LIGJI PËR USHQIMIN - Nr.9863.datë 28.1.2008

User avatar
Libraria UBT
Posts: 96
Joined: 06 Jul 2015, 19:54
Rreth Jush: Libraria Universitare e UBT-së është një subjekt shërbimi i specializuar në shpërndarjen e librit, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. E kryen këtë aktivitet që nga viti 1998.

Qellimi i saj është promovimi dhe shpërndarja e librave që kanë si objekt fushat e studimeve universitare të UBT-së, për studentët dhe të interesuarit e tjerë.
Misioni: Të bëhet një pikë gjithnjë e më atraktive për shpërndarjen e librit me profil bujqësine, agrobiznesin, ekonominë, mjedisin, veterinarinë, bioteknologjinë, ushqimin dhe pyjet, për studentët e UBT-së, stafin dhe të interesuarit e tjerë të këtyre fushave.

Libraria Universitare e UBT-së, ofron për studentët dhe lexuesit libra në fushat: Sociologji, Drejtësi, Personalitete, Filozofi, Psikologji, Fjalorë, Histori, Letërsi artistike etj.

LIGJI PËR USHQIMIN - Nr.9863.datë 28.1.2008

Postby Libraria UBT » 27 Jul 2015, 15:18

LIGJI PËR USHQIMIN Nr.9863, datë 28.1.2008

I azhurnuar me ndryshimet e Ligjit Nr. 74/2013. në datën 14.2.2013
Vemendje: Në të gjithë ligjin, emërtimi “Inspektorati i Kontrollit të Ushqimit dhe Ushqimit për Kafshë”
zëvendësohet me emërtimin “Autoriteti Kombëtar i Ushqimit


Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:



KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME


Neni 1
Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim të vendosë bazat për sigurimin e një niveli të lartë të mbrojtjes së
shëndetit të njerëzve dhe interesat e konsumatorit, duke përcaktuar:
a) kërkesat dhe parimet e përgjithshme për higjienën dhe sigurinë e ushqimeve dhe të ushqimeve për kafshë;
b) detyrimet e operatorëve të biznesit të ushqimeve dhe të ushqimeve për kafshë, për
higjienën dhe sigurinë e këtyre ushqimeve;
c) kërkesat e përgjithshme për cilësinë e ushqimeve;
ç) kërkesat e përgjithshme për regjistrimin e treguesve gjeografikë dhe emërtimin e origjinës së kontrolluar;
d) kërkesat e përgjithshme për mënyrën e etiketimit të ushqimeve dhe të ushqimeve për kafshë;
dh) kërkesat e përgjithshme të nxjerrjes në treg të ushqimeve dhe të ushqimeve për kafshë;
e) kërkesat e përgjithshme të nxjerrjes në treg të ushqimeve të reja dhe të ushqimeve të reja për kafshë;
ë) sistemin e kontrollit zyrtar të ushqimeve dhe të ushqimeve për kafshë;
f) sistemin e laboratorëve të autorizuar për analiza dhe të laboratorëve të referencës;
g) menaxhimin e krizës dhe të emergjencave;
gj) krijimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit;
h) përgjegjësitë e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për ushqimin dhe ushqimin për
kafshë, të prodhuara në Republikën e Shqipërisë ose të importuara dhe të nxjerra në treg në Republikën e Shqipërisë.

Neni 2
Fusha e zbatimit

1. Ky ligj zbatohet në prodhimin primar dhe në të gjitha fazat e prodhimit, të
përpunimit dhe shpërndarjes së ushqimeve dhe të ushqimeve për kafshë.
2. Ky ligj nuk zbatohet për ushqimet e prodhuara, të përgatitura, të përpunuara dhe të
grumbulluara për qëllime përdorimi vetjak, të cilat nuk janë të destinuara për t'u nxjerrë në treg.

Neni 3
Përkufizime

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. "Ushqim" ose "produkt ushqimor" është çdo substancë ose produkt i përpunuar,
pjesërisht i përpunuar ose i papërpunuar, i përcaktuar të jetë ose, për ndonjë arsye, është i konsumueshëm për njerëz.
Termi "ushqim" përfshin, gjithashtu, pijet, çamçakëzin, aditivët ushqimorë dhe çdo
substancë tjetër që, në mënyrë të qëllimshme, bëhet pjesë e ushqimit gjatë përpunimit, përgatitjes ose trajtimit.
Termi "ushqim" përfshin edhe ujin:
a) të përdorur si ujë të pijshëm për furnizimin publik të popullsisë;
b) të përdorur dhe/ose të bashkuar në ushqim gjatë prodhimit, përgatitjes ose trajtimit të tij;
c) të paketuar si ujë tryeze, ujë mineral dhe ujë burimi.
Termi "ushqim" nuk përfshin:
a) ushqimin për kafshë;
b) kafshët e gjalla, me përjashtim të rasteve kur janë përcaktuar për konsum njerëzor;
c) bimët dhe frutat, përpara korrjes ose vjeljes;
ç) produktet mjekësore;
d) produktet kozmetike;
dh) duhanin dhe cigaret;
e) substancat narkotike dhe psikotrope;
ë) mbetjet, kontaminuesit, si dhe përbërësit natyrorë të bimëve dhe kafshëve, që shkaktojnë efekt të kundërt në shëndetin e njerëzve.
2. "Biznes ushqimor" është çdo veprimtari e ndërmarrë për qëllime përfitimi ose jo,
publike ose private, për prodhimin, përpunimin dhe shpërndarjen e ushqimit.
3. "Operator i biznesit ushqimor" është çdo person fizik ose juridik, i regjistruar për të
kryer veprimtari, që lidhen me biznesin ushqimor, përgjegjës për të siguruar se
kërkesat e ligjit të ushqimit janë arritur në biznesin ushqimor të kontrolluar prej tij.
4. "Ushqim për kafshë" (ose produkt ushqimor për kafshë) është çdo substancë ose
produkt, përfshirë aditivët, i përpunuar, pjesërisht i përpunuar ose i papërpunuar, i
përcaktuar për t'u përdorur për ushqim për kafshë që prodhojnë ushqim."
5. "Biznes i ushqimit për kafshë" është çdo veprimtari e ndërmarrë për qëllime
përfitimi ose jo, publike ose private, në prodhimin, përpunimin dhe shpërndarjen e
ushqimeve për kafshë, përfshirë veprimtarinë e çdo prodhuesi që prodhon, përpunon,
ruan ose transporton ushqime për ushqyerjen e kafshëve të fermës së vet.
6. "Operator i biznesit ushqimor për kafshë" është çdo person fizik ose juridik, i
regjistruar për të kryer veprimtari, që lidhen me biznesin e ushqimit për kafshë,
përgjegjës për të siguruar se kërkesat e ligjit të ushqimit janë plotësuar në biznesin e kontrolluar prej tij.
7. "Shitje" është trajtimi dhe/ose përpunimi i ushqimeve dhe ruajtja e tyre në pikat e
shitjes me pakicë ose të shpërndarjes te konsumatori i fundit, ku përfshihen rrugët e
shpërndarjes, operatorët e kuzhinave, kantinat, kuzhinat institucionale, restorantet dhe
shërbimet operative të ngjashme të ushqimit, dyqanet, supermarketet, qendrat e
shpërndarjes dhe të shitjes me shumicë.
8. "Vendosje në treg" është mbajtja e ushqimeve dhe e ushqimeve për kafshë për
qëllime shitjeje, ku përfshihen ofrimi për shitje ose ndonjë formë tjetër transferimi,
me ose pa pagesë, si dhe shitja, shpërndarja d he forma të tjera transferimi në territorin e Republikës së Shqipërisë.
9. "Risk" është mundësia e një efekti të kundërt në shëndet dhe ashpërsia e këtij
efekti, si rrjedhojë e pranisë së një ose më shumë dëmtuesve në ushqim.
10. "Analizë risku" është një proces që ka lidhje me tre komponentë të ndërthurur me
njëri-tjetrin, që janë: vlerësimi i riskut, menaxhimi i riskut dhe komunikimi i riskut.
11. "Vlerësim i riskut" është një proces i bazuar shkencërisht, me katër etapa:
identifikimi i dëmtuesit, karakterizimi i dëmtuesit, vlerësimi i ekspozimit dhe karakterizimi i riskut.
12. "Menaxhim i riskut" është procesi, i ndarë nga vlerësimi i riskut, i vlerësimit të
politikave alternative në këshillim me subjektet e interesuara, duke pasur parasysh
vlerësimin e riskut dhe faktorët e tjerë të pranueshëm. Nëse është e nevojshme, kihen
parasysh edhe zgjedhja e mundësive të përshtatshme parandaluese dhe ato të kontrollit.
13. "Komunikim i riskut" janë shkëmbimet e ndërsjella të informacionit dhe të
mendimeve gjatë procesit të analizimit të riskut për dëmtuesit dhe risqet, faktorët e
lidhur me riskun dhe perceptimin e tij. Kjo bëhet nëpërmjet vlerësuesve të riskut,
menaxherëve të riskut, konsumatorëve, biznesit të ushqimeve dhe ushqimeve për
kafshë, komunitetit akademik dhe aktorëve të tjerë të interesuar, duke shpjeguar
vlerësimin e riskut të gjetur dhe bazën e vendimeve të menaxhimit të riskut.
14. "Dëmtues" është një agjent biologjik, kimik apo fizik, ose kushtet e ushqimit apo
të ushqimit për kafshë, potenciale për të shkaktuar një efekt të dëmshëm në shëndetin e njerëzve.
15. "Gjurmim" është aftësia për të gjurmuar dhe ndjekur një ushqim, ushqim për
kafshë, kafshët që prodhojnë ushqim, ose substanca të përcaktuara, që janë ose priten
të jenë të lidhura me një ushqim për njerëz ose kafshë, në të gjitha fazat e prodhimit, të përpunimit dhe të shpërndarjes.
16. "Faza të prodhimit, përpunimit dhe shpërndarjes" është çdo fazë, përfshirë
importet dhe lëndët e para për prodhimin e ushqimeve, përfshirë ruajtjen, transportin,
shitjen ose furnizimin e konsumatorit përfundimtar dhe, në mënyrë të ngjashme,
importimin, prodhimin, ruajtjen, transportin, shpërndarjen, shitjen dhe furnizimin e ushqimeve për kafshë.
17. "Prodhim primar" (ose prodhim i parë) është prodhimi, rritja e lëndëve të para, ku
përfshihen kultivimi, korrja, vjelja, mjelja dhe rritja e kafshëve në ferma, të destinuara
për t'u therur, si dhe gjuetia, peshkimi dhe mbledhja e bimëve të egra.
18. "Konsumator i fundit" është konsumatori i fundit i produkteve ushqimore, që nuk
e përdor ushqimin si pjesë të biznesit ushqimor.
19."Kontroll zyrtar” është çdo kontroll për të verifikuar respektimin e kërkesave ligjore në fushën e ushqimit dhe ushqimit për kafshë.”.
20. "Siguri ushqimore" është garancia se ushqimi nuk shkakton efekte të dëmshme në
shëndetin e njerëzve, nëse është përgatitur dhe konsumuar, sipas kushteve të përdorimit.
21. "Higjienë e ushqimit" është tërësia e masave dhe e kushteve të nevojshme për
kontrollin e dëmtuesve, për të siguruar përshtatshmërinë për konsum njerëzor të një
produkti ushqimor, duke pasur parasysh përdorimin e përcaktuar të tij.
22. "Siguri ushqimore për ushqimin për kafshë" është garancia e ushqimeve, që
përdoren për kafshët, që prodhojnë ushqime për njerëz, për praninë e disa substancave biologjike, kimike ose fizike në ushqim.
23. "Kontaminant" ose "substancë e dëmshme" është një agjent biologjik, kimik apo
fizik, ose kushte të ushqimit apo ushqimit për kafshë, me mundësi për të shkaktuar një efekt të kundërt në shëndet.
24. "Mbetje" ose "substancë që mbetet" është substanca biologjike ose kimike, që
është lejuar të përdoret në sasi dhe faza të caktuara të prodhimit primar të ushqimit, si
dhe mbetjet metabolite dhe produktet e dekompozimit të tyre. Në mbetje nuk përfshihen aditivët ushqimorë.
25. "Aditiv ushqimor" është çdo substancë, e cila normalisht nuk konsumohet, nuk
është një përbërës tipik i ushqimit, nuk ka vlera ushqimore dhe është shtuar qëllimisht
për të përcaktuar karakteristikat teknologjike dhe organo-leptike të ushqimit gjatë
përgatitjes, trajtimit, përpunimit, formimit, paketimit, transportit ose ruajtjes.
26. "Aditiv ushqimor për ushqime për kafshë" është çdo substancë, e cila
bashkëvepron me ushqimin për kafshë dhe që mund të ndikojë në karakteristikat e
ushqimit apo prodhimin e kafshëve që prodhojnë ushqim, ose kafshët e përdorura për
prodhimin e ushqimit të përcaktuar për konsum njerëzor.
27. "Cilësi e ushqimeve" janë karakteristikat e veçanta të ushqimit, të cilat kënaqin kërkesat e konsumatorit të fundit.
28. "Etiketim" është çdo fjalë, pamje, markë tregtare, emër tregtar, konfigurim apo
simbol për një ushqim, që vendoset mbi çdo paketim, dokument, njoftim, etiketë,
unazë ose mbajtëse, që shoqëron apo i referohet një ushqimi të caktuar.
29. "Materiale në kontakt me ushqimin" janë aksesorët, pajisjet dhe materialet e tjera,
të përdorura në biznesin e ushqimit, që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me ushqimin.
30. "Ushqime të reja" janë ushqimet ose përbërësit ushqimorë, që nuk kanë qenë
përdorur më parë për konsum njerëzor në territorin e Republikës së Shqipërisë.
31. "Organizëm i modifikuar gjenetikisht" është çdo organizëm i gjallë, që zotëron një
kombinim të ri të materialit gjenetik, që përftohet nëpërmjet përdorimit të bioteknologjisë moderne.
32. "Ushqim për nevoja të veçanta dietetike" është një ushqim me përbërje të veçantë
ose një mënyrë e veçantë prodhimi, i ndryshëm nga ushqimi i zakonshëm, për shkak
të karakteristikave ushqimore. Këto ushqime mund të parashikohen për përdorim te
fëmijët deri 12 muaj dhe fëmijët e vegjël, te njerëzit me çrregullime të aparatit tretës
ose të metabolizmit dhe te personat, të cilët janë në gjendje të veçantë fiziologjike, për
të cilët është e nevojshme të arrihen efekte të veçanta nga një marrje e kontrolluar e disa përbërësve ushqimorë.
33. "Lëndë e parë" janë produktet dhe nënproduktet me origjinë bimore, shtazore dhe
minerale (përfshirë edhe ujin e pijshëm), që përdoren për përftimin e produkteve ushqimore.
34. "Stabiliment" është çdo mjedis, ku zhvillohet biznesi ushqimor dhe/ose biznesi ushqimor për kafshë.
35. "Legjislacion ushqimor" janë ligjet dhe aktet nënligjore, që trajtojnë problemet e
ushqimeve, në përgjithësi, dhe të sigurisë ushqimore, në veçanti. Ky legjislacion
përfshin çdo fazë të prodhimit, përpunimit dhe shpërndarjes së ushqimit e të ushqimit për kafshë, që prodhojnë lëndë për ushqim.
36. "Ambalazh" ose "material paketues" është çdo material, që shërben për paketimin
e produkteve ushqimore, i cili mund ta mbulojë, tërësisht ose pjesërisht, këtë produkt.
Ai e mbron produktin nga ndotja, infeksionet, si dhe nga ndikimet që ulin cilësinë dhe
vlerën ushqimore dhe e bën të përshtatshëm për transport, tregtim e përdorim. Një
ambalazh mund të përmbajë disa njësi ose tipe ambalazhesh, të përdorura në çastin që i ofrohet konsumatorit.
37. "Paraambalazhim" është vendosja, paraprakisht, e një produkti ushqimor në një
ambalazh, për t'iu ofruar konsumatorit ose për përdorim kolektiv. Paraambalazhimi
bëhet në mënyrë të tillë, që ambalazhi të mbulojë, tërësisht ose pjesërisht, ushqimin,
por, në çdo rast, përmbajtja nuk mund të ndryshojë pa hapur apo ndryshuar ambalazhin.


KREU II
PARIME TË PËRGJITHSHME TË ANALIZËS SË RISKUT DHE MBROJTJES SË
INTERESAVE TË KONSUMATORIT


Neni 4
Vlerësimi i riskut

1. Vlerësimi i riskut bazohet në vlefshmërinë e të dhënave shkencore dhe të
vendimeve të marra në mënyrë të pavarur, objektive dhe transparente.
2. Vlerësimi i riskut kryhet nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (më poshtë AKU).

Neni 5
Komunikimi i riskut

Komunikimi i riskut bëhet nga AKU-ja, për t'i siguruar një informacion të shpejtë, në
kohë, objektiv dhe të kuptueshëm, për ushqimin, dëmtuesit dhe risqet:
a) Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit;
b) Ministrisë së Shëndetësisë;
c) operatorëve të biznesit të ushqimit për njerëz dhe kafshë;
ç) konsumatorëve;
d) institucioneve të tjera përgjegjëse;
dh) grupeve të interesit;
e) pushtetit vendor.

Neni 6
Menaxhimi i riskut

1. Menaxhimi i riskut siguron që masat parandaluese dhe ato të kontrollit, të marra për të parandaluar, zvogëluar ose eliminuar rreziqet për shëndetin e njerëzve, të lidhura me konsumimin e ushqimeve, të bazohen në rezultatet e vlerësimit të riskut.
2. Menaxhimi i riskut kryhet nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Neni 7
Parime parandaluese

1. Në rrethana të veçanta, kur nga vlerësimi i të gjithë informacionit në dispozicion,
identifikohet mundësia e një efekti të dëmshëm të një ushqimi për shëndetin e
njerëzve, për të cilin ekziston pasiguria shkencore, AKU-ja dhe Ministri i Bujqësisë,
Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit mund të marrin masa të përkohshme për
menaxhimin e riskut. Këto masa janë të nevojshme për të siguruar nivelin më të lartë
të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve deri në çastin që sigurohet një informacion i
bazuar shkencërisht, për një vlerësim të përgjithshëm të riskut.
2. Masat e marra, në përputhje me pikën 1 të këtij neni, duhet të jenë të mjaftueshme,
por jo të kufizojnë tregun më shumë sesa është e nevojshme, për të arritur nivel më të
lartë në mbrojtjen e shëndetit të njerëzve, duke pasur parasysh lehtësitë teknike dhe ekonomike, si dhe gjendjen e krijuar.
3. AKU-ja dhe Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit duhet të
rishqyrtojnë, brenda një periudhe të arsyeshme kohore, në varësi të natyrës së riskut të identifikuar për jetën dhe shëndetin e njerëzve dhe të natyrës së informacionit të nevojshëm, masat e marra për të sqaruar pasiguritë shkencore.

Neni 8
Parimet e transparencës

1. AKU-ja, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose nëpërmjet përfaqësuesve të autorizuar të
konsumatorëve dhe/ose të grupeve të interesit, gjatë përgatitjes, vlerësimit dhe
rishikimit të masave të menaxhimit të riskut, kryen këshillim publik, të hapur dhe
transparent, me përjashtim të pamundësisë, për shembull, në raste urgjente.
2. Kur ka dyshime të justifikuara se ushqimi ose ushqimi për kafshë mund të paraqesë
një rrezik për shëndetin e njerëzve ose të kafshëve, në varësi të natyrës, seriozitetit
dhe shkallës së këtij rreziku, AKU-ja merr masa për të informuar publikun për natyrën e rrezikut.
Në këtë rast, është i nevojshëm identifikimi i ushqimit ose ushqimit për kafshë, rreziku që ai mund të paraqesë, si dhe masat e marra, ose që mund të merren, për të parandaluar, zvogëluar ose zhdukur këtë rrezik.

Neni 9
Mbrojtja e interesave të konsumatorit

Ky ligj mbron interesat e konsumatorëve dhe siguron bazën për zgjedhjen prej tyre të
informacionit të nevojshëm për konsumimin e ushqimeve. Ligji parandalon:
a) praktikat falsifikuese ose mashtruese;
b) cenimin e cilësisë së ushqimeve nga përdorimi i përbërësve të papërshtatshëm;
c) çdo praktikë tjetër që orienton në mënyrë të gabuar konsumatorin.


KREU III
KËRKESA TË PËRGJITHSHME TË SIGURISË USHQIMORE


Neni 10
Kërkesat e sigurisë ushqimore

1. Ushqimi është i sigurt kur nuk shkakton veprim të dëmshëm në shëndetin e
njerëzve, kur prodhohet, përgatitet dhe konsumohet, sipas përdorimit të parashikuar.
2. Ushqimi quhet i pasigurt kur është:
a) i dëmshëm për shëndetin;
b) i papërshtatshëm për konsum njerëzor.
3. Ushqimi nuk nxirret në treg nëse është i pasigurt.

Neni 11
Përcaktimi i sigurisë ushqimore

1. Për të përcaktuar nëse një ushqim nuk është i sigurt duhen pasur parasysh:
a) kushtet normale të përdorimit të ushqimit nga konsumatori dhe çdo fazë e prodhimit, përpunimit dhe shpërndarjes;
b) informacioni që i jepet konsumatorit, përfshirë informacionin e dhënë në etiketë
ose informacione të tjera, të vlefshme për të, për parandalimin e efekteve të dëmshme,
specifike për shëndetin nga një ushqim i caktuar ose nga një kategori ushqimesh.
2. Për të përcaktuar se një ushqim dëmton shëndetin duhet pasur parasysh:
a) jo vetëm mundësia e efektit të menjëhershëm, afatshkurtër ose afatgjatë të ushqimit
në shëndetin e një personi që e konsumon atë, por edhe mundësia e efekteve në gjeneratat e ardhshme;
b) efektet toksike të mundshme grumbulluese;
c) ndjeshmëritë e veçanta shëndetësore të një kategorie të caktuar konsumatorësh, kur
ushqimi është përcaktuar për këtë kategori.
3. Për të përcaktuar se një ushqim është i papërshtatshëm për konsum njerëzor, duhet
që ushqimi të jetë i papranueshëm për t'u përdorur, sipas përcaktimit të tij, për
konsum njerëzor, për arsye kontaminimi, të pranisë së lëndëve të huaja, të prishjes ose kalbëzimit.
4. Kur ushqimi, që përcaktohet i pasigurt, është pjesë e një pakoje, pjesë e një pjese të
ngarkesës ose e ngarkesës së plotë të një ushqimi të së njëjtës kategori ose përshkrim,
atëherë do të pranohet se i gjithë ushqimi i pakos, i pjesës së ngarkesës ose i
ngarkesës së plotë është, gjithashtu, i pasigurt, vetëm nëse, pas kryerjes së analizave laboratorike, provohet e kundërta.

Neni 12
Vlerësimi i sigurisë ushqimore

1. Një ushqim është i dëmshëm për shëndetin e njerëzve nëse ai përmban:
a) mikroorganizma ose parazitë të dëmshëm për shëndetin e njerëzve, toksina
bakteriale, mykotoksina, substanca histaminike ose të ngjashme me to dhe
mikroorganizma apo parazitë në sasi më të mëdha se ato të lejuara nga standardet e miratuara;
b) toksina ose substanca natyrore toksike në sasi më të mëdha nga ato të lejuara;
c) mbetje të pesticideve, medikamenteve veterinare, metale dhe substanca të tjera, të
dëmshme për shëndetin e njerëzve, në sasi më të mëdha se ato të lejuara;
ç) aditivë ushqimorë, të cilët nuk mund të përdoren në disa kategori ushqimesh ose
kur sasia e aditivëve të pranishëm në ushqim është më e madhe se ajo e lejuar;
d) elemente radioaktive mbi normat e lejuara;
dh) materiale paketuese, që përmbajnë mikroorganizma ose substanca të tjera, që
mund të ndikojnë në rritjen e përmbajtjes së substancave të dëmshme për shëndetin e njerëzve.
2. Një ushqim është i papërshtatshëm për konsum njerëzor nëse:
a) karakteristikat e tij ndryshohen për shkak të trajtimit fizik, kimik apo mikrobiologjik;
b) përmban substanca ose lëndë të para, të cilat nuk janë verifikuar dhe vlerësuar nga
ana toksikologjike dhe nuk janë të sigurta për konsum publik;
c) përmban papastërti dhe përzierje, të cilat mund të jenë të dëmshme për shëndetin e njerëzve.

Neni 13
Masat kufizuese

Masat kufizuese për nxjerrjen në treg të ushqimeve ose ushqimeve për kafshë, si dhe
heqjen e tyre nga tregu, nëse ka dyshime të argumentuara shkencërisht se ushqimi ose
ushqimi për kafshë është i pasigurt, përcaktohen, për çdo rast, me urdhër të Ministrit
të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.


KREU IV
IMPORTI DHE EKSPORTI I USHQIMEVE


Neni 14
Importi

1. Ushqimi i importuar në Republikën e Shqipërisë nxirret në treg kur plotëson
kërkesat e këtij ligji dhe të legjislacionit në fuqi.
2. Në rastin e marrëveshjeve të veçanta ndërko mbëtare ndërmjet Republikës së
Shqipërisë dhe vendit eksportues, ushqimi i importuar në Republikën e Shqipërisë
nxirret në treg kur plotëson kërkesat e përcaktuara në këto marrëveshje.

Neni 15
Eksporti

1. Ushqimi i eksportuar nga Republika e Shqipërisë për nxjerrjen në treg në vendin ku
eksportohet ose rieksportohet, duhet të plotësojë kërkesat e legjislacionit shqiptar për
ushqimin, si dhe ato të vendit importues.
2. Në rastin e marrëveshjeve të veçanta ndërkombëtare ndërmjet Republikës së
Shqipërisë dhe vendit importues, ushqimi i eksportuar nga Republika e Shqipërisë
duhet të plotësojë kërkesat e përcaktuara në këto marrëveshje.

Neni 16
Mbikëqyrja e sigurisë së ushqimeve të importit

1. Kontrolli i përputhshmërisë së dokumentacionit shoqërues, sipas nenit 18 të këtij
ligji, të ngarkesave të ushqimeve me origjinë shtazore të importuara me kërkesat e
legjislacionit shqiptar kryhet në pikat e inspektimit kufitar nga inspektorët veterinarë
të sigurisë ushqimore të kufirit. Kur vërehen mangësi në dokumentacion, malli bllokohet.
2. Kontrolli i sigurisë së ushqimeve të importuara kryhet në pikat e inspektimit
kufitar. Gjatë kontrolleve merren mostra për analizim. Kontrollet, marrja e mostrave
dhe analizimi i tyre bëhen sipas kritereve të hartuara nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
3. Pikat e inspektimit kufitar për ushqimet përcaktohen me urdhër të Ministrit të
Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Neni 17
Kontrolli në doganë i ushqimeve të importuara

1. Autoritetet doganore kryejnë procedurat doganore për ngarkesat ushqimore, pasi
inspektorët e ushqimit dhe të ushqimit për kafshë, në pikat e inspektimit kufitar, kanë dhënë miratimin.
2. Ngarkesa e ushqimeve, për të cilën ka dyshime, duhet të mbahet në ruajtje, brenda
standardeve të lejuara, në magazinat doganore derisa të kryhen procedura e
përcaktimit të sigurisë së tyre dhe procedura doganore.
3. Inspektori i ushqimit dhe ushqimit për kafshë, në pikat e inspektimit kufitar, për të
verifikuar sigurinë e ushqimit të importuar, ka të drejtë të marrë mostra pa pagesë dhe
t'i dërgojë ato në laboratorët e autorizuar për kryerjen e analizave, në bazë të planit të
hartuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe të miratuar nga Ministri i Bujqësisë,
Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Rregullat e marrjes së mostrave
përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
4. Shpenzimet për marrjen e mostrave dhe për kryerjen e analizave laboratorike
përballohen nga importuesi. Tarifat përcaktohen me udhëzim të përbashkët të
Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Ministrit të Financave.

Neni 18
Certifikatat e importit

1. Ngarkesa e ushqimit të importuar shoqërohet me certifikatë, në përputhje me
kërkesat ndërkombëtare, për sigurinë e ushqimit që importohet.
2. Për ushqimin që importohet, certifikatat e sigurisë së ngarkesave mund të njihen në
mbështetje të marrëveshjeve dypalëshe dhe shumëpalëshe, të lëshuara nga autoriteti kompetent i vendit eksportues.
3. Në rast se nuk ka marrëveshje, sipas pikës 2 të këtij neni, njohja e certifikatave dhe
dokumenteve të tjera kryhet me urdhër të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe
Mbrojtjes së Konsumatorit, me propozimin e Autoriteti Kombëtar të Ushqimit.
4. Certifikatat dhe dokumentet e tjera të sigurisë duhet të jenë në gjuhën shqipe dhe në gjuhën e vendit prej nga ato vijnë.


KREU V
“LICENCIMI DHE REGJISTRIMI I STABILIMENTEVE”.


Neni 19
Licencimi dhe regjistrimi i operatorëve, i stabilimenteve ushqimore

1. Veprimtaritë e prodhimit primar, të përpunimit, magazinimit, ruajtjes,
transportit, tregtimit me shumicë apo pakicë, përfshirë edhe në hapësira të lëvizshme
dhe/ose të përkohshme, të përcaktuara në këtë ligj, përfshihen në kategorinë II.1 të
shtojcës së ligjit për licencat. Licencimi i këtyre veprimtarive, për çdo operator e përçdo stabiliment, bëhet sipas ligjit për licencat.
2. Çdo stabiliment, për të cilin është marrë licenca, identifikohet në bazë të
numrit që ka në regjistrin e posaçëm, të krijuar për këtë qëllim në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
3. Operatorët janë të detyruar, që për ushqimin apo ushqim për kafshë, që ata
prodhojnë, të shënojnë në etiketë dhe/ose në dokumentacionin shoqërues numrin e regjistrit.
4. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit pezullon përkohësisht apo i propozon ministrit revokimin e licencës, me kërkesë të operatorëve të biznesit ushqimor apo në rast se gjatë kontrollit rezulton se nuk plotësohen kërkesat tekniko-teknologjike, higjieno-sanitare, fitosanitare apo veterinare, sipas këtij ligji.

“Neni 20
Ndalimi i veprimtarisë së operatorëve të biznesit ushqimor
Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit mund të pezullojë
dhe/apo revokojë licencën, në përputhje me nenin 19 të këtij ligji, në rastet kur ka një
rrezik serioz për shëndetin publik dhe është e nevojshme e urgjente marrja e masave parandaluese.”.

“Neni 21
Tarifat për procedurën e licencimit
1. Tarifat e licencimit të stabilimenteve dhe mënyra e shpërndarjes së të
ardhurave prej tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Tarifa përballohet nga aplikuesi.”.
Në nenet 28, 29 dhe 54 fjala “leje” zëvendësohet me fjalën “autorizim” dhe ky
zëvendësim bëhet në të gjitha nenet e ligjit, për të njëjtin përdorim të fjalës “leje” si në këto nene.


KREU VI
PËRGJEGJËSITË E OPERATORËVE TË BIZNESIT USHQIMOR


Neni 22
Përgjegjësia për higjienën dhe sigurinë e ushqimeve

Operatorët e biznesit ushqimor mbajnë përgjegjësi për çdo dëmtim të shëndetit të
njerëzve, të shkaktuar nga konsumi i ushqimit të rezultuar i pasigurt, në të gjitha fazat
e prodhimit, të përpunimit dhe shpërndarjes.

Neni 23
Kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të higjienës së ushqimeve

1. Operatorët e biznesit ushqimor të prodhimit primar duhet të sigurojnë zbatimin
sistematik të kushteve të përgjithshme dhe të veçanta të higjienës së ushqimeve. Këto
kushte përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
2. Operatorët e biznesit ushqimor, në të gjitha fazat e prodhimit, të përpunimit dhe të
shpërndarjes së ushqimit, sigurojnë zbatimin sistematik të kushteve të përgjithshme
dhe të veçanta të higjienës së ushqimeve, të cilat përcaktohen me udhëzim të Ministrit
të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
3. Operatorët e biznesit ushqimor në tregun me shumicë duhet të zbatojnë kërkesat
higjienike të veçanta, të cilat përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit
4. Operatorët e biznesit ushqimor që përgatisin, përpunojnë, trajtojnë dhe ruajnë në
frigorifer ushqimin, në mjedise të tregtisë me pakicë, duhet të sigurojnë zbatimin
sistematik të kërkesave higjienike të veçanta, të cilat përcaktohen me udhëzim të
Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Neni 24
Përgjegjësitë për ushqimet që nuk plotësojnë kërkesat

1. Nëse një operator i biznesit ushqimor vlerëson se një ushqim, të cilin ai e ka
importuar, prodhuar, përpunuar, shpërndarë apo nxjerrë në treg, nuk është në
përputhje me kërkesat e sigurisë ushqimore apo dëmton shëndetin e njerëzve, ai
menjëherë fillon procedurat për heqjen e ushqimit në fjalë nga tregu dhe vë në dijeni
AKU-në dhe Ministrin e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
2. Kur ushqimi është blerë nga konsumatori, operatori duhet të njoftojë, në mënyrë
efektive dhe të përshtatshme , konsumatorin për arsyet e heqjes nga tregu të ushqimit
dhe, nëse është e nevojshme, i kërkon kthimin e ushqimit të blerë, kur masat e tjera
nuk janë të mjaftueshme, për një nivel të lartë të mbrojtjes së shëndetit.
3. Operatori i biznesit ushqimor, përgjegjës për veprimtarinë e shitjes me pakicë ose
të shpërndarjes, veprimtaria e të cilit nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë në paketimin,
etiketimin, sigurimin dhe integritetin e ushqimit, fillon, sapo merr njoftim apo
vendimin përkatës, procedurën e heqjes nga tregu të ushqimit, që nuk plotëson kërkesat e sigurisë ushqimore.
4. Operatori i biznesit ushqimor duhet t'u japë AKU-së dhe Ministrit të Bujqësisë,
Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit informacionin e nevojshëm për gjurmueshmërinë e ushqimit.
5. Operatori i biznesit ushqimor duhet të bashkëpunojë dhe nuk duhet të ndalojë asnjë
person tjetër për të bashkëpunuar me AKU-në dhe Ministrin e Bujqësisë, Ushqimit
dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, në marrjen e masave për reduktimin e riskut të ardhur
nga ushqimet, me të cilat ata furnizojnë ose kanë furnizuar tregun.

Neni 25
Kërkesat për gjurmueshmërinë e ushqimeve

1. Gjurmueshmëria përcaktohet në të gjitha nivelet e prodhimit, të përpunimit dhe të
shpërndarjes së ushqimit, të lëndëve të para, me origjinë bimore ose shtazore, kafshët,
që prodhojnë ushqim ose kafshët e përdorura në prodhimin e ushqimeve, përfshirë
gjurmimin e çdo substance tjetër, të përcaktuar për të bashkëvepruar ose që ka bashkëvepruar me ushqimin.
2. Operatorët e biznesit ushqimor krijojnë një sistem për mbajtjen e të dhënave, të
quajtur bazë të dhënash dhe garantojnë procedurat, të cilat mundësojnë identifikimin e
tyre në çdo çast. Nëpërmjet këtyre të dhënave bëhet identifikimi i çdo personi fizik
apo juridik, që i ka furnizuar ata me ushqime, me kafshë që prodhojnë ushqime,
kafshë të përdorura për prodhimin e ushqimeve ose me çdo substancë tjetër, të
përcaktuar për prodhimin apo që pritet të përdoret për prodhimin e ushqimit.
3. Operatorët e biznesit ushqimor e ruajnë informacionin e përmendur në pikën 2 të
këtij neni për tre vjet dhe ia japin këtë informacion AKU-së dhe Ministrit të
Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit me kërkesë të tyre.
4. Ushqimi i nxjerrë në treg ose që mund të nxirret në treg duhet të etiketohet dhe të
identifikohet nëpërmjet dokumenteve dhe çdo lloj informacioni tjetër, për të siguruar
gjurmueshmërinë. Kërkesat për gjurmueshmërinë përcaktohen me vendim të Këshillit
të Ministrave, me propozimin e Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Neni 26
Kërkesat për sistemin e vetëkontrollit

1. Operatori i biznesit ushqimor, me përjashtim të prodhimit primar, siguron kontroll
të rregullt të kushteve higjienike të prodhimit, në çdo objekt, nëpërmjet zbatimit të
procedurave parandaluese të sistemit të vetëkontrollit, sipas parimeve të sistemit të
analizës së riskut dhe pikave kritike të kontrollit (më poshtë HACCP), duke:
a) identifikuar të gjithë dëmtuesit, të cilët mund të parandalohen, eliminohen ose reduktohen në një nivel të pranueshëm;
b) identifikuar pikat kritike të kontrollit;
c) përcaktuar limitet kritike në pikat kritike të kontrollit;
ç) përcaktuar procedurat efektive të monitorimit sistematik të pikave kritike të kontrollit;
d) përcaktuar veprimet korrigjuese, kur sistemi i monitorimit paralajmëron se pika kritike e kontrollit nuk është nën kontroll;
dh) përcaktuar nëse procedurat e verifikimit të masave, të përcaktuara në shkronjat "a" deri në "d" të kësaj pike, janë efektive;
e) mbajtur dokumente dhe regjistra të përshtatshëm për identifikimin e zbatimit
efektiv të masave të përcaktuara në shkronjat "a" deri në "dh" të kësaj pike.
2. Operatori i biznesit ushqimor, në nivelin primar të prodhimit, përcakton dhe vë në
zbatim kontrollin e rregullt të kushteve higjienike të prodhimit në çdo objekt që ka
nën kontroll, nëpërmjet zbatimit të procedurave parandaluese të vetëkontrollit, sipas modelit të praktikave të mira të prodhimit.
3. Verifikimi fillestar i përshtatshmërisë së planeve të HACCP-së, për objektet e
përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, kryhet nga AKU-ja.
4. Në rast se rezultatet e vetëkontrollit, të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, tregojnë
ekzistencën e rreziqeve shëndetësore për njerëzit, atëherë vlerësohet se ushqimi nuk
plotëson kërkesat e sigurisë ushqimore dhe operatori i biznesit ushqimor merr masat e përcaktuara në nenin 24 të këtij ligji.
5. Kushtet për zbatimin e sistemit të vetëkontrollit në objektet e përmendura në pikat
1 e 2 të këtij neni përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
6. Operatori i biznesit ushqimor mban dokumentacion për zbatimin e sistemit të
vetëkontrollit dhe e përditëson atë. Me kërkesën e AKU-së dhe Ministrit të Bujqësisë,
Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, operatori jep të dhëna për përputhjen e
veprimtarisë së tij me kërkesat e përcaktuara në pikat 1 e 2 të këtij neni.
7. Përjashtime nga zbatimi i sistemit të vetëkontrollit, sipas pikës 1 të këtij neni,
bëhen për operatorë të veçantë të biznesit ushqimor, veçanërisht për operatorë të
vegjël, kategori të veçanta operatorësh, në shitjen me pakicë dhe të prodhimit të
produkteve tradicionale, me urdhër të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes
së Konsumatorit, nëse garantohet arritja e një niveli të pranueshëm higjienik në
zbatimin e sistemit të procedurave të vetëkontrollit, sipas praktikave të mira të prodhimit.


KREU VII
USHQIMET E REJA

Neni 27
Kategoritë e ushqimeve të reja

1. Vlerësohen pjesë e ushqimeve të reja kategoritë e mëposhtme:
a) ushqimi dhe përbërësit ushqimorë, të cilët përmbajnë ose përbëhen nga organizma
të modifikuar gjenetikisht (më poshtë OMGJ);
b) ushqimi dhe përbërësit ushqimorë, duke përjashtuar ushqimet shtesë (aromatizuesit
dhe enzimat) të prodhuara dhe që nuk përmbajnë OMGJ;
c) ushqimi dhe përbërësit ushqimorë me strukturë molekulare parësore, të re ose të modifikuar qëllimisht;
ç) ushqimi dhe përbërësit ushqimorë, që përbëhen nga mikroorganizma, kërpudha, alga ose që janë të izoluara prej tyre;
d) ushqimi dhe përbërësit ushqimorë, me origjinë bimore apo shtazore, materiale
minerale, sintetike ose që janë të izoluara prej tyre, duke përjashtuar ushqimet dhe
përbërësit ushqimorë, të cilët janë përftuar në mënyrë tradicionale riprodhimi dhe që,
për një kohë të gjatë, është vërejtur se janë të sigurta për konsum.
dh) ushqimi dhe përbërësit ushqimorë, për të cilët është zbatuar një proces prodhimi
jobashkëkohor, që shkakton ndryshime të rëndësishme në përbërjen, strukturën dhe
përbërësit ushqimorë e që ndikon në vlerat ushqyese, në metabolizmin ose në nivelin e substancave të padëshiruara.
2. Vlerësohen pjesë të ushqimeve të reja, përveç atyre të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, edhe kategoritë e ushqimeve, që janë:
a) plotësisht ose pjesërisht me lëndë të para të reja;
b) me përbërje bazë të ndryshuar;
c) prodhuar me teknologji prodhimi, që ndryshon nga të mëparshmet.
3. Kategoritë e ushqimeve të reja, të përcaktuara në pikat 1 e 2 të këtij neni, nuk duhet:
a) të dëmtojnë shëndetin e njerëzve;
b) të mashtrojnë konsumatorin;
c) të ndryshojnë nga ushqimet dhe përbërësit ushqimorë, që janë përcaktuar të
zëvendësojnë në atë masë, që konsumimi normal i tyre të përbëjë disavantazh ushqimor për konsumatorin.
4. Dispozitat e këtij ligji dhe rregulloret e përmendura në pikën 5 të këtij neni
zbatohen në kategoritë e ushqimeve të reja, të përcaktuara në shkronjat "a" e "b" të pikave 1 e 2 të këtij neni.
5. Rregulloret e veçanta të ushqimeve të reja përcaktohen me vendim të Këshillit të
Ministrave, me propozimin e Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Neni 28
Nxjerrja në treg e ushqimeve të reja

1. Për nxjerrjen në treg të ushqimeve të reja në Republikën e Shqipërisë, aplikuesi
duhet të marrë autorizim nga Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së
Konsumatorit, pas dhënies së mendimit paraprak shkencor të AKU-së.
2. Kushtet dhe procedurat për dhënien e autorizimit, sipas pikës 1 të këtij neni,
përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Neni 29
Regjistri për autorizimet e dhëna për nxjerrjen e ushqimeve të reja në treg

1. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit mban regjistrin për
autorizimet e dhëna për nxjerrjen e ushqimeve të reja në treg.
2. Përmbajtja, forma dhe mënyra e mbajtjes së regjistrit, sipas pikës 1 të këtij neni,
përcaktohen me urdhër të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Neni 30
Ndalimi i nxjerrjes së ushqimeve të reja në treg

1. Nëse ka ndonjë mospërputhje shkencore për efektin e dëmshëm të ushqimeve të
reja në shëndetin e njerëzve, veçanërisht të ushqimit dhe të përbërësve të ushqimit, të
cilat përmbajnë organizma të modifikuar gjenetikisht ose që përbëhen nga ta, Ministri
i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ndalon përkohësisht nxjerrjen e
një ushqimi të tillë në treg, për parandalimin ose zvogëlimin e mundësisë së
ndikimeve negative në shëndetin e njerëzve.
2. Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ndalon nxjerrjen e
ushqimeve të reja në treg, veçanërisht të ushqimit dhe të përbërësve ushqimorë, të
cilët përmbajnë organizma të modifikuar gjenetikisht ose që përbëhen nga ta, nëse,
bazuar në vlerësimin e një rreziku shkencor, janë vlerësuar të dëmshme për shëndetin e njerëzve.
3. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe
Mbrojtjes së Konsumatorit ndalon, përkohësisht ose përgjithmonë, importin e
ushqimeve të reja, që përmbajnë organizma të modifikuar gjenetikisht, kur nuk ka
informacion shkencor dhe njohuri për pasojat negative të mundshme për jetën dhe shëndetin e njerëzve.

Neni 31
Asgjësimi i ushqimeve të reja të pasigurta

Ushqimet e reja, veçanërisht ushqimet dhe përbërësit ushqimorë, të cilët përmbajnë
organizma të modifikuar gjenetikisht ose që përbëhen nga ta, që nuk plotësojnë
kërkesat e sigurisë, të parashikuara nga ky ligj, asgjësohen. Procedurat e asgjësimit të
ushqimeve të reja përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e
Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe të Ministrit të
Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave.


KREU VIII
PËRCAKTIMI I ORIGJINËS DHE I TREGUESVE GJEOGRAFIKË TË
USHQIMEVE


Neni 32
Përcaktimi i origjinës dhe i treguesve gjeografikë të ushqimeve

1. Përcaktimi i origjinës së ushqimit përmban emrin e rajonit, vendin specifik ose, në
raste të veçanta, emrin e vendit të përdorur, për të përshkruar ushqimin:
a) i cili vjen nga ky rajon, vend specifik ose nga vendi i përdorimit;
b) cilësia dhe karakteristikat e të cilit janë rrjedhojë e ndikimit të faktorëve natyrorë
dhe njerëzorë të një mjedisi gjeografik specifik, si dhe prodhimi, përpunimi dhe
përgatitja e tij kryhen në këtë mjedis gjeografik.
2. Tregues gjeografikë vlerësohen emri i rajonit, vendi specifik ose, në raste të
veçanta, emri i vendit të përdorur për të përshkruar ushqimin, i cili:
a) vjen nga ky rajon, vend specifik ose nga vendi i përdorimit;
b) ka cilësi të veçanta, reputacion ose disa karakteristika të tjera, që janë atribute të
origjinës gjeografike të tij dhe prodhimi, përpunimi e përgatitja e tij kryhen në këtë mjedis gjeografik.
3. Ushqimet me origjinë të përcaktuar, tregues gjeografikë të përcaktuar, si dhe
metodat e kontrollit të tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me
propozimin e Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.



KREU IX
TREGUESI "PRODUKT USHQIMOR TRADICIONAL" I USHQIMIT


Neni 33
Treguesi "Produkt ushqimor tradicional" i ushqimit

1. Ushqimi pajiset me treguesin "Produkt ushqimor tradicional", nëse është prodhuar
nëpërmjet përdorimit të materialeve të papërpunuara tradicionale, ka një përbërje
tradicionale, është prodhuar ose përpunuar në mënyrë tradicionale dhe dallohet për
karakteristika të veçanta nga ushqimet e së njëjtës kategori. Në etiketë shënohet "Produkt ushqimor tradicional".
2. Produktet ushqimore, sipas pikës 1 të këtij neni, përcaktohen me udhëzim të
Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
3. Prodhuesit e përpunuesit dhe shoqatat e prodhuesve dhe/ose të përpunuesve (më
poshtë shoqatat) kanë të drejtë të aplikojnë për marrjen e treguesit "Produkt ushqimor
tradicional", pavarësisht nga forma ligjore apo përbërja e shoqatës, e cila e prodhon
ose e përpunon këtë ushqim. Aplikuesit duhet të paraqesin kërkesën dhe specifikimin e produktit ushqimor.
4. Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit përcakton, me
udhëzim, kushtet, procedurën për njohjen e karakterit të veçantë të ushqimit,
përmbajtjen e specifikimit dhe emëron një komision për dhënien e treguesit "Produkt
ushqimor tradicional". Përbërja dhe mënyra e funksionimit të këtij komisioni
përcaktohen me urdhër të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Neni 34
Regjistri i produkteve me tregues "Produkt ushqimor tradicional"

1. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit mban një regjistër
të produkteve ushqimore, që i referohen treguesit "Produkt ushqimor tradicional".
2. Përmbajtja, forma dhe mënyra e mbajtjes së regjistrit, sipas pikës 1 të këtij neni,
përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Neni 35
Regjistrimi dhe çregjistrimi i produkteve me treguesin "Produkt ushqimor tradicional"

1. Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit miraton, me urdhër,
vendimin e komisionit për regjistrimin në regjistër të ushqimit me tregues "Produkt ushqimor tradicional".
2. Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, me propozimin e
komisionit, urdhëron me shkrim çregjistrimin nga regjistri të ushqimit me tregues
"Produkt ushqimor tradicional", kur ai nuk plotëson kushtet e përcaktuara në pikën 1 të nenit 33 të këtij ligji.


KREU X
ETIKETIMI DHE PUBLIKIMI I USHQIMIT


Neni 36
Kërkesa të përgjithshme të etiketimit të ushqimit

1. Ushqimi, që nxirret në treg, pajiset me etiketën, ku shënohen:
a) emri i produktit;
b) lista e përbërësve;
c) sasia e përbërësve të veçantë ose e kategorive të përbërësve;
ç) sasia neto, në rastin e ushqimeve të paraambalazhuara;
d) data e jetëgjatësisë minimale ose, në rastin e ushqimeve që nga pikëpamja
mikrobiologjike paraqesin rrezik, shënohet "të përdoret deri më...";
dh) çdo kusht i veçantë i ruajtjes dhe/ose i përdorimit;
e) emri apo emërtimi i biznesit dhe adresa e prodhuesit, ambalazhuesit dhe/ose e tregtarit;
ë) vendi i origjinës;
f) udhëzimet e përdorimit, kur ushqimi nuk mund të përdoret pa të;
g) grada alkoolike për vëllim për pijet, që përmbajnë më shumë se 1,2 për qind të vëllimit alkool;
gj) përmbajtja ose përbërja e OMGJ-ve, si dhe OMGJ-të që përmban.
2. Etiketa duhet të shkruhet në gjuhën shqipe, të jetë e dallueshme, e lexueshme dhe e kuptueshme.
3. Mënyra e etiketimit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me
propozimin e Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Neni 37
Paraqitja dhe reklama e ushqimit

1. Paraqitja e ushqimit dhe e ushqimit për kafshë përfshin formën e tyre, pamjen e
jashtme ose ambalazhimin, materialet paketuese të përdorura, mënyrën, sipas së cilës
ato janë rregulluar dhe mjedisin ku janë paraqitur, si dhe informacionin e vlefshëm rreth tij me çdo mjet informimi.
2. Reklama e ushqimit ose e ushqimit për kafshë bëhet vetëm pasi AKU-ja jep të drejtën e prodhimit dhe të tregtimit të tyre.
3. Mënyra e paketimit, reklamës dhe paraqitjes së ushqimeve përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.


KREU XI
KONTROLLI ZYRTAR I USHQIMEVE


Neni 38
Kontrolli zyrtar i ushqimeve

Kontrolli zyrtar i ushqimeve përfshin një ose më shumë nga veprimtaritë e mëposhtme:
a) inspektimin;
b) marrjen e mostrave dhe kryerjen e analizave;
c) kontrollin e etiketës dhe të dokumentacionit zyrtar;
ç) shqyrtimin e dokumentacionit për gjurmueshmërinë;
d) shqyrtimin e sistemit të vetëkontrollit.
Kontrolli zyrtar kryhet në përputhje me rregullat e parashikuara në ligjin nr. 10 433, datë 16.6.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, përveç kur parashikohet shprehimisht në këtë ligj.”.

Neni 39
Organet përkatëse të kontrollit

Kontrolli zyrtar i ushqimit dhe ushqimit për kafshë bëhet nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.”.

Neni 40
Parimet e përgjithshme të kontrollit zyrtar të ushqimit

1. Kontrolli zyrtar i ushqimit kryhet:
a) rregullisht dhe në përputhje me përparësitë e përcaktuara në skemën e vlerësimit të riskut;
b) kur ka arsye për të besuar se kërkesat e këtij ligji nuk janë plotësuar.
2. Kontrolli kryhet duke përdorur mjete të përshtatshme dhe të kontrollueshme.
3. Kontrolli zyrtar mbulon të gjitha fazat e prodhimit, të përpunimit dhe të shpërndarjes.
4. Kontrolli zyrtar, si rregull, kryhet pa paralajmërim.

Neni 41
Objekti i kontrollit zyrtar të ushqimeve

Kontrolli zyrtar i ushqimeve ka objekt:
1. Vendndodhjen, kushtet dhe gjendjen e stabilimentit, planimetrinë e prodhimit,
zyrat, mjedisin, mjetet e transportit, të përdorura në biznesin ushqimor, veçanërisht
kushtet e përcaktuara në nenet 19 e 20 të këtij ligji.
2. Inspektimin e gjendjes shëndetësore të personelit dhe të higjienës së objekteve, që
janë në kontakt të drejtpërdrejtë me ushqimin.
3. Lëndët e para, ujin, përbërësit, aditivët, shtesat teknologjike dhe substancat e tjera,
të përdorura për përgatitjen dhe prodhimin e ushqimit.
4. Ushqimet gjysmë të gatshme.
5. Ushqimet e gatshme.
6. Pastrimin, substancat pastruese dhe të mirëmbajtjes që përdoren në proceset e prodhimit.
7. Proceset e përdorura për prodhimin ose përpunimin e ushqimeve.
8. Mënyrën e paketimit, materialet paketuese dhe ato në kontakt me ushqimin.
9. Etiketimin dhe dokumentet shoqëruese të ushqimeve.
10. Përcaktimin e origjinës, të treguesve gjeografikë të mbrojtur dhe treguesin
"Produkt ushqimor tradicional".
11. Proceset teknologjike që zbatohen në prodhimin dhe përgatitjen e ushqimeve.
12. Aditivët ushqimorë, materialet në kontakt me ushqimin, kontaminuesit ushqimorë,
si dhe substancat pastruese përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Neni 42
Marrja e mostrave për analizat laboratorike

1. Për qëllim të kontrollit zyrtar të ushqimeve merren mostra të materialeve të
papërpunuara të përbërësve, shtesave teknologjike dhe të substancave të tjera, të
përdorura për përgatitjen dhe prodhimin e ushqimeve, ushqimeve gjysmë të gatshme,
ushqimeve të gatshme, materialeve në kontakt me ushqimet, përfshirë substancat që
përdoren për pastrimin dhe mirëmbajtjen në biznesin ushqimor.
2. Operatorët e biznesit ushqimor lejojnë marrjen e sasive të nevojshme të mostrave
pa pagesë për kryerjen e analizave, sipas përcaktimit të pikës 1 të këtij neni.
3. Procedurat e marrjes së mostrave përcaktohen me urdhër të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Neni 43
Masat e përgjithshme të administrimit të kontrollit zyrtar të ushqimeve

1. Inspektori i kontrolli të ushqimit dhe i ushqimit për kafshë ka të drejtë të hyjë, të
kontrollojë dhe të fotografojë shkeljet e konstatuara në stabilimentin ushqimor ose në
çdo ndërtesë tjetër ku ushqimi prodhohet, përpunohet dhe shpërndahet, me përjashtim të vendeve të banimit.
2. Kur inspektori i kontrollit të ushqimit dhe ushqimit për kafshë, gjatë kontrollit
zyrtar, zbulon ose ka arsye për të dyshuar për një shkelje të dispozitave të këtij ligji,
merr masat e nevojshme për t'u siguruar që shkelja do të korrigjohet nga operatori i biznesit ushqimor.
3. Pronari, poseduesi, personi përgjegjës, i punësuari në stabiliment, që ndodhen në
stabiliment në çastin e kontrollit, duhet të japin informacionin dhe ndihmesën e
kërkuar nga inspektori i ushqimit dhe ushqimit për kafshë.
4. Inspektori i ushqimit dhe ushqimit për kafshë nuk pengohet në kryerjen e detyrave të tij.
5. Personave të përcaktuar në pikën 3 të këtij neni nuk u lejohet të marrin asnjë masë
të përcaktuar në këtë ligj, për korrigjimin e parregullsive, pa miratim me shkrim të inspektorit.
6. Inspektori i ushqimit dhe ushqimit për kafshë kryen kontroll zyrtar, në përputhje
me detyrat dhe përgjegjësitë e përcaktuara në këtë ligj dhe në ligje të tjera të veçanta në fushën e ushqimit.
7. Detyrat, përgjegjësitë e Inspektoratit të Kontrollit të Ushqimit dhe Ushqimit për
Kafshë, programi vjetor i inspektimeve dhe raportimi përcaktohen me udhëzim të
Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.


KREU XII
LABORATORËT E AUTORIZUAR TË KONTROLLIT DHE LABORATORËT E
REFERENCËS


Neni 44
Laboratorët e autorizuar të kontrollit

1. Analizat laboratorike të mostrave, sipas neneve 17 e 40 të këtij ligji, të marra për
kryerjen e kontrollit zyrtar të ushqimit, bëhen në laboratorët e autorizuar nga Ministri
i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
2. Inspektori i kontrollit të ushqimit dhe ushqimit për kafshë i dërgon mostrat e marra
në një laborator të autorizuar kontrolli për kryerjen e kontrollit zyrtar.
3. Tarifa e analizave të kryera, për ushqimet e prodhuara në Republikën e Shqipërisë,
mbulohet nga AKU-ja. Kur ushqimi nuk përmbush kërkesat e detyrueshme, të
bazuara në këtë ligj, si edhe/ose informacionin e specifikuar mbi etiketë, tarifat
paguhen nga operatori i biznesit ushqimor, që e prodhon dhe/ose e nxjerr në treg ushqimin.
4. Lista e laboratorëve të autorizuar të kontrollit, ku përcaktohet tipi i laboratorit dhe
analizat, që janë të autorizuar të kryejnë, miratohet me urdhër të Ministrit të
Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe botohet në Fletoren Zyrtare një herë në vit.

Neni 45
Veprimtaritë e laboratorëve të autorizuar të kontrollit

1. Laboratorët e autorizuar të kontrollit kryejnë:
a) veprimtaritë bazë;
b) veprimtaritë e specializuara;
c) veprimtaritë e specializuara për të lëshuar certifikata ndërkombëtare.
2. Laboratorët e autorizuar të kontrollit, për të kryer veprimtari bazë, duhet të
plotësojnë kushtet e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin
e Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
3. Laboratorët e autorizuar të kontrollit, për kryerjen e veprimtarive të specializuara,
duhet të përmbushin kushtet e përcaktuara në praktikat e mira laboratorike.
4. Laboratorët e autorizuar të kontrollit, që kryejnë veprimtari të specializuara, për të
lëshuar certifikata ndërkombëtare, duhet të akreditohen nga një institucion i pavarur.
Akreditimi, vlerësimi dhe autorizimi i laboratorëve të analizave mund të bëhen për
analiza të veçanta ose për një grup analizash dhe për lloje të veçanta ushqimesh.
5. Me urdhër të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit mund
të përcaktohen kushte të veçanta, që duhet të përmbushin laboratorët e analizave, të
përcaktuara në shkronjat "b" dhe "c" të pikës 1 të këtij neni.
6. Procedurat e kategorizimit, vlerësimit dhe autorizimit të laboratorëve të kontrollit,
sipas pikës 1 të këtij neni, përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
7. Laboratorët e autorizuar të kontrollit u nënshtrohen programeve të përshtatshme të testimit.

Neni 46
Laboratorët e referencës

1. Laboratorët e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe të Veterinarisë janë laboratorë
reference, për çdo analizë të kryer, për kontrollin zyrtar të sigurisë së ushqimeve. Një
laborator mund të jetë laborator reference për një ose me shumë analiza.
2. Laboratorët e referencës duhet të akreditohen nga një institucion i pavarur.
3. Laboratorët e referencës duhet:
a) të bëjnë vlerësimin e laboratorëve të autorizuar nëse janë të aftë për kryerjen e
analizave, të kontrolleve zyrtare, vlerësim i cili shërben për pajisjen e tyre me
autorizim nga Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit;
b) të bashkërendojnë punën dhe të ofrojnë mbështetje, përfshirë trajnime dhe
shërbime të tjera për veprimtaritë laboratorike, për standardet teknike dhe metodat e analizave që kryejnë;
c) të organizojnë teste paralele të mostrave të standardizuara dhe të marrin pjesë në to
në nivel kombëtar e ndërkombëtar për monitorimin e kualifikimit të laboratorëve të autorizuar të kontrollit;
ç) të garantojnë se laboratorët e autorizuar përdorin sistemin e tyre të brendshëm të menaxhimit të cilësisë.
4. Lista e laboratorëve të referencës, ku specifikohen analizat, që ata janë të autorizuar
të kryejnë, botohet në Fletoren Zyrtare një herë në vit.


KREU XIII
MENAXHIMI I KRIZAVE DHE I EMERGJENCAVE


Neni 47
Masat urgjente për garantimin e sigurisë ushqimore

1. Kur vërehet se ushqimi paraqet një rrezik serioz për shëndetin e njerëzve ose për
mjedisin dhe se një rrezik i tillë nuk mund të eliminohet, me propozimin e AKU-së,
në varësi të shkallës së vështi rësisë së gjendjes, Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe
Mbrojtjes së Konsumatorit urdhëron marrjen e masave, sipas pikave 2 dhe 3 të këtij neni.
2. Nëse ushqimi është prodhuar në vend, merren këto masa:
a) ndalimi i përkohshëm i hedhjes në treg ose i përdorimit të ushqimit;
b) përcaktimi i kushteve të veçanta për ushqime specifike;
c) eliminimi i ushqimeve, pa shkaktuar dëme;
ç) masa të tjera të përkohshme dhe të përshtatshme.
3. Nëse ushqimi është i importuar, merren këto masa:
a) ndalimi i përkohshëm i importit të ushqimit nga vendet eksportuese ose nga pjesë të
vendit eksportues ose të vendeve transit;
b) përcaktimi i masave të veçanta për ushqime specifike nga vendet eksportuese, pjesë
të vendeve eksportuese ose nga vendet transit;
c) eliminimi i ushqimeve pa shkaktuar dëme;
ç) masa të tjera të përkohshme dhe të përshtatshme.

Neni 48
Plani i përgjithshëm për menaxhimin e krizave

1. AKU-ja, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së
Konsumatorit, harton një plan të përgjithshëm për trajtimin e krizave në fushën e sigurisë ushqimore.
2. Ky plan miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe përcakton:
a) llojet e riskut, me origjinë ushqimore, të cilat mund të rrezikojnë, drejtpërdrejt ose
tërthorazi, shëndetin e njerëzve e që nuk mund të eliminohen apo reduktohen deri në
një nivel të pranueshëm, nëpërmjet zbatimit të dispozitave, të parashikuara në këtë ligj;
b) procedurat praktike thelbësore për trajtimin e një krize;
c) ngritjen e një njësie për menaxhimin e krizave pranë AKU-së.
Kjo njësi përcakton strategjinë e komunikimit në rastet e krizave ndërmjet Ministrisë
së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe AKU-së, institucioneve të
tjera përgjegjëse, konsumatorit dhe operatorëve të biznesit të ushqimit dhe të ushqimit për kafshë.


KREU XIV
USHQIMI PËR KAFSHËT


Neni 49
Kërkesat e përgjithshme të sigurisë së ushqimeve për kafshë

1. Ushqimi për kafshë nuk nxirret në treg ose nuk përdoret si ushqim për kafshë që
prodhojnë ushqime, nëse nuk është i sigurt.
2. Ushqimi për kafshë nuk është i sigurt për t'u përdorur nëse:
a) ka një efekt të dëmshëm në shëndetin e njerëzve ose të kafshëve;
b) produktet e prodhuara nga kafshët nuk janë të sigurta për konsum njerëzor.
3. Kur një ushqim për kafshë, i identifikuar se nuk plotëson kërkesat e sigurisë
ushqimore për kafshë, është pjesë e një pakoje, pjesë e një pjese të ngarkesës ose e
ngarkesës së plotë të një ushqimi të së njëjtës kategori ose përshkrimi, atëherë i gjithë
ky ushqim nuk është i sigurt, vetëm nëse, pas kryerjes së analizave laboratorike, provohet e kundërta.

Neni 50
Përcaktimi i sigurisë së ushqimeve për kafshë

1. Nëse ka arsye të dyshohet se ushqimi për kafshë nuk është i sigurt, me urdhër të
Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, me propozimin e
AKU-së, merren masa për kufizimin e tregtimit të këtij ushqimi ose heqjen e tij nga tregu.
2. Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit nxjerr udhëzime, ku përcaktohen:
a) kërkesat për sigurinë e ushqimit për kafshë;
b) kushtet higjienike, kur veprohet me ushqimin për kafshë;
c) zbatimi i sistemit të vetëkontrollit në operatorët e biznesit të ushqimit për kafshë,
për garantimin e sigurisë së ushqimit të kafshëve, që nxirret në treg;
ç) kërkesat për punonjësit teknikë, hapësirat dhe pajisjet e laboratorëve për kryerjen e analizave të ushqimit për kafshë;
d) ndalimi ose kufizimi i përdorimit të lëndëve të para të veçanta në prodhimin e
ushqimit për kafshë, të cilat rrjedhin nga burime specifike, kullotat që lidhen me llojin e kafshës dhe me procesin e përpunimit;
dh) kushte të tjera, që lidhen me ushqimin për kafshë dhe që vlerësohen se janë
thelbësore për të garantuar se ushqimi për kafshë i përmbush kërkesat e sigurisë.

Neni 51
Importi dhe eksporti i ushqimit për kafshë

1. Nenet 14 e 15 të këtij ligji zbatohen edhe për importin dhe për eksportin e ushqimit për kafshë në Republikën e Shqipërisë.
2. Importuesi i ushqimit për kafshë i paraqet inspektorit të ushqimit dhe ushqimit për
kafshë në pikat e inspektimit kufitar një kërkesë për kontrollin e kontingjentit të
ushqimit për kafshë që ai ka importuar, për të përcaktuar sigurinë e këtij ushqimi.
3. Autoriteti doganor kryen procedurën doganore për kontingjentin e ushqimit për
kafshë, pasi inspektori i ushqimit dhe ushqimit për kafshë i pikës së inspektimit
kufitar përcakton sigurinë e kontingjentit dhe, me vendim, miraton importin.
4. Autoriteti doganor është i detyruar që, brenda përgjegjësive dhe detyrave të tij, t'i
verë në dispozicion inspektorit të ushqimit dhe ushqimit për kafshë të pikës së kalimit
kufitar të gjithë dokumentacionin dhe ta lejojë të bëjë kontrollin e nevojshëm, për të
vërtetuar përmbushjen e kërkesave të sigurisë së ushqimit për kafshë.
5. Kur për ngarkesën e ushqimit për kafshë ka dyshime, deri në plotësimin e
procedurës së përcaktimit të sigurisë dhe përpara plotësimit të procedurës doganore,
ngarkesa mbahet në ruajtje në magazinat doganore.
6. Inspektori i ushqimit dhe ushqimit për kafshë i pikës së kalimit kufitar, për
verifikimin e sigurisë së ushqimit për kafshë të importuar, ka të drejtë të marrë mostra
dhe t'i analizojë ato në laboratorët e autorizuar.
7. Shpenzimet për analizimin e kontingjentit, lëshimin e formularit zyrtar të vendimit,
sipas pikës 3 të këtij neni dhe shpenzimet e kontrollit laboratorik mbulohen nga importuesi.

“Neni 52
Për licencimin e operatorëve dhe të stabilimenteve të biznesit ushqimor për

kafshë, që prodhojnë ushqim për njerëzit dhe, përkatësisht, regjistrimi i tyre zbatohet në dispozitat e nenit 19 të këtij ligji.”.

Neni 53
Detyrat dhe përgjegjësitë e operatorëve të biznesit të ushqimit për kafshë

Detyrat dhe përgjegjësitë e operatorëve të biznesit të ushqimit për kafshë duhet të jenë
në përputhje me detyrat dhe përgjegjësitë e përcaktuara në kreun VI të këtij ligji për:
a) higjienën dhe sigurinë e ushqimit për kafshë;
b) procedurat e nevojshme që duhet të ndërmerren, nëse ushqimi për kafshë nuk përmbush kërkesat e sigurisë;
c) futjen e sistemit të vetëkontrollit në stabilimentet e biznesit të ushqimit për kafshë;
ç) futjen e një sistemi, që mundëson gjurmueshmërinë e ushqimit për kafshë.

Neni 54
Hedhja në treg e ushqimit për kafshë, që ka në përbërje ose në përmbajtje OMGJ

1. Aplikuesi, për nxjerrjen për herë të parë në treg të ushqimit për kafshë dhe të
përbërësve të këtyre ushqimeve, të cilat kanë në përbërje ose përmbajnë OMGJ, duhet
të pajiset me autorizim nga Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së
Konsumatorit, në mbështetje të mendimit shkencor të dhënë më parë nga AKU-ja.
2. Kushtet dhe procedurat për dhënien e autorizimit sipas pikës 1 të këtij neni,
përcaktohen me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe
Mbrojtjes së Konsumatorit dhe të Ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave.
3. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit mban një regjistër
për autorizimet e dhëna për nxjerrjen në treg të ushqimit për kafshë dhe të përbërësve
të tyre, të cilët kanë në përbërje ose përmbajnë OMGJ.
4. Përmbajtja dhe mënyra e mbajtjes së regjistrit të përmendur në pikën 3 të këtij neni
përcaktohen me urdhër të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
5. Këshilli i Ministrave, me propozimin e Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe
Mbrojtjes së Konsumatorit, mund të ndalojë, përkohësisht ose përgjithmonë, importin
e ushqimit për kafshë, që përmban organizma të modifikuar gjenetikisht, nëse nuk ka
informacion shkencor dhe njohuri të mjaftueshme për ndikimin e mundshëm të
pasojave negative në jetën dhe shëndetin e njerëzve.

Neni 55
Asgjësimi i ushqimeve për kafshë që përmbajnë OMGJ

Ushqimi për kafshë dhe përbërësit e tij, që kanë në përbërje ose përmbajnë OMGJ, që
nuk përputhen me kërkesat e sigurisë, të përcaktuara nga ky ligj, duhen asgjësuar,
sipas legjislacionit për mbrojtjen e mjedisit.

Neni 56
Etiketimi i ushqimit për kafshë

Kërkesat që duhet të plotësohen për etiketimin e ushqimeve të blegtorisë janë si më poshtë:
1. Për ushqimet e ambalazhuara në thasë, në etiketë shënohen:
a) emri dhe adresa e prodhuesit ose e personit përgjegjës për shpërndarjen e ushqimit;
b) numri dhe data e licencës;
c) emri i produktit;
ç) pesha neto e kolisë;
d) emri dhe përbërja në përqindje e të gjithë komponentëve;
dh) specia, grupmosha dhe rendimenti i kafshëve dhe shpendëve, për të cilat destinohet ushqimi përkatës, si dhe dozat e përdorimit;
e) data e prodhimit dhe afati kohor i përdorimit.
2. Për ushqimet në konteinerë, në etiketa shënohet:
a) informacioni, i kërkuar sipas pikës 1, i cili plotësohet në një fletë të veçantë, e cila shoqëron mallin;
b) informacionit në pikën “1.ç” i shtohet vëllimi neto për ushqimet në gjendje të lëngshme.
3. Mënyra e etiketimit të ushqimit për kafshë, përfshirë dhe ato që kanë në përbërje ose përmbajnë OMGJ, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.”.

Neni 57
Kontrolli zyrtar i ushqimit për kafshë

1. Kontrolli zyrtar i ushqimit për kafshë kryhet në përputhje me nenin 38 të këtij ligji.
2. Kontrolli zyrtar i ushqimit për kafshë, përfshirë edhe aditivët e ushqimit për kafshë,
kryhet nga Inspektorati i Kontrollit të Ushqimit dhe Ushqimit për Kafshë dhe përfshin
të gjitha nivelet e prodhimit, të përpunimit e të shpërndarjes.
3. Dispozitat e neneve 40, 41 e 43 të këtij ligji zbatohen edhe për kontrollin zyrtar të ushqimit për kafshë.
4. Detyrat dhe përgjegjësitë e Inspektoratit të Kontrollit të Ushqimit dhe Ushqimit për
Kafshë, si dhe programi vjetor i inspektimeve e mënyra e raportimit përcaktohen me
udhëzim të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Neni 58
Marrja e mostrave për analizimin laboratorik të ushqimit për kafshë

1. Për kryerjen e kontrollit zyrtar të ushqimit për kafshë merren mostra të lëndëve të
para, të përbërësve, shtesave teknologjike dhe substancave të tjera, të përdorura në
përgatitjen dhe prodhimin e ushqimit për kafshë, të materialeve që bien në kontakt të
drejtpërdrejtë me këtë ushqim, përfshirë substancat pastruese dhe materialet e
mirëmbajtjes, të cilat përdoren në biznesin e ushqimit për kafshë.
2. Operatorët e biznesit të ushqimit për kafshë janë të detyruar të lejojnë marrjen e
sasive të nevojshme pa pagesë të mostrave, të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, për qëllime analizash laboratorike.

Neni 59
Laboratorët e autorizuar të kontrollit dhe të referencës

1. Analizat laboratorike të mostrave, të marra për kryerjen e kontrollit zyrtar të
ushqimit për kafshë, sipas nenit 58 të këtij ligji, bëhen nga laboratorë të autorizuar nga
Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
2. Inspektori i kontrollit të ushqimit dhe ushqimit për kafshë është autoriteti zyrtar për
marrjen dhe dërgimin e mostrave në një laborator të autorizuar kontrolli.
3. Tarifa e analizave të kryera për ushqimet për kafshë, të prodhuara në Republikën e
Shqipërisë, mbulohet nga AKU-ja dhe Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes
së Konsumatorit dhe, nëse ushqimi për kafshë nuk përmbush kërkesat e detyrueshme,
të bazuara në këtë ligj dhe/ose në informacionin e specifikuar mbi etiketë, tarifat
mbulohen nga operatori i biznesit të ushqimit për kafshë, që e prodhon dhe/ose e nxjerr në treg këtë ushqim.
4. Lista e laboratorëve të autorizuar të kontrollit, ku përcaktohen tipi i laboratorit dhe
analizat, që ato janë të autorizuar të kryejnë, miratohet me urdhër të Ministrit të
Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe botohet në Fletoren Zyrtare një herë në vit.
5. Për laboratorët e autorizuar të kontrollit, sipas pikës 1 të këtij neni, zbatohet edhe
neni 45 "Veprimtaritë e laboratorëve të autorizuar të kontrollit" të këtij ligji.
6. Laboratorët e Institutit të Sigurisë së Ushqimeve dhe të Veterinarisë janë laboratorë
reference, për çdo analizë të kryer, për qëllim të kontrollit zyrtar të sigurisë së ushqimeve për kafshë.
7. Laboratorët e referencës duhet të akreditohen nga një institucion i pavarur.
8. Trajnojnë dhe certifikojnë inspektorët e kontrollit të ushqimit dhe ushqimit për kafshë.
9. Laboratorët e referencës duhet:
a) të bëjnë vlerësimin e laboratorëve të autorizuar nëse janë të aftë për kryerjen e
analizave, të kontrolleve zyrtare, vlerësim i cili shërben për pajisjen me autorizim nga
Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit;
b) të bashkërendojnë punën dhe të ofrojnë mbështetje, përfshirë trajnime dhe
shërbime të tjera për veprimtaritë laboratorike, për standardet teknike dhe metodat e analizave që kryejnë;
c) të organizojnë teste paralele të mostrave të standardizuara dhe të marrin pjesë në to
në nivel kombëtar e ndërkombëtar, për monitorimin e kualifikimit të laboratorëve të autorizuar të kontrollit;
ç) të garantojnë se laboratorët e autorizuar përdorin sistemin e tyre të brendshëm të menaxhimit të cilësisë.
10. Lista e laboratorëve të referencës, ku specifikohen analizat, që ata janë të
autorizuar të kryejnë, miratohet me urdhër të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe
Mbrojtjes së Konsumatorit dhe botohet në Fletoren Zyrtare një herë në vit.

Neni 60
Trajtimi i krizave dhe i emergjencave

Masat urgjente për garantimin e sigurisë ushqimore dhe plani i përgjithshëm për
menaxhimin e krizave, të përcaktuara në nenet 47 e 48 të këtij ligji, zbatohen edhe për
trajtimin e krizave dhe të emergjencave për garantimin e sigurisë së ushqimit për kafshë.


KREU XV
AUTORITETI KOMBËTAR I USHQIMIT


Neni 61
Parime të përgjithshme

1. Në varësi të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit krijohet Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
2. AKU-ja është person juridik, publik, me seli në Tiranë dhe drejtori rajonale në qarqe.
3. AKU-ja kryen veprimtari inspektuese, teknike dhe shkencore, në përputhje me këtë
ligj dhe ligjet e tjera specifike, për sigurinë dhe cilësinë e ushqimeve dhe të
ushqimeve për kafshë, për shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve, si dhe për mbrojtjen e bimëve.
4. Fondet për krijimin dhe fillimin e punës së AKU-së garantohen nga Buxheti i Shtetit.
5. Fondet për ushtrimin e veprimtarisë së AKU-së përballohen nga:
a) Buxheti i Shtetit;
b) burime të tjera të brendshme ose donacione.
6. AKU-ja, me autorizim të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së
Konsumatorit, ua delegon personave të tjerë juridikë, publikë veprimtarinë, në
përputhje me objektivin e këtij autoriteti.
7. Organizimi dhe funksionimi i AKU-së përcaktohet me vendim të Këshillit të
Ministrave, me propozimin e Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
8. AKU-ja i nënshtrohet kontrollit mbi zbatueshmërinë e dispozitave të legjislacionit ushqimor, me urdhër të ministrit.
9. Rregullorja e brendshme e funksionimit të AKU-së miratohet me urdhër të ministrit.

Neni 62
Fusha e veprimtarisë së AKU-së

I. AKU-ja ka objekt të veprimtarisë analizimin e riskut për ushqimin dhe ushqimin për kafshë.
1. Në kuadër të veprimtarisë së vlerësimit të riskut, AKU-ja:
a) kërkon, grumbullon dhe analizon informacionin shkencor e teknik për të
karakterizuar dhe monitoruar riskun, i cili ka ndikim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë
mbi sigurinë e ushqimit dhe të ushqimit për kafshë;
b) kryen, në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik, Institutin e Sigurisë
Ushqimore dhe të Veterinarisë dhe me persona të tjerë juridikë, monitorimin e
sigurisë së ushqimit dhe të ushqimit për kafshë;
c) kryen veprimtari për identifikimin dhe karakterizimin e riskut, që shfaqet për
sigurinë e ushqimit dhe të ushqimit për kafshë;
ç) bën studime shkencore të nevojshme për promovimin e vlerësimit të riskut në
fushën e sigurisë së ushqimit dhe të ushqimit për kafshë;
d) vendos mënyra unike të vlerësimit të riskut në të gjitha nivelet e prodhimit, të
përpunimit dhe shpërndarjes së ushqimit e të ushqimit për kafshë.
2. Në kuadër të komunikimit të riskut, AKU-ja:
a) informon mbi riskun dhe jep mendimin shkencor për Ministrin e Bujqësisë,
Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, institucionet e tjera publike dhe private,
operatorët e biznesit ushqimor dhe të ushqimit për kafshë dhe konsumatorët, për sa u
përket rreziqeve dhe sigurisë së ushqimit e të ushqimit për kafshë;
b) krijon një sistem informimi të shpejtë dhe, për këtë qëllim, merr e dërgon të gjithë
informacionin për rreziqet e ushqimit, si dhe krijon një sistem qendror për shkëmbimin e informacionit.
3. Në kuadër të menaxhimit të riskut, AKU-ja bashkëpunon me Ministrin e Bujqësisë,
Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për bashkërendimin e veprimtarive të
përcaktuara në pikat 1 e 2 të këtij neni, për kryerjen e kontrollit zyrtar të sigurisë së
ushqimit e të ushqimit për kafshë dhe për hartimin e kuadrit ligjor në fushën e sigurisë
së ushqimit e të ushqimit për kafshë.
II. Krahas veprimtarive të përcaktuara në kreun I të këtij neni, AKU-ja:
1. Përgatit standarde, materiale informuese për praktikat e mira të prodhimit bujqësor,
praktikat e mira të përpunimit, praktikat e mira të higjienës, për aplikimin e sistemit HACCP dhe për praktikat e mira laboratorike.
2. Ofron mendim shkencor për ushqimin, vlerat ushqimore të ushqimit dhe tema të
tjera, që lidhen me shëndetin e mirëqenien e kafshëve, si dhe mbrojtjen e bimëve.
3. Bashkëpunon me institucione dhe organizma ndërkombëtarë, që trajtojnë çështjet e ushqimit.
4. Trajnon dhe certifikon inspektorët e kontrollit të ushqimit dhe ushqimit për kafshë.

Neni 63
Organet përbërëse të AKU-së

Organet përbërëse të AKU-së janë:
a) bordi
b) Drejtori i Përgjithshëm
c) komiteti shkencor dhe panelet shkencore
ç) inspektoratet dhe laboratorët përkatës
d) drejtoritë rajonale.

Neni 64
Struktura, mandati dhe detyrat e bordit

1. Bordi është përgjegjës për të siguruar që AKU-ja kryen misionin dhe përmbush
detyrat e ngarkuara nga ky ligj. Ai përbëhet nga 15 anëtarë si më poshtë:
a) dy përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit;
b) një përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë;
c) një përfaqësues nga Ministria e Financave;
ç) një përfaqësues nga Ministria e Brendshme;
d) një përfaqësues nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave;
dh) një person publik në fushën e medies;
e) Kryetari i Shoqatës së Kryetarëve të Bashkive;
ë) pesë profesorë të fushave të ushqimit, të ushqimit për kafshë, veterinarisë dhe
mbrojtjes së bimëve nga universitetet;
f) një përfaqësues i shoqatës së konsumatorëve;
g) një përfaqësues i shoqatës së agrobiznesit.
2. Funksionet e përfaqësuesve të institucioneve të përfshira në bord, si dhe anëtarët e
përmendur në shkronjat "dh", "ë", "f" dhe "g" caktohen me vendim të Këshillit të
Ministrave, me propozimin e Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
3. Anëtarët e bordit zgjidhen për një mandat 4-vjeçar.
4. Kryetari i bordit propozohet nga anëtarët e bordit dhe emërohet nga Ministri i
Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për një periudhë dyvjeçare.
5. Kriteret e emërimit dhe të shkarkimit, mënyra e funksionimit, të drejtat dhe detyrat
përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 65
Drejtori i Përgjithshëm

1. Drejtori i Përgjithshëm i AKU-së emërohet nga Këshilli i Ministrave, me
propozimin e Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
2. Drejtori i Përgjithshëm drejton veprimtarinë e AKU-së, e përfaqëson atë dhe
vepron në emër të saj. Ai është përgjegjës për ushtrimin e veprimtarisë së AKU-së, në
përputhje me legjislacionin në fuqi; i paraqet propozime për dokumentacionin, që i
dërgohet bordit, për miratimin e tyre; zbaton vendimet e bordit dhe kryen detyra të
tjera, brenda kompetencave që ka, në zbatim të ligjit e të akteve nënligjore në fuqi.
3. Kriteret e emërimit e të shkarkimit dhe kompetencat e Drejtorit të Përgjithshëm
përcaktohen me vendim te Këshillit të Ministrave, me propozimin e Ministrit të
Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Neni 66
Komiteti shkencor dhe panelet shkencore

1. Komiteti shkencor dhe panelet shkencore të AKU-së kanë në përbërje ekspertë, të
cilët përcaktojnë mendimin shkencor për qëllime të veprimtarisë së këtij autoriteti.
2. Numri i paneleve shkencore, përbërja, funksionimi, të drejtat dhe detyrat e
komitetit shkencor dhe të paneleve shkencore përcaktohen me udhëzim të Ministrit të
Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
3. Komiteti shkencor jep mendime shkencore:
a) me kërkesë të bordit;
b) me nismën e tij, për çështje brenda kompetencave që ka.
4. Kërkesa e paraqitur në shkronjën "a" të p ikës 3 të këtij neni shoqërohet me të
gjithë informacionin e nevojshëm, duke shpjeguar se cilës çështje shkencore i adresohet.
5. Komiteti shkencor jep mendimin e vet shkencor brenda periudhës së përcaktuar në
kërkesën e bordit, me përjashtim të rastit kur rrethana objektive nuk e lejojnë këtë.
6. Në rastet kur:
a) është paraqitur më shumë se një kërkesë për të njëjtën çështje;
b) kërkesa për dhënien e mendimit shkencor nuk është shoqëruar me informacionin e nevojshëm ose është e paqartë;
c) komiteti shkencor ka dhënë mendimin e vet shkencor për një çështje të caktuar dhe
ka vërejtur se nuk ka informacione të reja, që duhen vlerësuar,
komiteti shkencor mund ta refuzojë kërkesën ose të propozojë që kërkesa të
ndryshohet. Kërkesa e refuzuar shoqërohet me një argumentim shpjegues.


Neni 67
Shfuqizohet


KREU XVI
KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE

a) Në pikat 2 e 3 fjala “leje” zëvendësohet me fjalën “licencë” dhe ky zëvendësim
bëhet në të gjitha nenet e ligjit, për të njëjtin përdorim të fjalës “leje” si në këtë nen;

Neni 68
Kundërvajtjet administrative

1. Shkeljet e dispozitave të këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen me gjobë nga inspektorët e Kontrollit të Ushqimit dhe të Ushqimit për Kafshë, të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit si më poshtë:
a) Nxjerrja në treg e ushqimeve të reja, në kundërshtim me pikën 1 të nenit 28 të këtij ligji, nga 100 000 deri në 300 000 lekë.
b) Etiketimi i ushqimeve të reja, në kundërshtim me nenin 36 të këtij ligji, nga 100 000 deri në 300 000 lekë.
c) Nxjerrja në treg e ushqimeve të reja për kafshë, në kundërshtim me pikën 1 të nenit 54 të këtij ligji, nga 100 000 deri në 300 000 lekë.
ç) Etiketimi i ushqimeve të reja për kafshë, në kundërshtim me nenin 56 të këtij ligji, nga 100 000 deri në 300 000 lekë.
d) Nxjerrja në treg e ushqimeve, në kundërshtim me pikën 2 të nenit 10 të këtij ligji, nga 300 000 deri në 500 000 lekë.
dh) Importimi i ushqimeve, në kundërshtim me pikën 1 të nenit 14 të këtij ligji, nga 1 000 000 deri në 2 000 000 lekë.
e) Zhvillimi i biznesit në një stabiliment të paregjistruar, në kundërshtim me nenin 19 të këtij ligji, nga 1 000 000 deri në 2 000 000 lekë.
f) Çdo veprim në kundërshtim me përgjegjësitë e operatorit të biznesit, sipas nenit 24 të këtij ligji, nga 100 000 deri në 200 000 lekë.
g) Çdo veprim në kundërshtim me kërkesat e vetëkontrollit, të
përcaktuara në pikat 1, 2 e 4 të nenit 26 të këtij ligji, nga 100 000 deri në 200 000 lekë.
gj) Hedhja në treg e ushqimit për kafshë të pasigurt, në kundërshtim me pikën 1 të nenit 49 të këtij ligji, nga 100 000 deri në 200 000 lekë.
h) Çdo veprim në kundërshtim me kushtet e higjienës së
ushqimeve, të përcaktuara në nenin 23 të këtij ligji, nga 300 000 deri në 500 000 lekë.
i) Çdo veprim në kundërshtim me kërkesat e gjurmueshmërisë, të përcaktuara në nenin 25 të këtij ligji, nga 100 000 deri në 200 000 lekë.
j) Përdorimi i shënimit “Produkt ushqimor tradicional”, në kundërshtim me nenin 33 të këtij ligji, nga 100 000 deri në 200 000 lekë.
k) Etiketimi në kundërshtim me nenin 36 të këtij ligji, nga 50 000 deri në 100 000 lekë.
2. Kur konstatohet se shkaku për pasigurinë e ushqimit vjen nga neglizhenca e veterinerit zyrtar, gjatë mbikëqyrjes së zbatimit të legjislacionit veterinar, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit mund të marrë masat e mëposhtme:
a) Të vendosë gjobë ndaj veterinerit zyrtar nga 50 000 deri në 100 000 lekë.
b) Të propozojë heqjen e licencës së operatorit të biznesit.
3. Në rastet kur është hedhur në treg një ushqim, i cili është vërtetuar se ka shkaktuar dëm në shëndetin e njeriut, apo kur mund të përbëjë rrezik potencial për jetën e tij, sipas dispozitave të këtij ligji, ndaj operatorit të biznesit të ushqimit merret masa e propozimit për heqje të licencës përkatëse për ushtrimin e veprimtarisë.
4. Gjoba është dënim kryesor, ndërsa masa e heqjes së licencës përkatëse, e parashikuar në këtë nen, është dënim plotësues.”.

Neni 69
Bllokimi dhe asgjësimi i ushqimit dhe ushqimit për kafshë

Ushqimi dhe ushqimi për kafshë, që nuk plotëson kërkesat e këtij ligji dhe që është bllokuar
ose hequr nga tregu, asgjësohet me procesverbal të rregullt, sipas mënyrave të përcaktuara në
legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e mjedisit dhe shpenzimet përballohen nga operatori i
biznesit ushqimor ose operatori i biznesit të ushqimit për kafshë, që ka bërë shkeljen.
Neni 70
1. Inspektori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit shqyrton shkeljet, sipas këtij ligji, dhe merr vendim përfundimtar aty për aty. Vendimi përfundimtar është pjesë e procesverbalit dhe mbahet në vendin e inspektimit dhe i njoftohet, pa vonesë, subjektit të inspektimit. Nëse përfundimi i procesverbalit, përfshirë vendimin përfundimtar, në vendin e inspektimit nuk është i mundur, ai përfundohet në zyrat e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe njoftohet brenda 5 ditëve nga data e përfundimit të inspektimit.
2. Kundër vendimit të inspektorit mund të bëhet ankim në përputhje me ligjin për inspektimin.
3. Veterineri zyrtar, ndaj vendimit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit mund të bëjë ankim sipas dispozitave në fuqi.
4. Mënyra e vjeljes së gjobave dhe shpërndarja e tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
5. Kur Inspektorati i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kërkon ndihmë, për shkak të zbatimit të detyrës së ngarkuar me ligj, ai mbështetet nga Policia e Shtetit, Policia Doganore dhe ajo Tatimore.”.

Dispozitë kalimtare (te LIGJ Nr. 74/2013. në datën 14.2.2013)
[i]Organi ekzistues inspektues vazhdon të ushtrojë funksionin e vet sipas organizimit aktual deri në krijimin e organit të ri, sikurse parashikohet në ndryshimet e bëra në këtë ligj


KREU XVII
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT


Neni 71
Nxjerrja e akteve nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 21 pika 1,
25 pika 4, 27 pika 5, 31, 32 pika 3, 36 pika 3, 45 pika 2, 56 pika 2, 61 pika 7, 64 pikat 2 e 5,
65 pika 3 dhe 70 pika 4.
2. Ngarkohet Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të nxjerrë aktet
nënligjore në zbatim të neneve 13, 16 pika 3, 17 pika 3, 18 pika 3, 19 pikat 4, 11, 12 e 13, 20,
23, 26 pikat 5 e 7, 28 pika 2, 29 pika 2, 30 pika 1, 33 pikat 2 e 4, 34 pika 2, 37 pika 3, 41 pika
12, 42 pika 3, 43 pika 7, 44 pika 4, 45 pikat 5 e 6, 47 pika 1, 50 pikat 1 e 2, 54 pika 4, 57 pika
4, 59 pika 10 dhe 66 pika 2.
Aktet nënligjore që nxjerr Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, në
zbatim të këtij ligji, bëhen me propozimin e AKU-së.
3. Ngarkohen Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Ministri i
Financave të nxjerrin aktin nënligjor në zbatim të nenit 17 pika 4.
4. Ngarkohet Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Ministri i
Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave të nxjerrin aktin nënligjor në zbatim të nenit 54
pika 2.

Neni 72
Dispozita kalimtare

1. Deri në datën e fillimit të veprimtarisë së AKU-së, funksionet e saj ushtrohen nga strukturat
përkatëse të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Ministrisë së
Shëndetësisë dhe Ministrisë së Brendshme.
2. Deri në miratimin e akteve nënligjore, në zbatim të këtij ligji, mbeten në fuqi aktet
nënligjore, të dala në zbatim të ligjit nr.7941, datë 31.5.1995 "Për ushqimin" dhe të ligjeve të
tjera, që veprojnë në fushën e ushqimit.
3. Neni 25 "Kërkesat për gjurmueshmërinë e ushqimit" hyn në fuqi 1 vit pas hyrjes në fuqi të
këtij ligji.
4. Neni 26 "Kërkesat për sistemin e vetëkontrollit" hyn në fuqi 1 vit pas hyrjes në fuqi të këtij
ligji.
5. Neni 28 "Nxjerrja në treg e ushqimeve të reja", sipas përcaktimit të pikës 1 të nenit 27 dhe
neni 54 "Hedhja në treg e ushqimit për kafshë, që kanë në përbërje ose përmbajnë OMGJ"
hyjnë në fuqi 5 vjet pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Neni 73
Shfuqizimet

1. Ligji nr.7941, datë 31.5.1995 "Për ushqimin" shfuqizohet.
2. Ligji nr.8411, datë 1.10.1998 "Për ushqimet e blegtorisë" nuk zbatohet për kafshët që
prodhojnë ushqim.
3. Në ligjin nr.7643, datë 2.12.1992 "Për Inspektoratin Sanitar Shtetëror":
a) në nenin 13 shkronja "ç", pjesa e fjalisë "kontrollon respektimin e normave higjienike të
standardeve shtetërore dhe kushteve teknike të produkteve ushqimore e të artikujve të tjerë, të
normave të të ushqyerit të grupeve të veçanta të popullsisë, si dhe miraton destinacionin e
produkteve ushqimore me skadencë në limit ose të tejkaluar" shfuqizohet;
b) neni 19 paragrafi i parë shfuqizohet, me përjashtim të sapunëve dhe kozmetikës;
c) neni 20 shfuqizohet.
4. Në ligjin nr.9441, datë 11.11.2005 "Për prodhimin, grumbullimin, përpunimin dhe
tregtimin e qumështit dhe produkteve me bazë qumështi":
a) neni 9 "Organet përgjegjëse për dhënien e lejeve" shfuqizohet;
b) kreu VIII "Kontrolli" shfuqizohet;
c) neni 33 "Organet përgjegjëse për vendosjen e masave administrative" shfuqizohet.
5. Në ligjin nr.8944, datë 19.9.2002 "Për prodhimin, emërtimin dhe tregtimin e vajit të ullirit",
neni 10 "Organet përgjegjëse për vendosjen e masave administrative" shfuqizohet.
6. Në ligjin nr. 8443, datë 21.1.1999 "Për vreshtarinë, verën dhe produktet e tjera që rrjedhin
nga rrushi", neni 34 shfuqizohet.
7. Në ligjin nr. 9308, datë 4.11.2004 "Për shërbimin dhe Inspektoratin Veterinar" të gjitha
nenet, pikat, fjalitë dhe fjalët ku trajtohet dhënia e lejeve, kontrolli, prodhimi, përpunimi dhe
shpërndarja e produkteve ushqimore me origjinë shtazore shfuqizohen.


Neni 74
Hyrja në fuqi


Ky ligj, me përjashtim të nenit 72, i cili hyn në fuqi ditën e përfundimit të afatit të përcaktuar
në këtë nen, hyn në fuqi 3 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.


Shpallur me dekretin nr.5617, datë 13.2.2008 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi

[

Share This


0
0
0
Loading...

Return to “Legjislacion - Bioteknologjia dhe Ushqimi”

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 3 guests