LIGJI PËR PLEHRAT E PËRDORIMIT PËR BIMËSINË* - Nr.10 390, datë 3.3.2011

User avatar
Libraria UBT
Posts: 96
Joined: 06 Jul 2015, 19:54
Rreth Jush: Libraria Universitare e UBT-së është një subjekt shërbimi i specializuar në shpërndarjen e librit, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. E kryen këtë aktivitet që nga viti 1998.

Qellimi i saj është promovimi dhe shpërndarja e librave që kanë si objekt fushat e studimeve universitare të UBT-së, për studentët dhe të interesuarit e tjerë.
Misioni: Të bëhet një pikë gjithnjë e më atraktive për shpërndarjen e librit me profil bujqësine, agrobiznesin, ekonominë, mjedisin, veterinarinë, bioteknologjinë, ushqimin dhe pyjet, për studentët e UBT-së, stafin dhe të interesuarit e tjerë të këtyre fushave.

Libraria Universitare e UBT-së, ofron për studentët dhe lexuesit libra në fushat: Sociologji, Drejtësi, Personalitete, Filozofi, Psikologji, Fjalorë, Histori, Letërsi artistike etj.

LIGJI PËR PLEHRAT E PËRDORIMIT PËR BIMËSINË* - Nr.10 390, datë 3.3.2011

Postby Libraria UBT » 03 Aug 2015, 09:44

LIGJI PËR PLEHRAT E PËRDORIMIT PËR BIMËSINË* - Nr.10 390, datë 3.3.2011

I azhurnuar me: LIGJIN Nr. 64/2013. datën 14.2.2013

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:


KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME


Neni 1
Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim:
1. Vlerësimin e plehrave.
2. Përcaktimin e tipave të plehrave, që përdoren në Republikën e Shqipërisë.
3. Kontrollin e prodhimit, të paketimit, të etiketimit, të transportit, të magazinimit dhe të vendosjes në treg të plehrave.
4. Përcaktimin e detyrimit për regjistrimin e plehrave që nuk kanë emërtimin "EC Fertilizers".
5. Organizimin dhe funksionimin e strukturave përgjegjëse.

Neni 2
Objektivat

Objektivat e këtij ligji janë:
1. Të mbështesë rritjen e prodhimtarisë në bujqësi.
2. Të mundësojë drejtimin e kontrollin e prodhimit dhe vendosjen në treg të plehrave.
3. Të ndihmojë në ruajtjen e jetës dhe të shëndetit të njerëzve e të kafshëve dhe në mbrojtjen e konsumatorit.
4. Të ndihmojë ruajtjen e tokës dhe mbrojtjen e mjedisit.

Neni 3
Përkufizime

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. "Pleh" është çdo substancë që përmban elemente ushqyese, funksioni kryesor i së cilës është sigurimi i ushqimit për bimët.
2. "Tipat e plehrave" janë plehrat që i përkasin grupimeve kryesore të plehrave, si minerale, organike,
organo‐minerale dhe nënndarjeve të çdo grupi.
3. "Pleh i thjeshtë" është plehu azotik, fosfatik ose potasik, që kanë në përmbajtjen e tyre të njohur
vetëm njërën prej lëndëve ushqyese parësore.
4. "Pleh i përzier" është plehu që sigurohet nga përzierja e thatë e plehrave të ndryshme, pa shkaktuar reaksione kimike.
* 32003 R 2003 (Celex No). Rregullore e Bashkimit Europian 2003/2003 i Parlamentit dhe Këshillit
Europian, datë 13 tetor 2003 në lidhje me plehrat. Gazeta zyrtare nr.304, datë 21.11.2003, faqe 0001‐ 0194.
5. "Plehra të papërshtatshme" janë plehrat, që në përbërjen e tyre kanë elemente kimike jashtë
standardeve të miratuara dhe përbëjnë rrezik për sigurinë apo shëndetin e njerëzve, të kafshëve e të bimëve, si dhe rrezikojnë mjedisin.
6. "Pleh me emërtimin "EC Fertilizers"" është plehu i listuar sipas pikës 1 të nenit 9 të këtij ligji dhe që plotëson kërkesat e këtij ligji.
7. "Lëndë ushqyese parësore" janë vetëm elementet azot, fosfor dhe potas.
8. "Lëndë ushqyese dytësore" janë vetëm elementet kalcium, magnez, natrium dhe squfur.
9. "Tolerancë" janë shmangiet e lejuara të vlerave të matura të përmbajtjes së ushqyesve nga vlera e deklaruar e tyre.
10. "Prodhues" është personi fizik ose juridik, vendas apo i huaj, përgjegjës për vendosjen në treg të plehrave; në veçanti një prodhues, një importues, një paketues që punon për llogari të vet apo çdo person që ndryshon karakteristikat e një plehu.
11. "Laborator reference" është laboratori që vlerëson cilësinë dhe besueshmërinë e kryerjes së
analizave laboratorike për plehrat nga laboratorët e miratuar, si dhe kryen analizat për regjistrimin e
plehrave, sipas metodave dhe standardeve, të përcaktuara në këtë ligj.
12. "Vendosje në treg" është importimi, importimi i plehut brenda territorit doganor të Republikës së
Shqipërisë, eksportimi, tregtimi dhe magazinimi i plehrave në territorin e Republikës së Shqipërisë.
13. "Inspektor" është inspektori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), që kontrollon zbatimin e këtij ligji.
14."Komision" është komisioni i vlerësimit dhe regjistrimit të plehrave.
15. "Vlerësim i plehrave" është gjykimi për përshtatshmërinë dhe dobishmërinë e futjes së një plehu të ri në tregun vendas.
16. "Certifikatë regjistrimi" është dokumenti zyrtar, i lëshuar nga komisioni, që vërteton regjistrimin e
tipave të caktuar të plehrave në regjistrin përkatës.
17. "Regjistri i plehrave" është dokumenti, ku regjistrohen të gjitha tipat e plehrave, që prodhohen e
vendosen në treg në Republikën e Shqipërisë, të vlerësuara nga komisioni.
18. "Tjetërsim" është çdo ndryshim i treguesit të plehut nga ai i deklaruar në etiketë, paketim ose në
certifikatën shoqëruese të analizave.
19. "Mostër" është një sasi plehu, që përbën një njësi, me karakteristika përfaqësuese uniforme.
20. "Etiketë" është pamja ose modeli i shkruar, i vënë mbi paketim ose i bashkëlidhur në të, ku
përshkruhen karakteristikat kryesore të plehut.
21. "Dokumentacion" është dokumentacioni shoqërues i plehrave, nxjerrë nga shoqëria prodhuese.
22. "Parti malli" është sasia e një kategorie plehu, e identifikueshme për origjinën dhe homogjenitetin e
saj, në lidhje me përbërjen dhe cilësinë.
23. "Prodhim" është procesi i sigurimit të plehrave, ku përfshihen edhe përzierja e ripaketimi.
24. "Paketim" është një material i mbyllur, i përdorur për të mbajtur, për të mbrojtur, për të
mirëmbajtur e për të shpërndarë plehrat dhe që mban brenda një sasi jo më shumë se 1000 kg.
25. "Pleh i hapur" është plehu i papaketuar, sipas përcaktimit të dhënë në pikën 24 të këtij neni.
26. "Mikroushqyes" është bor, kobalt, bakër, heku r, mangan, molibden dhe zink, të cilat janë thelbësore
për rritjen e bimëve, por në sasi të pakta në krahasim me ato të elementeve ushqyese parësore dhe dytësore.
27. "Pleh inorganik" është plehu, me elementet ushqyese të deklaruara, të cilat janë në formë minerale,
që merren nga ekstraktimi ose nëpërmjet proceseve industriale fizike dhe/ose kimike.
28. "Pleh i përbërë" është plehu që ka një përmbajtje të deklaruar e të paktën dy prej elementeve
ushqyese parësore dhe të marra në rrugë kimike ose nga përzierja apo një kombinim i të dyjave.
29. "Pleh kompleks" është plehu i përbërë, i marrë në rrugë kimike nga tretësira ose gjendja e ngurtë,
nga granulimi, që ka një përmbajtje të deklaruar e të paktën dy prej elementeve ushqyese parësore. Në
gjendje të ngurtë çdo grimcë përmban të gjitha elementet ushqyese përbërëse të tyre të deklaruara.
30. "Pleh për plehërim gjethor" është plehu i përcaktuar për t'u përdorur mbi masën e gjetheve të
bimëve me synim thithjen e lëndëve ushqyese prej tyre.
31. "Pleh i lëngshëm" është plehu në formë tretësire.
32. "Deklarim" është deklarata për sasinë e lëndëve ushqyese, që përfshin formën dhe tretshmërinë e
tyre, të garantuar me anë të tolerancave të specifikuara.
33. "Përmbajtje e deklaruar" është përmbajtja e një elementi ose e formave të tij, e cila jepet në
etiketën e një plehu apo në dokumentin shoqërues përkatës.


KREU II
PRODHIMI, QARKULLIMI I LIRË, VENDOSJA NË TREG, MAGAZINIMI, TRANSPORTI, PAKETIMI, ETIKETIMI
DHE CERTIFIKATA E ANALIZËS DHE E ORIGJINËS


Neni 4
Prodhimi, qarkullimi i lirë dhe vendosja në treg

1. Prodhimi dhe/ose vendosja në treg e plehrave bëhet nga persona fizikë dhe juridikë, vendas ose të huaj.
2. Plehrat vendosen në treg vetëm në qoftë se:
a) janë plehra me emërtimin "EC Fertilizers", të cilat lejohen të qarkullojnë lirshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë;
b) janë plehra që nuk kanë emërtimin "EC Fertilizers", por janë të pajisura me certifikatë regjistrimi,
sipas dispozitave të këtij ligji;
c) nuk dëmtojnë shëndetin e njerëzve, të kafshëve, pjellorinë e tokës dhe mjedisin;
ç) përmbushin të gjitha kërkesat për etiketimin, paketimin dhe magazinimin, sipas dispozitave të këtij ligji;
d) përmbushin tolerancat, sipas dispozitave të këtij ligji;
dh) nuk janë të zhvleftësuara.

Neni 5
Transporti, magazinimi dhe mirëmbajtja

1. Transporti i plehrave bëhet me çdo lloj mjeti, të pajisur me karroceri të rregullt, të mbuluar tërësisht,
poshtë dhe lart, me plastmasë ose mushama, si masë mbrojtjeje, në çdo rast, nga kontakti me
lagështirën dhe nga rrjedhjet gjatë udhëtimit.
2. Të gjitha llojet e plehrave, pas prodhimit apo sjelljes nga importi, depozitohen dhe ruhen në mjedise
të mbyllura, të mbrojtura nga lagështira, dyshemeja e të cilave duhet të jetë e shtruar me paleta druri.
Në këto mjedise nuk duhet të ketë mallra të tjera. Mjediset për magazinimin dhe tregtimin e plehrave
duhet të jenë të miratuara nga inspektorati sanitar shtetëror i rrethit ose qarkut.
3. Plehrat gjatë magazinimit duhet:
a) të jenë të ndara nga njëra‐tjetra;
b) të jenë të shënuara në mënyrë të qartë;
c) të mos jenë të përziera me substanca të tjera.
4. Plehrat duhet të magazinohen në mënyrë të tillë që të mos rrisin nivelin e ndotjes së ujërave.
Elementet ose substancat e rrezikshme, të cilat mund të dëmtojnë zhvillimin e kulturave bujqësore apo
të zinxhirit ushqimor, nuk duhet të vendosen në të njëjtin vend me plehrat.

Neni 6
Paketimi, etiketimi, certifikata e analizës dhe e origjinës

1. Plehrat mund të vendosen në treg, të hapura ose të paketuara. Paketimet duhet të jenë të tilla që të
ruajnë karakteristikat fizike dhe kimike të plehut. Në rastin e plehrave të paketuara, paketimi duhet të
jetë i mbyllur në një mënyrë ose me një mjet të tillë që, në qoftë se hapet, mbyllja ose vetë paketimi
dëmtohet në mënyrë të pandreqshme. Etiketa ose shënimet janë të stampuara në paketim dhe tregojnë
tipin e përbërjen e plehut. Çdo parti malli e plehut shoqërohet me certifikatën e analizës e të origjinës,
me anë të së cilës prodhuesi deklaron treguesit e nevojshëm teknikë të atij plehu.
2. Prodhuesi, që vendos plehrat në treg, është i detyruar që, në etiketë, të përcaktojë:
a) emrin dhe adresën e biznesit;
b) emrin e plehut dhe numrin e certifikatës së regjistrimit, nëse plehu korrespondon me tipin e plehrave;
c) përmbajtjen e përbërësve të çdo plehu, përfshirë edhe përmbajtjen e elementeve të përshkruara me
fjalë dhe simbole kimike, si: azot (N), fosfor (P), pentoksid fosfori (P2O5), potas (K), oksid potasi (K2O),
kalcium (Ca), oksid kalciumi (CaO), magnez (Mg), oksid magnezi (MgO), natrium (Na), oksid natriumi
(Na2O), squfur (S), trioksid squfuri (SO3), bor (B), bakër (Cu), kobalt (Co), hekur (Fe), mangan (Mn),
molibden (Mo), zink (Zn) dhe në lidhje me ushqyesit e format e tretshme;
ç) kërkesat specifike në magazinim dhe përdorim;
d) paralajmërimin dhe informacionin për manipulimin dhe udhëzimet për mbrojtjen e shëndetit të
njerëzve, sigurin ë e mbrojtjen e mjedisit;
dh) metodën e përdorimit;
e) masën ose vëllimin e përgjithshëm të plehut; ë) afatin e përdorimit;
f) datën e prodhimit.
3. Informacioni për plehun, i përcaktuar në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, duhet të jetë në gjuhën shqipe
dhe qartësisht i lexueshëm gjatë të gjithë kohës.
4. Për plehrat e hapura, etiketimi specifik duhet të jetë i përcaktuar në dokumentet shoqëruese të plehut.

Neni 7
Plehra të papërshtatshme

1. Kur të dhënat e specifikuara në certifikatën e analizës dhe të origjinës për një pleh nuk përputhen me
ato të dala nga laboratori për analizimin e plehrave, ky pleh konsiderohet i papërshtatshëm dhe
bllokohet, kthehet në vendin e origjinës, asgjësohet ose përmirësohet në përputhje me treguesit.
2. Lloji i masës që merret, mënyra dhe procedurat e bllokimit, të kthimit në vendin e origjinës, të
asgjësimit ose të përmirësimit në përputhje me treguesit për plehrat e papërshtatshme, përcaktohen
me udhëzim të përbashkët të ministrit, që mbulon fushën e bujqësisë, të ministrit që mbulon fushën e
shëndetësisë dhe të ministrit që mbulon fushën e mjedisit.
3. Të gjitha shpenzimet për bllokimin e plehrave, kthimin e tyre në vendin e origjinës, asgjësimin apo
përmirësimin, në përputhje me treguesit, i ngarkohen prodhuesit.

Neni 8
Plehrat e nitratit të amonit, me përmbajtje të lartë azoti

1. Plehrat me bazë nitrat amoni, me përmbajtje të lartë azoti, janë produkte me bazë nitrat amoni, të
prodhuara për t'u përdorur si plehra dhe që përmbajnë mbi 28 për qind në masë të azotit në raport me
nitratin e amonit. Ky tip plehu mund të përmbajë substanca inorganike ose inerte. Substancat, që janë
përdorur në prodhimin e këtij tipi plehu, nuk duhet të rrisin ndjeshmërinë e tij ndaj nxehtësisë dhe ndaj shpërthimit.
2. Prodhuesi duhet të sigurojë që plehrat e thjeshta me bazë nitrati të amonit, me përmbajtje të lartë të
azotit, duhet të plotësojnë kërkesat e këtij ligji.
3. Kontrolli, analizat dhe testimet zyrtare të plehrave të thjeshta me bazë të nitratit të amonit, me
përmbajtje të lartë të azotit, duhet të jenë në përputhje të plotë me metodat e përcaktuara në këtë ligj.
4. Për të siguruar kontrollin e plehrave me bazë nitrat amoni, me përmbajtje të lartë të azotit, të
vendosura në treg, prodhuesi mban një regjistër të veçantë vetëm për këtë lloj plehu, ku përcaktohen
emri, adresa dhe vendndodhja e prodhuesit, si dhe e përdoruesve të këtij plehu. Ky regjistër duhet të
jetë i disponueshëm për inspektimet që kryhen për të gjithë periudhën e vendosjes në treg të këtij plehu.
5. Prodhuesi duhet të sigurojë që çdo tip i plehrave me bazë nitrat amoni, me përmbajtje të lartë të
azotit, që vendoset në treg, të ketë kaluar testin e rezistencës ndaj shpërthimit. Ky test duhet të jetë
bërë në laboratorë të akredituar, që plotësojnë kërkesat e standardeve S SH EN 17025, S SH EN 45003
apo të standardeve të njëvlershme me to dhe i shoqëruar me certifikatën origjinale të rezistencës ndaj
shpërthimit. Kalimi i testit të shpërthyeshmërisë është kusht i domosdoshëm për të gjitha plehrat që vendosen në treg.
6. Për plehrat me emërtimin "EC Fertilizers" të nitratit të amonit, me përmbajtje të lartë të azotit, testi i
rezistencës ndaj shpërthimit kryhet nga laboratorë të miratuar të Bashkimit Europian. Prodhuesi duhet
të dorëzojë rezultatet e këtij testi pranë AKU‐së 5 ditë përpara arritjes së këtij plehu në territorin
doganor të Republikës së Shqipërisë.
7. Plehrat e nitratit të amonit, me përmbajtje të lartë të azotit, duhet të jenë të disponueshme përpara
përdorimit përfundimtar vetëm në formë të paketuar.
8. Kërkesat e hollësishme për plehrat me bazë nitrat amoni, me përmbajtje mbi 28 për qind azot,
përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit që mbulon fushën e bujqësisë.

Neni 9
Kërkesat dhe kushtet për trajtimin e plehrave

1. Rregullat për kërkesat e prodhimit, të etiketimit e të paketimit për vendosjen në treg, si dhe
tolerancat, lista e tipave të plehrave me emërtimin "EC Fertilizers" përcaktohen me vendim të Këshillit të
Ministrave, me propozimin e ministrit që mbulon fushën e bujqësisë.
2. Kushtet për transportimin, magazinimin dhe mirëmbajtjen e plehrave përcaktohen me udhëzim të
ministrit që mbulon fushën e bujqësisë.

Neni 10
Detyrimet e prodhuesit

1. Prodhuesi, që merret me prodhimin dhe/ose vendosjen në treg të plehrave, është i detyruar që, për
kryerjen e kontrollit dhe shqyrtimin e të gjithë dokumentacionit të nevojshëm, të bashkëpunojë me inspektorët.
2. Asnjë prodhues nuk mund të refuzojë apo të pengojë inspektorin për të kryer detyrat e përcaktuara në këtë ligj.


KREU III
MËNYRA E ORGANIZIMIT DHE E FUNKSIONIMIT TË STRUKTURAVE PËRGJEGJËSE


Neni 11
Strukturat përgjegjëse

Strukturat përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij janë:
1. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
2. Komisioni.
3. Laboratorët e akredituar.

Neni 12
Organizimi dhe detyrat e inspektorit

1. Shfuqizohet (LIGJ Nr. 64/2013. datën 14.2.2013)
2. Inspektori kryen këto detyra:
a) inspekton tipat e plehrave, që prodhohen dhe vendosen në treg;
b) kontrollon të dhënat e përshkruara në etiketë dhe paketim, nëse janë në përputhje me të dhënat e
dokumentacionit që shoqëron plehun;
c) merr mostrat e plehut dhe i dërgon ato për analizim në laboratorin e akredituar;
ç) kontrollon mirëmbajtjen e plehrave, sipas kushteve të përcaktuara në këtë ligj;
d) nuk lejon përdorimin e plehrave për qëllime të tjera, që nuk janë parashikuar në këtë ligj;
dh) merr masa administrative për shkeljet dhe parregullsitë, që dalin gjatë kryerjes së kontrollit, kur
vëren shkelje të kushteve për prodhimin e vendosjen në treg të plehrave.

Neni 13
Ndihma ndërinstitucionale

AKU‐ja, për zbatimin e detyrave të ngarkuara me këtë ligj, bashkëpunon sipas marrëveshjeve të
nënshkruara me Policinë e Shtetit, strukturat përgjegjëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe
të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Neni 14
Komisioni i vlerësimit dhe regjistrimit të plehrave

1. Për vlerësimin dhe regjistrimin e plehrave, që nuk kanë emërtimin "EC Fertilizers", ngrihet dhe
funksionon, në ministrinë që mbulon fushën e bujqësisë, komisioni i përbërë nga 9 anëtarë.
2. Përbërja, funksionimi, detyrat e këtij komisioni, si dhe procedurat e hollësishme për regjistrimin dhe
vlerësimin e plehrave përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit që
mbulon fushën e bujqësisë.

Neni 15
Regjistrimi i plehrave

1. Komisioni vendos për regjistrimin e plehrave në bazë të kërkesës së prodhuesit.
2. Kërkesa për regjistrim përmban:
a) të dhëna identifikuese të prodhuesit;
b) vendndodhjen e biznesit të tij;
c) emrin e plehut dhe tipin e tij;
ç) përmbajtjen e çdo përbërësi të plehut, përfshirë edhe përmbajtjen e elementeve e të substancave
toksike në lidhje edhe me format e ushqyesve dhe format e tretshme;
d) dendësinë e plehut;
dh) metodën e përdorimit të plehut sipas kulturave bujqësore;
e) kushtet e magazinimit të tij;
ë) përshkrimin e teknikave, përfshirë edhe listën e materialeve të përdorura për prodhimin e plehut;
f) konfirmimin që nuk është një pleh eksploziv, megjithëse nitrati i amonit përmban mbi 28 për qind
azot, sipas përcaktimit të pikës 1 të nenit 8 të këtij ligji.
3. Prodhuesi paraqet kërkesën për regjistrim dhe i garanton komisionit mostrat e plehut dhe
dokumentacionin e nevojshëm, që vërteton përmbushjen e kërkesave për regjistrim. Në të njëjtën kohë
prodhuesi paguan tarifën përkatëse.
4. Kur komisioni gjykon për nevojën e verifikimit të vlefshmërisë së një plehu, vendos për testimin fushor të tij.
5. Komisioni, në bazë të kërkesës dhe të të dhënave të listuara në të, jo më vonë se 3 muaj, vendos për
dhënien ose jo të certifikatës së regjistrimit të plehut.
6. Shpenzimet për ekspertimin, në lidhje me procedurat e regjistrimit, paguhen nga prodhuesi.
7. Të gjitha plehrat e miratuara nga komisioni regjistrohen në regjistrin e plehrave, i cili mbahet nga
inspektori. Forma dhe përmbajtja e regjistrit përcaktohen me urdhër të ministrit që mbulon fushën e bujqësisë.
8. Tarifat, që paguhen nga prodhuesi për marrjen e certifikatës së regjistrimit dhe për regjistrimin e
plehrave që prodhohen dhe/ose vendosen në treg, përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit
që mbulon fushën e bujqësisë dhe të ministrit që mbulon fushën e financave.

Neni 16
Certifikata e regjistrimit

1. Certifikata e regjistrimit të plehut, që i jepet prodhuesit, lëshohet nga komisioni.
2. Vendimi për regjistrimin përmban: a) emrin e plehut;
b) numrin e vendimit të regjistrimit;
c) vlerat e përbërësve kimikë dhe fizikë të plehut;
ç) metodën e përdorimit të plehut sipas kulturave bujqësore;
d) afatin e vlefshmërisë së tij.
3. Në rastet e ndryshimit të emrit të plehut e të të dhënave identifikuese të prodhuesit, për të cilin është
dhënë vendimi për regjistrimin e plehut, prodhuesi paraqet një kërkesë për ndryshimin e vendimit të
regjistrimit. Komisioni vendos për regjistrimin e ri.
4. Komisioni anulon vendimin e regjistrimit të plehrave:
a) me kërkesë të prodhuesit;
b) në rastet kur prodhuesi shkel njërën nga kërkesat e këtij ligji.
5. Komisioni, me kërkesë të inspektorit, kur e gjykon të arsyeshme, mund të urdhërojë largimin nga tregu të sasisë së plehut.

Neni 17
Laboratorët

1. Kryerja e analizave laboratorike për plehrat bëhet nga laboratorë të akredituar, që janë miratuar, për
këtë qëllim, nga ministri që mbulon fushën e bujqësisë. Analizat për regjistrimin e plehrave bëhen nga
një laborator i akredituar, i miratuar si laborator reference nga ministri që mbulon fushën e bujqësisë.
2. Laboratori i referencës dhe laboratorët e akredituar kanë për detyrë:
a) kryerjen e analizave të mostrave të marra për efekt të verifikimit dhe vlerësimit të përbërësve të plehrave;
b) lëshimin e fletës së analizave për rezultatet përfundimtare, që dalin nga analizimi i çdo mostre;
c) respektimin dhe gara ntimin e të gjitha shërbimeve të nevojshme për verifikimin e përputhshmërisë
së plehrave me kërkesat e këtij ligji.
3. Përveç sa përcaktohet në pikën 2 të këtij neni, laboratori i referencës vlerëson cilësinë dhe
besueshmërinë e kryerjes së analizave laboratorike për plehrat nga laboratorët e miratuar.
4. Ministri që mbulon fushën e bujqësisë miraton kriteret që duhet të plotësojnë laboratori i referencës
dhe laboratorët e akredituar për t'u miratuar.

Neni 18
Veprimtari të ndaluara

Nuk lejohen:
1. Prodhimi dhe vendosja në treg e plehrave me përmbajtje substancash toksike, të përcaktuara si të
tilla nga komisioni.
2. Prodhimi, regjistrimi dhe vendosja në treg e plehrave të tjetërsuara, për përdorim për bimësinë, të
dhënat e të cilave nuk përputhen me të dhënat e certifikatës së analizave dhe të certifikatës së origjinës.

Neni 19
Ankimi

1. Kur prodhuesi nuk është dakord me vendimin e marrë nga komisioni për certifikatën e regjistrimit,
mund të bëjë ankim, me shkrim, te ministri që mbulon fushën e bujqësisë, brenda 30 ditëve nga data e
shpalljes ose e marrjes së njoftimit të vendimit.
2. Ministri që mbulon fushën e bujqësisë shprehet me vendim brenda 30 ditëve nga data e marrjes së
ankimit. Ky është vendim përfundimtar administrativ. Kundër vendimit përfundimtar administrativ
prodhuesi mund të bëjë ankim në gjykatë brenda 30 ditëve nga data e shpalljes ose e marrjes së njoftimit të vendimit.


KREU IV
KONTROLLI, MARRJA E MOSTRAVE, ANALIZIMI DHE VLERËSIMI I PLEHRAVE


Neni 20
Kontrolli dhe marrja e mostrave

1. Kontrolli dhe marrja e mostrave për analizim të plehut bëhen nga inspektorët e AKU‐së.
2. Inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, gjatë ushtrimit të detyrave të tyre, duhet të identifikohen me kartën e inspektorit, të lëshuar në përputhje me ligjin nr. 10 433, datë 16.6.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë””.
3. Shfuqizohet (LIGJ Nr. 64/2013. datën 14.2.2013)
Neni 21
Analizat

1. Analizat laboratorike të mostrave të plehrave bëhen në laboratorin e referencës dhe në laboratorët e
tjerë të akredituar, sipas metodave dhe standardeve të përcaktuara në nenin 22 të këtij ligji.
Rezultati përfundimtar i analizave i dorëzohet inspektorit brenda një periudhe kohe prej 10 ditësh nga
çasti i dorëzimit të mostrës për analizim.
2. Vlerësimi i rezultateve të analizave zyrtare të mostrave bëhet nga inspektori.

Neni 22
Rregullat për marrjen e mostrave, analizimin dhe vlerësimin

Rregullat për kontrollin, marrjen e mostrave, analizat e procedurat, dhënia e rezultateve të tyre, si dhe
vlerësimi i analizave të plehrave përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e
ministrit që mbulon fushën e bujqësisë.


KREU V
KUNDËRVAJTJE ADMINISTRATIVE


Neni 23
Kundërvajtje administrative

Përbëjnë kundërvajtje administrative shkeljet e mëposhtme:
1. Moszbatimi nga personat fizikë dhe juridikë, vendas apo të huaj, të kërkesave të përcaktuara në pikën
2 të nenit 4 të këtij ligji.
2. Mosrespektimi në shitje i të dhënave të pikës 2 shkronja "e" të nenit 6 të këtij ligji.
3. Moszbatimi nga personat fizikë dhe juridikë, vendas apo të huaj, të kërkesave të përcaktuara në pikën
1 të nenit 7 të këtij ligji.
4. Moszbatimi nga personat fizikë dhe juridikë, vendas apo të huaj, të kërkesave të nenit 10 të këtij ligji.
5. Moszbatimi nga personat fizikë dhe juridikë, vendas apo të huaj, të kërkesave të përcaktuara në pikën 1 të nenit 18 të këtij ligji.
6. Moszbatimi nga personat fizikë dhe juridikë, vendas apo të huaj, të kërkesave të përcaktuara në pikën 2 të nenit 18 të këtij ligji.

Neni 24
Sanksionet

1. Për kundërvajtjet e mëposhtme administrative, inspektori jep dënim me gjobë, përkatësisht, për:
a) ato të parashikuara në pikën 1 të nenit 23 të këtij ligji, nga 40 mijë deri në 60 mijë lekë;
b) ato të parashikuara në pikën 2 të nenit 23 të këtij ligji, me 40 mijë lekë;
c) ato të parashikuara në pikën 3 të nenit 23 të këtij ligji, me 200 mijë lekë;
ç) ato të parashikuara në pikën 4 të nenit 23 të këtij ligji, nga 80 mijë deri në 120 mijë lekë;
d) ato të parashikuara në pikën 5 të nenit 23 të këtij ligji, nga 80 mijë deri në 120 mijë lekë dhe detyron
subjektin ta kthejë plehun në vendin e origjinës;
dh) ato të parashikuara në pikën 6 të nenit 23 të këtij ligji, nga 180 mijë deri në 220 mijë lekë. 2. Në rast
të përsëritjes së këtyre shkeljeve, masa e gjobës është trefish. Masa me gjobë, sipas këtij neni, është dënim kryesor, ndërsa masa e detyrimit të kthimit të plehut në vendin e origjinës, sipas shkronjës “d” të këtij neni, është dënim plotësues

Neni 25
Procedura e kundërvajtjes administrative

1. Të drejtën e dhënies së masës administrative, siç është parashikuar në nenin 24 të këtij ligji, e ka inspektori.
2. Kundër vendimit të inspektorit mund të bëhet ankim në përputhje me ligjin për inspektimin.”.

Neni 26
Ekzekutimi i vendimit

Ekzekutimi i vendimit bëhet sipas legjislacionit në fuqi për kundërvajtjet administrative.”.

Neni 27
Të ardhurat nga vjelja e gjobave

Të ardhurat, që krijohen nga vjelja e gjobave, kalojnë 100 për qind në Buxhetin e Shtetit.


KREU VI
DISPOZITA TË FUNDIT


Neni 28
Aktet nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 8 pika 8, 9 pika 1, 14 pika 2 dhe 22 të këtij ligji.
2. Ngarkohet ministri që mbulon fushën e bujqësisë të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 9
pika 2, 15 pika 7 dhe 17 pika 4 të këtij ligji.
3. Ngarkohen ministri që mbulon fushën e bujqësisë dhe ministri që mbulon fushën e financave të
nxjerrin aktin nënligjor në zbatim të pikës 8 të nenit 15 të këtij ligji.
4. Ngarkohen ministri që mbulon fushën e bujqësisë, ministri që mbulon fushën e shëndetësisë dhe
ministri që mbulon fushën e mjedisit të nxjerrin aktin nënligjor në zbatim të pikës 2 të nenit 7 të këtij ligji.
5. Afati i nxjerrjes së akteve nënligjore, të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, është 6 muaj nga hyrja në
fuqi e këtij ligji për nenin 14 pika 2 dhe 12 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji për nenin 8 pika 8, nenin 9
pika 1 dhe nenin 22. Afati i nxjerrjes së akteve nënligjore, të përcaktuara në pikat 2, 3 dhe 4 të këtij neni,
është 12 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Neni 29
Dispozita kalimtare

Organi ekzistues inspektues vazhdon të ushtrojë funksionin e vet sipas organizimit aktual deri në krijimin e organit të ri, sikurse parashikohet në ndryshimet e bëra në këtë ligj.

Neni 30
Shfuqizimet

Ligji nr.8531, datë 23.9.1999 "Për shërbimin e kontrollit të plehrave kimike", shfuqizohet.

Neni 31
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.6932, datë 18.3.2011 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi  

Share This


0
0
0
Loading...

Return to “Legjislacion - Bujqësia dhe Mjedisi”

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 1 guest