LIGJI PËR TË DREJTAT E SELEKSIONERIT TË BIMËVE - Nr.8880, datë 15.4.2002

User avatar
Libraria UBT
Posts: 96
Joined: 06 Jul 2015, 19:54
Rreth Jush: Libraria Universitare e UBT-së është një subjekt shërbimi i specializuar në shpërndarjen e librit, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. E kryen këtë aktivitet që nga viti 1998.

Qellimi i saj është promovimi dhe shpërndarja e librave që kanë si objekt fushat e studimeve universitare të UBT-së, për studentët dhe të interesuarit e tjerë.
Misioni: Të bëhet një pikë gjithnjë e më atraktive për shpërndarjen e librit me profil bujqësine, agrobiznesin, ekonominë, mjedisin, veterinarinë, bioteknologjinë, ushqimin dhe pyjet, për studentët e UBT-së, stafin dhe të interesuarit e tjerë të këtyre fushave.

Libraria Universitare e UBT-së, ofron për studentët dhe lexuesit libra në fushat: Sociologji, Drejtësi, Personalitete, Filozofi, Psikologji, Fjalorë, Histori, Letërsi artistike etj.

LIGJI PËR TË DREJTAT E SELEKSIONERIT TË BIMËVE - Nr.8880, datë 15.4.2002

Postby Libraria UBT » 03 Aug 2015, 09:40

LIGJI PËR TË DREJTAT E SELEKSIONERIT TË BIMËVE - Nr.8880, datë 15.4.2002

I azhurnuar me: - Ligjin Nr. 68/2013. datën 14.2.2013

Në mbështetje të neneve 78, 81 pika 1 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

K U V E N D I I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË V E N D O S I:


KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME


Neni 1
Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është mbrojtja e të drejtave të personave që seleksionojnë,
zbulojnë dhe zhvillojnë varietete të reja bimore.

Neni 2
Subjekte të zbatimit të ligjit

Kushtet e këtij ligji janë të zbatueshme për personat juridikë dhe fizikë, shtetas
shqiptarë ose të huaj dhe për personat juridikë dhe fizikë, që janë shtetas:
a) të palëve kontraktuese ose të shteteve që janë palë në traktatet dhe konventat
ndërkombëtare për mbrojtjen e varieteteve të bimëve, në të cilat është palë edhe Republika eShqipërisë;
b) të shteteve që zbatojnë parimin e reciprocitetit.

Neni 3
Përkufizime

Për qëllimet e këtij ligji:
1. "Seleksioner" nënkupton personin fizik ose juridik, si dhe çdo punëmarrës që ka
seleksionuar, zbuluar dhe zhvilluar një varietet të ri bimor.
2. "E drejta e seleksionerit" nënkupton të drejtën që i jep ky ligj seleksionerit për
varietetin e ri, të zbuluar, të krijuar e të zhvilluar prej tij, si dhe të drejtat e pasuesit në titull.
3. "Varietet" nënkupton një grup bimor, brenda një ndarjeje të vetme botanike, të
nivelit më të ulët të klasifikimit, që jepet kur përmbushen kushtet përkatëse për dhënien e së
drejtës të seleksionerit, dhe mund të jetë:
a) shprehja e karakteristikave që janë rezultat i një gjenotipi të dhënë ose kombinim gjenotipesh;
b) i dallueshëm nga çdo grupim tjetër bimësh, qoftë edhe nga shprehja të paktën e njërit prej tipareve të lartpërmendura;
c) si një njësi e tërë, e cila nuk ndryshon gjatë shumëzimit.
4. "ESHFF" është Enti Shtetëror i Farave dhe i Fidanëve në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit.
5. "KSHAV" është Komisioni Shtetëror i Atestimit të Varieteteve, i cili funksionon pranë
ESHFF-së dhe që shqyrton, kualifikon ose jo varietetet e reja, të cilat shënohen në regjistrin e së drejtës të seleksionerit.
6. "Bord apelimi" është organi që ka për detyrë shqyrtimin e ankesës së aplikantit për
vendimet e KSHAV-it për të drejtën e seleksionerit.
7. "Patentë" nënkupton dokumentin ligjor që vërteton të drejtën e seleksionerit dhe emërtimin e varietetit.
8. "Palë kontraktuese" nënkupton një shtet (tjetër nga Republika e Shqipërisë) ose një
organizatë ndërqeveritare që është palë në Konventën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Varieteteve Bimore.
9. "Zotërues ose pronar" nënkupton personin, të cilit i është dhënë e drejta e seleksionerit, sipas dispozitave të këtij ligji.
10. "Aplikant" është personi që ka dorëzuar një aplikim pranë organit përgjegjës për dhënien e së drejtës të seleksionerit.
11. "Pasues në titull" nënkupton trashëgimtarin e së drejtës të seleksionerit.
12. "Licencë e detyrueshme" nënkupton licencën e dhënë në mbështetje të këtij ligji.
13. "UPOV" është Unioni Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Varieteteve të Reja.
14. "Mutant" nënkupton një bimë të re të përftuar nga një varietet i njohur më parë, si
rezultat i ndryshimeve thelbësore të ndodhura në rrugë natyrore ose të nxitura artificialisht.
15. "Somaklonal" janë klone të rrjedhura nga zhvillimi i qelizave somatike ose vegjetative.
16. "Regjistri i aplikimit" është regjistri që mbahet nga ESHFF-ja për të gjithë personat që
aplikojnë për të fituar të drejtën e seleksionerit të bimëve. Aplikimet e këtij regjistri botohen periodikisht.
17. "Regjistri i së drejtës të seleksionerit" është regjistri ku regjistrohen të gjithë personat
fizikë dhe juridikë që kanë fituar të drejtën e seleksionerit. Edhe ky regjistër mbahet nga
ESHFF-ja. Të dhënat e këtij regjistri botohen periodikisht.
18. "Autorizim kontraktues" nënkupton çdo kontratë, me anë të së cilës njëra palë
(autorizuesi) i jep palës tjetër (të autorizuarit) miratimin e vet për të realizuar në Republikën
e Shqipërisë ndonjërin nga aktet e referuara në nenin 20 për një varietet bimor, subjekt i një
aplikimi për dhënien e së drejtës të seleksionerit.
19. "Material" nënkupton:
a) materialin për shtimin e çdo varieteti (farë, fidan, copë, zhardhok, rizomë dhe kalem);
b) materialin e vjelë që përfshin bimë të plota dhe pjesë të bimëve.


KREU II
KUSHTET PËR DHËNIEN E SË DREJTËS TË SELEKSIONERIT


Neni 4
Kushtet e njohjes

1. E drejta e seleksionerit jepet kur varieteti është i ri, i dallueshëm, uniform, i
qëndrueshëm dhe subjekt i një emërtimi të dhënë sipas neneve 25 dhe 26 të këtij ligji.
2. Dhënia e së drejtës të seleksionerit nuk mund të jetë subjekt i ndonjë kushti tjetër, përveç kushteve të parashikuara në këtë ligj.

Neni 5
Varieteti i ri

1. Varieteti është i ri nëse në datën e dorëzimit të aplikimit, materiali i shumëzuar ose
materiali i vjelë i varietetit nuk është shitur, ofruar për shitje ose nuk u është përcjellë të
tjerëve nga seleksioneri, me miratimin e vet ose nga pasuesi në titull, për qëllime të përdorimit të varietetit:
a) në territorin e Republikës së Shqipërisë për më shumë se një vit;
b) në një territor tjetër nga ai i Republikës së Shqipërisë për më shumë se 4 vjet ose,
në rastin e pemëve dhe të hardhisë, për më shumë se 6 vjet.
2. Të qenit i ri nuk humbet si rezultat i ndonjë shitjeje ose transferimi tek të tjerët:
a) kur përbën pjesë të një marrëveshjeje për transferimin e të drejtave të varietetit;
b) kur përbën pjesë të një marrëveshjeje, sipas së cilës një person shumëzon
materialin e shtimit të varietetit në fjalë në emër të seleksionerit ose pasuesit në titull, duke
siguruar se pronësia e materialit të shumëzuar i kthehet seleksionerit ose trashëgimtarit të tij
të titullit dhe materiali i shumëzuar nuk është përdorur për krijimin e një varieteti tjetër;
c) kur përfshin materialin e vjelë si një nënprodukt ose prodhim shtesë të varietetit ose
të veprimtarive të referuara në shkronjën b të këtij neni, duke u siguruar se materiali i lartpërmendur është për qëllime konsumi.

Neni 6
Varieteti i dallueshëm

1. Varieteti është i dallueshëm nëse ai është qartësisht i ndryshëm nga çdo varietet
tjetër, i cili njihet në kohën e plotësimit të aplikimit.
2. Të dhënat e tjera që përdoren për të vlerësuar dallueshmërinë e një varieteti janë:
a) varieteti të jetë në përdorim;
b) varieteti të jetë i regjistruar në regjistrin e varieteteve, që mbahet nga ESHFF-ja ose
në regjistra të shteteve të tjera anëtare të UPOV-it.

Neni 7
Varieteti uniform

Varieteti është uniform nëse ai nuk ndryshon gjatë shumëzimit të tij për tipare të
veçanta, dhe ai është uniform në tipare dhe karakteristika kryesore.

Neni 8
Varieteti i qëndrueshëm

Varieteti është i qëndrueshëm kur tiparet kryesore të tij mbeten të pandryshuara pas
shumëzimit të përsëritur ose dhe të një cikli të vetëm.


KREU III
APLIKIMI PËR TË DREJTËN E SELEKSIONERIT


Neni 9
Parimet bazë

1. E drejta për aplikim për të fituar të drejtën e seleksionerit i njihet seleksionerit dhe
pasuesit në titull. Aplikimi nga pasuesi në titull shoqërohet me dokumente që vërtetojnë qënien si të tillë.
2. Kur dy ose më shumë persona kanë seleksionuar, zbuluar dhe zhvilluar bashkërisht një
varietet, titulli i seleksionerit do t'u kalojë në bashkëpronësi, nëse ndërmjet tyre nuk ka një
marrëveshje me shkrim, që vërteton të kundërtën.
3. Kur varieteti është seleksionuar, zbuluar ose zhvilluar, sipas një kontrate komisioni ose
kontrate pune, jashtë Republikës së Shqipërisë, e drejta për të plotësuar aplikimin për të
drejtën e seleksionerit përcaktohet nga kontrata komisionuese ose marrëdhënia e punës, në
kontekstin e të cilave u seleksionua, u zbulua dhe u zhvillua varieteti, në përputhje me kontratën ndërmjet palëve.
4. Kur varieteti është seleksionuar, zbuluar ose zhvilluar në ekzekutim të një kontrate
komisioni ose kontrate pune, brenda Republikës së Shqipërisë, e drejta për të plotësuar
aplikimin për të drejtën e seleksionerit do t'i përkasë, në mungesë të klauzolave kontraktuese
të kontratës, personit që ka komisionuar punën ose punëdhënësit.

Neni 10
Përmbajtja e aplikimit

1. Çdo person që dëshiron të fitojë të drejtën e seleksionerit dhe të mbrojë një varietet
plotëson një aplikim pranë ESHFF-së kundrejt një pagese.
2. Përmbajtja e hollësishme e aplikimit, dokumentet që i bashkëlidhen dhe pagesa e aplikimit
parashikohen në rregulloren e Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit.
3. Personat fizikë a juridikë të huaj mund të plotësojnë aplikime për të drejtën e seleksionerit
në zbatim të këtij ligji dhe të mbrojnë të drejtat e tyre me përfaqësues vendas ose të huaj,
banues në Shqipëri, të pajisur me prokurë.

Neni 11
Përparësitë

1. Aplikanti gëzon të drejtën e përparësisë për një varietet në rastet kur ka një aplikim
më të hershëm për të njëjtin varietet, të plotësuar prej vetë atij ose prej paraardhësit të tij në titull, me palën kontraktuese.
2. Kur aplikimi i mbushur për ESHFF-në paraprihet nga disa aplikime të tilla,
përparësia mund të mbështetet vetëm mbi aplikimin më të hershëm.
E drejta e përparësisë do të kërkohet shprehimisht në aplikimin e mbushur për ESHFF-në.
Ajo mund të kërkohet vetëm brenda një periudhe 12-mujore nga data e plotësimit të aplikimit më të hershëm.
3. Aplikanti paraqet në ESHFF një kopje të aplikimit të parë, brenda 3 muajve nga data e plotësimit, sipas pikës 3 të nenit 12.
ESHFF-ja ka të drejtë të rishohë aplikimin e parë brenda 3 muajve nga data e marrjes së kërkesës.
4. Efekti i përparësisë duhet të jetë i tillë që kur zbatohen kushtet e mbrojtjes për
varietetin, të merret për bazë data e plotësimit të aplikimit të parë.
Aplikanti ka të drejtë të kërkojë që shqyrtimi i varietetit të shtyhet deri në 2 vjet nga
data e skadimit të periudhës parësore, 3 vjet nga data e plotësimit të aplikimit të parë. Kur
aplikimi i parë është hedhur poshtë ose është tërhequr, ESHFF-ja ka të drejtë të fillojë
shqyrtimin e varietetit para datës së përcaktuar nga aplikanti. Në një rast të tillë, i jepet e
drejta aplikantit që, brenda një periudhe të përshtatshme, të japë të dhëna të tilla, siç janë
dokumentet ose materialin e kërkuar për të shqyrtuar varietetin.


KREU IV
SHQYRTIMI I APLIKIMIT


Neni 12
Kërkesat formale të shqyrtimit

1. ESHFF-ja shqyrton aplikimin për përmbushjen e kërkesave formale.
2. Kur aplikimi nuk është i plotë, ESHFF-ja i kërkon aplikantit ta plotësojë dhe ta
korrigjojë brenda 30 ditëve nga data e marrjes së kërkesës. Çdo aplikim që nuk korrigjohet
brenda kësaj periudhe, vlerësohet sikur të mos ishte paraqitur.
3. Çdo aplikim, që është i plotë dhe i rregullt në përputhje me kërkesat e nenit 10 të
këtij ligji, regjistrohet në regjistrin e aplikimeve.

Neni 13
Shqyrtimi paraprak i aplikimit

1. ESHFF-ja shqyrton aplikimin për të verifikuar në bazë të të dhënave nëse varieteti
është i ri dhe nëse aplikantit do t'i jepet e drejta e aplikimit, në përputhje me nenin 9 të këtij ligji.
2. Kur aplikimi nuk i plotëson kërkesat e neneve 4 dhe 9 të këtij ligji, ai hidhet poshtë.

Neni 14
Shqyrtimi teknik i varietetit

1. Varieteti i nënshtrohet shqyrtimit teknik, me qëllim që të përcaktohet nëse varieteti
është i dallueshëm, uniform, i qëndrueshëm dhe mbi bazën e këtyre të bëhet përshkrimi zyrtar
i varietetit, duke e shoqëruar me vlerësim agrobotanikë.
2. Shqyrtimi teknik bëhet nga KSHAV-i dhe ka për objekt:
a) rezultatet e provave fushore dhe të provave të tjera të nevojshme të bëra nga ESHFF-ja ;
b) rezultatet e provave kultivuese dhe të provave të tjera të nevojshme të bëra nga
ESHFF-ja ose nga ndonjë institucion tjetër, brenda ose jashtë Shqipërisë ;
c) pagesën e tarifave të parashikuara me rregullore të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit, në zbatim të këtij ligji.
3. Kushtet praktike të shqyrtimit përcaktohen me rregullore të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit.

Neni 15
Dhënia e së drejtës të seleksionerit ose mosdhënia e saj

1. Kur si rezultat i shqyrtimeve paraprake dhe teknike vlerësohet se varieteti
përmbush kërkesat e nenit 4 të këtij ligji dhe aplikanti plotëson kërkesat e tjera, të përcaktuara
në këtë ligj, KSHAV-i jep të drejtën e seleksionerit dhe patentën e varietetit, të cilat shpallen
me urdhër të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit brenda 30 ditëve nga dhënia e kësaj të drejte.
2. Dhënia e së drejtës të seleksionerit dhe përshkrimi i varietetit ose rrëzimi i aplikimit
regjistrohen përkatësisht në regjistrin e aplikimit dhe në regjistrin e së drejtës të seleksionerit.
3. Modeli i patentës, i regjistrit të së drejtës të seleksionerit, përmbajtja e tyre dhe
pagesa përcaktohen me rregullore të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit.

Neni 16
E drejta e ankimit

1. Çdo vendim i marrë nga KSHAV-i i bëhet i ditur palës aplikuese brenda 5 ditëve.
2. Palës aplikuese duhet t'i jepet një mundësi për të parashtruar komentet e veta, me
gojë ose me shkrim, brenda 30 ditëve nga data e marrjes së njoftimit.
3. Kundër vendimit të KSHAV-it bëhet ankim në bordin e apelimit. Krijimi,
funksionimi dhe përbërja e bordit të apelimit përcaktohen me urdhër të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit.
4. Kundër vendimit të bordit të apelimit bëhet ankim në gjykatë.

Neni 17
Shqyrtimi i vërejtjeve

1. Mosdhënia e së drejtës të seleksionerit i njoftohet aplikantit brenda 5 ditëve nga
marrja e vendimit. Aplikanti, brenda një periudhe prej 3 muajsh, shpreh me shkrim vërejtjet
për mosdhënien e së drejtës, duke theksuar nëse ai synon ta mbajë ose ta tërheqë aplikimin.
Periudha mund të zgjatet me kërkesë të aplikantit.
2. Kur aplikanti nuk përgjigjet brenda periudhës së përcaktuar, aplikimi vlerësohet i
tërhequr. Kur aplikanti kërkon ta mbajë aplikimin, përgjigjja e tij i bëhet e ditur KSHAV-it brenda 30 ditëve.
3. Aplikantit që ankohet për mosdhënien e së drejtës nga KSHAV-i, gjatë shqyrtimit
teknik, i kërkohet të paraqesë të dhëna dhe dokumentacion plotësues, në mbështetje të
ankimit të tij, ose material bimor, nëse është e nevojshme për shqyrtim teknik.

Neni 18
Ruajtja e dosjeve

1. ESHFF-ja mban një regjistër të aplikimeve dhe një regjistër për të drejtën e
seleksionerit, të aplikantëve që e kanë fituar këtë të drejtë. Regjistrat janë të hapura për publikun.
2. Çdo person ka të drejtë të njihet me:
a) dokumentet që kanë lidhje me aplikimet;
b) dokumentet që kanë lidhje me të drejtën e seleksionerit;
c) të dhëna për provat e testimit dhe provat e tjera të nevojshme, të kryera sipas nenit 14.
3. Në rastin e varieteteve, prodhimi i të cilave kërkon përdorim të përsëritur të varieteteve të
tjera (komponentëve prindërorë), aplikanti kërkon që dokumentet dhe provat që kanë lidhje
me komponentët, t'i mbahen të fshehta inspektimit.
4. ESHFF-ja arkivon dokumentet origjinale ose kopjet e tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Neni 19
Botimet

1. Kërkesat për aplikim, në përputhje me nenin 10 të këtij ligji, botohen në buletinin e ESHFF-së.
2. ESHFF-ja boton në mënyrë periodike të dhënat që kanë lidhje me mbrojtjen e
varieteteve bimore në buletinin e ESHFF-së dhe konkretisht:
a) aplikimet për dhënien e së drejtës të seleksionerit;
b) aplikimet për emërtimet e varieteteve;
c) regjistrimet e emrave të rinj për varietetet e mbrojtura;
ç) tërheqjet e aplikimeve për dhënien e së drejtës të seleksionerit;
d) rrëzimin e kërkesës për aplikim për dhënien e së drejtës të seleksionerit;
dh) dhëniet e së drejtës të seleksionerit;
e) ndryshimet në të dhënat për aplikantët, trashëgimtarët dhe përfaqësuesit e tyre, të
pajisur me prokurë;
ë) mbarimin e afatit të vlefshmërisë të së drejtës të seleksionerit;
f) licencat;
g) njoftimet zyrtare.


KREU V
TË DREJTAT E ZOTËRUESIT


Neni 20
Fusha e shtrirjes së të drejtës së zotëruesit

1. E drejta e zotëruesit për materialin shumëzues të varietetit të mbrojtur shtrihet në
fushat e mëposhtme:
a) prodhimi ose riprodhimi (shumëzimi);
b) përpunimi për qëllime shumëzimi;
c) ofrimi për shitje;
ç) shitja ose çdo lloj marketimi tjetër;
d) eksportimi;
dh) importimi;
e) ruajtja ose magazinimi për secilin nga qëllimet e lartpërmendura.
2. Objekte të neneve 21 dhe 22 të këtij ligji janë veprimet që u referohen shkronjave a deri në
dh të pikës 1 të këtij neni për materialin e vjelë, i cili përfshin pjesë të bimëve të marra
përmes përdorimit të paautorizuar të materialit shumëzues të varietetit të mbrojtur, për të cilin kërkohet autorizimi i zotëruesit.
3. Zotëruesi mund të autorizojë shfrytëzimin e varietetit të mbrojtur për qëllimet e
parashikuara në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, që janë subjekt i kushteve dhe i kufizimeve.

Neni 21
Përjashtimet për të drejtën e seleksionerit

1. E drejta e seleksionerit nuk shtrihet për:
a) veprime të kryera për qëllime jotregtare;
b) veprime të kryera për qëllime eksperimentale.
c) veprime të fermerëve që, për nevojat e veta, përdorin farëra të prodhuara në ngastrat e tyre.

Neni 22
Fushat ku nuk shtrihen të drejtat e seleksionerit

E drejta e seleksionerit nuk shtrihet në veprimet që kanë të bëjnë me material të
varietetit të mbrojtur ose të përftuar prej tij, që janë shitur prej zotëruesit ose me autorizimin e
tij në territorin e Republikës së Shqipërisë në rastet:
a) kur nuk kemi të bëjmë me shtimin e mëtejshëm të varietetit në fjalë;
b) kur nuk kemi të bëjmë me eksportin e materialeve shumëzuese të varietetit.

Neni 23
Kohëzgjatja e së drejtës të seleksionerit

E drejta e seleksionerit të bimëve të arave zgjat 20 vjet, ndërsa për bimët drufrutore,
shkurret dhe drurët zbukurues zgjat 25 vjet. Të drejtat e seleksionerit dhe të zotëruesit për
varietetin fillojnë që në momentin e aplikimit.

Neni 24
Licencimet e detyrueshme

1. Çdo person, me anë të një aplikimi, mund t'i kërkojë ESHFF-së dhënien e një
licence të detyrueshme për të drejtën e seleksionerit, e cila jepet vetëm kur kjo e drejtë ndikon në mbrojtjen e interesave publikë.
2. Licenca e detyrueshme jepet kur aplikanti është i aftë të shfrytëzojë të drejtën e
seleksionerit në mënyrë të përgjegjshme dhe të frytshme.
3. Procedurat dhe kushtet e dhënies së licencës të detyrueshme përcaktohen me rregullore të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit.


KREU VI
EMËRTIMET E VARIETETEVE


Neni 25
Emërtimi

1. Emërtimi i një varieteti të mbrojtur përcaktohet nga shenjat kryesore dalluese të tij.
2. Emërtimi mund të jetë një fjalë, një kombinim fjalësh, kombinim fjalësh dhe figurash ose
kombinim shkronjash e figurash, mjafton që këto shenja të lejojnë identifikimin e varietetit.
3. Kur në një kontratë ndërmjet palëve është propozuar ose regjistruar për t'u përdorur një
emërtim për një varietet, atëherë do të përdoret vetëm ky emërtim në territorin e Republikës së Shqipërisë.
4. Ndalohet përdorimi i një emërtimi të njëjtë ose të ngjashëm, por që sjell ngatërresa
ndërmjet këtij varieteti dhe një varieteti tjetër të të njëjtit lloj ose të një lloji të afërt me të në
territorin e Republikës së Shqipërisë, për aq kohë sa shfrytëzohet ky varietet. Ndalimi i
lartpërmendur zbatohet edhe për emërtimet e regjistruara në kontratat ndërmjet palëve.
5. Çdo person që ofron për shitje, shet ose marketon materialin shumëzues të një varieteti të
mbrojtur, detyrohet të përdorë emërtimin e varietetit.
6. Detyrimi për të përdorur emërtimin nuk mbaron me të drejtën e seleksionerit, për sa kohë që ai është në prodhim a tregtim.
7. Kur një varietet ofrohet për shitje ose marketohet, përdorimi i emërtimit të varietetit të
regjistruar së bashku me një markë tregtare, emër tregtar ose dhe tregues të tjerë të ngjashëm
lejohet, me kusht që emërtimi të dallohet me lehtësi.

Neni 26
Procedura e regjistrimit

1. Emërtimi i propozuar për një varietet paraqitet së bashku me aplikimin për mbrojtje.
Aplikanti ndjek procedurën për regjistrimin e emërtimit të varietetit, pasi paguan
tarifën e parashikuar dhe paraqet një emër të përkohshëm për të në aplikim. Në këtë rast
aplikanti propozon një emërtim të ri për varietetin brenda 30 ditëve nga data e marrjes së një
kërkese të adresuar për ESHFF-në. Nëse aplikanti nuk paraqet një propozim brenda periudhës së përshkruar, aplikimi rrëzohet.
2. Nëse plotësohen kriteret e parashikuara në nenin 25 të këtij ligji, emërtimi i varietetit botohet në buletinin e ESHFF-së.
3. Çdo person i interesuar mund të bëjë vërejtje brenda 3 muajve pas botimit për regjistrimin
e emërtimit, për një nga arsyet për mosdhënien e së drejtës të seleksionerit, sipas nenit 25 të këtij ligji.
4. Kundërshtimet dhe vërejtjet i komunikohen me shkrim aplikantit brenda 30 ditëve.
5. Aplikanti, në bazë të kundërshtimeve dhe vërejtjeve, mund të paraqesë një propozim të ri.
Kur emërtimi i propozuar nuk është në përputhje me kushtet e përcaktuara në nenin 25 të këtij ligji, ESHFF-ja i kërkon aplikantit të paraqesë një propozim të ri brenda 30 ditëve
nga data e marrjes së njoftimit me shkrim. Mosparaqitja e një propozimi të ri brenda kësaj periudhe pasohet me rrëzimin e aplikimit.
6. Propozimi i ri është subjekt rishqyrtimi.
Kur propozimi i ri nuk është në përputhje me kërkesat e këtij neni, ESHFF-ja i dërgon
njoftim aplikantit për një emërtim që të jetë në përputhje me kushtet e lartpërmendura.
Mospropozimi i një emërtimi të ri sjell rrëzimin e aplikimit.
7. Kur kundërshtimet ose vërejtjet nuk merren parasysh, çdo vendim i KSHAV-it
shoqërohet me një deklaratë, ku shpjegohen arsyet e këtij vendimi. Vendimi u njoftohet
palëve. Mospranimi i një emërtimi të propozuar, gjithashtu, shoqërohet me vendim.
8. Emërtimi regjistrohet në të njëjtën datë kur jepet e drejta e seleksionerit.


KREU VII
MBAJTJA E SË DREJTËS TË SELEKSIONERIT


Neni 27
Pagesa vjetore

Mbajtësi i titullit të varietetit paguan deri më 31 janar të çdo viti pranë ESHFF-së një
pagesë vjetore për tërë periudhën e kohëzgjatjes së të drejtës së seleksionerit. Masa e pagesës
përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 28
Mirëmbajtja e varietetit

1. Mbajtësi i titullit duhet të mirëmbajë varietetin e mbrojtur ose përbërësit e tij prindërorë
për tërë kohëzgjatjen e së drejtës të seleksionerit.
2. Me kërkesën e ESHFF-së, mbajtësi i titullit ose një autoritet i caktuar prej tij, brenda
periudhës së përshkruar, duhet të japë të dhëna të shoqëruara me dokumente ose materiale të
gjykuara të nevojshme për verifikimin e mirëmbajtjes së varietetit.
3. Kushtet e mirëmbajtjes së varietetit përcaktohen me rregullore të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit.

Neni 29
Verifikimi i mirëmbajtjes së varietetit

ESHFF-ja, gjatë periudhës së mbrojtjes, verifikon nëse varieteti dhe përbërësit e tij
prindërorë mirëmbahen.


KREU VIII
MBARIMI I SË DREJTËS TË SELEKSIONERIT


Neni 30
Pavlefshmëria

1. KSHAV-i deklaron pavlefshmërinë dhe heq të drejtën e seleksionerit kur ajo është e
miratuar, në rast se nga verifikimi rezulton se varieteti nuk është i ri, uniform, i dallueshëm, i
qëndrueshëm dhe kur ajo i është dhënë një personi që nuk i takon e drejta e pasuesit në titull.
2. Kur e drejta e seleksionerit është deklaruar e pavlefshme dhe është hequr, sepse
është në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, prezumohet si e pa dhënë.
3. Çdo person mund të paraqesë pranë KSHAV-it një kërkesë për anulimin e së
drejtës të seleksionerit; KSHAV-i ka të drejtë të veprojë edhe me nismën e vet.

Neni 31
Anulimi i së drejtës të seleksionerit

1. KSHAV-i heq të drejtën e seleksionerit kur mbajtësi i titullit ka dështuar në mirëmbajtjen
e varietetit dhe varieteti nuk është më uniform dhe i qëndrueshëm.
2. E drejta e seleksionerit hiqet kur:
a) mbajtësi i titullit nuk përmbush kërkesën e bërë nga ESHFF-ja për verifikimin e mirëmbajtjes së varietetit;
b) KSHAV-i propozon heqjen e emërtimit të varietetit kur seleksioneri nuk propozon një
emër të përshtatshëm brenda periudhës së parashikuar.
3. Mbajtësit të titullit i bëhen të ditura me një njoftim me shkrim arsyet pse KSHAV-i ka
propozuar heqjen e së drejtës të seleksionerit, duke i lënë një afat kohor prej 30 ditësh, të
cilësuar në njoftim, për të vepruar menjëherë në përputhje me vendimin.
4. Heqja e së drejtës të seleksionerit hyn në fuqi në datën e regjistrimit të saj në regjistrin e së drejtës të seleksionerit të bimëve.


KREU IX
PRONËSIA E PËRBASHKËT


Neni 32
Çdo kontratë ndërmjet palëve për aplikimin e përbashkët për të drejtën e seleksionerit bëhet
me shkrim dhe nënshkruhet nga palët. Kontrata parashikon sanksione në rastet e shkeljes së
saj dhe të shndërrimit të aplikimit në të pavlefshëm.

Neni 33
1. Në rastin kur janë disa aplikantë që kërkojnë të drejtën e seleksionerit, secilit prej tyre i
njihet mundësia që pa marrëveshje me të tjerët të caktojë ose të transferojë me trashëgimi
pjesën e vet të aplikimit. Gjithashtu, aplikantë të përbashkët mund të tërheqin aplikimin ose të
përmbyllin kontrata me palët e treta vetëm sipas aplikimit të përbashkët.
2. Kur ka pronarë të përbashkët të së drejtës të seleksionerit, secili prej tyre gëzon të drejtën
që, pa marrëveshje me të tjerët, të caktojë ose të transferojë me trashëgimi pjesën e vet të së
drejtës të seleksionerit, ose të ndërmarrë procedura gjyqësore për shqyrtimin e një cenimi
ndaj së drejtës të seleksionerit kundër çdo personi që shfrytëzon varietetin e mbrojtur në
Republikën e Shqipërisë. Shfrytëzimi i varietetit të mbrojtur në Republikën e Shqipërisë nga
njëri prej pronarëve të përbashkët nuk kërkon marrëveshjen me bashkëpronarët e tjerë, por
bashkëpronarët kanë të drejtë të heqin dorë nga e drejta e seleksionerit të bimëve ose të lidhin
kontrata me palët e treta, sipas të drejtës së përbashkët të seleksionerit të bimëve.
3. Përcaktimet e këtij neni janë të zbatueshme vetëm në mungesë të marrëveshjes për
kundërshtimet ndërmjet aplikantëve ose pronarëve të përbashkët.


KREU X
AUTORIZIMET KONTRAKTUESE DHE TË SË DREJTËS


Neni 34
1. Autorizimi kontraktues bëhet me shkrim dhe nënshkruhet nga palët.
2. Autorizimi kontraktues i nënshkruar regjistrohet në regjistrin e së
drejtës të seleksionerit pas pagesës së përcaktuar për licencim. I licencuari gëzon të drejtën të
nisë një procedurë ligjore për autorizimin kontraktues vetëm nëse ajo është regjistruar në regjistrin e së drejtës të seleksionerit.

Neni 35
1. Në mungesë të një klauzole për kundërshtime për autorizimin kontraktues,
autorizuesi mund të lejojë një palë të tretë të kryejë për varietetin e mbrojtur ndonjë nga
veprimet e përcaktuara në nenin 20 të këtij ligji.
2. Nëse kontrata përcakton se autorizimi është një i vetëm dhe po të mos jetë
parashikuar ndryshe, asnjë palë e tretë, madje dhe vetë licencuesi nuk ka të drejtë të kryejë
cilindo nga veprimet e përcaktuara në nenin 20 të këtij ligji për varietetin e mbrojtur.


KREU XI
KUNDËRVAJTJET


Neni 36
Sipas këtij ligji, përbëjnë kundërvajtje administrative:

a) shkeljet e parashikuara në pikat 1 e 2 të nenit 20 të këtij ligji për kryerjen e
veprimeve prej subjekteve të ndryshme nga zotëruesi, pa lejen e tij, për prodhimet që mbron patenta ;
b) shkeljet e parashikuara në pikat 1 e 2 të nenit 20 të këtij ligji për kryerjen e
veprimeve prej subjekteve të ndryshme nga aplikanti dhe pa lejen e tij, që lidhen me
prodhimin që ka në mbrojtje të përkohshme, sipas nenit 23 të këtij ligji.

Neni 37
Pronari i së drejtës të seleksionerit dhe aplikanti për të drejtën e seleksionerit gëzojnë
të drejtën e ankimit në gjykatë ndaj çdo personi që shkel të drejtën e seleksionerit ose dhe
mbrojtjen e përkohshme. Pronari i së drejtës të seleksionerit dhe aplikanti kanë të njëjtat të
drejta ndaj çdo personi që kryen akte që mundësojnë një shkelje. Procedurat ankimore nuk
mund të ndërmerren në qoftë se ka kaluar një periudhë prej 5 vjetësh nga data e kryerjes së shkeljes.


KREU XII
MASAT ADMINISTRATIVE


Neni 38
1. Shkeljet e parashikuara në shkronjat “a” dhe “b” të nenit 36 të këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, dënohen me dënim kryesor me gjobë nga 50 000 deri në 150 000 lekë nga inspektori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.
2. Në rast përsëritjeje të këtyre shkeljeve, vendoset dyfishi i gjobës maksimale.
3. Inspektimi në zbatim të këtij ligji dhe vendosja e dënimit administrativ bëhen në përputhje me ligjin nr. 10 433, datë 16.6.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë””.
4. Procedurat e ekzekutimit të gjobës bëhen në përputhje me legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.
5. Gjobat e vjela kalojnë 60 për qind në Buxhetin e Shtetit dhe 40 për qind te zotëruesi I patentës.”.



KREU XIII
DISPOZITA TË FUNDIT


Neni 39
Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë akte nënligjore në zbatim të nenit 27 të
këtij ligji dhe Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit për nenet 10, 14, 15, 16, 24 dhe 28.
Dispozitë kalimtare
Organi ekzistues inspektues vazhdon të ushtrojë funksionin e vet sipas organizimit aktual deri në krijimin e organit të ri, sikurse parashikohet në ndryshimet e bëra në këtë ligj.
( sias: LIGJ Nr. 68/2013. datën 14.2.2013)

Neni 40
Shfuqizimi

Neni 4 i ligjit nr.8732, datë 24.1.2001 "Për materialin mbjellës bimor" shfuqizohet.

Neni 41
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

K R Y E T A R I
Namik Dokle

Share This


0
0
0
Loading...

Return to “Legjislacion - Bujqësia dhe Mjedisi”

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 1 guest