e renditura
në shkronjat "a" e "b" të këtij neni;
d) mbledhja e tarifave për furnizimin me ujë të organizatave, anëtare të saj, përfshirë këtu edhe
shpenzimet për shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e kanalit kryesor ujitës, të rezervuarit apo
infrastrukturës përkatëse, si dhe shpenzimet për raste emergjence.

Neni 26
Parimet e funksionimit të federatës

Federata funksionon në bazë të këtyre parimeve:
1. Cakton një sasi të barabartë rezerve ujore për ujitje për çdo organizatë anëtare, në varësi të sasisë
së ujit gjendje edhe zonës nën ujitje.
2. Përcakton për çdo organizatë, anëtare të saj, në mënyrë përpjesëtimore, tarifën, që duhet të paguajë
për shpenzimet për shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e rezervës ujore, si dhe tarifën për furnizimin me ujë.

Neni 27
Statuti i federatës

Çdo federatë harton statutin e vet, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
Statuti përcakton rregullat e organizimit dhe të funksionimit të federatës, si dhe:
a) përshkruan digën, rezervuarin dhe kanalin kryesor ujitës ose çdo rezervë tjetër ujore për ujitje, nëse
ka të tillë, që shfrytëzohet nga federata, sipas planimetrive dhe hartave, që i bashkëlidhen statutit;
b) përmban emrin dhe selinë e federatës;
c) përcakton organet e federatës;
ç) përcakton burimet financiare dhe mënyrën e administrimit të tyre;
d) përcakton të drejtat dhe detyrat e organizatave, anëtare të federatës, përfshirë të drejtën e votës;
dh) përcakton mënyrën e miratimit të ndryshimeve.
3. Federata, me vendim të dy të tretave të anëtarëve të këshillit administrativ, vendos të ndryshojë statutin.
4. Vendimi i këshillit administrativ, së bashku me një kërkesë me shkrim dhe një kopje të statutit, që
përmban ndryshimet e propozuara, i dorëzohen ministrit.
5. Procedura e miratimit të statutit e të ndryshimeve në statut është ajo e përcaktuar në nenin 15 të këtij ligji.

Neni 28
Organet e federatës

Organet e Federatës janë:
1. Këshilli administrativ
2. Kryetari.
Federata ka të drejtë të parashikojë në statut krijimin dhe funksionimin e organeve të tjera shtesë, si të
komisionit të auditimit dhe të panelit të arbitrave.

Neni 29
Këshilli administrativ

1. Këshilli administrativ është organi kryesor vendimmarrës i federatës dhe mblidhet çdo muaj, nëse
nuk parashikohet ndryshe në statut. Mbledhjet thirren nga kryetari ose me kërkesën e një të tretës së
anëtarëve të këshillit. Vendimet e këshillit administrativ merren me shumicë të thjeshtë votash të
anëtarëve të pranishëm dhe, në rast barazie votash, vota e kryetarit është vendimtare. Statuti
përcakton numrin e anëtarëve të këshillit administrativ, të cilët duhet të jenë të pranishëm, për të
arritur shumicën e duhur për fillimin e mbledhjes.
2. Statuti vendos për numrin e anëtarëve, që ka të drejtë të emërojë çdo organizatë në këshillin
administrativ të federatës dhe numrin e votave, që ata duhet të kenë në mbledhjet e këtij këshilli.
3. Detyrat e këshillit administrativ janë:
a) miratimi i bilancit vjetor, të buxhetit të propozuar dhe të raportit vjetor;
b) miratimi i planit të punës, planit të shfrytëzimit dhe të mirëmbajtjes së sistemit ujitës, digës,
rezervuarit, kanalit kryesor;
c) miratimi i programit të shpërndarjes së ujit dhe hartimi i grafikut të ujitjes;
ç) miratimi i nivelit të tarifave dhe i sanksioneve;
d) hartimi i rregullores së brendshme, brenda kuadrit të statutit;
dh) përgatitja e kontratave, në përputhje me buxhetin e miratuar, me planin e punës dhe me planin e
shfrytëzimit dhe të mirëmbajtjes;
e) monitorimi i funksionimit të federatës;
ë) ndjekja e zbatimit të procedurave financiare;
f) çështje të tjera, të përcaktuara në statut.
4. Anëtarët e këshillit administrativ dhe të komisionit të auditimit paguhen për shpenzime të arsyeshme,
që kryhen gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre.
Në përputhje me buxhetin e federatës, ata mund të paguhen me një shumë nominale për pjesëmarrje.

Neni 29/1
Kryetari

Këshilli administrativ zgjedh nga radhët e anëtarëve kryetarin e federatës, i cili kryeson mbledhjet e këshillit.
Detyrat e kryetarit janë:
a) thërret dhe kryeson mbledhjet e këshillit administrativ;
b) përfaqëson federatën në marrëdhëniet me të tretët, sipas përcaktimeve të statutit;
c) nënshkruan kontratat dhe dokumentet e tjera ligjore, në përputhje me vendimet e këshillit administrativ;
ç) ndërmerr detyra të tjera, të përcaktuara në statut.

Neni 30
Stafi ekzekutiv i federatës

1. Federata punëson një staf ekzekutiv, përfshirë edhe një menaxher të përgjithshëm.
2. Mënyra e caktimit të menaxherit të përgjithshëm dhe e stafit ekzekutiv është e njëjtë me atë të
organizatës, e përcaktuar në nenin 17/7 të kreut III të këtij ligji.

Neni 31
Burimet e të ardhurave të federatës

1. Burimet e të ardhurave të federatës janë:
a) tarifa vjetore e mirëmbajtjes;
b) tarifa e furnizimit me ujë;
c) dhurimet ose grandet;
ç) burime të tjera, që nuk bien ndesh me këtë ligj.
Federata krijon një fond rezervë, ku depozitohen të gjitha bilancet pozitive të të ardhurave, të cilat
përdoren për riparime emergjente dhe rehabilitim të infrastrukturës së ujitjes në përdorim.
3. Tarifat e paguara nga çdo organizatë anëtare, sipas shkronjave "a" e "b" të pikës 1 të këtij neni, përcaktohen në statut.

Neni 31/1
Tarifa vjetore e mirëmbajtjes

1. Federata mbledh tarifën vjetore të mirëmbajtjes nga çdo organizatë anëtare. Afati përfundimtar i
pagesës së kësaj tarife është data 15 shkurt e çdo viti.
2. Tarifa vjetore e mirëmbajtjes përllogaritet në bazë të sipërfaqes së shërbimit të ujitjes të
organizatave anëtare të saj dhe në masën që t'i japë mundësi federatës:
a) të realizojë mirëmbajtjen vjetore të kanalit kryesor, përfshirë digat përkatëse;
b) të përmbushë çdo detyrim, për të paguar tarifat kundrejt të tretëve, për sigurimin dhe shpërndarjen e ujit;
c) të sigurojë fonde rezervë.

Neni 31/2
Tarifa e furnizimit me ujë

1. Federata vendos një tarifë për furnizimin me ujë për çdo organizatë anëtare.
2. Tarifa e furnizimit me ujë përllogaritet në varësi të shpenzimeve të kryera nga federata për
shpërndarjen e ujit për ujitje dhe të kostos për shfrytëzimin e kanalit kryesor.

Neni 32
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve dhe sanksionet

1. Federata parashikon në statut dispozita për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe zbatimin e
sanksioneve kundër organizatave anëtare, që shkelin statutin ose rregulloren e brendshme të federatës.
Këto sanksione përfshijnë gjoba, pezullim dhe përjashtim.
2. Federata parashikon në statut që këshilli administrativ të përcaktojë rastet e parashikuara në pikën 1
të këtij neni. Statuti mund të parashikojë emërimin e një paneli, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, ose
të një jurie, me anëtarë të emëruar nga:
a) këshilli administrativ;
b) një palë e tretë, e pavarur.

Neni 33
Bashkimi ose ndarja e federatave

Bashkimi ose ndarja e federatave bëhet në përputhje me statutin e tyre dhe vendimet përkatëse të
këshillave administrative dhe, pas miratimit nga ministri, ndiqet procedura në bazë të legjislacionit në fuqi.

Neni 34
Procedurat për shpërndarjen e ujit për ujitje

Procedurat për planifikimin, kërkesën, shpërndarjen e ujit për ujitje dhe mënyrën e pagesës
përcaktohen në rregulloret e brendshme të organizatës dhe të federatës.".

KREU V
BORDET E KULLIMIT


Neni 35
Bordet e kullimit

1. Bordet e kullimit krijohen në përputhje me këtë ligj si persona juridikë publikë që kanë për qëllim të kryejnë
detyrat e parashikuara në të.
2. Çdo bord kullimi krijohet me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas propozimit të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit.
3. Vendimi i Këshillit të Ministrave për krijimin e bordit të kullimit përmban tipin e bordit, zonën nën kullim që do të mbulojë dhe përbërjen e bordit të përfaqësuesve.

Neni 36
Tipet e bordeve të kullimit

1. Bordi kullimit krijohet, si bord i financuar nga buxheti i shtetit ose si bord më vetëfinancim.
2. Me propozimin e Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit, Këshilli i Ministrave ndryshon tipin e bordit të kullimit.

Neni 37
[color=#FF0080][b]Shfuqizohet


[size=150]Neni 38
[color=#FF0080][b]Shfuqizohet


[size=150]Neni 39
Bordet e kullimit me financim nga buxheti i shtetit

1. Bordi i kullimit me financim nga buxheti i shtetit shfrytëzon dhe mirëmban çdo sistem kullimi dhe vepër mbrojtjeje nga përmbytja brenda zonës përkatëse nën shërbim, në mënyrë që të largojë ujin e tepërt dhe të parandalojë grumbullimin e ujit, zhvillimin e kripëzimit dhe toksifikimit dhe të parandalojë përmbytjen.
2. Bordi i kullimit me financim nga buxheti i shtetit, brenda zonës së vet nën shërbim:
a) pastron dhe mirëmban kanalet kulluese, mbledhëse, tubat dhe strukturat;
b) shfrytëzon dhe mirëmban stacionet e pompave të kullimit hidrovoret);
c) kontrollon cilësinë e ujit që kullohet;
ç) kontrollon, mbikëqyr, mirëmban dhe rregullon sistemet kryesore të kullimit dhe veprat e mbrojtjes nga përmbytja;
d) merr në shqyrtim pasojat e veprimtarisë së vet në ekuilibrin natyror dhe merr masa për të parandaluar ose për të minimizuar çrregullimet ose dëmet në të;
dh)përgatit një plan periodik dhe të azhornuar të emergjencës nga përmbytja;
e) mirëmban veprat mbrojtëse detare dhe lumore.
f) merr masa për menaxhimin e përrenjve, kur është e nevojshme, për të parandaluar ose zvogëluar ndikimet e erozionit.
3.Bordi i kullimit me financim nga Buxheti i Shtetit ndërmerr, në raste të veçanta, shfrytëzimin dhe
mirëmbajtjen e një dige ose të kanalit kryesor ujitës, për një periudhë të caktuar, por jo më shumë se
pesë vjet nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, vetëm nëse:
a) asnjë person fizik apo juridik, publik ose privat, nuk ka përgjegjësi ligjore për operimin dhe
mirëmbajtjen e digës ose të kanalit kryesor ujitës në fjalë, deri në çastin kur një përgjegjësi e tillë t'i
kalojë një organizate apo federate, sipas nenit 10 të këtij ligji;
b) një gjë e tillë kërkohet nga organizata ose federata përgjegjëse për operimin dhe mirëmbajtjen e
asaj pjese të sistemit të ujitjes. Veprimtari të tilla financohen nga Buxheti i Shtetit i miratuar për ministrinë.
4. Bordi i kullimit me financim nga Buxheti i Shtetit, sipas udhëzimeve të ministrit, ndërmerr detyra të
veçanta për monitorimin, mirëmbajtjen dhe, sipas nevojës, riparimin e digave, që janë pjesë të
sistemeve të ujitjes. Veprimtari të tilla financohen nga Buxheti i Shtetit i miratuar për ministrinë.

Neni 40
Bordi i kullimit me vetëfinancim

1. Bordi i kullimit me vetëfinancim shfrytëzon dhe mirëmban çdo sistem kullimi dhe vepër mbrojtjeje nga përmbytja brenda zonës respektive nën shërbim, në bazë të fondeve të mbledhura nga tarifat e kullimit të pagueshme nga grupet që përfitojnë nga shërbimi dhe prej buxhetit të shtetit nëse është e nevojshme, nën drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit.
2. Bordi i kullimit me vetëfinancim kryen veprimet e parashikuara në nenin 39 pika 2 dhe merr masa për të mbledhur tarifat e kullimit nga përfituesit në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi.
3. Pa rënë ndesh me pikën 2 të këtij neni, të drejtat dhe detyrat e bordeve të kullimit me vetëfinancim, për të vendosur dhe mbledhur tarifa kullimi prej përfituesve të këtij shërbimi dhe prej grupeve përfituese, do të përcaktohen me ligj të veçantë.

Neni 41
Këshilli i përfaqësuesve

1.Çdo bord kullimi ka një këshill përfaqësuesish, i cili përbëhet nga përfaqësues të grupeve që përfitojnë nga shërbimet e kullimit të ofruara brenda zonës nën shërbim. Këshilli i
përfaqësuesve përbëhet nga minimumi shtatë anëtarë dhe maksimumi njëmbëdhjetë anëtarë.
2. Çdo këshill përfaqësuesish ka në përbërje të paktën:
a) dy përfaqësues të shoqatave/federatave që funksionojnë brenda zonës nën shërbimin e kullimit, të përzgjedhur nga shoqatat/federatat mes anëtarëve të tyre;
b) përfaqësues të emëruar nga këshilli i qarkut, brenda zonës nën kullim
c) përfaqësues nga komuna të ndodhura brenda zonës së shërbimit të kullimit që pëfitojnë prej kullimit, të zgjedhura nga komunat;
ç) përfaqësues të bashkive të ndodhura brenda zonës së shërbimit të kullimit që përfitojnë prej shërbimit, të zgjedhur nga bashkitë;
d) përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit, të emëruar nga Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit.
3. Ministria përgjegjëse për mjedisin mund të caktojë përfaqësues, të cilët duhet të ndjekin mbledhjet
e këshillit të përfaqësuesve si vëzhgues, por pa të drejtë vote.
4. Këshilli i Ministrave cakton ose zgjedh përfaqësues të tjerë të grupeve përfituese prej grupeve të parashikuara në pikën 2 të këtij neni, apo grupe të tjera që përfitojnë nga shërbimi në fjalë.
5. Në rastin e bordit të kullimit me vetëfinancim, Këshilli i Ministrave përcakton përbërjen e këshillit të përfaqësuesve në bazë të grupeve përfituese nga shërbimi që përfaqësohen në përpjesëtim me kontributin përkatës në shpenzimet e funksionimit të bordit të kullimit.
6. Çdo anëtar i këshillit të përfaqësuesve emërohet për një afat prej tre vjetësh, me të drejtë riemërimi.
7. Çdo këshill përfaqësuesish ka një kryetar. Në rastin e bordeve të kullimit më financim nga buxheti i shtetit, kryetari i këshillit përfaqësues emërohet nga Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit. Në rastin e bordeve të kullimit me vetëfinancim, kryetari zgjidhet nga këshilli i përfaqësuesve mes anëtarëve të këtij të fundit, me
përjashtim të rastit kur parashikohet ndryshe në një vendim të Këshillit të Ministrave.
8. Anëtarëve të këshillit të përfaqësuesve u paguhen shpenzimet ose një pagë me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 41/1
Emërimi dhe pagesa e anëtarëve të këshillit të përfaqësuesve

1. Çdo anëtar i këshillit të përfaqësuesve emërohet për një afat prej katër vjetësh, me të drejtë riemërimi.
2. Çdo këshill përfaqësuesish ka një kryetar. Në rastin e bordeve të kullimit me financim nga Buxheti i
Shtetit, kryetari i këshillit përfaqësues emërohet nga ministri. Në rastin e bordeve të kullimit me
vetëfinancim, kryetari zgjidhet nga këshilli i përfaqësuesve, ndërmjet anëtarëve të këtij të fundit, me
përjashtim të rastit kur parashikohet ndryshe me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Anëtarëve të këshillit të përfaqësuesve u paguhen shpenzimet ose një pagë në masën e përcaktuar
me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 42
Detyrat e këshillit të përfaqësuesve të bordit të kullimit me financim nga buxheti i shtetit

1. Këshilli i përfaqësuesve të bordit të kullimit me financim nga buxheti i shtetit i raporton Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit për funksionimin e bordit të kullimit. Detyrat e këtij këshilli janë:
a) propozimi i drejtorit të bordit të kullimit i cili emërohet nga ministri. ;
b) miratimi i projektbuxhetit dhe raportit vjetor;
c) miratimi i planit të shfrytëzimit dhe mirëmbajtjes;
ç) miratimi i një plani pune ;
d) vlerësimi i kontratave në përputhje me buxhetin e miratuar, planin e punës dhe planin e shfrytëzimit dhe të mirëmbajtjes;
dh) ndjekja e funksionimit të bordit të kullimit;
e) çështje të tjera të përcaktuara në statut.
2. Statuti i bordeve të kullimit me financim nga buxheti i shtetit miratohet nga Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit.
3. Këshilli i përfaqësuesve mblidhet të paktën një herë në muaj. Vendimet e këshillit të përfaqësuesve merren me votim dhe secili prej anëtarëve ka të drejtën e një vote. Vota e kryetarit është vendimtare në rast barazie votash. Për marrjen e vendimeve është e nevojshme prania e të paktën gjysmës së anëtarëve.
4. Drejtori ekzekutiv i bordit të kullimit ndjek mbledhjet e këshillit të përfaqësuesve, por nuk ka të drejtë vote.
5. Çdo bord kullimi me financim nga buxheti i shtetit mban llogari dhe regjistra në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të ligjit për kontabilitetin.

Neni 43
Detyrat e këshillit të përfaqësuesve të bordit të kullimit me vetëfinancim

1. Këshilli i përfaqësuesve të bordit të kullimit me vetëfinancim është përgjegjës ndaj grupeve që përfitojnë nga shërbimet e bordit të kullimit. Detyrat e tij janë të njëjta me detyrat e këshillit të përfaqësuesve të bordit të kullimit me financim nga buxheti i shtetit, të parashikuara në pikën 1 të nenit 42, me përjashtimin që bordet e rregulluara në këtë nen kanë gjithashtu kompetencën që:
a) të miratojë buxhetin e vet dhe llogaritë vjetore;
b) të aplikojë në Këshillin e Ministrave për të marrë fonde.
2. Statuti i bordeve të kullimit me vetëfinancim miratohet nga këshilli i përfaqësuesve të bordit të kullimit dhe një kopje depozitohet në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit.
3. Këshilli i përfaqësuesve mblidhet të paktën një herë në muaj. Vendimet e këshillit të përfaqësuesve merren me votim dhe secili prej anëtarëve ka të drejtën e një vote. Vota e kryetarit është vendimtare në rast barazie votash. Për marrjen e vendimeve është e nevojshme prania e të paktën gjysmës së anëtarëve.
4. Drejtori ekzekutiv i bordit të kullimit me vetëfinancim merr pjesë në mbledhjet e këshillit të përfaqësuesve, por nuk ka të drejtë vote.
5. Çdo bord kullimi me vetëfinancim mban llogaritë e veta dhe regjistra në përputhje me këtë ligj dhe me ligjin për kontabilitetin.

Neni 44
Statuti i bordeve të kullimit

1. Statuti i çdo bordi kullimi rregullon organizimin dhe funksionimin e këtij bordi. Statuti, gjithashtu:
a) përshkruan zonën nën shërbimin përkatës të bordit të kullimit, referuar planimetrive dhe hartave;
b) përmban emrin dhe selinë e bordit të kullimit;
c) në rastin e bordit të kullimit me financim nga buxheti i shtetit ose të bordit të kullimit me vetëfinancim, përcakton strukturën organizative të bordit të kullimit dhe përshkruan detyrat e drejtorit ekzekutiv;
ç) përmban dispozita për të drejtat dhe detyrat e anëtarëve të bordit të përfaqësuesve;
d) përmban dispozita për mbledhjet e bordit të përfaqësuesve.
2. Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit ndryshon statutin e një bordi këshillimor kullimi dhe me kërkesën e bordit të përfaqësuesve ndryshon statutin e një bordi kullimi të financuar nga buxheti i shtetit, si dhe miraton ndryshime në statutin e bordeve të kullimit me vetëfinancim.

Neni 45
Stafi i bordeve të kullimit

Bordet e kullimit me financim nga buxheti i shtetit dhe bordet e kullimit me vetëfinancim marrin në punë staf punonjësish. Përbërja e stafit dhe kohëzgjatja e emërimit të tyre përcaktohen në statut ose me vendim të bordit të përfaqësuesve.


KREU VI
MBIKËQYRJA E SEKTORËVE TË UJITJES DHE TË KULLIMIT


Neni 46
Llogaritë dhe regjistrat

1. Çdo shoqatë mban llogaritë dhe regjistrat e mëposhtëm:
a) Regjistër të anëtarëve, i cili përshkruan madhësine dhe vendndodhjen e
pronës së çdo pronari; regjistri rishikohet dhe plotësohet çdo tre muaj.
b) Plan që tregon zonën e shërbimit nën ujitje.
c) Shfuqizohet
ç) Regjistër për sasitë e ujit të marrë prej shoqatës.
d) Regjistër për sasitë e ujit ose numrin e ujitjeve të përfituara nga anëtarët.
dh) Regjistër për pagesat e detyruara, tarifat për t’u paguar dhe ato të paguara.
e) Regjistër për procesverbalet e mbledhjeve të këshillit administrativ.
ë) Regjistër për transaksionet dhe kontratat.
f) Inventar të pasurive.
g) regjistër për inspektimet dhe kontrollet e kanaleve kryesore dhe/ose të sistemeve të ujitjes, si dhe
regjistër për inspektimet dhe kontrollet e digës, sipas legjislacionit përkatës, të cilat i janë transferuar organizatës.
gj) Llogaritë financiare sipas nenit 47.
2. Çdo federatë mban llogaritë dhe regjistrat e mëposhtëm:
a) Regjistër të anëtarëve.
b) Plan që tregon kanalin kryesor, rezervuarin ose rezerva të tjera ujore të shfrytëzuar dhe të mirëmbajtura nga federata.
c) Regjistër për joanëtarët, të cilët furnizohen me ujë.
ç) Regjistër për sasitë e ujit të marrë nga anëtarët.
d) Regjistër për pagesat e detyruara, tarifat për t’u paguar dhe ato të paguara.
dh) Regjistër për procesverbalet e mbledhjeve të këshillit administrativ.
e) Regjistër për transaksionet dhe kontratat.
ë) Inventar të pasurive.
f) regjistër për inspektimet dhe kontrollet e kanaleve kryesore dhe/ose të sistemeve të ujitjes, si dhe
regjistër për inspektimet dhe kontrollet e digës, sipas legjislacionit përkatës, të cilat i janë transferuar federatës..
g) Llogaritë financiare sipas nenit 47.
3 a) Bordi kullimit mban regjistrat dhe librat e mëposhtëm:
- planimetrinë që tregon zonën nën shërbimin e kullimit;
- regjistrin e anëtarëve të bordit të përfaqësuesve;
- regjistrin e procesverbaleve të mbledhjeve të bordit të përfa­qësues­ve.
b) Bordet e kullimit me financim nga buxheti i shtetit dhe bordet e kullimit me vetëfinancim mbajnë edhe regjistrat e mëposhtëm:
- regjistrin e kontratave të mirëmbajtjes, rehabilitimit dhe ndërtimit;
- inventarin e pasurive;
- regjistrin për inspektimet në kanalet kryesore kulluese dhe të veprave të mbrojtjes nga përmbytja të transferuar në bordin e kullimit;
- llogaritë financiare sipas nenit 47.
c)Bordi i kullimit me vetëfinancim mban edhe regjistrin e tarifave të drenimit të paguara ose jo.

Neni 47
Llogaritë financiare

1. Çdo shoqatë, federatë, bord kullimi me financim nga buxheti i shtetit ose me vetëfinancim mban llogari të faturave dhe shpenzimeve, si dhe përgatit bilancin vjetor dhe raportin e të ardhurave dhe shpenzimeve.
2. Bilanci vjetor dhe raporti i të ardhurave dhe shpenzimeve miratohet çdo vit:
a) në rastin e shoqatës, nga asambleja e përgjithshme;
b) në rastin e federatës, nga këshilli administrativ;
c) në rastin e bordit të kullimit të financuar nga buxheti i shtetit, nga bordi i përfaqësuesve dhe Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit;
ç) në rastin e bordit të kullimit me vetëfinancim, nga bordi i përfaqësuesve.
3. Shfuqizohet

Neni 48
Kontrolli financiar i llogarive dhe i të ardhurave vjetore

1. Llogaritë e çdo organizate, federate, bordi kullimi me financim nga Buxheti i Shtetit dhe bordi kullimi
me vetëfinancim, që përfshijnë bilancin vjetor dhe raportin e të ardhurave dhe të shpenzimeve, i
nënshtrohen kontrollit vjetor nga ministria.
2. Këshilli administrativ i organizatës, federatës dhe këshilli i përfaqësuesve i bordit të kullimit me
financim nga Buxheti i Shtetit dhe i bordit të kullimit me vetëfinancim, brenda 120 ditëve nga fundi i
vitit financiar, depozitojnë raportin e të ardhurave vjetore në ministri, në formatin e përcaktuar nga kjo e fundit, bashkë me një kopje të bilancit vjetor dhe të raportit të shpenzimeve..

Neni 49
1. Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit krijon regjistrin e shoqatave, federatave dhe bordeve të kullimit.
2. Regjistri i shoqatës përmban të dhënat e mëposhtme:
a) emrin e shoqatës;
b) selinë e shoqatës;
c) zonën përkatëse në shërbim ujitjeje të shoqatës, madhësinë dhe vendndodhjen e zonës së shërbimit të ujitjes së kësaj shoqate;
ç) numurin e anëtarëve të shoqatës;
d)emrat, adresat, numrat e telefonit (nëse kanë) të anëtarëve të këshillit administrativ dhe të kryetarit;
dh) datën e depozitimit të raportit të fundit të të ardhurave.
3. Regjistri i federatës përmban të dhënat e mëposhtme:
a) emrin e federatës;
b) selinë e federatës;
c) kanalin kryesor dhe të tjera infrastruktura të cilat i janë transferuar federatës;
ç) anëtarët e federatës;
d) emrat, adresat, numrat e telefonit (nëse kanë) të anëtarëve të këshillit administrativ dhe të kryetarit;
dh) datën e depozitimit të raportit të fundit të të ardhurave.
4. Regjistri i bordit të kullimit përmban të dhënat e mëposhtme:
a) emrin e bordit të kullimit;
b) selinë e bordit të kullimit;
c) zonën përkatëse të shërbimit të kullimit të bordit të kullimit;
ç) emrat, adresat, numrat e telefonit (nëse kanë) të anëtarëve të bordit të përfaqësuesve;
d) datën e depozitimit të raportit të fundit të të ardhurave.
5. Regjistri i organizatave, federatave dhe i bordit të kullimit është i hapur për publikun gjatë orarit zyrtar.

Neni 50
Mbikëqyrja ligjore financiare

1. Ministri ka të drejtë të autorizojë struktura të ministrisë dhe/ose të varësisë për kryerjen e
mbikëqyrjes ligjore dhe financiare të organizatave, federatave dhe bordeve të kullimit.
2. Ministri ka të drejtë të kërkojë kopje të bilanceve të organizatave, federatave dhe bordeve të kullimit,
së bashku me kopje të regjistrave, të cilat mbahen në përputhje me këtë ligj.
3. Ministri ka të drejtë të kontrollojë financat dhe regjistrat e organizatës ose të federatës:
a) në bazë të kërkesës me shkrim të një anëtari të organizatës ose federatës;
b) pasi zbulon prova të shkeljeve financiare ose prova parregullsish në kopjen e raportit të të ardhurave
vjetore dhe të llogarive të organizatës apo federatës përkatëse.

Neni 50/1
Procedura e mbikëqyrjes ligjore dhe financiare

1. Nëse gjatë kontrollit financiar gjenden prova të shkeljeve financiare ose prova se organizata nuk ka
funksionuar në përputhje me dispozitat e këtij ligji, ministri i kërkon këshillit administrativ të thërrasë
një sesion të asamblesë së përgjithshme, për t'u paraqitur anëtarëve shkeljet e vërejtura. Nëse këshilli
administrativ nuk e thërret asamblenë e përgjithshme brenda 30 ditëve, ministri pezullon këshillin
administrativ dhe e thërret vetë këtë sesion.
2. Nëse këshilli administrativ pezullohet në përputhje me pikën 4 të këtij neni, ministri cakton një
drejtues të përkohshëm të organizatës, derisa mbledhja e përgjithshme të caktojë këshillin e ri administrativ.
3. Nëse gjatë kontrollit financiar të një federate gjenden prova të shkeljeve financiare ose prova se
federata nuk ka funksionuar në përputhje me dispozitat e këtij ligji, ministri i kërkon këshillit
administrativ të thërrasë një sesion të mbledhjes, ku u paraqet anëtarëve shkeljet e vërejtura. Nëse
këshilli administrativ nuk thërret sesionin e mbledhjes brenda 30 ditëve, ministri pezullon këshillin
administrativ dhe cakton një drejtues federate të përkohshëm, deri në çastin kur anëtarët e federatës të
caktojnë këshillin e ri administrativ.
4. Nëse gjatë kontrollit financiar të bordit të kullimit gjenden prova të shkeljeve financiare ose vërehet
se bordi i kullimit nuk ka funksionuar në përputhje me këtë ligj, ministri pezullon këshillin e
përfaqësuesve dhe cakton një drejtues të përkohshëm të këshillit, derisa të krijojë këshillin e ri të
përfaqësuesve.

Neni 51
Mbikëqyrja teknike

1. Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit u kërkon shoqatave, federatave dhe bordeve të kullimit të dhëna dhe dokumentacion mbi shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës që i është transferuar atyre në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
2. Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit autorizon stafin e vet të kontrollojë infrastrukturën që është transferuar në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe i kërkon shoqatës, federatës ose bordit të kullimit të marrë përsipër punime specifike, kur kjo është e nevojshme:
a) për të siguruar mirëmbajtjen e kësaj infrastrukture;
b) për të parandaluar dëmet ose cenimin e kësaj infrastrukture;
c) për të parandaluar dëmet e pronës shtetërore ose dëmet e pronës së të tretëve;
ç) në interes publik.

Neni 52
Servitutet

1. Shoqata, federata dhe bordi i kullimit përfiton servitut në përputhje me Kodin Civil.
2. Shoqata, federata ose një bord kullimi autorizojnë persona, të cilët kanë të drejtë të hyjnë në tokë private për të kryer kontrolle dhe punë emergjente për infrastrukturën, e cila i është transferuar shoqatës, federatës ose bordit të kullimit.
3. Sipërfaqja mbi të cilën është vendosur sistemi ujitës dhe kullues, së bashku me strukturat përkatëse, regjistrohet në zyrën e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme, ku bëhet dhe regjistrimi i servituteve të krijuar në bazë të këtij neni. Ndryshime kryhen në rastet e transferimit të infrastrukturës në bazë të urdhrit të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit.

Neni 53
Fondet e emergjencës dhe fondet rezervë

Shoqatat, federata dhe bordet e kullimit me vetëfinancim mund të krijojnë fonde emergjence dhe fonde rezervë dhe të hapin një llogari të veçantë bankare për këto fonde.

Neni 54
Shpërndarja dhe likuidimi i organizatave dhe i federatave

1. Organizata ose federata mund të shpërndahet nëse:
a) detyrat e saj nuk ekzistojnë më;
b) detyrat e saj praktikisht nuk mund të përmbushen më;
c) ekzistenca e mëtejshme e saj nuk kërkohet për arsye të tjera.
2. Asambleja e përgjithshme e një organizate, me dy të tretat e votave të anëtarëve të saj, vendos që
organizata të shpërndahet.
Këshilli administrativ i një federate, me dy të tretat e votave të anëtarëve të saj, vendos që federata të shpërndahet.
Kërkesa për shpërndarjen e një organizate ose federate i dorëzohet ministrit, i cili, nëse bindet se
plotësohet njëra nga kushtet e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, miraton shpërndarjen e organizatës
ose të federatës dhe ndjekjen e procedurave për likuidimin e organizatës ose të federatës në përputhje me legjislacionin në fuqi.
3. Në rast se ministri mendon dhe vlerëson se ekziston njëri nga rastet e përmendura në pikën 1 të këtij
neni dhe në rast se është në interes publik, i kërkon organizatës apo federatës të aplikojë për
shpërndarjen e saj. Nëse organizata ose federata nuk vepron brenda 30 ditëve, ministri mund të vazhdojë procedurat e shpërndarjes.

Neni 55
Shpërndarja dhe likuidimi i bordeve të kullimit

Një bord kullimi shpërndahet me vendim të Këshillit të Ministrave nëse qëllimi për të cilin u ngrit pushon së ekzistuari, ose kur praktikisht detyrat e këtij bordi nuk mund të përmbushen ose kur qenia e mëtejshme e bordit të kullimit nuk nevojitet për arsye të tjera. Këshilli i Ministrave në marrjen e një vendimi të tillë përcakton procedurat që ndiqen për likuidimin e bordit të kullimit.

Neni 56
Kundërvajtje administrative

1. Kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen si të tilla:
a) ndërtimi, rehabilitimi ose modifikimi i një sistemi ujitjeje apo kullimi pa lejen përkatëse;
b) dëmtimi i sistemit të ujitjes, i sistemit të kullimit ose i veprave të mbrojtjes nga përmbytja;
c) ndërtimi i paautorizuar mbi sistemet e ujitjes, sistemet e kullimit ose veprat e mbrojtjes nga përmbytja;
ç) ndërtimi ose ngritja e çdo ndërtese apo strukture, mbjellja e pemëve më afër se tetë metra nga
bordura e kanalit kryesor (vija e takimit të sipërfaqes së tokës me skarpatën e kanalit kullues ose vija e
takimit të skarpatës së jashtme të bankinës së kanalit ujitës me sipërfaqen e tokës), ose e një sistemi
kryesor kullimi, ose më afër se katër metra nga bordura e çfarëdo kanali ujitjeje ose kullimi;
d) mosmbajtja e regjistrave të përcaktuar në nenin 46 të këtij ligji;
dh) mosmbajtja e llogarive financiare, në përputhje me nenin 47 të këtij ligji;
e) mosdepozitimi i të ardhurave vjetore, në përputhje me pikën 2 të nenit 48 të këtij ligji;
ë) pengimi, bllokimi ose ndalimi në mënyra të tjera i personit të autorizuar, që të ndërmarrë auditimin
apo inspektimin, në përputhje me pikën 1 të nenit 50 të këtij ligji;
f) mosparaqitja e kopjeve të dokumenteve, në përputhje me pikën 2 të nenit 50 të këtij ligji;
g) mosparaqitja siç duhet e informacionit dhe e dokumentacionit, në përputhje me pikën 1 të nenit 51
të këtij ligji;
gj) pengimi, bllokimi ose ndalimi në mënyra të tjera i stafit të autorizuar për inspektimin e
infrastrukturës, në përputhje me pikën 2 të nenit 51 të këtij ligji.
2. Denoncimi i kundërvajtjeve të parashikuara në shkronjat "a", "b", "c" e "ç" të pikës 1 të këtij neni
bëhet nga organizatat, federatat dhe bordet e kullimit, ndërsa shqyrtimi dhe dënimi i tyre bëhen nga
kryetari i degës së policisë së ndërtimit të rrethit përkatës, ku është kryer kundërvajtja.
3. Kundërvajtësi, për shkeljet e parashikuara në shkronjat "a", "b", "c" e "ç" të pikës 1 të këtij neni,
është i detyruar të përballojë shpenzimet për rikthimin e objektit të dëmtuar në gjendjen e mëparshme.
4. Denoncimi dhe dënimi i kundërvajtjeve, të parashikuara në shkronjat "d", "dh", "e", "ë", "f", "g" e
"gj" të pikës 1 të këtij neni, bëhen nga strukturat e autorizuara.
5. Kundërvajtjet administrative, sipas shkronjave "a", "b", "c" e "ç" të pikës 1 të këtij neni, dënohen me
gjobë nga 10 000 (dhjetë mijë) lekë deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë, ndërsa ato sipas shkronjave
"d", "dh", "e", "ë", "f", "g" e "gj" të pikës 1 të këtij neni, dënohen me gjobë nga 5 000 (pesë mijë) lekë
deri në 10 000 (dhjetë mijë) lekë.

Neni 57
1. Kundër vendimeve të kryetarit të degës së policisë të ndërtimit në rreth mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve nga dita e njoftimit pranë drejtorit të policisë së ndërtimit, i cili duhet të shprehet brenda 10 ditëve. Kundër vendimit të këtij të fundit mund të bëhet ankim në gjykatën e rrethit ku është kryer kundërvajtja, brenda 5 ditëve nga njoftimi i tij.
2. Kundër vendimeve të strukturave të autorizuara mund të bëhet ankim, brenda 5 ditëve nga data e
njoftimit, te ministri, i cili duhet të shprehet brenda 10 ditëve. Kundër vendimit të ministrit mund të
bëhet ankim në gjykatën e rrethit, ku është kryer kundërvajtja, brenda afatit të përcaktuar në Kodin e
Procedurës Civile.

Neni 58
Ankimi në gjykatë kundër vendimeve të organeve të policisë së ndërtimit nuk pezullon ekzekutimin e tyre.
Në rast se në bazë të vendimit përfundimtar të formës së prerë të gjykatës vendoset pranimi i padisë ose i ankimit, i dëmtuari ka të drejtë të kërkojë, nga organi që ka dhënë vendimin, shpërblimin për dëmin e shkaktuar.

DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

Neni 58 /1
1. Shoqatat e përdoruesve të ujit dhe federatat e shoqatave të përdoruesve të ujit, të krijuara sipas
ligjit nr.8515, datë 30.7.1999 "Për ujitjen dhe kullimin", shpërndahen sipas kreut VIII të ligjit nr.8788,
datë 7.5.2001 "Për organizatat jofitimprurëse" dhe organizohen sipas këtij ligji brenda 12 muajve nga
hyrja në fuqi e tij.
2. Në përfundim të këtij afati, nëse nuk janë kryer procedurat e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni,
ministria merr infrastrukturën e transferuar këtyre shoqatave apo federatave dhe fillon procedurën e
parashikuar në pikën 8 të nenit 16 të këtij ligji.

Neni 59
Dispozita të fundit

Ngarkohet Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Bujqësisë dhe e Ushqimit të nxjerrin aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji.

Neni 60
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, ligji nr. 7846, datë 21.7.1994 “Për ndërtimin, administrimin, mirëmbajtjen dhe shfrytëzimin e veprave të ujitjes dhe kullimit”, si dhe ligji nr.8111, datë 28.3.1996 “Për një ndryshim në ligjin nr.7846, datë 21.7.1994”, si dhe çdo akt tjetër që bie ndesh me këtë ligj, shfuqizohet.

Neni 61
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.2439, datë 13.8.1999 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani

Share This


0
0
0
Loading...

Return to “Legjislacion - Bujqësia dhe Mjedisi”

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 1 guest