LIGJI PËR BUJQËSINË DHE ZHVILLIMIN RURAL - Nr.9817, datë 22.10.2007

User avatar
Libraria UBT
Posts: 96
Joined: 06 Jul 2015, 19:54
Rreth Jush: Libraria Universitare e UBT-së është një subjekt shërbimi i specializuar në shpërndarjen e librit, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. E kryen këtë aktivitet që nga viti 1998.

Qellimi i saj është promovimi dhe shpërndarja e librave që kanë si objekt fushat e studimeve universitare të UBT-së, për studentët dhe të interesuarit e tjerë.
Misioni: Të bëhet një pikë gjithnjë e më atraktive për shpërndarjen e librit me profil bujqësine, agrobiznesin, ekonominë, mjedisin, veterinarinë, bioteknologjinë, ushqimin dhe pyjet, për studentët e UBT-së, stafin dhe të interesuarit e tjerë të këtyre fushave.

Libraria Universitare e UBT-së, ofron për studentët dhe lexuesit libra në fushat: Sociologji, Drejtësi, Personalitete, Filozofi, Psikologji, Fjalorë, Histori, Letërsi artistike etj.

LIGJI PËR BUJQËSINË DHE ZHVILLIMIN RURAL - Nr.9817, datë 22.10.2007

Postby Libraria UBT » 03 Aug 2015, 09:13

LIGJI PËR BUJQËSINË DHE ZHVILLIMIN RURAL - Nr.9817, datë 22.10.2007


Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:


KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME


Neni 1
Qëllimi

Ky ligj përcakton objektivat, masat dhe programimin e politikave bujqësore e të zhvillimit rural, të shërbimeve publike bujqësore, të kërkimit dhe trajnimit profesional, si dhe bazën e të dhënave dhe informacionin për politikat në
sektorët e bujqësisë dhe të zhvillimit rural.

Neni 2
Përkufizime

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. "Bujqësia" është veprimtaria ekonomike, e cila ka si objektiv prodhimin e ushqimit për njerëzit, të ushqimit për blegtorinë, të bimëve industriale dhe të karburanteve bio, si dhe të produkteve të tjera, nëpërmjet kultivimit
sistematik të bimëve dhe mbarështimit të kafshëve.
2. "Fermë" është njësia ekonomike bazë në bujqësi dhe në veprimtaritë ekonomike që lidhen të. Është një sipërfaqe toke apo veprimtari që kryesisht i kushtohet prodhimit dhe menaxhimit të ushqimit ose prodhimit blegtoral.
3. "Produkt bujqësor" është një produkt bimor apo shtazor, i cili prodhohet në fermë, si dhe produktet që rrjedhin nga faza e parë e përpunimit të këtij produkti bimor apo shtazor.
4. "Produkt agroushqimor" është produkti bujqësor dhe produkte të tjera ushqimore të përpunuara.
5. "Politikat bujqësore" janë politika shtetërore, që përqendrohen në objektivat dhe masat, që veprojnë drejtpërsëdrejti në tregjet agroushqimore dhe të ardhurat nga ferma.
6. "Politikë e zhvillimit rural" është një politikë shtetërore, që përqendrohet në zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale, në konvergjencën e tyre ekonomike dhe sociale, si dhe në mbrojtjen e mjedisit.
7. "Plani Kombëtar" është plani kombëtar i bujqësisë dhe zhvillimit rural.
8. "Plani i veprimit" është plani i veprimit të zbatimit të politikave bujqësore dhe të zhvillimit rural.
9. "Strategjia e bujqësisë dhe strategjia e zhvillimit rural" janë objektivat afatmesme të politikave bujqësore dhe të zhvillimit rural, programimi, masat dhe mënyrat se si Qeveria planifikon mbështetjen financiare në një periudhë kohore të dhënë, në të mirë të bujqësisë dhe zonave rurale.
10. "Plan veprimi" është dokumenti i programimit, që përshkruan se si Qeveria do të zbatojë strategjitë në zona të ndryshme dhe periudha të ndryshme kohore.
11. "Masat e politikave bujqësore dhe të zhvillimit rural" janë instrumentet ligjore dhe
financiare për arritjen e objektivave, në përputhje me dokumentet programuese.
12. "Zonat më pak të favorizuara" janë zona malore ose zona të tjera, ku pozicioni
gjeografik dhe pengesat natyrore rezultojnë në koston e lartë të prodhimit.
13. "Bujqësi e qëndrueshme" është bujqësia, e cila, nga ana ekonomike dhe sociale, është e aftë të mbijetojë dhe që për një periudhë të gjatë nuk e degradon mjedisin. Koncepti i bujqësisë së qëndrueshme është i bazuar në parimin e shumëfunksionalitetit, duke nënkuptuar se bujqësia, krahas produkteve fitimprurëse (ekonomike), prodhon edhe të mira publike, që lidhen me mjedisin, sigurimin e ushqimit, sigurinë ushqimore dhe konvergjencën rajonale dhe sociale. Këto funksione të jashtme të bujqësisë nuk drejtohen drejtpërdrejt tek tregjet dhe, për këtë arsye, duhen mbështetur me masa gjithëpërfshirëse të politikave bujqësore dhe të zhvillimit rural.
14. "Shërbime publike në fushën e bujqësisë dhe të zhvillimit rural" janë politikat qeveritare për garantimin dhe ofrimin e shërbimit, nëpërmjet programeve qeveritare.
15. "Kooperativë" është një bashkim vullnetar personash, për të plotësuar nevoja dhe qëllime të përbashkëta ekonomike, përmes një biznesi të zotëruar bashkërisht. Ligjërisht kooperativa është person juridik.
16. "Ministri" është ministri përgjegjës për çështjet e bujqësisë.
17. "Ministria" është ministria përgjegjëse për çështjet e bujqësisë.

Neni 3
Objektivat e politikave bujqësore dhe të zhvillimit rural

Me masat për zbatimin e politikave bujqësore dhe zhvillimit të zonave rurale synohet të arrihen objektivat e përgjithshëm, si më poshtë:
a) rritja e të ardhurave për popullsinë rurale, duke rritur mirëqenien e saj, nëpërmjet përmirësimit të kushteve të punës dhe të jetesës, si dhe duke krijuar mundësi të barabarta për burrat dhe gratë;
b) rritja e prodhimit nëpërmjet nxitjes së konkurrueshmërisë dhe të progresit teknik, si dhe garantimit të një përdorimi optimal të faktorëve të prodhimit dhe në veçanti të punës;
c) stabiliteti i tregut, duke garantuar qëndrueshmëri në prodhimin bujqësor;
ç) cilësia dhe siguria ushqimore, duke garantuar që zinxhiri ushqimor të ketë një cilësi të qëndrueshme dhe të mos shkaktojë pasoja të dëmshme në shëndetin e njerëzve;
d) mbrojtja dhe ruajtja e mjedisit, duke garantuar që bujqësia të ruajë burimet natyrore;
dh) ulja e varfërisë, e cila synon zvogëlimin e pabarazive ndërmjet niveleve të zhvillimit të rajoneve të ndryshme, si edhe të prapambetje s së zonave rurale, më pak të favorizuara, duke zhvilluar veprimtari alternative dhe plotësuese, që gjenerojnë punësim, me synim ngadalësimin e largimit të popullsisë nga fshatrat, si dhe duke fuqizuar biznesin e vogël dhe të mesëm.


KREU II
PROGRAMIMI, ZBATIMI DHE FINANCIMI I POLITIKAVE BUJQËSORE DHE TË ZHVILLIMIT RURAL

Neni 4
Plani Kombëtar

Plani Kombëtar përbëhet nga:
a) strategjia e bujqësisë;
b) strategjia e zhvillimit të zonave rurale.
Plani Kombëtar bazohet në objektivat afatmesëm të politikave bujqësore dhe të zhvillimit rural, në masat, programet dhe veprimtaritë për realizimin e këtyre objektivave, në vlerësimet efektive të mëpasshme, si dhe në fondet publike të nevojshme, të përdorura për zbatimin e politikave bujqësore dhe zhvillimit rural.
Plani kombëtar hartohet nga ministria, në bashkëpunim me institucionet e tjera përgjegjëse për zhvillimin rural dhe miratohet nga Këshilli i Ministrave për një periudhë 7-vjeçare.

Neni 5
Plani i veprimit

Këshilli i Ministrave, në përputhje me Planin Kombëtar, miraton planin e veprimit dyvjeçar, për zbatimin e politikave bujqësore dhe të zhvillimit rural.
Plani i veprimit përfshin një pjesë ose të tërë paketën e masave të politikave bujqësore dhe të zhvillimit rural.
Plani i veprimit përfshin:
a) kushtet, kriteret dhe procedurat e paraqitjes e të zbatimit të masave, si dhe të çdo mase specifike të politikave bujqësore e të zhvillimit rural;
b) planin financiar për zbatimin e masave dhe të çdo mase specifike të politikave bujqësore dhe të zhvillimit rural;
c) mjetet dhe mënyrat e zbatimit dhe të kontrollit të politikave bujqësore e të zhvillimit rural;
ç) procedurat e monitorimit dhe të vlerësimit të politikave bujqësore e të zhvillimit rural.

Neni 6
Programi për bujqësinë dhe zhvillimin rural

1. Krijohet programi për bujqësinë dhe zhvillimin rural, më poshtë programi, i cili ka si qëllim të mbështesë zhvillimin e bujqësisë në vend, të garantojë, në mënyrë graduale, efektivitetin e masave të politikave bujqësore dhe të zhvillimit rural, duke i kushtuar vëmendje nevojës së planifikimit të zbatimit të projekteve dhe të masave mbështetëse.
2. Burimet financiare të programit sigurohen nga:
a) Buxheti i Shtetit;
b) donatorët ndërkombëtarë, sipas marrëveshjeve përkatëse;
c) buxheti i bashkisë/komunës;
Programi për bujqësinë dhe zhvillimin rural është i përhershëm dhe administrohet nga ministria, nëpërmjet agjencisë së pagesave.
3. Kriteret bazë, sektorët që do të mbështeten dhe masa e përfitimit nga fondi i programit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Procedura dhe mënyra e administrimit të fondit të programit përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për çështjet e bujqësisë dhe Ministrit të Financave.

Neni 7
Përfituesit nga fondi i programit

Përfituesit nga fondi i programit nëpërmjet masave, që ndërmerren në kuadër të politikave bujqësore dhe të zhvillimit rural, janë:
a) fermerët, grupet e fermerëve, personat fizikë apo juridikë, të cilët kanë veprimtari bujqësore ose veprimtari ekonomike të lidhur me të;
b) personat fizikë apo juridikë, të cilët e ushtrojnë veprimtarinë në industrinë agroushqimore;
c) personat fizikë apo juridikë, të cilët ofrojnë shërbime për veprimtari bujqësore dhe veprimtari të tjera rurale.

Neni 8
Aplikimet

Aplikimet për të përfituar nga programi, nëpërmjet politikave bujqësore dhe të zhvillimit rural, mund të paraqiten nga një fermer, grup fermerësh dhe persona fizikë apo juridikë, siç parashikohet në këtë ligj.

Neni 9
Dokumentet që duhen ruajtur

Përfituesit që kanë marrë fonde nga programi, duhet të ruajnë të gjithë dokumentacionin për përfitimin e fondeve, për një periudhë 4-vjeçare, duke filluar nga data e livrimit të tyre.


KREU III
MASAT E POLITIKAVE BUJQËSORE

Neni 10
Parimet e masave të politikave bujqësore

Masat e politikave bujqësore duhet të harmonizohen dhe të zbatohen në përputhje me parimet e barazisë dhe të efiçencës.

Neni 11
Format e mbështetjes së brendshme

Mbështetja e brendshme për produktet bujqësore dhe agroushqimore zbatohet nëpërmjet:
a) masave për stabilizimin e tregjeve;
b) pagesave të drejtpërdrejta.

Neni 12
Masat për stabilizimin e tregjeve

Masat për stabilizimin e tregjeve synojnë të mbështesin bujqësinë në kohën e kushteve tepër të paqëndrueshme të tregut. Forma dhe llojet e masave propozohen në Planin Kombëtar dhe zbatohen nëpërmjet planit të veprimit. Në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare, ku Shqipëria është palë, mund të zbatohen edhe masa të tjera, veç atyre të parashikuara në këtë ligj.

Neni 13
Pagesat e drejtpërdrejta

1. Pagesat e drejtpërdrejta janë pagesa, që bëhen drejtpërsëdrejti nga Qeveria te prodhuesit, për të arritur objektivat e politikës, kryesisht, për të rritur konkurrueshmërinë dhe për të mbështetur të ardhurat në fermë.
2. Kriteret e përfitimit, procedura dhe mënyra e administrimit të këtyre pagesave përcaktohen sipas pikës 3 të nenit 6 të këtij ligji.

Ne ni 14
Kriteret për mbështetjen e brendshme

Masat e mbështetjes së brendshme të prodhimit bujqësor duhet të plotësojnë këto kritere:
1. Mbështetja nuk duhet të japë efektin e mbështetjes së çmimit për prodhuesit.
2. Mbështetja e dhënë për një produkt të specifikuar, gjatë vitit në fjalë, nuk duhet të kalojë masën 5 për qind të vlerës së përgjithshme të produktit në prodhimin e përgjithshëm bruto.
3. Mbështetja, e cila jepet për një produkt jo të specifikuar, gjatë vitit në fjalë, nuk duhet të kalojë masën 5 për qind të vlerës së përgjithshme të këtij produkti në prodhimin e përgjithshëm bruto.


KREU IV
MASAT E POLITIKËS SË ZHVILLIMIT RURAL


Neni 15
Objekti i masave

1. Masat e politikës së zhvillimit rural mbështesin:
a) përmirësimin e konkurrueshmërisë së bujqësisë dhe të industrisë agroushqimore në zonat rurale;
b) menaxhimin e tokës dhe përmirësimin e mjedisit;
c) përmirësimin e cilësisë së jetës dhe nxitjen e shumëllojshmërisë së veprimtarive ekonomike në këto zona;
ç) përmirësimin e qeverisjes dhe mobilizimin e potencialeve vendore zhvilluese të zonave rurale, si dhe ndërmarrjen e nismave vendore.
2. Masat propozohen nëpërmjet Planit Kombëtar dhe zbatohen nëpërmjet planit të veprimit.
3. Mënyra e zbatimit të këtyre masave dhe kriteret e mbështetjes përcaktohen me udhëzim të ministrit.

Neni 16
Mbështetja për përmirësimin e konkurrueshmërisë së bujqësisë dhe të industrisë agroushqimore

Mbështetja për përmirësimin e konkurrueshmërisë së bujqësisë dhe të industrisë agroushqimore bazohet në masa të ndryshme investuese nëpërmjet projekteve, që përmirësojnë situatën, në lidhje me:
a) burimet njerëzore;
b) menaxhimin e tokës;
c) kapitalin fizik;
ç) standardet e prodhimit, në lidhje me mjedisin, sigurinë ushqimore dhe mirëqenien e kafshëve;
d) zinxhirin agroushqimor;

Neni 17
Mbështetja për menaxhimin e tokës dhe përmirësimin e mjedisit

Mbështetja për menaxhimin e tokës dhe përmirësimin e mjedisit bazohet në masa të ndryshme të pagesave të drejtpërdrejta, nëpërmjet projekteve, që fuqizojnë përdorimin e qëndrueshëm të burimeve dhe përmirësojnë situatën, në lidhje me:
a) kushtet më pak të favorizuara të prodhimit;
b) ruajtjen e mjedisit dhe të biodiversitetit;
c) ruajtjen e peizazhit.

Neni 18
Mbështetja për përmirësimin e cilësisë së jetës dhe nxitjen e shumëllojshmërisë së veprimtarive ekonomike në zonat rurale

Mbështetja për përmirësimin e cilësisë së jetës dhe nxitjen e shumëllojshmërisë së veprimtarive ekonomike në zonat rurale ndihmon në mirëmbajtjen dhe përmirësimin e kushteve social-ekonomike në zonat më të largëta rurale, që ndeshen me fenomenin e largimit të popullatës. Kjo mbështetje bazohet në masa të ndryshme investuese, nëpërmjet projekteve, të cilat fuqizojnë investimet në ekonominë e gjerë rurale dhe përmirësojnë situatën, në lidhje me:
a) shumëllojshmërinë e ekonomive rurale në veprimtarinë bujqësore
dhe jobujqësore, në nivelin e fermës dhe të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme;
b) përmirësimin e cilësisë së jetës, nëpërmjet ofrimit të shërbimeve dhe ruajtjes së trashëgimisë rurale;
c) trajnimet.

Neni 19
Mbështetja për ndërmarrjen e nismave vendore

Mbështetja stimulon nismat, që përfshijnë fermerët, punonjësit e pyjeve dhe aktorët e tjerë ruralë, të cilët mund të ruajnë dhe të rrisin më tej trashëgiminë vendore, natyrore dhe kulturore, të rrisin ndërgjegjësimin mjedisor dhe të promovojnë produktet tipike, turizmin dhe burimet e rinovueshme të energjisë. Veprimet kryesore të mbështetjes në këto zona përfshijnë:
a) krijimin e kapaciteteve vendore të partneritetit, gjallërimin dhe promovimin e aftësive të thitjes, të cilat mund të ndihmojnë në mobilizimin e potencialit vendor;
b) promovimin e partneritetit publik-privat;
c) promovimin e bashkëpunimit, nxitjen e aftësisë së sipërmarrjes dhe promovimin e përfshirjes e të shërbimeve vendore.


KREU V
KUADRI INSTITUCIONAL PËR POLITIKAT BUJQËSORE
DHE TË ZHVILLIMIT RURAL


Neni 20
Komiteti Ndërministror për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural

1. Komiteti Ndërministror për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural është një organ këshillimor i Këshillit të Ministrave, sipas nenit 11 të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003 "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave".
2. Komiteti Ndërministror për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, përveç detyrave që i caktohen në aktin e krijimit, jep mendim për vendimet më të rëndësishme, në fushën e bujqësisë dhe të zhvillimit rural, veçanërisht:
a) bën propozime për Planin Kombëtar;
b) jep mendim për mënyrën e monitorimit dhe zbatimit të Planit Kombëtar;
c) bën propozime për aktet ligjore më të rëndësishme në fushën e bujqësisë dhe të zhvillimit rural;
ç) jep mendim për marrëveshjet ndërkombëtare në fushën e bujqësisë dhe të zhvillimit rural;
d) jep mendim për vendime të tjera, shumë të rëndësishme, në fushën e bujqësisë dhe të zhvillimit rural.

Neni 21
Agjencia e pagesave

1. Agjencia e pagesave krijohet si ent publik buxhetor, me statusin e personit juridik, publik, në varësi të ministrit.
2. Agjencia e pagesave ka për detyrë:
a) të vërë në zbatim masat e politikave bujqësore dhe të zhvillimit rural;
b) të hartojë raportet dhe analizat, në përputhje me zhvillimin e bujqësisë;
c) të organizojë ngritjen dhe funksionimin e sistemeve të integruara të administrimit dhe të kontrollit;
ç) të organizojë ngritjen dhe zbatimin e sistemeve të informimit të tregut;
d) të krijojë dhe të mirëmbajë bazën e të dhënave të nevojshme;
dh) të zbatojë masat e kontrollit dhe të auditit të brendshëm;
e) të inspektojë fermerët dhe subjektet, që kanë përfituar nga fondet e programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural.
Fermerët, grupet e fermerëve, personat fizikë dhe juridikë duhet t'i krijojnë mundësi kësaj agjencie për të kryer inspektimet e saj, duke i ofruar dhe vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin, të dhënat, shpjegimet dhe çdo gjë tjetër që kërkohet.
3. Organizimi, funksionimi, shtrirja territoriale, si dhe mënyra e rekrutimit të punonjësve të agjencisë së pagesave përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
4. Drejtori i agjencisë së pagesave emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga
Kryeministri, me propozim të ministrit përgjegjës për çështjet e bujqësisë.


KREU VI
BAZAT E TË DHËNAVE DHE SISTEMET E INFORMACIONIT

Neni 22
Bazat e të dhënave

1. Agjencia e pagesave krijon dhe mirëmban:
a) regjistrin e fermave;
b) regjistrin e prodhuesve dhe të përpunuesve të produkteve bujqësore ose ushqimore;
c) regjistrin e aplikimeve për mbështetje financiare;
ç) regjistrin e përdorimit dhe shfrytëzimit të tokës;
d) regjistrin e blegtorisë;
dh) regjistrin e tregtarëve të produkteve agrobujqësore dhe inputeve bujqësore;
e) regjistrin e zonave më pak të favorizuara.
2. Krahas me bazën e të dhënave, siç përshkruhen në pikën 1 të këtij neni, agjencia e pagesave, nëse gjykohet e nevojshme, mund të mbajë edhe baza të tjera të dhënash.
3. Bazat e të dhënave, të cilave u referohet ligji, duhet të mbahen në formë elektronike.
4. Kushtet dhe mënyra e mbajtjes së tyre përcaktohen me udhëzim të ministrit.

Neni 23
Marrja dhe përdorimi i bazave të tjera të të dhënave

Për të ngritur dhe mbajtur bazën e të dhënave, agjencia e pagesave mund të përdorë edhe baza të tjera të dhënash, të cilat mbahen nga ente shtetërore të autorizuara, institucionet, agjenci publike, koncesionare dhe autoritete të tjera të autorizuara.
Administruesit e këtyre bazave të të dhënave, të hartave dhe fotove ortodixhitale, janë të detyruar t'ia japin, pa pagesë, çdo informacion të përcaktuar në nenin 22 të këtij ligji, agjencisë së pagesave, por, nga ana tjetër, i ngarkojnë ministrisë shpenzimet e drejtpërdrejta të materialeve, kopjeve ekstra, si dhe për përpunimin e të dhënave.

Neni 24
Financimi i bazës së të dhënave

Baza e të dhënave, që sigurohen dhe menaxhohen nga agjencia e pagesave, në përputhje me përcaktimin e bërë në këtë ligj, financohet nga Buxheti i Shtetit.

Neni 25
Vënia në dispozicion e të dhënave

Të dhënat e krijuara, në përputhje me këtë ligj, janë publike, përveç të dhënave që vlerësohen të dhëna personale dhe përbëjnë sekret të biznesit.
Në këtë rast, të dhënat u vihen në dispozicion të tretëve, në përputhje me ligjin e mbrojtjes së të dhënave personale.

Neni 26
Sistemi i informacionit për çmimet e tregut

Sistemi i informacionit për çmimet e tregut përbëhet nga analizat dhe metodologjitë përkatëse, që lidhen me grumbullimin, zbatimin dhe publikimin e të dhënave për çmimet e produkteve bujqësore dhe ushqimore.
Sistemi i informacionit për çmimet e tregut krijohet dhe zbatohet nga ministria, sipas udhëzimit të ministrit.

Neni 27
Kontabiliteti në fermë

1. Për miratimin dhe analizimin e masave të politikave bujqësore dhe të zhvillimit rural, përfituesit nga fondi i programit duhet të mbajnë në mënyrë të detyrueshme kontabilitet.
2. Mbajtja e kontabilitetit bëhet në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
3. Të dhënat e përfituara nga mbajtja e kontabilitetit në fermat e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni mund të përdoren në përputhje me dispozitat ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale.


KREU VII
FORMAT E ORGANIZIMIT TË PRODHUESVE, TË PËRPUNUESVE DHE TREGTARËVE TË PRODUKTEVE BUJQËSORE DHE AGROUSHQIMORE

Neni 28
Organizatat e prodhuesve, të përpunuesve dhe tregtarëve

të produkteve bujqësore dhe agroushqimore

Për të vënë në zbatim objektivat e politikave bujqësore dhe të zhvillimit rural, nxiten, përmes financimit, organizatat, shoqatat dhe kooperativat e prodhuesve bujqësore dhe ato të përpunimit e tregtimit të produkteve bujqësore dhe ushqimore, të ngritura në baza vullnetare.

Neni 29
Kriteret për mbështetjen e organizatave, shoqatave dhe kooperativave

Kriteret që duhet të përmbushin organizatat, shoqatat dhe kooperativat prodhuese e përpunuese të produkteve bujqësore dhe agroushqimore, për të përfituar mbështetje, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Rregull at dhe mënyrat e përfitimit të kësaj mbështetjeje përcaktohen me udhëzim të ministrit.


KREU VIII
SHËRBIMET PUBLIKE NË FUSHËN E BUJQËSISË DHE TË ZHVILLIMIT RURAL

Neni 30
Objekti i shërbimeve publike

Objektivi i shërbimeve publike në bujqësi dhe për zhvillimin rural, më poshtë shërbimet publike, është të mbështesin zbatimin e Planit Kombëtar, duke ofruar shërbime afatgjata e të përhershme në fushën e bujqësisë dhe të zhvillimit rural, aty ku nismat private nuk mund të përmbushin nevojat publike.
Shërbimet publike në fushën e bujqësisë dhe të zhvillimit rural përfshijnë:
a) shërbimin këshillimor në bujqësi dhe për zhvillimin rural;
b) kërkimin bujqësor dhe kontrollin/analizat laboratorike;
c) shërbimin racor në bujqësi e blegtori;
ç) analizën e politikave bujqësore;
d) shërbimet në infrastrukturën e tregut (marketingut).

Neni 31
Detyrimet e një shërbimi publik

Detyrimet e një shërbimi publik janë:
a) realizimi i vazhdueshëm e pa ndërprerje i veprimtarisë së shërbimit të përcaktuar;
b) realizimi i këtij shërbimi për çdo fermer, grup fermerësh, person fizik apo juridik, të angazhuar në veprimtarinë bujqësore në përputhje me këtë ligj;
c) ofrimi i shërbimit me pagesë, me përjashtim të shërbimeve që janë në përputhje me një program të caktuar.

Neni 32
Financimi i shërbimeve publike

Shërbimet publike në bujqësi financohen nga:
a) të ardhurat nga pagesat e plota ose të pjesshme të shërbimeve të ofruara;
b) Buxheti i Shtetit.

Neni 33
Programi i shërbimeve publike

Programi i shërbimit publik në fushën e bujqësisë dhe të zhvillimit rural hartohet dhe miratohet nga ministria, në përputhje me Planin Kombëtar. Ky program duhet të përcaktojë:
a) tipin dhe vëllimin e shërbimit publik që ofrohet;
b) mënyrat, rrugët dhe dinamikën e realizimit të shërbimit publik, në zbatim të akteve ligjore; c) vëllimin dhe mjetet financiare ose bashkëfinancimin e shërbimit publik.

Neni 34
Monitorimi i shërbimit publik

Monitorimi teknik dhe profesional për ofrimin e shërbimit publik realizohet nga ministria, e cila mund të autorizojë një organizatë ose persona të tjerë për realizimin e kontrollit teknik.
Monitorimi teknik dhe profesional, në rastin e autorizimit publik, realizohet nga personat, të cilët kanë kualifikimin e nevojshëm për ushtrimin e kontrollit në një fushë të veçantë të shërbimit publik.
Kushtet që zbatohen dhe që kërkohen për kualifikimin profesional të kontrollorit përcaktohen nga ministri.


KREU IX
MBËSHTETJA PËR KËRKIMIN, ARSIMIMIN DHE TRAJNIMIN


Neni 35
Kërkimi bujqësor

Në përputhje me Planin Kombëtar, ministri ushtron kompetencat, në bashkëpunim me ministritë respektive, me institucionet e arsimit të lartë dhe me strukturat shkencore të tyre, në bashkëfinancimin e kërkimit dhe të projekteve zhvillimore në fushën e bujqësisë, të zhvillimit rural dhe të infrastrukturës përkatëse.

Neni 36
Arsimimi dhe trajnimi për nevojat e bujqësisë dhe të zhvillimit rural

1. Ministria duhet të propozojë dhe të ndërmarrë nisma për mënyra të ndryshme të arsimimit dhe trajnimit për nevojat e bujqësisë, agroindustrisë dhe zonave rurale, në bashkëpunim me universitetet dhe shkollat e larta me drejtim bujqësor.
2. Ministria mund të bashkëfinancojë nisma për krijimin e stabilimenteve të zbatimit praktik të arsimimit dhe të trajnimit për nevojat e bujqësisë dhe të zhvillimit rural.
3. Përfitues të këtyre trajnimeve do të jenë fermerët, punonjësit dhe specialistët e bujqësisë dhe të agroindustrisë.

Neni 37
Studimet analitike dhe zhvillimore

Ministria mbështet kryerjen e studimeve analitike dhe zhvillimore nga institucionet e arsimit të lartë dhe strukturat shkencore të tyre, kryesisht për:
a) realizimin e analizave ekonomike dhe të tjera të impaktit në fushën e bujqësisë dhe të industrisë agroushqimore;
b) realizimin e analizave dhe të veprimtarive planifikuese në fushën e bujqësisë dhe industrisë agroushqimore;
c) përmbushjen e përgjegjësive të rëndësishme për trajnimin dhe monitorimin e çështjeve zhvillimore në fushën e bujqësisë, të industrisë agroushqimore dhe të zhvillimit rural.


KREU X
KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE


Neni 38
Rastet e kundërvajtjeve administrative

Kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative rastet e:
1. Mospërdorimit të fondeve të dhëna përfituesve, në përputhje me qëllimin për të cilin ato janë dhënë.
2. Mosmbajtjes së dokumentacionit të përdorur për përfitimin e fondeve për një periudhë 4-vjeçare.

Neni 39
Sanksionet

1. Kundërvajtjet administrative, të përcaktuara në pikën 1 të nenit 38 të këtij ligji, dënohen me gjobë në masën 30 000 - 40 000 lekë, si dhe kthimin e financimit të përfituar.
2. Kundërvajtjet administrative, të përcaktuara në pikën 2 të nenit 38 të këtij ligji, dënohen me gjobë në masën 10 000 - 15 000 lekë.
Dënimet jepen nga inspektorët e agjencisë së pagesave.

Neni 40
Ankimi

1. Kundërvajtësi, brenda 10 ditëve nga vënia e gjobës, bën ankim në agjencinë e pagesave, e cila shqyrton ankimin dhe, brenda 5 ditëve, njofton subjektin ankues.
2. Kundër vendimit të titullarit të agjencisë së pagesave subjekti ankues mund të bëjë ankim, brenda 10 ditëve nga marrja njoftim, te ministri, i cili duhet të shprehet për lënien në fuqi të gjobës ose shfuqizimin e saj brenda 15 ditëve nga data e depozitimit të ankimit.
3. Kundër vendimit të ministrit, subjekti ankues mund t'i drejtohet, brenda 30 ditëve, gjykatës së rrethit gjyqësor.

Neni 41
Vjelja e gjobave

1. Gjobat për kundërvajtje administrative, sipas këtij ligji, paguhen nga kundërvajtësi në llogarinë e të ardhurave të Buxhetit të Shtetit, brenda 30 ditëve nga data që vendimi ka marrë formën e prerë.
2. Për çdo ditë vonesë, pas plotësimit të këtij afati dhe deri në një afat prej 30 ditësh, kundërvajtësi detyrohet të paguajë, përveç gjobës, edhe një shumë të barabartë me 2 për qind të gjobës.

Neni 42
Të ardhurat nga vendosja e gjobave

Të ardhurat e krijuara nga vendosja e gjobave kalojnë në masën 100 për qind në Buxhetin e Shtetit.


KREU XI
DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 43
Aktet nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 4, 5, 6 pika 3, 13 pika 2, 21 pika 3 dhe 29 të këtij ligji.
2. Ngarkohet ministri të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 6 pika 3, 13 pika 2, 15 pika 3, 22 pika 4, 26, 29 e 34 të këtij ligji.

Neni 44
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.5495, datë 31.10.2007 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi

Share This


0
0
0
Loading...

Return to “Legjislacion - Ekonomia dhe Agrobiznesi”

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 1 guest