LIGJI PËR SHËRBIMIN VETERINAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË -Nr.10 465, datë 29.9.2011

User avatar
Libraria UBT
Posts: 96
Joined: 06 Jul 2015, 19:54
Rreth Jush: Libraria Universitare e UBT-së është një subjekt shërbimi i specializuar në shpërndarjen e librit, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. E kryen këtë aktivitet që nga viti 1998.

Qellimi i saj është promovimi dhe shpërndarja e librave që kanë si objekt fushat e studimeve universitare të UBT-së, për studentët dhe të interesuarit e tjerë.
Misioni: Të bëhet një pikë gjithnjë e më atraktive për shpërndarjen e librit me profil bujqësine, agrobiznesin, ekonominë, mjedisin, veterinarinë, bioteknologjinë, ushqimin dhe pyjet, për studentët e UBT-së, stafin dhe të interesuarit e tjerë të këtyre fushave.

Libraria Universitare e UBT-së, ofron për studentët dhe lexuesit libra në fushat: Sociologji, Drejtësi, Personalitete, Filozofi, Psikologji, Fjalorë, Histori, Letërsi artistike etj.

LIGJI PËR SHËRBIMIN VETERINAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË -Nr.10 465, datë 29.9.2011

Postby Libraria UBT » 03 Aug 2015, 11:34

LIGJI PËR SHËRBIMIN VETERINAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË -Nr.10 465, datë 29.9.2011

I azhurnuar me ndryshimet e LIGJIT Nr. 70/2013 datë 1.3.2013

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDII REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:


KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME


Neni 1
Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim:
1. Të mbrojë dhe të përmirësojë shëndetin e kafshëve të tokës dhe të ujit.
2. Të përcaktojë procedurat për parandalimin, monitorimin, diagnostikimin, trajtimin dhe çrrënjosjen e sëmundjeve të kafshëve.
3. Të mbrojë shëndetin publik nga sëmundjet zoonotike të transmetueshme nga kafshët, si dhe nga lëndët mbetëse të dëmshme, të cilat gjenden në produktet për konsum publik.
4. Të sigurojë zbatimin e masave shëndetësore veterinare për produktet me origjinë shtazore, të prodhuara në fermë, lëndët e papërpunuara, kullotat, ujin dhe vendet e pirjes së ujit për per kafshet
5. Të mbrojë shëndetin riprodhues të kafshëve, të sigurojë rritjen e prodhimtarisë dhe përmirësimin racor.
6. Të mbrojë mjedisin nga infeksionet, helmet, mbeturinat e kafshëve dhe ndotjet (biologjike, fizike, kimike, radiobiologjike), me pasoja dëmtuese për shëndetin e kafshëve dhe njerëzit.
7. Të përcaktojë procedurat e trajnimit dhe të informimit në fushën e veterinarisë për veterinerët, pronarët apo kujdestarët e fermave të kafshëve dhe publikun.
8. Të mbrojë kafshët nga tortura dhe të sigurojë mirëqenien e tyre.
9. Të mbrojë kafshët e egra.
10. Të sigurojë asgjësimin e sigurt të kafshëve të ngordhura, kadavrave, konfiskateve, mbeturinave të kafshëve dhe produkteve të kafshëve, jo për konsum njerëzor.
11. Të përcaktojë detyrimet e fermerëve, të personave fizikë dhe juridikë, në zbatimin e këtij ligji. __________________________________________________________________
1 Ky ligj është përafruar pjesërisht me:
Direktivën 82/894/KEE të Këshillit, datë 21 Dhjetor 1982 “Mbi njoftimin e sëmundjeve të kafshëve brenda Komunitetit”. Numri CELEX: 31982L0894, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, Seria L, Nr. 378, datë 31. 12. 1982, faqe 58 - 62.
Direktivën e Këshillit 86/609/KEE, datë 24 Nëntor 1986 “Mbi përafrimin e ligjeve, rregulloreve dhe dispozitave administrative të shteteve anëtare në lidhje me mbrojtjen e kafshëve që përdoren për qëllime eksperimentale dhe për qëllime të tjera shkencore”, CELEX 31986L069, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, Seria L, Nr. 358, datë 18. 12. 1986, faqe 1 - 28.
Direktivën 90/425/KEE të Këshillit, datë 26 Qershor 1990 “Mbi kontrollet veterinare dhe zooteknike që zbatohen në tregtinë brenda Komunitetit të disa lloje kafshësh të gjalla dhe produktet e tyre me qëllim plotësimin e tregut të brendshëm”. Numri CELEX: 31990L0425, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, Seria L, Nr. 224, datë 18. 8. 1990, faqe 29 - 41.
Direktivën 91/496/KEE të Këshillit, datë 15 Korrik 1991 “Mbi vendosjen e parimeve që rregullojnë organizimin e kontrolleve veterinare për kafshët që hyjnë në Komunitet nga vendet e treta”. Numri CELEX: 31991L0496, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, Seria L, Nr. 268, datë 24. 9. 1991, faqe 56 - 68.
Direktivën 92/119/KEE të Këshillit, datë 17 Dhjetor 1992 “Mbi masat e përgjithshme të Komunitetit për kontrollin e disa sëmundjeve të kafshëve dhe masat specifike lidhur me sëmundjen vezikulare të derrit”. Numri CELEX: 31992L0119, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, Seria L, Nr. 62, datë 15. 3. 1993, faqe 69 - 85.
Direktivën 93/119/KE të Këshillit, datë 22 Dhjetor 1993 “Për mbrojtjen e kafshëve në kohën e therjes apo eliminimit”. Numri CELEX: 31993L0119, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, Seria L, Nr. 340, datë 31. 12. 1993, faqe 21 - 34.
Direktiva 96/23/KE e Këshillit, date 29 Prill 1996, ”Mbi masat për monitorimin e disa substancave dhe mbetjeve te tyre ne kafshët e gjalla dhe produktet shtazore”, Numri CELEX: 31996L023, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, Seria L, Nr. 125, datë 23. 5. 1996, faqe 10 - 32.
Direktivën 97/78/KE të Këshillit, datë 18 Dhjetor 1997 “Mbi parimet e organizimit të kontrollit veterinar mbi produktet që hyjnë në Komunitet nga vendet e treta”. Numri CELEX: 31997L0078, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian,
Seria L, Nr. 24, datë 30. 1. 1998, faqe 9 -30.
Direktivën 98/58/KE të Këshillit, datë 20 Korrik 1998 “Mbi Mbrojtjen e Kafshëve të mbajtura për qëllime blegtorale”. Numri CELEX: 31998L0058, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, Seria L, Nr. 221, datë 8. 8. 1998, faqe 23 - 27.
Direktivën 2001/82/KE të Parlamentit Evropian dhe Këshillit, datë 6 Nëntor 2001 “Mbi Kodin e Komunitetit për Produktet Mjekësore Veterinare”. Numri CELEX: 32001L0082, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, Seria L, Nr. 311, datë 28. 11. 2001, faqe 1 - 66.
Direktivën 2002/32/KE të Parlamentit Evropian dhe Këshillit, datë 7 Maj 2002 “Mbi substancat e padëshiruara në ushqimin e kafshëve”. Numri CELEX: 32002L0032, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, Seria L, Nr. 140, datë 30. 5. 2002, faqe 10 - 22.
______________________________________________________________________
Direktivën 2002/99/KE të Këshillit, datë 16 Dhjetor 2002 “Mbi vendosjen e rregullave për shëndetin e kafshëve lidhur me prodhimin, përpunimin, shpërndarjen dhe prezantimin e prodhimeve me origjinë shtazore për përdorim njerëzor”. Numri CELEX: 32003L0099, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, Seria L, Nr. 18, datë 23. 1. 2003, faqe 11 - 20.
Direktivën 2003/99/KE të Parlamentit Evropian dhe Këshillit, datë 17 Nëntor 2003 “Mbi monitorimin e zoonozave dhe agjentëve zoonotik”. Numri CELEX: 32003L0099, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, Seria L, Nr. 325, datë 12. 12. 2003, faqe 31 - 40.
Direktivën 2006/88/KE të Këshillit, datë 24 Tetor 2006 “Mbi kërkesat e shëndetit të kafshëve të akuakulturës dhe produkteve të tyre, si dhe parandalimin dhe kontrollin e disa sëmundjeve në kafshët ujore”. Numri CELEX: 32006L0088, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, Seria L, Nr. 328, datë 24. 11. 2006, faqe 14 - 56.
Rregulloren 999/2001/KE e Parlamentit Evropian dhe Këshillit, datë 22 Maj 2001 “Mbi vendosjen e rregullave për parandalimin, kontrollin dhe çrrënjosjen të disa encefalopative sponzhiforme të transmetueshme”. Numri CELEX: 32001R0999, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, Seria L, Nr. 147, datë 31. 5. 2001, faqe 1 - 40.
Rregulloren 178/2002/KE e Parlamentit Evropian dhe Këshillit, datë 28 Janar 2002 “Mbi vendosjen e parimeve të përgjithshme dhe kërkesave të legjislacionit të ushqimit, ngritjen e Autoritetit Evropian të Sigurisë Ushqimore dhe mbi vendosjen e procedurave për çështjet e sigurisë ushqimore”. Numri CELEX: 32002R0178, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian,
Seria L, Nr. 31, datë 1. 2. 2002, faqe 1 - 24.
Rregulloren 1831/2003/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të Këshillit, datë 22 Shtator 2003 “Mbi aditivët për përdorim në ushqimet e kafshëve”. Numri CELEX: 32003R1831, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, Seria L, Nr. 268, datë 18. 10. 2003, faqe 29 - 43.
Rregulloren 21/2004/KE të Këshillit, datë 17 Dhjetor 2003 “Mbi vendosjen e një sistemi identifikimi dhe regjistrimi të kafshëve dhen dhe dhi”. Numri CELEX: 32004R0021, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, Seria L, Nr. 5, datë 9. 1. 2004, faqe 8 - 17.
Rregulloren 853/2004/KE e Parlamentit Evropian dhe Këshillit, datë 29 Prill 2004 “Mbi vendosjen e rregullave specifike për higjienën e ushqimeve me origjinë shtazore”. Numri CELEX: 32004R0853, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian,
Seria L, Nr. 139, datë 30. 4. 2004, faqe 55 - 205.
Rregulloren 854/2004/KE e Parlamentit Evropian dhe Këshillit, datë 29 Prill 2004 “Mbi vendosjen e rregullave specifike për organizimin e kontrolleve zyrtare mbi produktet me origjinë shtazore të destinuara për konsum human”. Numri CELEX: 32004R0854, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, Seria L, Nr. 139, datë 30. 4. 2004, faqe 206 - 320.
Rregulloren 882/2004/KE e Parlamentit Evropian dhe Këshillit, datë 29 Prill 2004 “Mbi kontrollet zyrtare të ndërmarra për të siguruar verifikimin e përputhshmërisë me ligjin e ushqimit dhe ushqimit për kafshë dhe rregullat e shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve”. Numri CELEX: 32004R0882, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, Seria L, Nr. 165, datë 30. 04. 2004, faqe 1 - 141.
Rregulloren 1/2005/KE të Këshillit, datë 22 Dhjetor 2004 “Mbi mbrojtjen e kafshëve gjatë transportit dhe lëvizje të tjera”. Numri CELEX: 32005R0001, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, Seria L, Nr. 3, datë 5. 1. 2005, faqe 1 - 44.
Rregulloren 1198/2006/KE të Këshillit, datë 27 Korrik 2006 “Mbi Fondin Evropian të Peshkimit”. Numri CELEX: 32006R1198, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, Seria L, Nr. 223, datë 15. 8. 2006, faqe 1 - 44.
Rregulloren 834/2007/KE të Këshillit, datë 28 Qershor 2007 “Mbi prodhimin organik dhe etiketimin e produkteve organike, e cila shfuqizon Rregulloren 2092/91”. Numri CELEX: 32007R0834, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, Seria L, Nr. 189, datë 20. 07. 2007, faqe 1 - 23.
Rregulloren 1099/2009/KE të Këshillit, datë 24 Shtator 2009 “Mbi mbrojtjen e kafshëve në kohën e therjes”. Numri CELEX: 32009R1099, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Evropian, Seria L, Nr. 303, datë 18. 11. 2009, faqe 1 - 30.


Neni 2
Objekti

Ky ligj ka për objekt:
1. Përcaktimin e parimeve bazë për mbrojtjen e shëndetit dhe të mirëqenies së kafshëve, sipas standardeve ndërkombëtare të Organizatës Botërore të Shëndetit të Kafshëve (OIE) dhe të Bashkimit Evropian;
2. Rregullimin, organizimin, financimin e shërbimit veterinar, përcaktimin e përgjegjësive, të rregullave dhe të procedurave të shërbimit veterinar në mbrojtje të shëndetit e mirëqenies së kafshëve;
3. Mbrojtjen e shëndetit publik në Republikën e Shqipërisë nga sëmundjet zoonotike të transmetueshme nga kafshët, në përqasje me legjislacionin e BE-së.

Neni 3
Fusha e zbatimit të ligjit

Ky ligj zbatohet nga të gjithë mjekët veterinarë, që kryejnë, mbikëqyrin, kontrollojnë veprimtarinë veterinare:
a) në Shërbimin Veterinar Shtetëror;
b) në institucione, struktura dhe ente të tjera publike;
c) në shërbimin veterinar privat;
ç) të pronarëve dhe të operatorëve të biznesit të mbarështimit të kafshëve.

Neni 4
Përkufizimet

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Agjent zoonotik” është çdo virus, baktere, myk, parazit ose qenie tjetër biologjike që është në gjendje të shkaktojë një zoonozë.
2. “Akuakulturë” janë organizmat ujorë, që mbarështohen apo kultivohen,
duke përdorur teknika, me qëllim rritjen e prodhimit mbi kapacitetin e tyre natyror në mjedis.
3. “Antimikrobikë” janë substancat e prodhuara në mënyrë sintetike ose natyrore dhe që përdoren për të vrarë apo për të penguar rritjen e mikroorganizmave, përfshirë këtu bakteret, viruset, myqet dhe protozoarët.
4. “Aplikim me qëllime zooteknike” është administrimi i produkteve dhe PMV-ve të certifikuara në kafshët prodhuese, me qëllim sinkronizimin e afshit dhe të dhuruesit, për mbarsjen e embrioneve të implantuara, si dhe në kafshët e akuakulturës, aplikimi i androgjenëve në grupet e peshqve, me synim ndërrimin e seksit.
5. “Autoriteti kompetent” është drejtoria përgjegjëse për shëndetin e kafshëve në ministri, e cila
ka përgjegjësi dhe kompetencë në të gjithë territorin e vendit.
6. “Autoritet kompetent për PIK-në” është institucioni përgjegjës për administrimin dhe kontrollin në pikat e inspektimit kufitar.
7. “Autoriteti kompetent për sigurinë ushqimore” është autoriteti i përcaktuar si i tillë
nga legjislacioni në fuqi për ushqimin dhe sigurinë ushqimore.
8. “Beta-agonist” është substanca agoniste e beta-adrenoceptorit.
9. “Certifikatë veterinare” është certifikata e lëshuar në përputhje me dispozitat e nenit 55 të këtij ligji, si dhe të
Kodit Shëndetësor të Kafshëve të Tokës dhe të Ujit të OIE-së.
10. “Çrrënjosje” është eliminimi i agjentit patogjen nga një vend ose zonë.
11. “Dezinfektim” është zbatimi mbi gjallesa ose objekte pa jetë, që mund të jenë kontaminuar, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i metodave që synojnë të shkatërrojnë agjentët infektive të sëmundjeve të kafshëve, përfshi dhe zoonozat.
12. “Dezinfestim” është zbatimi i procedurave që synojnë eliminimin e artropodëve (rriqna, insekte etj.), të cilët mund të shkaktojnë sëmundje ose janë vektorë të mundshëm të agjentëve infektivë të sëmundjeve të kafshëve, përfshi dhe zoonozat.
13. “Dëmtues” është shkaktari biologjik, kimik ose fizik, në kafshë/produkte me origjinë shtazore ose gjendja e një kafshe/produkti me origjinë shtazore, që mund të shkaktojë një veprim të dëmshëm shëndetësor te kafsha ose njeriu.
14. “Eksperiment” është përdorimi i një ose disa kafshëve për qëllime të studimit shkencor, që mund t’i shkaktojë atyre dhimbje, vuajtje, ankth ose dëmtim të zgjatur dhe që përfshin çdo mënyrë të veprimit, të synuar ose të
detyruar, që rezulton në krijimin e kushteve të tilla te një kafshë.
15. “Ekzaminim veterinar” është kontrolli mjekësor veterinar i kafshëve për verifikimin klinik,
patologjik dhe laboratorik të sëmundjeve infektive.
16. “Eliminim” është çdo procedurë që shkakton ngordhjen e detyruar të një kafshe.
17. “Eliminim i detyruar” është eliminimi apo therja e urdhëruar nga veterineri, për shkak të ndonjë
aksidenti, çrregullimi serioz fiziologjik ose funksional në gjendjen shëndetësore.
18. “Farmakopea veterinare” është një përmbledhje që përmban udhëzime për përgatitjen e produkteve mjekësore veterinare, e botuar nga një autoritet qeveritar i një vendi a bashkimi vendesh ose një shoqëri mjekësore apo farmaceutike.
19. “Fermë” është çdo ndërmarrje, strukturë ose, në rastin e rritjes së lirë, çdo mjedis, në të cilin mbahen, rriten ose trajtohen kafshët, përgjithnjë ose përkohësisht, me përjashtim të vendeve ku ushtrohet praktika veterinare.
20. “Gjendje e rëndë epidemiologjike” është gjendja kur shfaqja dhe përhapja e sëmundjes infektive në kafshë ka përfshirë rajone të tëra të vendit, e shoqëruar me dëme të mëdha ekonomike.
21. “Identifikim i kafshës” është kombinimi i identifikimit dhe regjistrimit individual të një kafshe, me
një kod të veçantë ose kolektiv në njësinë epidemiologjike apo grupin.
22. “Import/eksport” është hyrja dhe/ose dalja fizike e ngarkesave, që i nënshtrohen kontrollit veterinar në territorin e Republikës së Shqipërisë, përmes pikave të miratuara të inspektimit kufitar.
23. “Importues/eksportues” është çdo person fizik ose juridik, që importon dhe/ose eksporton
ngarkesa që i nënshtrohen kontrollit veterinar.
24. “Infeksion” është hyrja dhe zhvillimi ose shumimi i një agjenti infektiv në trupin e njeriut ose të kafshës.
25. “Izolim” është veçimi i kafshëve të infektuara ose të dyshuara si të infektuara në mjedise të veçanta ose vend mbajtje kafshësh.
26. “Kafshë” janë gjitarët, shpendët, amfibët, zvarranikët, peshqit, molusqet, krustacët, vertebrorë ose jovertebrorë, që mbarështohen nga njerëzit për qëllime tregtare ose jotregtare ose që jetojnë të lira në natyrë.
27. “Kafshë bartëse e sëmundjes” është kafsha e infektuar, me apo pa shenja klinike, që
mbart shkaktarin e sëmundjes dhe është burim i mundshëm për përhapjen e saj.
28. “Kafshë ferme” janë kafshët që mbarështohen, me qëllim prodhimin e ushqimit ose të produkteve të tjera me origjinë shtazore.
29. “Kafshë e ekspozuar” është kafsha në kontakt me kafshët e infektuara, që mund të preken lehtësisht nga shkaktari patogjen.
30. “Kafshë eksperimenti” janë kafshët që përdoren ose që do të përdoren në eksperimente.
31. “Kafshë ekzotike” janë kafshët që mbahen nga njeriu jo për qëllime tregtare, por që nuk konsiderohen si kafshë shoqërimi.
32. “Kafshë për therje” është një kafshë që do të theret brenda një kohe të shkurtër nën kontrollin e mjekut veterinar.
33. “Kafshë shoqërimi” janë kafshët që mbahen dhe rriten nga njeriu, në shtëpi, jo për qëllime përfitimi.
34. “Karkasë e kafshës” është trupi i një kafshe pas therjes dhe përgatitjes së mishit për tregtim dhe/ose përdorim.
35. “Karantinë” është masa profilaktike, që konsiston në izolimin e kafshëve që mbarështohen.
36. “Kodi Shëndetësor i Kafshëve të Tokës dhe të Ujit”, kodi i miratuar nga Organizata Botërore e Shëndetit të Kafshëve (OIE), ku përshkruhen masat shëndetësore që duhet të zbatohen nga autoritetet veterinare për të garantuar sigurinë shëndetësore të kafshëve të tokës dhe të ujit, si dhe të produkteve të tyre, duke shmangur kalimin e agjentëve patogjenë te kafshët ose njeriu.
37. “Koha e pezullimit” është koha e nevojshme, ndërmjet përdorimit të fundit të produktit mjekësor veterinar te kafshët e gjalla dhe prodhimit të ushqimeve nga kafshë të tilla, në mënyrë që ky ushqim të mos
përmbajë mbetje në sasi mbi kufijtë maksimalë të lejuar e të përcaktuar.
38. “Koksidiostatikët dhe histomonostatikët” janë produktet mjekësore
veterinare që përdoren për të vrarë apo për të ndaluar shumëzimin e protozoarëve.
39. “Konfirmim i sëmundjes” është deklarimi, prej autoritetit kompetent, i pranisë së një prej sëmundjeve të përcaktuara në listë, mbështetur në rezultatet e laboratorit, ndërkohë që në rast epizootie, autoriteti kompetent mund të konfirmojë praninë e sëmundjes, mbështetur në shenjat klinike dhe/ose rezultatet epidemiologjike.
40. “Kontejner” është një kuti jo-vetëlëvizëse ose arkë a strukturë tjetër e ngurtë, që nuk është një mjet transporti, e përdorur për transportin e kafshëve ose ushqimeve me origjinë shtazore gjatë një udhëtimi, me një ose disa mënyra transporti.
41. “Kontroll i identitetit” është kontrolli vizual/pamor për të siguruar përputhjen, ndërmjet dokumenteve ose certifikatave veterinare me shenjat e identifikimit të kafshëve ose etiketat dhe përmbajtjen e ngarkesës.
42. “Kontroll fizik” është kontrolli i kafshëve, i materialeve embrionale, produkteve me origjinë shtazore, jo për konsum njerëzor, i PMV-ve, si dhe i ushqimeve të medikuara për kafshë, që mund të përfshijë kontrollet e mjeteve të transportit, ambalazheve, etiketave dhe temperaturës, marrjes së kampioneve për analiza dhe provat laboratorike, si dhe ndonjë kontroll tjetër të nevojshëm për të verifikuar përputhjen me kërkesat e legjislacionit veterinar.
43. “Kontroll sanitaro-veterinar” është kontrolli i çdo aspekti të shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve, produkteve embrionale, produkteve me origjinë shtazore, jo për konsum njerëzor, dhe PMV-ve, për të verifikuar nëse ato janë në përputhje me kërkesat e legjislacionit veterinar dhe të legjislacionit për ushqimin në fuqi.
44. “Kontroll zyrtar” është monitorimi, mbikëqyrja dhe inspektimi që kryen autoriteti
kompetent përkatës, në përputhje me këtë ligj dhe ligjin nr. 10 433, datë 16.6.2011 “Për inspektimin në
Republikën e Shqipërisë”, për të verifikuar përputhshmërinë me legjislacionin veterinar
45. “Kufiri maksimal i mbetjes” është përqendrimi maksimal i mbetjes, si pasojë e përdorimit të një PMV-je dhe aditivi në të ushqyerit e kafshës, i lejuar ligjërisht dhe i pranueshëm për të qenë në ushqimin për njerëz dhe/ose kafshë.
46. “Kufizim” është zbatimi mbi një kafshë i çdo procedure, që synon të kufizojë lëvizjet e saj.
47. “Laborator i akredituar” është laboratori që ka kaluar një procedurë akreditimi nga një trupë kombëtare ose ndërkombëtare dhe njihet si kompetent për të kryer ekzaminime dhe analiza të përcaktuara.
48. “Laborator i autorizuar” është laboratori i autorizuar për kryerjen e tipeve të analizave, të përcaktuara sipas nenit 121, të këtij ligji.
49. “Laboratori Kombëtar i Referencës” është laboratori, i cili mbikëqyr laboratorët e tjerë në vend për aplikimin e standardeve dhe të metodave të kontrollit laboratorik, përpunimin e kampioneve standarde të referencës dhe kryerjen e ekzaminimeve ndërlaboratorike.
50. “Masë shëndetësore” është masa, që, sipas Kodit Shëndetësor të Kafshëve të Tokës dhe të Ujit, përcaktohet për të mbrojtur shëndetin ose jetën e kafshëve ose të njeriut brenda territorit të Republikës
së Shqipërisë nga rreziqet që vijnë nga hyrja, vendosja ose përhapja e një rreziku.
51. “Material patologjik” janë kampionet e marra për t’u dërguar në një laborator,
nga kafshët e gjalla ose të ngordhura, që përmbajnë ose dyshohen se përmbajnë agjentë infektivë.
52. “Mbetje” është një mbetje e lëndëve me efekt farmakologjik të metaboliteve të tyre dhe të lëndëve të tjera, që kalojnë te produktet shtazore dhe që mund të jenë të dëmshme për shëndetin e njeriut.
53. “Mbeturinat me origjinë shtazore” janë përbërësit e pjesëve të trupit të kafshës, mbeturinat e nënprodukteve dhe materialet e padobishme me origjinë shtazore, që nuk mund të përdoren për konsum nga njerëzit.
54. “Mikroorganizma patogjenë” janë mikroorganizmat, të cilët, vetë ose përmes produkteve të veprimtarisë së tyre jetësore, shkaktojnë sëmundje në njerëz dhe/ose në kafshë.
55. “Ministri” është ministri përgjegjës që mbulon fushën e veterinarisë.
56. “Ministria” është ministria përgjegjëse që mbulon fushën e veterinarisë.
57. “Mirëqenie e kafshës” ka të bëjë me gjendjen në të cilën kafsha jeton, nëse është e shëndetshme, në gjendje të rehatshme, e mirushqyer, e sigurt, në gjendje të shprehë sjellje natyrale dhe nëse nuk vuan nga gjendje të papëlqyeshme, si frika, dhimbja e ankthi.
58. “Mish” janë të gjitha pjesët e ngrënshme të një kafshe.
59. “Mjek veterinar” është personi që ka përfunduar arsimin universitar në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, i regjistruar ose i licencuar nga trupa statusore veterinare për të zbatuar praktikën mjekësore ose shkencore veterinare në Republikën e Shqipërisë.
60. “Mjek veterinar i autorizuar” është mjeku veterinar i autorizuar nga autoriteti kompetent, pas miratimit nga trupa statusore veterinare, për të kryer një ose disa detyra të veterinerit zyrtar.
61. “Mbikëqyrje” është mbledhja e vazhdueshme sistematike, shqyrtimi dhe analiza e informacionit që lidhet me shëndetin e kafshëve dhe shpërndarjen në kohë të informacionit atyre që duhet të dinë për marrjen e masave.
62. “Mbikëqyrje specifike” është mbikëqyrja e shënjestruar për një sëmundje ose infeksion të veçantë.
63. “Ndalim” është kombinimi i masave kufizuese të përkohshme në stabilimentet e mbarështimit të kafshëve, vendqëndrimet, territoret ku janë zbuluar sëmundje infektive të kafshëve, deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga autoriteti kompetent veterinar.
64. “Nënprodukt shtazor” janë karkasat e kafshëve ose pjesë të tyre, ose produkte me origjinë shtazore, të cilat nuk janë për konsum njerëzor, si dhe vezët, sperma dhe embrionet.
65. “Nënpopulacion” është një pjesë e veçantë e një populacioni, e identifikuar
duke u mbështetur në karakteristikat e përbashkëta të shëndetit të kafshëve.
66. “Ngarkesë” janë kafshët, produktet embrionale, produktet me origjinë shtazore, jo për konsum njerëzor, produktet mjekësore veterinare, produktet biologjike dhe materialet patologjike, të shoqëruara nga e njëjta certifikatë ose dokument veterinar, të transportuara me të njëjtat mjete transporti dhe që vijnë nga i njëjti vend ose rajon.
67. “Njësi epidemiologjike” është një grup kafshësh me një lidhje të përcaktuar epidemiologjike, të cilat ndajnë thuajse të njëjtën mundësi të ekspozimit ndaj një patogjeni, për arsye se ndajnë të njëjtin mjedis (p.sh. kafshët në një vathë) ose për shkak të praktikës së njëjtë të administrimit. Zakonisht një njësi epidemiologjike është një tufë ose kope, megjithatë mund t’i referohet edhe grupeve të kafshëve, që i përkasin banorëve të një fshati, ose kafshët, që ndajnë të njëjtin mjedis të përbashkët.
68. “Njësi e ndërzimit artificial” është njësia e miratuar nga autoriteti kompetent veterinar, që përmbush kushtet e përcaktuara në Kodin Shëndetësor të Kafshëve të Tokës të OIE-së, për mbledhjen, përpunimin ose ruajtjen e spermës.
69. “Njësi të shërbimit veterinar privat” janë personat fizikë ose juridikë, farmacitë veterinare, klinikat dhe spitalet veterinare, qendrat për riprodhimin dhe ndërzimin artificial e laboratorët veterinarë.
70. “Njësi e veçuar prodhimi” janë një ose më shumë stalla në një sistem të përbashkët të menaxhimit të biosigurisë, ku mbahet një nënpopullatë kafshësh me një gjendje të dallueshme shëndetësore, në lidhje me një sëmundje të veçantë, për të cilën janë zbatuar mbikëqyrje e kontrolle dhe janë marrë masat e duhura të biosigurisë, sipas përcaktimeve për qëllime tregtie.
71. “Njoftim” është procedura, përmes së cilës autoriteti kompetent veterinar njofton zyrën qendrore të OIE-së ose zyra qendrore e OIE-së njofton autoritetin kompetent veterinar, për shfaqjen e një shpërthimi të
sëmundjes ose infeksionit, në përputhje me Kodin Shëndetësor të Kafshëve të Tokës dhe të Ujit.
72. “Organizata Botërore e Shëndetit të Kafshëve (OIE)” është organizata ndërqeveritare
përgjegjëse për përmirësimin e shëndetit të kafshëve.
73. “Parti (malli)” është një sasi e përcaktuar e materialit primar, materialit paketues ose e produktit përfundimtar, që karakterizohet nga homogjeniteti i tij dhe është prodhuar në një proces ose një seri procesesh, nën të njëjtat kushte prodhimi ose një orari pune.
74. “Periudhë infektive” është periudha gjatë së cilës një kafshë e prekur mund të bëhet burim i infeksionit.
75. “Periudhë e inkubimit” është periudha më e gjatë që nevojitet ndërmjet hyrjes së patogjenit në kafshë ose ekspozimit ndaj shkaktarit të sëmundjes dhe shfaqjes së shenjave të para klinike të sëmundjes.
76. “Periudhë rreziku” është periudha e shfaqjes dhe e pranisë së sëmundjes me pasoja të
dëmshme në shëndetin e kafshëve dhe të njerëzve.
77. “Pikë e daljes” është pika e inspektimit kufitar ose çdo vend tjetër i përcaktuar, nga e cila
kafshët largohen nga territori i Republikës së Shqipërisë.
78. “Pikë grumbullimi për kafshët” janë vende të tilla, si fermat, pikat e grumbullimit dhe tregjet, ku grumbullohen kafshë nga ferma të ndryshme, me qëllim krijimin e një grupi të madh kafshësh për të formuar ngarkesa.
79. “Pikë e inspektimit kufitar” është çdo aeroport ose port, pikë kontrolli në tokë ose stacion hekurudhor, e përcaktuar dhe miratuar nga ministri, për kryerjen e kontrolleve veterinare për ngarkesat që mbërrijnë në kufirin e territorit të Republikës së Shqipërisë.
80. “Pikë pushimi” është vendi ku ndërpritet udhëtimi për të pushuar, për të ushqyer ose për t’i dhënë për të pirë kafshëve, të cilat mund të qëndrojnë në mjete ose të shkarkohen për këtë qëllim.
81. “Plan kontingjence” është një plan i hollësishëm, i hartuar për kontrollin dhe luftimin e
një sëmundjeje infektive, të përcaktuar në listën përkatëse për kafshët.
82. “Plan kontrolli” është përshkrimi i hartuar nga autoriteti kompetent, i cili përmban informacionin e
përgjithshëm për strukturën dhe organizimin e sistemeve të tij të kontrollit zyrtar.
83. “Plan kualifikimi” është plani i hartuar nga autoriteti kompetent, për trajnimin e mjekëve veterinarë, teknikëve veterinarë, kujdestarëve të kafshëve, për njohjen e sëmundjeve infektive, kontrollin dhe luftimin e tyre.
84. “Populacion” është një grup i njësive epidemiologjike që ndajnë një karakteristikë të përbashkët të përcaktuar.
85. “Produkte embrionale” janë spermat, vezët dhe embrionet për inseminimin artificial të kafshëve dhe rasatit të peshkut.
86. “Produkte hormonale” janë produktet, të cilat përmbajnë substanca hormonale (direkte ose indirekte), me
efekt estrogjenik, androgjenik dhe gestagjenik.
87. “Produkt mjekësor veterinar (më poshtë PMV)” është çdo lëndë ose përzierje lëndësh:
a) që përdoren për mjekimin ose parandalimin e sëmundjes në kafshë;
b) që mund t’u jepet kafshëve për të kthyer, rregulluar ose ndryshuar funksionet fiziologjike në kafshë, duke ushtruar një veprim farmakologjik, imunologjik ose metabolik apo për vendosjen e një diagnoze mjekësore.
88. “Produkt mjekësor veterinar imunologjik” është një PMV, që u jepet kafshëve për të
shkaktuar imunitet aktiv a pasiv ose për të diagnostikuar gjendjen e imunitetit.
89. “Produkte shtazore specifike të rrezikshme” janë organet dhe indet e kafshëve ripërtypëse, ku janë grumbulluar agjentët e encefalopatisë sfungjerore të transmetueshme (TSE).
90. “Program i kontrollit zyrtar” është programi që është miratuar dhe drejtohet ose mbikëqyret nga autoriteti kompetent veterinar, për kontrollin e një vektori, patogjeni ose sëmundjeje me masa të veçanta, të zbatuara në të
gjithë territorin e vendit ose brenda një zone apo njësie të veçuar të vendit.
91. “Pronar ose kujdestar” është çdo person fizik apo juridik, që ka në pronësi kafshët ose është i
ngarkuar të kujdeset për kafshët, me ose pa shpërblim financiar.
92. “Rast” është konfirmimi zyrtar i pranisë së sëmundjes së përfshirë në listë, në kafshë ose karkasë, me ose pa shenja klinike.
93. “Reaksion i kundërt” është reaksioni, i cili është i paqëllimshëm dhe i dëmshëm dhe i cili ndodh në rastet e marrjes së dozave të PMV-ve, që normalisht përdoren në kafshë për profilaksinë, diagnozën ose trajtimin e sëmundjes apo ndryshimin e funksioneve fiziologjike.
94. “Recetë e farmakopesë” është receta për një PMV, e përgatitur në një farmaci, sipas një farmakopeje veterinare në fuqi, me qëllim për t’u përdorur në një kafshë apo grup kafshësh të caktuara.
95. “Regjistrim” është veprimi me anë të të cilit informacioni për kafshët (si identifikimi, shëndeti i kafshëve, lëvizja, certifikimi, epidemiologjia, stabilimentet) mblidhet, shënohet, ruhet në mënyrë të sigurt për përdorim nga autoriteti kompetent.
96.“Rezistencë antimikrobike” është aftësia e disa llojeve të mikroorganizmave që të mbijetojnë, madje dhe të rriten në praninë e një përqendrimi të dhënë të një agjenti antimikrobik, përqendrim që zakonisht është në gjendje të
pengojë ose të vrasë mikroorganizma të të njëjtit lloj.
97. “Risk” është mundësia e shfaqjes dhe madhësia e pasojave biologjike të një efekti të kundërt për
shëndetin e kafshëve ose të njeriut në një vend gjatë një periudhe të caktuar kohe.
98. “Rrezik” është një agjent biologjik, kimik ose fizik ose një gjendje e një kafshe ose produkti shtazor me
mundësinë për të shkaktuar një efekt të kundërt shëndetësor.
99. “Sëmundje” është shfaqja klinike dhe/ose patologjike e infeksionit.
100. “Sëmundje infektive” është shfaqja klinike dhe/ose patologjike e infeksionit, të shkaktuar nga agjentë infektivë.
101. “Sëmundje e lajmërueshme” është një sëmundje e listuar nga autoriteti kompetent veterinar dhe e miratuar nga ministri, për të cilën, sapo të zbulohet ose të dyshohet, duhet të njoftohet autoriteti kompetent.
102. “Lista e sëmundjeve ose lista” është lista e sëmundjeve të transmetueshme, të miratuara nga Asambleja e Përgjithshme e Delegatëve të OIE-së dhe të përcaktuara në Kodin Shëndetësor të Kafshëve të Tokës dhe të Ujit.
103. “Sëmundje e shfaqur rishtas” është një infeksion i ri, si rrjedhojë e evolucionit ose ndryshimit të një agjenti patogjen ekzistues, një infeksion i njohur, që përhapet në një zonë të re gjeografike ose në një populacion të ri apo një agjent patogjen a sëmundje e panjohur më parë që diagnostikohet për herë të parë dhe që ka një ndikim të madh mbi shëndetin e kafshëve ose shëndetin publik.
104. “Sistemi i farmakovigjilencës” është mbledhja, monitorimi, kërkimi, vlerësimi, kuptimi dhe parandalimi i reaksioneve të kundërta të produkteve mjekësore veterinare mbi shëndetin e kafshëve ose të njeriut.
105.“Sistemi i identifikimit të kafshëve” është përfshirja dhe lidhja e komponentëve të tillë, si identifikimi i fermave, pronarëve dhe/ose kujdestarëve të kafshëve, lëvizjet e kafshëve dhe shënime të tjera që lidhen me identifikimin e kafshës.
106. “Stacion karantine” është një ndërtesë nën kontrollin e autoritetit veterinar, ku kafshët mbahen në izolim pa asnjë kontakt të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me kafshët e tjera, për të parandaluar transmetimin e një patogjeni të caktuar, ku kafshët i nënshtrohen një vëzhgimi për një kohëzgjatje të caktuar dhe, nëse nevojitet, i nënshtrohen edhe testimit e mjekimit.
107. “Shërbim veterinar” janë strukturat veterinare, shtetërore ose joshtetërore, të cilat zbatojnë masat e shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve, si dhe standarde dhe rekomandime të fushës, të përcaktuara në Kodin Shëndetësor të Kafshëve të Tokës dhe të Ujit, të OIE-së, në territorin e Republikës së Shqipërisë, nën drejtimin e autoritetit kompetent.
108. “Shkelje e përsëritur” është shkelja e kryer brenda një periudhe 1-vjeçare që nga hyrja në fuqi e një akti
dënues, përmes të cilit kundërvajtësi është dënuar për shkelje të të njëjtit tip.
109. “Shpërthim i parë” është shpërthimi i një sëmundjeje infektive në kafshë, që nuk lidhet nga ana epidemiologjike me një shpërthim të mëparshëm në të njëjtën zonë ose shpërthimin e parë në një zonë tjetër.
110. “Shpërthim i sëmundjes ose infeksionit” është shfaqja e një ose më shumë rasteve të një sëmundjeje
ose infeksioni në një njësi epidemiologjike.
111. “Shpërthim vijues” është shpërthimi që pason shpërthimin e parë të një sëmundjeje
infektive në kafshë në një zonë tashmë të infektuar.
112. “Teknik veterinar” është një veteriner me arsim të mesëm profesional, që autorizohet nga trupa statusore veterinare të kryejë disa detyra të përcaktuara në një territor, nën përgjegjësinë dhe drejtimin e një mjeku veterinar.
113. “Transport” është lëvizja e kafshëve për qëllime tregtare, e kryer me një ose me shumë mjete transporti, dhe veprimet e tjera që përfshijnë ngarkimin, shkarkimin, transferimin dhe pushimin, deri në përfundimin e shkarkimit të kafshëve në vendin e mbërritjes.
114. “Transportues” është personi fizik ose juridik, i licencuar për të transportuar kafshë, për llogari të tij ose për një të tretë.
115. “Transit” është lëvizja e ngarkesës së kafshëve të gjalla, përmes ose brenda territorit të
Republikës së Shqipërisë, nga një vend në një vend tjetër.
116. “Trullosje” është çdo procedurë e zbatuar mbi një kafshë, që shkakton humbjen e menjëhershme
të ndjenjave dhe që zgjat deri në ngordhjen e kafshës.
117. “Tufë/kope” është një numër kafshësh të të njëjtit lloj, që mbahen së bashku nën kontrollin e njeriut, ose një bashkim i kafshëve të egra. Për qëllimet e Kodit Shëndetësor të Kafshëve të Tokës, një tufë zakonisht konsiderohet si një njësi epidemiologjike.
118. “Therje” është çdo procedurë që shkakton ngordhjen e një kafshe me gjakderdhje.
119. “Therje sanitare” është një masë e detyrueshme që zbatohet me qëllim çrrënjosjen e
sëmundjes së kafshëve të infektuara ose të dyshuara si të tilla.
120. “Therje e sforcuar” është therja e urdhëruar e kafshëve nga një mjek veterinar, për shkak të ndonjë dëmtimi ose në rastet e sëmundjeve që shoqërohen me dhimbje dhe vuajtje të rënda dhe kur nuk ka asnjë mundësi tjetër
praktike për të lehtësuar dhimbjen ose vuajtjen.
121. “Tireostatikët” janë substancat, të cilat zvogëlojnë funksionet e gjëndrës tiroide, përmes të cilave stimulohet efekti i rritjes.
122. “Udhëtim” është i gjithë veprimi i transportit nga vendi i nisjes për në vendin e mbërritjes, që fillon kur kafsha e parë ngarkohet në një mjet ose kontejner dhe përfundon kur kafsha e fundit është shkarkuar dhe përfshin çdo periudhë të qëndrimit ose të pushimit.
123. “Udhëtim i gjatë” është një udhëtim që zgjat mbi 8 orë, duke filluar nga koha kur lëvizet kafsha e parë e ngarkesës.
124. “Vaksinim profilaktik” është imunizimi i kafshëve të prekshme nga sëmundjet infektive, nëpërmjet administrimit të një vaksine, të përbërë nga antigjenë të përshtatshëm për të kontrolluar sëmundjen.
125. “Vektor” është çdo kafshë, vertebrore ose jovertebrore, që, në mënyrë mekanike apo
biologjike, transmeton a përhap shkaktarin e sëmundjes.
126. “Vend i mbërritjes” është vendi, në të cilin një kafshë shkarkohet nga një mjet transporti dhe pushon për të paktën 48 orë përpara kohës së nisjes ose therjes apo vendi ku shkarkohet ngarkesa.
127. “Veteriner zyrtar” është mjeku veterinar shtetëror i autorizuar nga autoriteti kompetent veterinar për të kryer detyra të përcaktuara në lidhje me mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve, shëndetit publik,
kontrollin e PMV-ve, materialin biologjik, materialin patologjik dhe certifikimin e tyre.
128. “Zonë/rajon” është një pjesë e përcaktuar qartë e një territori, që përmban kafshë në një nënpopulacion kafshësh me një gjendje të dallueshme shëndetësore, në lidhje me një sëmundje të veçantë, për të cilën mbikëqyrja,
kontrolli dhe masat e biosigurisë janë zbatuar për qëllime të tregtisë ndërkombëtare.
129. “Zonë e infektuar” është zona, në të cilën prania e sëmundjes në fjalë vërtetohet sipas
kërkesave, të përcaktuara në Kodin Shëndetësor të Kafshëve të Tokës dhe të Ujit.
130. “Zonë e lirë” është zona, në të cilën vërtetohet mungesa e sëmundjes, në përputhje me
kërkesat e përcaktuara në Kodin Shëndetësor të Kafshëve të Tokës dhe të Ujit.
131. “Zona e mbikëqyrur” është zona e përcaktuar brenda dhe gjatë kufirit të një zone të lirë,
që ndan zonën e lirë nga një zonë e infektuar, që ka një shkallë intensive të mbikëqyrjes.
132. “Zoonozë” është çdo sëmundje ose infeksion që, në mënyrë të natyrshme, transmetohet,
drejtpërdrejt ose tërthorazi, nga kafshët te njeriu.


KREU II
IDENTIFIKIMI DHE REGJISTRIMI I KAFSHËVE DHE FERMAVE BLEGTORALE


SEKSIONI 1
IDENTIFIKIMI DHE REGJISTRIMI

Neni 5
Qëllimi i sistemit të identifikimit dhe regjistrimit të kafshëve

Sistemi i identifikimit dhe regjistrimit (IR) të kafshëve synon:
a) kryerjen e regjistrimit individual të kafshëve dhe të fermave blegtorale, ku ato mbarështohen në territorin e Republikës së Shqipërisë;
b) sigurimin e një baze të dhënash për të gjitha njësitë blegtorale dhe kafshët e llojeve të gjedhit, dhenve, dhive, derrave, njëthundrakëve, qenve dhe maceve, si dhe të llojeve të tjera, nëse kërkohet nga legjislacioni në fuqi;
c) garantimin e një kontrolli më të mirë të shëndetit të kafshëve që nga lindja, lëvizja, therja dhe ngordhja e tyre;
ç) harmonizimin me sistemin e mbikëqyrjes epidemiologjike, për të mundësuar gjurmueshmërinë e kafshëve dhe të fermave blegtorale;
d) sigurimin e informacionit për popullatën e kafshëve, për të mundësuar planifikimin e masave profilaktike veterinare, kontrollin dhe çrrënjosjen e sëmundjeve infektive të kafshëve;
dh) përmirësimin e kontrollit veterinar gjatë import-eksportit të kafshëve;
e) të shërbejë si bazë informacioni për kontrollin e shëndetit dhe të mirëqenies së kafshëve;
ë) të shërbejë për zbatimin e programeve kombëtare të mbështetjes dhe zhvillimit të sektorit blegtoral;
f) garantimin e konfidencialitetit të informacionit në bazën e të dhënave.

Neni 6
Identifikimi i kafshëve të prodhimit

1. Gjedhi, delet, dhitë dhe derrat i nënshtrohen identifikimit të detyrueshëm individual, në përputhje me rregulloren e miratuar nga ministri.
2. Identifikimi i kafshëve të racave të pastra, që kryhet nga qendrat e blegtorisë dhe të studimeve racore, nuk është subjekt i rregullimeve të përcaktuara në këtë kre.
3. Për të parandaluar, zbuluar dhe kontrolluar sëmundje infektive, si dhe për të kontrolluar tregtinë e kafshëve, autoriteti kompetent urdhëron identifikim të detyrueshëm të llojeve të tjera të kafshëve të prodhimit.
4. Pronari i kafshëve është përgjegjës për identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve sipas legjislacionit në fuqi.
5. Pronari i kafshëve mban regjistrat e identifikimit dhe të regjistrimit të kafshëve dhe siguron gjurmimin e tyre në rast të lëvizjes.

Neni 7
Financimi i sistemit IR

1. Shpenzimet për ngritjen dhe administrimin e sistemit IR mbulohen nga buxheti i ministrisë dhe çdo e ardhur tjetër nga burime të ligjshme.
2. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton pjesën e kostos së sistemit IR, që do të mbulohet nga fermerët.
3. Tarifat për funksionimin e sistemit IR përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për fushën e veterinarisë dhe të ministrit përgjegjës për financat.

Neni 8
Pronari dhe kujdestari i kafshëve

Pronari ose kujdestari i kafshëve është përgjegjës për:
a) identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve dhe të fermës blegtorale;
b) njoftimin e lëvizjes së kafshëve, të cilat duhet të shoqërohen me certifikatë veterinare;
c) mbajtjen e regjistrit të identifikimit të kafshëve në fermë, sipas formatit të miratuar nga autoriteti kompetent, i cili ka të drejtën e kontrollit mbi të dhënat e regjistrit.

Neni 9
Funksionet e veterinerit zyrtar në identifikimin e kafshëve të prodhimit

1. Veterineri zyrtar urdhëron masat e mëposhtme, kur konstaton mospërputhje në identifikimin e kafshëve:
a) ndalimin e lëvizjes së të gjitha kafshëve nga ferma ose futjen e kafshëve në fermë;
b) eliminimin, brenda 72 orëve, të kafshëve të paidentifikuara dhe groposjen e karkasave të tyre.
2. Ministri miraton rregullat për marrjen e masave që zbatohen nga veterineri zyrtar, në rastet e përmendura në pikën 1 të këtij neni.

Neni 10
Trajtimi dhe mbrojtja e të dhënave

Trajtimi i të dhënave të sistemit IR bëhet duke marrë të gjitha masat teknike dhe organizative për mbrojtjen e këtyre të dhënave nga çdo dëmtim apo rast humbjeje, të paligjshme apo aksidentale, nga çdo ndryshim, hyrje apo përhapje të paautorizuar, duke garantuar mbrojtjen dhe ruajtjen e fshehtësisë së të dhënave, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Neni 11
Funksionimi i sistemit të identifikimit dhe regjistrimit (IR)

1. Kafshët dhe fermat blegtorale identifikohen dhe regjistrohen, sipas sistemit kombëtar IR, të mbajtur nga autoriteti kompetent, që është përgjegjës për administrimin dhe funksionimin e këtij sistemi.
2. Procedurat, mjetet dhe metodat për ngritjen, funksionimin dhe zbatimin e sistemit IR miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.
3. Sistemi IR përfshin një bazë të dhënash kompjuterike, ku hidhen të dhënat për identifikimin e kafshëve dhe regjistrimin e fermave blegtorale.
4. Njësia përkatëse e IR-së është përgjegjëse për monitorimin, marrjen dhe analizimin e të dhënave të këtij sistemi, si dhe për raportimin pranë autoritetit kompetent.

SEKSIONI 2
SISTEMI I IDENTIFIKIMIT TË KAFSHËVE TË SHOQËRIMIT


Neni 12
Identifikimi i qenve

1. Të gjithë qentë duhet t’i nënshtrohen procesit të identifikimit.
2. Të gjithë qentë e identifikuar duhet të regjistrohen në regjistrin që administrohet nga autoriteti kompetent.
3. Pronarët e qenve mbulojnë koston e pasaportës mjekësore veterinare dhe identifikimin e detyrueshëm të qenve (rripit identifikues ose mikroçipit).
4. Ministri miraton rregulloren përkatëse, ku përcaktohet forma e identifikimit të detyrueshëm, sipas pikës 1 të këtij neni.
5. Pronari i qenit është i detyruar që, brenda 14 ditëve, të njoftojë shërbimin veterinar për blerjen e një qeni ose të kërkojë çregjistrimin e qenit, në rastet e zhdukjes, shitjes, dhurimit ose ngordhjes së kafshës.


KREU III
MBROJTJA E SHËNDETIT TË KAFSHËVE DHE KONTROLLI


SEKSIONI 1
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME PËR MBROJTJEN E SHËNDETIT TË KAFSHËVE


Neni 13
Mbrojtja e shëndetit të kafshëve

Mbrojtja e shëndetit të kafshëve garanton mbarështimin dhe prodhimin e kafshëve të shëndetshme, mbrojtjen e shëndetit publik veterinar, mirëqenien e kafshëve dhe mbrojtjen veterinare të mjedisit.

Neni 14
Lista e sëmundjeve

1. Lista e sëmundjeve, të cilat prekin rëndë shëndetin e kafshëve, përgatitet nga autoriteti kompetent, mbështetur në situatën epidemiologjike në vend dhe listën e sëmundjeve të përcaktuara nga OIE-ja, dhe miratohet nga ministri.
2. Lista e sëmundjeve të lajmërueshme dhe e atyre me lajmërim të menjëhershëm përcaktohen nga autoriteti kompetent, mbështetur në listën e sëmundjeve të përcaktuara nga OIE-ja.

Neni 15
Masat e përgjithshme profilaktike

Shërbimi veterinar, me qëllim zbatimin e masave të përgjithshme profilaktike për mbrojtjen e shëndetit, të kontrollit dhe të çrrënjosjes së sëmundjeve të kafshëve, kryen:
a) ndarjen dhe izolimin e kafshëve të sëmura nga kafshët e shëndetshme;
b) ndalimin ose kufizimin e vendosjes në tregje ose të lëvizjes së kafshëve;
c) ndalimin e tregjeve të bagëtive, panaireve të bagëtive, garat sportive dhe evenimente të tjera publike, ndalimin e punës në tregje, në transport dhe në vende të tjera të grumbullimit të kafshëve;
ç) ndalimin ose kufizimin e tregtisë së kafshëve dhe të objekteve të tjera, përmes të cilave mund të transmetohet sëmundja;
d) ndalimin e therjes së njëthundrakëve, dythundrakëve, shpendëve, lepujve dhe kafshëve të egra që gjenden në fermë;
dh) ndalimin, kufizimin ose shtimin e gjuetisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi të gjuetisë;
e) eliminimin ose therjen e kafshëve të sëmura ose të kafshëve të dyshuara si të sëmura;
ë) regjistrimin e kafshëve në një fermë ose vend tjetër ku ato mbarështohen dhe, nëse është e nevojshme, matrikullimin e veçantë të tyre;
f) ndalimin ose kufizimin e prodhimit të kafshëve për një kohë të caktuar;
g) trajtimin, mbrojtjen ose vaksinimin dhe testet diagnostike;
gj) kufizimin e lëvizjes së personave në zonat mbrojtëse që janë në kontakt me kafshët e infektuara ose kafshët e dyshuara si të infektuara;
h) ndalimin e hyrjes ose të daljes së njerëzve dhe të kafshëve nga dhe drejt zonave të infektuara ose të rrezikuara, në të cilat dyshohet infeksioni;
i) kastrimin e kafshëve të infektuara;
j) ndalimin e riprodhimit të kafshëve deri në zhdukjen e infeksionit në zonat e infektuara;
k) eliminimin dhe asgjësimin e karkasave të qenve dhe maceve të rrugës;
l) ndalimin e transportit dhe tregtisë së bletëve;
ll) dezinfektimin, dezinsektimin dhe deratizimin e objekteve, pajisjeve, ndërtesave, mjeteve të transportit dhe të mjediseve të tjera, zonave dhe sipërfaqeve ku mbahen kafshët e infektuara ose të dyshuara si të infektuara;
m) dezinfektimin e personave, që kanë pasur kontakt, drejtpërdrejt ose tërthorazi, me vektorët e sëmundjeve infektive;
n) ndalimin e lëshimit të certifikatave veterinare për lëvizjen e kafshëve dhe të materialeve me origjinë shtazore;
nj) kontrollin sistematik të kafshëve bartëse të sëmundjes;
o) sigurimin dhe mbajtjen e kushteve higjienike (biosiguria) në fermat e stabilimentet për mbarështimin e kafshëve dhe në mjetet e transportit;
p) kontrollin e detyruar për kafshët gjatë kullotjes ose ndalimin e kullotjes në zonat e infektuara, të rrezikuara ose të dyshuara si të infektuara.

Neni 16
Programet vjetore të monitorimit

Shërbimi veterinar përgatit programet vjetore të profilaksisë veterinare shtetërore, kontrollit, monitorimit dhe mbikëqyrjes së sëmundjeve me pasoja për shëndetin e kafshëve dhe shëndetin publik veterinar, mbështetur në situatën epidemiologjike në vend.

SEKSIONI 2
MONITORIMI I ZOONOZAVE DHE AGJENTËVE ZONOTOIKË

Neni 17
Sëmundjet e shfaqura rishtas

1. Autoriteti kompetent, në rast të shfaqjes së një sëmundjeje infektive, që nuk është përfshirë në programet dhe në listën e sëmundjeve të përmendura në nenin 14 të këtij ligji, i propozon ministrit përfshirjen e sëmundjes në programet vjetore dhe listën e sëmundjeve infektive.
2. Propozimi përmban argumentet për burimet shtesë financiare dhe materiale për ndjekjen e zbatimin e masave profilaktike, të kontrollit dhe të çrrënjosjes së sëmundjes infektive.
3. Në rast rreziku për shpërthimin e sëmundjeve infektive, të cilat nuk figurojnë në listën e OIE-së dhe që mund të rrezikojnë shëndetin e kafshëve ose të njerëzve, zbatohen masat për mbrojtjen kundër sëmundjeve infektive, të parashikuara në këtë nen.

Neni 18
Dyshimi për praninë e sëmundjes infektive

Konsiderohen arsye për të dyshuar për praninë e një sëmundjeje infektive në një tufë, stallë, fermë ose njësi epidemiologjike, ku kafshët qëndrojnë përkohësisht ose gjithë kohës, rastet kur:
a) shfaqen dy ose më shumë raste të sëmundjes ose të ngordhjeve, me të njëjtat shenja ose shenja të ngjashme;
b) një kafshë ngordh papritur, pa ndonjë shkak të dukshëm;
c) te kafsha, brenda 8 ditëve, shfaqen shenja të sëmundjes, të përsëritura në krerë të tjerë;
ç) rezultatet e testeve laboratorike, shenjat klinike të sëmundjes ose rrethanat epidemiologjike justifikojnë ngritjen e dyshimeve për sëmundjet infektive.

Neni 19
Njoftimet në rast dyshimi

1. Pronari dhe/ose kujdestari i kafshës duhet të njoftojë menjëherë për rastin e dyshuar një mjek veterinar, privat ose shtetëror, pas shfaqjes së një sëmundjeje infektive ose të shenjave, në bazë të të cilave dyshohet se kafsha është infektuar ose ka ngordhur nga një sëmundje e tillë.
2. Teknikët veterinarë, në rast dyshimi për praninë e sëmundjes infektive në kafshë, njoftojnë menjëherë mjekun veterinar, nën kontrollin e të cilit ushtrojnë veprimtarinë e tyre.
3. Çdo mjek veterinar, i cili dyshon për praninë e sëmundjes infektive në kafshë, njofton menjëherë, me shkrim, shërbimin veterinar rajonal përkatës. Modeli i formularit miratohet nga ministri, me propozim të autoritetit kompetent.
4. Drejtuesit e njësive të qeverisjes vendore, punonjësit e shërbimit pyjor dhe gjuetarët janë të detyruar të lajmërojnë shërbimin veterinar rajonal për çdo dyshim për sëmundje infektive në kafshë dhe/ose kafshët e egra.

Neni 20
Veprimet në rastin e dyshimit

1. Pronari ose kujdestari i kafshës është i detyruar të kufizojë menjëherë lëvizjen e kafshëve, për të cilat ai dyshon se janë infektuar, ose të shmangë kontaktin e kafshës së sëmurë ose karkasës me njerëz dhe kafshë të tjera, deri në çastin e kryerjes së një ekzaminimi veterinar, sipas përcaktimeve të këtij ligji.
2. Me marrjen e njoftimit për dyshim të sëmundjes infektive, veterineri zyrtar nis menjëherë kryerjen e procedurave përkatëse për të konfirmuar ose për të përjashtuar praninë e sëmundjes së dyshuar.
3. Veterineri zyrtar merr kampionet dhe i dërgon në laboratorin veterinar, të përcaktuar për sëmundjen që dyshohet.
4. Nën mbikëqyrjen e veterinerit zyrtar, kafshët e dyshuara mund të transportohen në laboratorin veterinar, duke marrë masat e nevojshme për të parandaluar përhapjen e sëmundjes, sipas legjislacionit në fuqi.

Neni 21
Masat me konfirmimin e sëmundjes

1. Kur konfirmohet dyshimi i pranisë së sëmundjes infektive nga laboratori veterinar, shërbimi veterinar rajonal njofton autoritetin kompetent.
2. Shërbimi veterinar rajonal vendos fermën nën mbikëqyrje zyrtare dhe autorizon veterinerin zyrtar ose të autorizuar të zbatojë masat e përgjithshme profilaktike, të përcaktuara në nenin 15 të këtij ligji, si dhe ato të përcaktuara në rregulloren përkatëse.
3. Pronari dhe/ose kujdestari i kafshëve, për të cilat është konfirmuar prania e sëmundjes, bashkëpunon me veterinerin zyrtar për zbatimin e masave të vendosura sipas këtij neni.
4. Shërbimi veterinar rajonal mund të zbatojë masat te fermat e tjera nëse vendndodhja, konfigurimi ose kontaktet e tyre me fermën, ku sëmundja është dyshuar, japin arsye për të dyshuar për një kontaminim të mundshëm.
5. Masat e zbatuara i njoftohen autoritetit kompetent dhe ato nuk mund të hiqen nga ana e shërbimit veterinar rajonal, derisa dyshimi për praninë e sëmundjes nuk është përjashtuar.
6. Nëse përcaktohet në planet e kontingjencës, ngrihet njësia e krizës për bashkërendimin e të gjitha masave të nevojshme, për çrrënjosjen e sëmundjes sa më shpejt që të jetë e mundur. Burimet për përfitimin, ruajtjen dhe furnizimin e pajisjeve minimalisht të kërkuara për qendrat e krizave, të ngritura për zbatimin e planeve të kontingjencës, sigurohen nga buxheti i ministrisë.
7. Ministri miraton rregulloren për masat që duhet të zbatohen në fermën e vendosur nën mbikëqyrje zyrtare, sipas pikës 2 të këtij neni.

Neni 22
Njoftimi pas konfirmimit

1. Shërbimi veterinar rajonal njofton personat fizikë dhe juridikë, që kryejnë veprimtari veterinare, shërbimet veterinare homologe të strukturave të tjera shtetërore në rajonin përkatës dhe autoritetet e qeverisjes vendore për konfirmimin e pranisë së një sëmundjeje infektive.
2. Autoritetet e qeverisjes vendore, në bashkëpunim me shërbimin veterinar rajonal, njoftojnë zyrtarisht pronarët që merren me mbarështimin e kafshëve dhe bëjnë publike për të gjithë zonën konfirmimin e sëmundjes.
3. Në rastin e shfaqjes së zoonozave, shërbimi veterinar rajonal njofton autoritetin kompetent për sigurinë ushqimore dhe atë të shëndetit publik rajonal.
4. Autoriteti kompetent njofton OIE-në, strukturat veterinare të BE-së dhe të vendeve, me të cilat Republika e Shqipërisë ka nënshkruar marrëveshje veterinare, brenda 24 orëve për shpërthimin e parë të çdo sëmundjeje infektive, me lajmërim të menjëhershëm, të konfirmuar në territorin e Republikës së Shqipërisë, në të cilin përcaktohen vendndodhja dhe masat e menjëhershme që janë marrë apo duhet të merren.
5. Autoriteti kompetent, gjithashtu, njofton OIE-në dhe organizmat veterinarë, të përmendur në pikën 4 të këtij neni, edhe për shpërthimet vijuese të sëmundjeve infektive me lajmërim të menjëhershëm.
6. Autoriteti kompetent njofton ministrin, organet administrative shtetërore të shëndetësisë, të mbrojtjes së mjedisit, organet kompetente për emergjencat civile dhe publikun, kur një sëmundje paraqet një rrezik serioz për shëndetin e njerëzve dhe të kafshëve, si dhe i informon për masat më të rëndësishme për parandalimin e sëmundjes.

Neni 23
Njësitë e veçuara të prodhimit

Shërbimi veterinar rajonal mund të vendosë përjashtimin nga kërkesat e nenit 21 të këtij ligji, në rastin e fermave të përbëra nga më shumë se 2 njësi të veçuara prodhimi, me kusht që veterineri zyrtar të ketë konfirmuar se:
a) struktura e madhësia e këtyre njësive dhe veprimet e kryera atje janë krejtësisht të veçanta për sa i përket strehimit, personelit, pajisjeve e ushqimit;
b) masat e marra parandalojnë përhapjen e shkaktarit të sëmundjes nga një njësi në tjetrën.

Neni 24
Zona e mbrojtur dhe e mbikëqyrur

1. Me konfirmimin e sëmundjes, autoriteti kompetent përcakton zonën e mbrojtur, me rreze minimumi 3 km, nga ferma e infektuar, që përfshihet në zonën e mbikëqyrur, me rreze minimumi 10 km, me përjashtim të rasteve kur madhësia e tyre përcaktohet në planet e kontingjencës ose rregulloret e sëmundjeve të veçanta. Në përcaktimin e zonës së mbrojtur dhe të mbikëqyrur merren në konsideratë faktorët gjeografikë, administrativë, ekologjikë dhe epidemiologjikë që lidhen me sëmundjen përkatëse dhe mundësitë e monitorimit.
2. Autoriteti kompetent mund të vendosë të ndryshojë (të rrisë apo të kufizojë, sipas rastit) kufijtë e zonave ose kohëzgjatjen e masave kufizuese, në varësi të pozicionit gjeografik dhe të faktorëve ekologjikë, kushteve meteorologjike, pranisë, shpërndarjes dhe llojit të vektorëve, rezultateve të hetimit epidemiologjik, rezultateve të analizave laboratorike dhe masave të kontrollit që zbatohen.
3. Masat e zbatuara në zonën e mbrojtur mbahen në fuqi për të paktën një periudhë inkubimi të sëmundjes përkatëse, pasi të jenë eliminuar kafshët në fermën e infektuar dhe të jenë kryer operacionet e pastrimit dhe të dezinfektimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
4. Autoriteti kompetent dhe shërbimi veterinar rajonal, sipas rastit, bashkëpunojnë me njësitë e qeverisjes vendore dhe njoftojnë popullatën, veçanërisht banorët e zonës, për masat e marra dhe shtrirjen e zonës së mbrojtur dhe të zonës së mbikëqyrur.
5. Ministri miraton masat që duhet të zbatohen në zonën e mbrojtur e të mbikëqyrur, si dhe planin e kontingjencës për sëmundje të veçanta.

Neni 25
Përfundimi i sëmundjes infektive

1. Një sëmundje konsiderohet se ka përfunduar kur, pas trajtimit dhe shërimit, eliminimit të detyruar, therjes ose ngordhjes së kafshës së fundit të sëmurë, pas kryerjes së dezinfektimeve, desinsektimeve dhe deratizimeve, ka kaluar periudha maksimale e inkubimit për këtë sëmundje infektive.
2. Autoriteti kompetent njofton OIE-në, strukturat veterinare të BE-së dhe të vendeve, me të cilat Republika e Shqipërisë ka nënshkruar marrëveshje veterinare, për heqjen, pas çrrënjosjes së shpërthimit të fundit të sëmundjes, të kufizimeve të vendosura në përputhje me nenet 21, 22 dhe 23 të këtij ligji.

Neni 26
Mbrojtja e shëndetit të kafshëve nga sëmundjet e tjera

Mbrojtja e shëndetit të kafshëve nga sëmundjet e tjera kryhet përmes marrjes së masave, sipas legjislacionit veterinar në fuqi dhe zbatimit të metodave shkencore e të testeve praktike në përcaktimin, trajtimin dhe kontrollin e sëmundjeve.

Neni 27
Masat në rrethana të jashtëzakonshme

1. Ministri, me propozimin e autoritetit kompetent, urdhëron marrjen e masave dhe kryerjen e procedurave të tjera për kontrollin dhe eliminimin e sëmundjeve, në rastin e rrethanave të jashtëzakonshme dhe katastrofave natyrore.
2. Për marrjen e masave, sipas pikës 1 të këtij neni, bashkëpunohet edhe me Ministrinë e Shëndetësisë dhe njësitë e qeverisjes vendore.

Neni 28
Vaksinimet profilaktike

1. Ndalohen vaksinimet profilaktike kundër sëmundjeve me lajmërim të menjëhershëm, me përjashtim të sëmundjes së pseudopestit dhe të murtajës klasike të derrave deri në afatin e përcaktuar në rregulloret përkatëse.
2. Ministri urdhëron zbatimin e vaksinimit në rastin e përhapjes në shkallë të gjerë të një ose disa sëmundjeve, sipas pikës 1 të këtij neni.

SEKSIONI 3
MASAT VETERINARE NË RIPRODHIMIN E KAFSHËVE


Neni 29
Qendrat e riprodhimit të kafshëve

1. Qendrat e punës racore, qendrat e ndërzimit, tufat e kafshëve, tufat riprodhuese të shpendëve, inkubatorët, qendrat e punës racore me fazanët, fermat e peshkut e të rritjes së mbretëreshave të bletëve duhet të jenë e të mbahen të pastra nga sëmundjet infektive.
2. Mbledhja dhe magazinimi i spermës së kafshëve, vezëve dhe embrioneve, si dhe metodat e përdoruara për mbledhje dhe magazinim i nënshtrohen kontrollit sanitaro – veterinar, sipas rregullores përkatëse.
3. Ndalohet mbledhja e spermës nga kafshët, për të cilat dyshohet të jenë bartëse të sëmundjeve infektive ose të jenë të prekura nga një sëmundje, e cila transmetohet në kafshë të tjera me material biologjik, vezë apo embrione të të njëjtit lloj kafshe.
4. Ndalohen tregtimi dhe përdorimi i spermës, vezëve dhe embrioneve të kafshëve, të cilat janë të kontaminuara ose që kanë veti morfologjike, biokimike dhe biofizike të ndryshuara.
5. Shërbimi veterinar rajonal kontrollon, në mënyrë periodike, gjendjen shëndetësore riprodhuese të kafshëve në ndërzimin natyral e ndërzimin artificial, qendrat e ndërzimit dhe qendrat e punës racore.
6. Shërbimi veterinar rajonal, pas kontrolleve, sipas pikës 5 të këtij neni, i propozon autoritetit kompetent vijimin ose ndërprerjen e veprimtarisë në qendrat e riprodhimit të kafshëve, si dhe bllokimin e saj.
7. Qendrat e riprodhimit të kafshëve detyrohen të informojnë rregullisht, në përputhje me përcaktimet e pikës 5 të këtij neni, autoritetin kompetent i cili administron regjistrin e këtyre qendrave.


SEKSIONI 4
KONTROLLET ZYRTARE SANITARO-VETERINARE NË KAFSHËT E GJALLA

Neni 30
Kontrollet zyrtare sanitare veterinare

1. Kontrolli (mbikëqyrja dhe monitorimi) zyrtar veterinar kryhet për:
a) kafshët para therjes;
b) materialet e papërpunuara me origjinë shtazore, jo për konsum njerëzor;
c) mjetet e transportit të kafshëve të gjalla;
ç) prodhimin dhe tregtimin e produkteve mjekësore veterinare;
d) përmbushjen e kërkesave në mirëqenien e kafshëve.
2. Autoriteti kompetent garanton kryerjen e kontrolleve zyrtare veterinare periodike, të mbështetur mbi riskun dhe me shpeshtësinë e duhur, duke pasur parasysh:
a) rreziqet e identifikuara të lidhura me kafshët;
b) çdo informacion që është në mospërputhje me këtë ligj.
3. Kontrollet zyrtare kryhen pa paralajmërim, me përjashtim të rasteve kur njoftimi paraprak është i nevojshëm.

Neni 31
Masat pas kontrollit

1. Pas kryerjes së kontrollit, nëse rezulton se kafshët e gjalla janë të shëndetshme, ato certifikohen dhe për këto kafshë lejohet tregtimi e trajtimi i tyre sipas dispozitave të këtij ligji.
2. Nëse pas kontrollit zyrtar, sipas nenit 30 të këtij ligji, konstatohen probleme në kushtet sanitaro-veterinare, atëherë merren masat në përputhje me këtë ligj.

Neni 32
Therja e sforcuar e kafshëve

1. Therja e sforcuar e kafshëve ose therja e kafshëve të dyshuara si të sëmura i nënshtrohet kontrollit veterinar, sipas përcaktimeve të këtij ligji, edhe në rastet e përdorimit të mishit e të produkteve për konsum vetjak.
2. Në rastin e therjeve të përmendura më lart, kafsha e gjallë shoqërohet nga një certifikatë veterinare, e lëshuar nga mjeku veterinar, i autorizuar sipas përcaktimeve të këtij ligji.
3. Gjatë therjes së kafshëve respektohen kërkesat e mirëqenies së kafshëve, sipas legjislacionit në fuqi.

Neni 33
Kontrolli në pikat e inspektimit kufitar (PIK)

1. Importi, eksporti dhe transiti i dërgesave me kafshë të gjalla, produkteve mjekësore veterinare, produkteve embrionale të kafshëve, produkteve me origjinë shtazore, jo për konsum njerëzor, të cilat mund të transmetojnë një sëmundje infektive ose të rrezikojnë shëndetin e njerëzve ose kafshëve, lejohen vetëm në pikat e inspektimit kufitar (PIK) dhe i nënshtrohen kontrollit veterinar nga inspektorët veterinarë të kufirit.
2. Çdo PIK vendoset në zonën e autoritetit doganor sa më pranë që të jetë e mundur pikës hyrëse, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. PIK-të vendosen në mjedise që plotësojnë kushtet higjienike, teknike dhe operative.
3. Autoriteti përgjegjës për inspektimin veterinar në PIK dhe shërbimi doganor bashkëpunojnë në organizimin e kontrolleve në këto pika të inspektimit kufitar, sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe parashikimeve të Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë.
4. Pikat e kalimit kufitar, ku lejohen hyrja dhe dalja e ngarkesave, sipas pikës 1 të këtij neni, përcaktohen me urdhër të ministrit.
5. Kafshët e shoqërimit ose kafshët ekzotike, të cilat, për qëllime jotregtare, hyjnë për në ose dalin nga territori i Republikës së Shqipërisë përmes PIK, shoqërohen me dokumentacionin veterinar dhe i nënshtrohen kontrollit veterinar në PIK.
6. Ministri, me propozim të autoritetit kompetent, miraton aktet nënligjore për lëvizjen për qëllime jotregtare të kategorive të kafshëve, sipas pikës 5 të këtij neni.

Neni 34
Rregullorja e PIK-ve

1. Ministri miraton mënyrën e ngarkimit, të ringarkimit, të shkarkimit dhe të magazinimit të kafshëve të gjalla që importohen, transitohen ose eksportohen.
2. Ngarkimi, ringarkimi, shkarkimi, magazinimi e përpunimi i ngarkesave, sipas të këtij neni, i nënshtrohen inspektimit të detyrueshëm sanitaro-veterinar.
3. Në PIK sigurohet prania e të paktën një inspektori veterinar gjatë gjithë kohës.

Neni 35
Detyrimet e importuesit

1. Ngarkesa, që i nënshtrohet kontrollit veterinar të detyrueshëm në PIK, është nën përgjegjësinë e pronarit ose të personit përgjegjës për ngarkesën.
2. Importuesi duhet të kryejë të gjitha procedurat e përcaktuara, sipas legjislacionit në fuqi, për lajmërimin paraprak për ngarkesën, paraqitjen e ngarkesës për kontroll dhe për pagesën e tarifës së kontrollit veterinar, si dhe duhet të zbatojë masat e vendosura nga inspektori veterinar kufitar, të përcaktuara në nenet e këtij kreu.
3. Importuesit e ngarkesave të përcaktuara në nenin 33 të këtij ligji, detyrohen të njoftojnë, të paktën 24 orë përpara mbërritjes, inspektorin veterinar të PIK-së, ku do të hyjë ngarkesa.
Importuesit e ngarkesave me kafshë të gjalla në njoftimin paraprak duhet të kenë të përcaktuar edhe numrin e llojin e kafshëve që përbëjnë ngarkesën.

Neni 36
Ngarkesat në PIK

1. Ngarkesat e kafshëve, materiali biologjik, produktet me origjinë shtazore, jo për konsum njerëzor, dhe produktet mjekësore veterinare mund të shkarkohen, ringarkohen dhe magazinohen në PIK, vetëm pas inspektimit dhe kontrollit sanitaro-veterinar.
2. Inspektori veterinar i PIK-së, mbështetur në certifikatën shëndetësore veterinare, të lëshuar në çastin e ngarkimit, lëshon një dokument shoqërues për ngarkesat që eksportohen, sipas legjislacionit në fuqi.
3. Vendqëndrimet e kafshëve, qendrat e karantinës, magazinat doganore për produktet me origjinë shtazore, jo për konsum njerëzor, dhe produktet mjekësore veterinare në pikat e inspektimit kufitar duhet të plotësojnë kërkesat sanitaro-veterinare, të përcaktuara me akte nënligjore.
4. Ndalohet eksporti jashtë kufijve shtetërorë i kafshëve të sëmura, si dhe i kafshëve ekzotike, shtëpiake ose të egra që përcaktohen si pasuri kombëtare, e ndaluar për eksport sipas legjislacionit në fuqi.

Neni 37
Procedurat në PIK

1. Autoriteti doganor është i detyruar:
a) të njoftojë inspektorin veterinar në PIK, që është pjesë e grupit të praktikës doganore, për çdo ngarkesë të përcaktuar në nenin 33 të këtij ligji, që mbërrin në PIK;
b) të sigurojë që i gjithë dokumentacioni i nevojshëm do të vihet në dispozicion të inspektorit veterinar në PIK;
c) të sigurojë që ngarkesa do të lëshohet vetëm pas përfundimit të inspektimit veterinar.
2. Inspektimi në PIK i ngarkesave të përcaktuara në nenin 33 të këtij ligji, kryhet kundrejt një tarife veterinare, të përcaktuar me udhëzim të përbashkët të ministrit dhe të ministrit përgjegjës për financat. Të ardhurat derdhen në Buxhetin e Shtetit.
3. Autoriteti doganor kryen procedurat, duke i dhënë përparësi kalimit të kafshëve të gjalla, materialit biologjik dhe produkteve embrionale, bioprodukteve veterinare, materialeve e produkteve me origjinë shtazore, jo për konsum njerëzor, që rrezikohen të dëmtohen.

Neni 38
Hyrja dhe dalja e ngarkesave përmes PIK-së

1. Lejohen importi, eksporti dhe transitimi i kafshëve të gjalla, i produkteve me origjinë shtazore, jo për konsum njerëzor, i materialeve biologjike e i produkteve embrionale dhe i produkteve mjekësore veterinare në territorin e Republikës së Shqipërisë, nëse ngarkesa i është nënshtruar inspektimit veterinar në PIK dhe pas këtij inspektimi rezulton e pastër nga sëmundjet infektive dhe ndotjet e dëmshme, si dhe nëse është e shoqëruar me certifikatën veterinare. Ngarkesa shoqërohet me të gjithë dokumentacionin, që vërteton identitetin dhe origjinën e mallit.
2. Lejohet importi i PMV-ve në territorin e Republikës së Shqipërisë, vetëm pas lëshimit të certifikatës së tregtimit për PMV-të, në përputhje me nenin 85 të këtij ligji.
3. Ndalohen importimi dhe transitimi i ngarkesave të përcaktuara në nenin 33 të këtij ligji, me përjashtim të PMV-ve, në rast se ngarkesa vjen nga ose kalon përmes një zone të infektuar me sëmundje, me lajmërim të menjëhershëm.
4. Importimi i kafshëve të egra joautoktone bëhet pas marrjes nga importuesi të një miratimi paraprak nga autoriteti kompetent për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe gjenofondit autokton.
5. Ndalohen importimi dhe futja e mikroorganizmave të gjallë, si baktere, viruse dhe myqe, të cilët janë patogjenë për kafshët dhe njerëzit.
6. Ministri, me propozimin e autoritetit kompetent, në raste të veçanta, lejon futjen në Republikën e Shqipërisë të mikroorganizmave dhe shtameve mikrobike nga qendra dhe organizata kërkimore - shkencore për qëllime kërkimore - shkencore dhe për prodhim bioproduktesh.
7. Autoriteti kompetent lejon daljen nga Republika e Shqipërisë të materialeve biologjike dhe patologjike, për qëllime diagnostike dhe konfirmimi të diagnozës në qendrat ndërkombëtare të referencës.

Neni 39
Procedurat në rast dyshimi

1. Inspektori veterinar në PIK urdhëron bllokimin e menjëhershëm të ngarkesave të përcaktuara në nenin 33 të këtij ligji, në rast se, gjatë importit, eksportit apo transitit të këtyre ngarkesave, ai dyshon për sëmundje infektive, ndotje, ndryshime organoleptike të mallit apo konstaton mangësi në dokumentacionin e parashikuar në pikat 1 dhe 2 të nenit 38 të këtij ligji. Për këtë, ai mban procesverbalin e inspektimit dhe njofton menjëherë autoritetin kompetent për PIK-në, i cili njofton shërbimin veterinar rajonal.
2. Shërbimi veterinar rajonal kryen verifikimin në vend dhe merr masat për ngarkesën, si më poshtë vijon:
a) bllokimin e ngarkesës në PIK;
b) rikontrollin veterinar me analiza laboratorike të specifikuara;
c) konfiskimin, eliminimin dhe groposjen e mallit;
ç) kthimin mbrapsht të ngarkesës sipas nenit 40 të këtij ligji;
d) masa të tjera parandaluese e mjekuese, sipas legjislacionit veterinar në fuqi.
3. Të gjitha shpenzimet për masat e marra, sipas pikës 2 të këtij neni, mbulohen nga pronari ose personi përgjegjës për ngarkesën.
4. Shërbimi veterinar rajonal, në rastin e ngarkesave me kafshë të gjalla, urdhëron shoqërimin e ngarkesës për në pikën më të afërt të karantinës ose në vendin e destinacionit, ku do t’i nënshtrohet masave karantinore, të përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore, në zbatim të tij. Ngarkesa shoqërohet nga veterineri zyrtar i shërbimit veterinar rajonal deri në vendin e destinacionit.
5. Ministri miraton modelin e aktit të masës parandaluese, sipas përcaktimit të pikës 2 të këtij neni.

Neni 40
Kthimi mbrapsht i ngarkesave

1. Autoriteti kompetent për PIK-në lejon kthimin mbrapsht të ngarkesës, vetëm në rast se:
a) pronari i ngarkesës ka rënë dakord për vendin ku do të kthehet ngarkesa;
b) pronari i ngarkesës ka njoftuar autoritetin kompetent të vendit të origjinës ose të vendit ku do të kthehet ngarkesa, nëse ky i fundit është i ndryshëm nga vendi i origjinës, për arsyet dhe rrethanat, në bazë të të cilave ndalohen hyrja dhe tregtimi i ngarkesës në Republikën e Shqipërisë;
c) vendi, ku do të kthehet ngarkesa, është i ndryshëm nga vendi i origjinës, dhe autoriteti kompetent i vendit, ku do të kthehet ngarkesa, ka njoftuar autoritetin kompetent për PIK-në për gatishmërinë për të pritur ngarkesën.
2. Autoriteti kompetent për PIK-në lejon transitimin, përmes Republikës së Shqipërisë, të ngarkesave të kthyera nga vendet fqinje, në përputhje me pikën 1 të këtij neni, dhe pas miratimit të autoritetit kompetent të Republikës së Shqipërisë nëse:
a) ngarkesa nuk është kthyer për shkak të pranisë ose të dyshimit për praninë e sëmundjeve infektive të përcaktuara në listën përkatëse;
b) në rastin e ngarkesave të kafshëve të gjalla, plotësohen kushtet e mirëqenies së kafshëve, sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij.

Neni 41
Karantina për kafshët e gjalla

1. Kafshët e importuara mbahen në karantinën shtetërore ose në vendin e destinacionit në kushte karantinore, jo më pak se 21 ditë, për të kryer ekzaminimet e nevojshme veterinare. Të gjitha shpenzimet për ditët e karantinës përballohen nga importuesi.
2. Ministri, me propozimin e autoritetit kompetent, përcakton mënyrën e organizimit dhe të funksionimit, si dhe vendin e ngritjes së karantinës shtetërore veterinare. Shpenzimet, që shoqërojnë procedurat e ngritjes së karantinës, përballohen nga buxheti i ministrisë.
3. Shërbimi veterinar rajonal siguron në qendrat e karantinës shtetërore personelin, mjediset dhe pajisjet e nevojshme për:
a) kryerjen e ekzaminimeve klinike dhe marrjen e kampioneve ose të materialeve nga kafshët e gjalla ose karkasat e kafshëve të prekura a të dyshuara si të prekura nga një sëmundje infektive, e përcaktuar në listën përkatëse, për qëllime diagnostike;
b) zbulimin dhe izolimin e kafshëve të prekura ose të dyshuara si të prekura nga një sëmundje infektive, e përcaktuar në listën përkatëse;
c) dezinfektimin dhe mundësisht edhe dezinfestimin e mjeteve të transportit të kafshëve të gjalla.
4. Qendrat e karantinës shtetërore gjatë gjithë kohës janë nën kontrollin e veterinerit zyrtar, që është përgjegjës për zbatimin e masave, sipas legjislacionit veterinar në fuqi.
5. Nuk futen në karantinë njëthundrakët, dythundrakët, shpendët dhe lepujt e importuar për therje të menjëhershme brenda 72 orëve nga vende me situatë të pastër epizootike, që nuk paraqesin rrezik për popullatën e kafshëve të Republikës së Shqipërisë.

Neni 42
Certifikatat veterinare

1. Importi, eksporti dhe transiti i ngarkesave, sipas nenit 33 të këtij ligji, shoqërohen me certifikatën veterinare, mbështetur në Kodin Shëndetësor të Kafshëve të Tokës dhe të Ujit, të OIE-së, dhe të miratuar paraprakisht nga autoritetet kompetente veterinare të të dyja vendeve.
2. Importi, eksporti dhe transiti i ngarkesave, sipas nenit 33 të këtij ligji, nga ose për në vendet e Bashkimit Evropian, shoqërohet me certifikatën tip, të miratuar nga BE-ja.

Neni 43
Urdhrat për PIK-në në rastet e sëmundjeve

1. Në rastet e njoftimeve të OIE-së për shfaqjen e sëmundjeve infektive, të përcaktuara në listën përkatëse, me lajmërim të menjëhershëm, inspektorët veterinarë në PIK detyrohen të zbatojnë menjëherë urdhrin e përkohshëm, të lëshuar nga autoriteti kompetent, në përputhje me Kodin Shëndetësor të Kafshëve të Tokës dhe të Ujit, të OIE-së, për ndalimin e importit dhe të transitit në Republikën e Shqipërisë, të ngarkesave të përcaktuara në nenin 33 të këtij ligji, që vijnë nga zonat ose vendet ku është konfirmuar prania e sëmundjes.
2. Kur shfaqja e sëmundjeve infektive, sipas pikës 1 të këtij neni, njoftohet në vendet kufitare me Republikën e Shqipërisë, inspektorët veterinarë në PIK detyrohen të zbatojnë menjëherë urdhrin e përkohshëm, të lëshuar nga autoriteti kompetent, për vendosjen e masave karantinore kufitare.
3. Urdhri i ministrit për marrjen dhe zbatimin e masave veterinare për sëmundjet infektive shfuqizon urdhrat e përkohshëm, të lëshuar nga autoriteti kompetent, sipas pikave 1 dhe 2 të këtij neni.


SEKSIONI 5
FINANCIMI I SHËRBIMIT VETERINAR DHE DËMSHPËRBLIMI

Neni 44
Financimi

1. Shërbimi Veterinar Shtetëror financohet nga:
a) buxheti i ministrisë;
b) mjetet financiare të siguruara nga veprimtaritë veterinare, si tarifat dhe pagesat për miratimin e njësive të përmendura në nenet 105 e 106 të këtij ligji, dhe të produkteve mjekësore veterinare;
c) sponsorizime nga persona fizikë e juridikë, vendas e të huaj, për të mbështetur veprimtari shkencore e kualifikuese dhe sigurim aparaturash e mjetesh pune;
ç) çdo burim tjetër, sipas përcaktimit të legjislacionit në fuqi.
2. Tarifat e shërbimeve veterinare, që kërkohen për qëllimin bazë të mbrojtjes së shëndetit të kafshëve, përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për fushën e veterinarisë dhe të ministrit përgjegjës për financat. Shërbimi veterinar rajonal merr një pjesë të të ardhurave të saj nga shërbimet veterinare, duke i përdorur sipas këtij ligji.

Neni 45
Përdorimet e financimit

1. Burimet financiare të shërbimit veterinar, të siguruara nga buxheti i ministrisë, dhe të ardhurat e tjera përdoren për:
a) zbatimin e masave kundër sëmundjeve në kafshë, të përfshira në programin shtetëror të profilaksisë dhe në listën e sëmundjeve infektive;
b) dëmshpërblimin e pronarëve të kafshëve, të eliminuara sipas shkronjës “a” të kësaj pike;
c) detyrimet e anëtarësimit në OIE;
ç) pajisjet e laboratorëve veterinarë të Qendrës Kombëtare të Referencës dhe të laboratorëve veterinarë rajonalë (shtetërorë);
d) zbatimin e programeve kombëtare të monitorimit, sipas përcaktimeve të këtij ligji;
dh) hartimin, përpunimin dhe zbatimin e projekteve të kërkimit shkencor, të veprimtarive të konsulencës dhe të kualifikimeve;
e) ngritjen dhe administrimin e sistemeve kompjuterike për informacionin veterinar dhe të regjistrave të shërbimit veterinar;
ë) mbështetjen e veprimtarisë së kontrollit të shërbimit veterinar;
f) dezinfektimin, dezinsektimin, deratizimin dhe shkatërrimin, sipas përcaktimeve të këtij ligji;
g) zbatimin e programeve të trajnimit për punonjësit e shërbimit veterinar;
gj) ngritjen dhe funksionimin e stacioneve të karantinës shtetërore veterinare;
h) pjesëmarrjen në studime/testime ndërlaboratorike në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar;
i) identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve.
2. Ministria mban një fond rezervë të detyrueshëm vjetor mjetesh financiare, jo më pak se 5 për qind të buxhetit të miratuar për autoritetin kompetent, për vaksina, bioprodukte, eliminim kafshësh dhe masa të tjera veterinare, për raste të domosdoshme dhe emergjente për luftimin e sëmundjeve infektive në kafshë dhe zoonozat.
3. Ministri, me propozimin e autoritetit kompetent, miraton shpërndarjen dhe përdorimin e burimeve financiare të shërbimit veterinar.

Neni 46
Financimet për emergjencat dhe sëmundjet zoonotike

1. Masat e nevojshme dhe kostot financiare për kontrollin dhe çrrënjosjen e sëmundjeve, në rastet e emergjencave nga shpërthimet në shkallë të gjerë të tyre, që shkaktojnë dëmtime në masë të kafshëve dhe paraqesin rrezik për shëndetin publik, përballohen nga Buxheti i Shtetit.
2. Shpenzimet, që kryhen për përballimin e situatave, në rastet e sëmundjeve zoonotike, mbulohen nga fondi përkatës, i parashikuar në buxhetin e ministrisë.
3. Përdorimi i fondit për përballimin e situatave të tilla dhe mënyra e administrimit të tij përcaktohen me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës dhe të Ministrit të Financave.

Neni 47
Vaksinimet dhe gjurmimet e programit të profilaksisë

1. Vaksinimet dhe gjurmimet e përfshira në programet shtetërore të profilaksisë, të parashikuara nga ky ligj, bëhen falas.
2. Shpenzimet për sigurimin e vaksinave dhe biopreparateve diagnostikuese për këto sëmundje administrohen dhe mbulohen nga ministria.

Neni 48
Masat e autoritetit kompetent

1. Autoriteti kompetent, mbështetur në listën e sëmundjeve infektive, vendos për:
a) eliminimin e kafshëve të sëmura, të dyshuara si të sëmura ose të ekspozuara kundrejt infeksionit;
b) asgjësimin e produkteve embrionale, të lëndëve të papërpunuara dhe të pajisjeve e mjeteve në një vatër të sëmundjes, që paraqet rrezik për shëndetin e kafshëve.
2. Pas njoftimit me shkrim, drejtuar kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore ose personit të ngarkuar nga ligji apo akti nënligjor, autoriteti kompetent nxjerr urdhrin për marrjen e njërës prej masave të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni.

Neni 49
Dëmshpërblimi

Për kafshët, që theren, eliminohen, shkatërrohen dhe groposen, në zbatim të vendimit të marrë nga autoriteti kompetent ose për të cilat vërtetohet se kanë ngordhur, pas zbatimit të masave, sipas programit shtetëror të profilaksisë veterinare, pronari kompensohet nga buxheti i ministrisë në masën e vlerës së dëmit të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 50
Mospërfitimi i dëmshpërblimit

Pronarët e kafshëve nuk përfitojnë dëmshpërblim në rastet kur:
a) nuk kanë vënë në dispozicion kafshët e tyre për identifikimin dhe zbatimin e masave nën programin shtetëror të profilaksisë;
b) nuk kanë njoftuar menjëherë për shfaqjen e sëmundjes infektive;
c) nuk ka zbatuar masat e përcaktuara nga veterineri zyrtar për dyshimin ose konfirmimin e sëmundjes;
ç) sëmundja në kafshë shfaqet gjatë importit ose gjatë karantinës së kafshëve të importuara dhe kur pronari është vetë fajtor për shpërthimin e sëmundjes, duke blerë kafshë të sëmura ose të dyshimta, të pashoqëruara me certifikatë veterinare;
d) sëmundja në kafshë shfaqet, pasi ato janë ushqyer në zona të ndaluara;
dh) kanë shkelur kërkesat mjekësore veterinare për mbarështimin e kafshëve;
e) nuk është kryer eliminimi i kafshëve në afatet e përcaktuara nga legjislacioni veterinar në fuqi.

SEKSIONI 6
DETYRAT E PERSONAVE FIZIKË DHE JURIDIKË, SI DHE FUNKSIONET E NJËSIVE TË QEVERISJES VENDORE


Neni 51
Detyrat e pronarit dhe të kujdestarit

1. Pronarët ose kujdestarët e kafshëve të prodhimit detyrohen:
a) të ngrenë dhe të mbajnë fermën, në përputhje me kërkesat mjekësore veterinare;
b) t’i sigurojnë hyrje të lirë dhe pa asnjë pengesë veterinerit zyrtar, gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, sipas përcaktimeve të këtij ligji;
c) t’i sigurojnë hyrje të lirë në fermë dhe te kafshët mjekut veterinar që u shërben kafshëve;
ç) të njoftojnë mjekun veterinar që i shërben fermës ku mbarështohen kafshët për ndryshimet
në gjendjen shëndetësore dhe numrin e kafshëve, të therjeve të sforcuara të kryera e të kafshëve të ngordhura dhe t’i paraqesin atij certifikatën mjekësore veterinare dhe pasaportën e kafshëve të blera;
d) të ofrojnë kafshët për identifikimin, vaksinimin dhe ekzaminimet diagnostike;
dh) të mbajnë një regjistër ditor, ku mjeku veterinar të shënojë trajtimet mjekësore të kryera;
e) të vërtetojnë duke nënshkruar në regjistrin ditor, sipas shkronjës “dh” të kësaj pike, se janë të njohur me kohën e pezullimit të PMV-ve ose të ushqimeve të medikuara të kafshëve, me të cilat janë trajtuar kafshët e tyre;
ë) të mos tregtojnë kafshët ose produktet e rrjedhura prej tyre, kur kafshët janë trajtuar me lëndë të paautorizuara ose gjatë kohës së pezullimit;
f) të respektojnë kërkesat për mbrojtjen dhe mirëqenien e kafshëve;
g) të respektojnë udhëzimet e autoritetit kompetent për zbatimin e masave profilaktike, kufizimin dhe çrrënjosjen e sëmundjeve të kafshëve.
2. Ministri, me propozimin e autoritetit kompetent, miraton kushtet mjekësore veterinare për fermat e mbarështimit të kafshëve dhe të gjitha fermat e tjera që mbajnë kafshë.

Neni 52
Shfaqjet dhe konkurset me kafshë

1. Personat fizikë ose juridikë, që organizojnë shfaqje dhe konkurse ku marrin pjesë kafshë, detyrohen të njoftojnë me shkrim shërbimin veterinar rajonal, 7 ditë përpara datës së zhvillimit të veprimtarisë, duke përcaktuar vendin dhe kohën e kryerjes së veprimtarisë si dhe llojet e kafshëve.
2. Shërbimi veterinar rajonal cakton një veteriner zyrtar, që do të kryejë kontrollin e gjendjes shëndetësore të kafshëve që marrin pjesë në shfaqje ose konkurse.

Neni 53
Detyrimet dhe ndalimet për personat fizikë ose juridikë

Veprimet dhe veprimtaritë e mëposhtme janë të ndaluara:
a) lëvizja ose transporti i kafshëve të paidentifikuara ose i kafshëve, tek të cilat nuk janë kryer masat e programit të profilaksisë shtetërore;
b) heqja e matrikujve nga veshët dhe mënyrave të tjera të identifikimit, si dhe fshirja e numrit të identifikimit të zgjojeve të bletëve;
c) transporti i kafshëve pa një certifikatë shëndetësore veterinare dhe për gjedhin e njëthundrakët edhe pa një pasaportë mjekësore veterinare;
ç) mbarështimi i kafshëve në qendrat e grumbullimit të ujërave të zeza;
d) të ushqyerit e kafshëve me mbeturina nga qendrat e grumbullimit të mbeturinave;
dh) lëvizja ose transporti i kafshëve të sëmura ose të ekspozuara, me përjashtim të rasteve kur është urdhëruar nga veterineri zyrtar, inspektori veterinar ose mjeku veterinar i autorizuar;
e) të ushqyerit e kafshëve me mbeturina ushqimore, me përjashtim të kafshëve që mbarështohen vetëm për prodhimin e lëkurës;
ë) të ushqyerit e derrave me mbeturina ushqimore;
f) përdorimi i kullotave publike dhe i vendeve të ujit nga kafshë të paidentifikuara dhe nga kafshë që nuk janë përfshirë në programin shtetëror të profilaksisë;
g) plehërimi i kullotave me proteina të përpunuara shtazore, të prodhuara nga materiale specifike të kafshëve të riskuara;
gj) kryerja e trajtimeve mjekësore veterinare në kafshë nga persona pa edukimin e duhur mjekësor veterinar;
h) therja e kafshëve të sëmura dhe nekropsia e kafshëve që kanë ngordhur nga tërbimi ose plasja;
i) futja, në territorin e Republikës së Shqipërisë, të qenve dhe maceve të pashoqëruara me pasaportën veterinare dhe të pavaksinuara kundër tërbimit;
j) prodhimi, importi dhe eksporti i lëkurëve të qenve dhe maceve.

Neni 54
Funksionet e njësive të qeverisjes vendore

1. Strukturat veterinare në njësitë e qeverisjes vendore duhet:
a) të bashkëpunojnë me strukturat e shërbimit veterinar rajonal për zbatimin e masave profilaktike, në rastin e fermave të regjistruara, si dhe për kufizimin dhe çrrënjosjen e sëmundjeve infektive në kafshë;
b) të përcaktojnë vendndodhjen dhe të administrojnë tregjet e kafshëve të gjalla;
c) të përcaktojnë kullotat dhe vendet e pirjes së ujit, në varësi të situatës epidemiologjike dhe, nëse është e nevojshme, të ndalojnë përdorimin e tyre;
ç) të mbajnë nën kontroll dhe të zbatojnë legjislacionin në fuqi për eliminimin e qenve dhe maceve të rrugës;
d) të kontrollojnë njësitë e shitjes së kafshëve të shoqërimit dhe zbukurimit;
dh) të organizojnë mbledhjen e kadavrave të kafshëve dhe të përcaktojnë vendet e groposjes ose të grumbullimit të tyre;
e) të marrin masa për rrethimin dhe ruajtjen e pikave të grumbullimit të ujërave të zeza dhe të ndalojnë hyrjen e kafshëve atje;
ë) të kryejnë shërbimin veterinar në mjediset e thertoreve dhe të njësive të therjes, për kontrollin shëndetësor të kafshës para dhe pas therjes, vulosjen e karkasave të mishit dhe lëshimin e certifikatës veterinare, që shoqëron mishin dhe nënproduktet e tij;
f) të njoftojnë autoritetin kompetent për sigurinë ushqimore për rastet kur në thertore konstatohen shkelje dhe parregullsi në respektimin e dispozitave të akteve nënligjore, si dhe të rregullave të zbatueshme.
2. Standardet e shërbimit veterinar të qeverisjes vendore dhe detyrat specifike për arritjen e tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

SEKSIONI 7
CERIFIKATAT SHËNDETËSORE VETERINARE QË SHOQËROJNË LËVIZJEN DHE TRANSPORTIN E NGARKESAVE TË KAFSHËVE TË GJALLA, PRODUKTEVE EMBRIONALE DHE PRODUKTEVE ME ORIGJINË SHTAZORE, JO PËR KONSUM NJERËZOR

Neni 55
Certifikata shëndetësore veterinare

1. Certifikata shëndetësore veterinare, që vërteton përputhjen me kërkesat mjekësore veterinare për lëvizjen, transportin, shkëmbimin, tregtimin, eksportin ose hedhjen në treg të
kafshëve të gjalla, produkteve embrionale, produkteve me origjinë shtazore, jo për konsum njerëzor, lëshohet nga veterineri zyrtar ose mjeku veterinar i autorizuar, sipas modelit të miratuar nga ministri e të njësuar në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
2. Veterineri zyrtar ose mjeku veterinar i autorizuar kanë të drejtë të lëshojnë certifikatë shëndetësore veterinare në rastet kur:
a) nuk kanë interes personal për të ngritur dyshime për njëanshmërinë e tyre për lëshimin e certifikatave shëndetësore veterinare, në lidhje me kafshët, produktet embrionale, produktet me origjinë shtazore, jo për konsum njerëzor;
b) kanë njohuri të plota dhe njohin veçantinë e çdo certifikate shëndetësore veterinare që ata lëshojnë;
c) kanë njohuritë e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve, kontrollin shëndetësor veterinar dhe kontrollin veterinar në pikat e inspektimit kufitar;
ç) kanë njohuri të plota për kërkesat, procedurat dhe ekzaminimet, që kryhen përpara plotësimit të certifikatës shëndetësore veterinare, që kërkohen sipas përcaktimeve të këtij ligji.

Neni 56
Detyrimet për personat që lëshojnë certifikatë shëndetësore veterinare

1. Veterineri zyrtar ose mjeku veterinar i autorizuar, kur lëshon certifikatën shëndetësore veterinare, detyrohet:
a) të vërtetojë vetëm të dhëna për të cilat ka njohuri ose për të cilat mund të përcaktojë vërtetësinë e tyre;
b) të nënshkruajë vetëm:
i) formularë të plotësuar dhe të përfunduar;
ii) dokumente të kafshëve, të produkteve embrionale, produkteve me origjinë shtazore, jo për konsum njerëzor, të cilat janë kontrolluar ose mbikëqyrur prej tij.
2. Certifikata shëndetësore veterinare lëshohet mbështetur edhe në të dhënat e marra nga programet e monitorimit, procedurat e mbështetura në sistemet e vetëkontrollit të produkteve me origjinë shtazore, jo për konsum njerëzor, ose nga një sistem i mbikëqyrjes epidemiologjike, i miratuar nga autoriteti kompetent.
3. Veterineri zyrtar ose mjeku veterinar i autorizuar respekton ruajtjen e sekretit për të dhënat e marra, të nevojshme për lëshimin e certifikatës shëndetësore veterinare, të cilat janë të mbuluara nga sekreti profesional.

Neni 57
Ekzaminimet përpara lëshimit të certifikatës shëndetësore veterinare

Përpara lëshimit të certifikatës dhe dokumenteve të tjera për eksport, për lëvizjen ose transportin e kafshëve, produkteve embrionale, produkteve me origjinë shtazore, jo për konsum njerëzor, veterineri zyrtar ose veterineri i autorizuar detyrohet të kryejë ekzaminimin klinik e fizik dhe kontrollet për:
a) përputhjen me kërkesat mjekësore veterinare për identifikimin e kafshëve;
b) zbatimin e programit të profilaksisë shtetërore;
c) përputhjen me kërkesat mjekësore veterinare në qendrat e prodhimit dhe të ruajtjes së produkteve embrionale në tregjet e qendrat e grumbullimit të kafshëve dhe vendet për pastrimin e dezinfektimin e mjeteve të transportit;
ç) përputhjen me kërkesat mjekësore veterinare gjatë transportit të kafshëve, produkteve embrionale, nënprodukteve dhe produkteve me origjinë shtazore, jo për konsum njerëzor;
d) zbatimin e detyrimeve të pronarëve në çdo fazë të mbarështimit, prodhimit dhe tregtisë së kafshëve, produkteve embrionale, nënprodukteve dhe produkteve me origjinë shtazore, jo për konsum njerëzor, prej nga rrjedhin;
dh) certifikatat veterinare dhe dokumente të tjera, që shoqërojnë subjektet eksportuese.

Neni 58
Gjurmueshmëria e certifikatave shëndetësore veterinare

1. Autoriteti kompetent krijon dhe administron një sistem të gjurmueshmërisë dhe kontrollit të certifikatave shëndetësore veterinare të lëshuara, mbështetur në:
a) numrin e identifikimit të dokumentit;
b) nënshkrimin e mjekut veterinar, vulën e tij personale dhe vulën e shërbimit veterinar rajonal.
2. Një kopje e çdo certifikate shëndetësore veterinare ruhet në shërbimin veterinar rajonal sipas legjislacionit në fuqi.
3. Autoriteti kompetent kryen kontrolle të dokumenteve mjekësore veterinare për përputhjen e tyre me kërkesat e përcaktuara për procedurën e lëshimit të tyre.


SEKSIONI 8
LËVIZJA DHE TRANSPORTI I BRENDSHËM I KAFSHËVE


Neni 59
Certifikatat shëndetësore veterinare për lëvizje

1. Veterineri zyrtar ose mjeku veterinar i autorizuar lëshon certifikatën shëndetësore veterinare, që shoqëron lëvizjen e kafshëve të gjalla, lëkurëve, leshit dhe produkteve me origjinë shtazore, jo për konsum njerëzor, materialit biologjik dhe produkteve embrionale, në tregtinë e brendshme.
2. Certifikata shëndetësore veterinare, e përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, lëshohet për:
a) kafshët njëthundrake dhe dythundrake, në rastet e nxjerrjes së tyre në tregje dhe panaire apo në të tjera mjedise shitjeje, në ekspozita, në gara sportive, në vende të ndryshme për grumbullimin e kafshëve në publik, për vrapim, kur dërgohen jashtë zonës administrative, kur nuk kanë vendqëndrim të përhershëm, për shitje ose kalim pronësie të një forme tjetër, për therje, si dhe për lëvizjen e tyre për në kullota;
b) shpendët, zogjtë dekorativë, lepujt dhe kafshët me gëzof, në rast se dërgohen në thertore për therje, dërgohen jashtë zonës administrative dhe në ekspozitë, si dhe për shitje ose kalim pronësie të një forme tjetër;
c) peshqit, nga qendrat dhe vaskat e rritjes së peshkut dhe punës racore, molusqet, krustacët e kafshët e ujit, në rast se dërgohen jashtë zonës administrative, si dhe për shitje ose kalim pronësie të një forme tjetër;
ç) ngarkesa me parqe bletësh, si dhe mbretëresha, në rast se dërgohen jashtë zonës administrative ose në kullotë, si dhe për shitje ose kalim tjetër pronësie;
d) qentë dhe macet, në rast se dalin në panaire, ekspozita, gara sportive dhe çdo vend tjetër grumbullimi kafshësh në vende publike;
dh) të gjitha materialet biologjike dhe produktet embrionale.
3. Certifikata shëndetësore veterinare lëshohet në çastin e ngarkimit të kafshëve dhe është e vlefshme për 3 ditë, nga çasti i lëshimit.
4. Certifikata shëndetësore veterinare nuk lëshohet, kur në vendin e origjinës së kafshëve janë shfaqur sëmundje infektive dhe për sa kohë zbatohen masat e kontrollit të sëmundjeve, sipas legjislacionit në fuqi.
5. Certifikata shëndetësore veterinare nuk lëshohet për lëvizjen ose tregtimin e kafshëve, të cilat janë të paidentifikuara.
6. Ndalohet hyrja e kafshëve në tregje dhe thertore pa certifikatën veterinare të lëshuar nga veterineri zyrtar ose mjeku veterinar i autorizuar.

Neni 60
Kontrolli gjatë ngarkimit dhe shkarkimit

1. Kafshët e gjalla, që transportohen jashtë zonës territoriale administrative ku ndodhen, i nënshtrohen kontrollit veterinar gjatë ngarkimit.
2. Para ngarkimit dhe pas shkarkimit, mjeti i transportit pastrohet dhe dezinfektohet nga transportuesi.
3. Veterineri zyrtar ose mjeku veterinar i autorizuar, që ka mbikëqyrur dezinfektimin e mjeteve të transportit, certifikon dezinfektimin, sipas modelit të përcaktuar nga autoriteti kompetent.
4. Dokumenti, i cili, sipas pikës 3 të këtij neni, i jepet drejtuesit të mjetit, shoqëron ngarkesën dhe paraqitet në rastet kur ai kërkohet.

Neni 61
Ekspozitat dhe panairet

1. Subjektet, që merren me organizmin e ekspozitave, kopshteve zoologjike shëtitëse, transportin e kafshëve që udhëtojnë me trupat e cirkut, me organizimin e panaireve e të shitjeve të organizuara të kafshëve, jashtë mjediseve të stallave dhe stabilimenteve, njoftojnë paraprakisht, me shkrim, strukturat veterinare në njësitë e qeverisjes vendore.
2. Strukturat veterinare në njësitë e qeverisjes vendore miratojnë ose refuzojnë kërkesën për kryerjen e veprimtarive të parashikuara në këtë nen. Strukturat veterinare të qeverisjes vendore njoftojnë shërbimin veterinar rajonal për vendin, datën dhe orën e zhvillimit të veprimtarisë.
3. Ministri miraton kërkesat dhe kriteret për miratimin ose refuzimin e kërkesës për kryerjen e veprimtarive, të parashikuara në këtë nen.

Neni 62
Detyrimet gjatë transportit

1. Pronari, kujdestari apo transportuesi i kafshëve detyrohet të paraqesë certifikatën shëndetësore veterinare, nëse i kërkohet nga strukturat apo organet shtetërore, të ngarkuara nga ligji.
2. Në rast aksidenti gjatë transportit të kafshëve, policia ose çdo punonjës i autoriteteve të tjera njofton shërbimin veterinar rajonal më të afërt, që merr masat për aksidentin dhe u siguron ndihmë kafshëve të aksidentuara.
3. Veterineri zyrtar urdhëron eliminimin e detyrueshëm në vend për kafshët me dëmtime të rënda dhe të pashërueshme dhe njofton shërbimin veterinar rajonal, si dhe strukturat veterinare në njësitë e qeverisjes vendore.

Neni 63
Grumbullimi dhe tregtia e lëkurëve

1. Personi fizik apo juridik, që grumbullon apo tregton lëkurë kafshësh dhe i përpunon ose jo ato, kur vijnë nga njëthundrakë dhe dythundrakë të therur, pa kontroll sanitaro-veterinar, ose lëkurë të papërpunuara të këtyre kafshëve, i magazinon ato në mjedise të veçanta dhe të izoluara nga të tjerat.
2. Personi fizik apo juridik, sipas pikës 1 të këtij neni, vërteton dhe dokumenton origjinën e lëkurëve të blera, përmes certifikatës veterinare të origjinës.

KREU IV
MIRËQENIA E KAFSHËVE

SEKSIONI 1
KËRKESA TË PËRGJITHSHME PËR MBROJTJEN DHE MIRËQENIEN E KAFSHËVE


Neni 64
Liria e lëvizjes së kafshëve

1. Pronari ose kujdestari i kafshëve u siguron lirinë e nevojshme të lëvizjes, në varësi të llojit të tyre. Lëvizjet nuk duhet të kufizohen në një mënyrë që të shkaktojnë vuajtje ose dëmtime të panevojshme.
2. Pronari ose kujdestari i kafshëve, në rastet kur kafshët mbahen të lidhura apo të izoluara, në mënyrë të vazhdueshme ose rregullisht, u siguron atyre hapësirën e mjaftueshme për nevojat fiziologjike dhe në varësi të llojit.

Neni 65
Kërkesat e mirëqenies

1. Kafshët mbarështohen dhe përdoren në mënyrën që i përshtatet qëllimit të mbajtjes së tyre, në përputhje me nevojat e tyre fiziologjike dhe veçoritë e llojit.
2. Ndërhyrjet kirurgjikale ose manipulimet, të cilat u shkaktojnë ose mund t’u shkaktojnë kafshëve dhimbje dhe vuajtje, kryhen me anë të anestezisë.
3. Ministri miraton kërkesat minimale të mbrojtjes dhe mirëqenies së kafshëve për mbarështimin, prodhimin, përdorimin, shitjen, therjen, eliminimin dhe transportin, përkatësisht, sipas llojeve dhe kategorive të ndryshme të kafshëve.

Neni 66
Detyrimet e pronarëve dhe kujdestarëve të kafshëve

Pronarët dhe kujdestarët e kafshëve, si dhe drejtuesit e fermave blegtorale detyrohen:
a) të kujdesen për kafshët dhe të mos i braktisin ato;
b) të mbajnë regjistrin e trajtimeve mjekësore të kafshëve për, të paktën, 3 vjet;
c) t’i sigurojnë secilës kafshë, në varësi të llojit, moshës dhe racës:
i) trajtim profilaktik veterinar të rregullt dhe ndërhyrje të menjëhershme mjekësore, në rastet e sëmundjeve apo dëmtimeve;
ii) vendin, kushtet dhe një mikroklimë të përshtatshme të qëndrimit, në përputhje me nevojat e kafshës;
iii) hapësirën e nevojshme të shtrirjes dhe akomodimit dhe lirinë e lëvizjes;
iv) stalla dhe strehime të ndërtuara me materiale që mund të pastrohen dhe dezinfektohen lehtë, me ajrim të përshtatshëm dhe temperaturë të pranueshme;
v) ushqim dhe ujë në sasi të mjaftueshme dhe qasje të lirë në vendet ku ushqehet dhe pi ujë;
vi) pajisje të përshtatshme për ushqim dhe pirje uji, të vendosura në mënyrë që të shmangin kontaminimin e tyre, dëmtimet e streset dhe të ulin në minimum konkurrencën agresive mes kafshëve;
vii) ekspozimin kundrejt ndriçimit natyror, duke shmangur qëndrimin në errësirë të përhershme ose për një kohë të gjatë në ndriçim artificial;
ç) të ndërmarrin të gjitha masat për parandalimin e luftimeve te kafshët;
d) të kontrollojnë gjendjen e përgjithshme shëndetësore të tyre, të paktën, një herë në ditë;
dh) të plotësojnë kërkesat e përgjithshme dhe të veçanta higjienike, të përcaktuara në këtë ligj dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.

Neni 67
Kafshët e përdorura për eksperimente

1. Autoriteti kompetent miraton kryerjen e eksperimenteve me kafshë, në përputhje me kriteret dhe standardet ndërkombëtare për mirëqenien e kafshëve të eksperimentit dhe vetëm në ato raste, kur nuk është e mundur të zbatohen metoda të tjera alternative.
2. Autoriteti kompetent regjistron numrin dhe llojet e kafshëve të përdorura në eksperimentet e miratuara. Ky informacion mund të bëhet i disponueshëm për publikun, herë pas here, në intervale kohe.
3. Eksperimentet me kafshë kryhen në qendrat eksperimentale të institucioneve kërkimore-shkencore, ndërmarrjet e prodhimit, laboratorët dhe institucionet arsimore, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Personat, që kryejnë eksperimentet ose marrin pjesë në zbatimin e tyre, duhet të kenë formimin dhe trajnimin e nevojshëm.
4. Kërkesat, kriteret dhe procedurat për përdorimin e kafshëve për eksperimente, si dhe qendrat ku kryhen ato, miratohen nga ministri, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

SEKSIONI 2
MIRËQENIA E KAFSHËVE NË THERJE DHE GJATË TRANSPORTIT


Neni 68
Therja e kafshëve

1. Therja e kafshëve kryhet në mënyrën më të shpejtë, pas trullosjes, dhe duhet të sigurojë humbjen e plotë të ndjenjave e të ndjeshmërisë gjatë të gjithë kohës së çgjakësimit.
2. Therja e kafshëve kryhet në përputhje me aktet nënligjore për mbrojtjen dhe mirëqenien e kafshëve.
3. Ndalohet heqja e gjymtyrëve dhe trajtimi i një karkase derisa kafsha të jetë ç’gjakësuar plotësisht.
4. Therja e kafshëve bujqësore (njëthundrakë shtëpiakë, gjedhë, të imta, derra, lepuj, shpendë) lejohet në rastet e mëposhtme:
a) kur kafshët mbarështohen për prodhimin e mishit ose të lëndëve të papërpunuara;
b) kur kafshët trajtohen për sëmundje joinfektive, por që shërimi i tyre është i pashpresë ose ekonomikisht i pajustifikuar;
c) për çrrënjosjen e sëmundjeve ngjitëse;
ç) për rituale fetare të bashkësive fetare të regjistruara në Republikën e Shqipërisë.
5. Ministri miraton aktet nënligjore për mbrojtjen e kafshëve gjatë therjes.

Neni 69
Eliminimi i kafshëve

1. Eliminimi i kafshëve kryhet në atë mënyrë që të mos shkaktojë dhimbje dhe vuajtje të panevojshme.
2. Eliminimi i kafshëve lejohet në rastet e mëposhtme:
a) për çrrënjosjen e sëmundjeve infektive;
b) për kontrollin e infeksioneve zoonotike në kafshë që paraqesin rrezik për jetën e njeriut;
c) kur njerëzit sulmohen nga një kafshë e tërbuar, tepër agresive, e egër dhe në kushtet e vetëmbrojtjes;
ç) gjatë gjuetisë, në përputhje me legjislacionin përkatës.
3. Planet e emergjencës për kontrollin dhe çrrënjosjen e sëmundjeve infektive duhet të përfshijnë edhe procedurat logjistike për therjen e kafshëve, me qëllim garantimin e kërkesave të mirëqenies së kafshëve. Këto procedura mund të shmangen vetëm në rastet kur respektimi i tyre mund të ketë pasoja për shëndetin e njerëzve ose të pengojë çrrënjosjen e sëmundjes.

Neni 70
Eutanazia e kafshëve

1. Eutanazia e kafshëve kryhet nga mjeku veterinar, që ushtron praktikën mjekësore veterinare, me një nga PMV-të e miratuara.
2. Gjatë kryerjes së një eutanazie, mjeku veterinar shënon, në regjistrin ditor të ndërhyrjeve kirurgjikale, arsyet e kryerjes së saj dhe PMV-në e përdorur.
3. Eutanazia lejohet në rastet e mëposhtme:
a) kur kafsha është e prekur nga një sëmundje e pakurueshme, me ndryshime të pakthyeshme patologjike, që i shkakton dhimbje dhe vuajtje;
b) për kufizimin dhe çrrënjosjen e një sëmundjeje infektive, që paraqet rrezik për shëndetin e njeriut ose të kafshëve;
c) pas përfundimit të eksperimenteve me kafshë, që kanë çuar në ndryshime patologjike, të cilat u shkaktojnë kafshëve dhimbje dhe vuajtje;
ç) për kafshët, sjellja agresive e të cilave përbën një rrezik të qartë për jetën e shëndetin e njeriut dhe të kafshëve të tjera.

Neni 71
Procedurat e eutanazisë

1. Përgatitja dhe kryerja e eutanazisë bëhen në mënyrën e duhur, duke zvogëluar në minimum stresin te kafsha.
2. Eutanazia kryhet në një vend të veçantë dhe me produkte që shkaktojnë një humbje të menjëhershme dhe të plotë të ndërgjegjes e të ndjeshmërisë së dhimbjes, të pasuar nga një ngordhje e sigurt.
3. Pas kryerjes së eutanazisë, mjeku veterinar përcakton ngordhjen e kafshës, duke kontrolluar ndërprerjen e veprimtarisë së zemrës.
4. Në një eutanazi është i ndaluar përdorimi i pavarur i PMV-ve, që paralizojnë muskujt, pa shkaktuar humbje të ndjeshmërisë ndaj dhimbjes, si dhe i PMV-ve që nuk shkaktojnë humbjen e ndjenjave.

Neni 72
Transporti i kafshëve

1. Kafshët transportohen në kushte ku garantohen shëndeti, mirëqenia, nevojat e tyre fiziologjike dhe të sjelljes, duke shmangur dëmtimin apo vuajtjet e panevojshme, në mjete transporti të pajisura posaçërisht për transportin e tyre.
2. Ministri miraton aktet nënligjore për mirëqenien e kafshëve gjatë transportit.
3. Transporti i kafshëve kryhet nga transportues të pajisur me licencë transporti dhe me mjete të miratuara nga autoriteti kompetent për largësi të shkurtra ose të gjata. Transportuesi duhet të ketë trajnimin e përshtatshëm dhe të mbajë regjistrin e udhëtimit.
4. Procedurat dhe dokumentacioni i kërkuar për miratimin e mjeteve të transportit të kafshëve miratohen nga ministri.
5. Përjashtohen nga detyrimet e këtij neni:
a) transporti i kafshëve të shoqërimit dhe qenve të gjuetisë nga pronari i tyre me automjet personal;
b) transporti i kafshëve individuale të fermës për nevoja personale.
6. Gjatë transportit në largësi të mëdha, në intervale kohe të përshtatshme, kafshëve u sigurohet pushim, ujë dhe ushqim në cilësinë dhe sasinë e duhur për llojin dhe madhësinë e tyre.
7. Drejtuesit e mjeteve dhe personat shoqërues të kafshëve u sigurojnë kafshëve të sëmura, gjatë transportit, ndihmën mjekësore veterinare sa më shpejt të jetë e mundur.
8. Gjatë kryerjes së kontrolleve, veterineri zyrtar duhet të verifikojë vlefshmërinë e dokumentacionit, të drejtën për të transportuar kafshë, të dhënat në regjistrin e udhëtimit, si dhe kushtet e kafshëve nëse ato janë në gjendje për të vijuar udhëtimin.


SEKSIONI 3
KAFSHËT E SHOQËRIMIT DHE QENTË PËR QËLLIME PROFESIONALE, GJUETIE DHE TË TJERA

Neni 73
Detyrimet e pronarëve të kafshëve të shoqërimit

1. Pronarët e qenve dhe kafshëve të shoqërimit duhet të pajisin me pasaportë mjekësore veterinare qentë dhe kafshët e tjera, me moshë mbi 6 javë, ku shënohen vaksinimet dhe trajtimet antiparazitare.
2. Në moshën 4-muajsh ose brenda 14 ditëve nga data e blerjes së një qeni, pronari duhet ta regjistrojë te një mjek veterinar, që ushtron praktikën mjekësore veterinare.
3. Pronarët e kafshëve të shoqërimit detyrohen:
a) të paraqesin pasaportën mjekësore veterinare, kur shkojnë për vizita te mjeku veterinar;
b) të kryejnë vaksinimin e detyrueshëm vjetor kundër tërbimit;
c) t’u sigurojnë kafshëve lëvizjen e nevojshme ditore kur i mbarështojnë në mjedise të mbyllura;
ç) t’u sigurojnë kafshëve një strehë dhe një zonë të lëvizjes së lirë, kur i mbarështojnë duke i mbajtur të lidhur për një kohë të gjatë në mjedis të hapur;
d) të sigurojnë që kafshët të mos paraqesin rrezik për njerëzit ose kafshët e tjera, duke zbatuar detyrimin e vendosjes së maskës mbrojtëse në gojë, kur i nxjerrin shëtitje qentë agresivë;
dh) të parandalojnë riprodhimin e padëshiruar të kafshëve dhe të shmangin rrezikun për shëndetin e kafshëve gjatë përdorimit të tyre për riprodhim, duke vlerësuar veçoritë e tyre fiziologjike, anatomike dhe të sjelljes;
e) të shmangin ndotjen e vendeve publike nga kafshët, si dhe të pastrojnë vendin pas defekimit, në rast ndotjeje.

Neni 74
Sigurimi i kushteve të mbrojtjes dhe të mirëqenies

Pronarët dhe drejtuesit e kopshteve zoologjike, të cirqeve, të njësive të shitjes së kafshëve të shoqërimit, fermave të tjera të mbarështimit të kafshëve dhe organizatorët e veprimtarive, ku marrin pjesë kafshët, detyrohen të sigurojnë kushte për zbatimin e rregullave të mbrojtjes dhe të mirëqenies së kafshëve.

Neni 75
Rregulla për mirëqenien e kafshëve të egra

1. Kafshët e egra mund të mbarështohen jashtë mjedisit të tyre natyror, vetëm në kopshte zoologjike, akuariume, terrariume, cirqe, ferma, voliera dhe vivariume.
2. Njësitë, ku mbarështohen kafshët e egra, regjistrohen në regjistër, sipas përcaktimit të nenit 129 të këtij ligji.
3. Kafshët ekzotike mund të mbarështohen në kushtet e shtëpisë, duke plotësuar kërkesat e mbrojtjes dhe të mirëqenies së kafshëve.

Neni 76
Veprime që bien ndesh me mirëqenien e kafshëve

Për mbrojtjen e mirëqenies së kafshëve ndalohet kryerja e veprimeve të mëposhtme:
a) shkaktimi i torturës, dhunës fizike dhe verbale, sjelljes çnjerëzore, frikës, dëmtimit, dhimbjes, vuajtjes, shqetësimit ose ankthit, me përjashtim të rasteve të lejuara sipas këtij kreu;
b) ndërsimi i kafshëve kundër njëra-tjetrës ose përdorimi i kafshëve për luftime a shfaqje që shkaktojnë dhimbje, dëmtime, plagosje ose ngordhje të kafshëve;
c) stërvitja e kafshëve në një mënyrë të tillë që u shkakton atyre dhimbje ose vuajtje;
ç) vënia e kafshëve nën ngarkesa fizike, duke mos marrë parasysh aftësitë e tyre anatomike ose fiziologjike;
d) grumbullimi i kafshëve në një mënyrë që u shkakton atyre dhimbje, vuajtje ose dëmtim;
dh) mbarështimi i kafshëve në errësirë të plotë dhe të përhershme ose të lidhur gjithë kohës;
e) strehimi në një vend i llojeve të kafshëve të papajtueshme me njëra-tjetrën ose i kafshëve të të njëjtit lloj, kur ky mund të çojë në rritje të agresivitetit, stresit dhe tensionit;
ë) kryerja e trajtimeve mjekësore veterinare dhe dhënia e PMV-ve nga persona pa kualifikimin e duhur;
f) përdorimi i substancave anestetike ose substancave që dëmtojnë shëndetin e kafshëve, me përjashtim të rasteve kur justifikohen në aspektin mjekësor ose për trajtime në kuadrin e zbatimit të një eksperimenti, të miratuar nga autoriteti kompetent;
g) përdorimi i substancave stimuluese për kafshët, me qëllim arritjen e rezultateve të larta në sport;
gj) ndërzimi natyral ose artificial që rezulton në rrezik ose sjell një rrezik për shëndetin e kafshëve;
h) të ushqyerit e kafshëve me ushqime, që përmbajnë substanca të dëmshme, ose me ushqime, të cilat nuk janë të përshtatshme për llojin, moshën dhe gjendjen e tyre shëndetësore;
i) kryerja pa anestezi e ndërhyrjeve kirurgjikale që shkaktojnë dhimbje në kafshë;
j) transporti i kafshëve në mjete të paautorizuara dhe në kushte që u shkaktojnë atyre dhimbje, dëmtime dhe vuajtje;
k) gjatë ngarkimit, shkarkimit dhe lëvizjes, kafshët të qëllohen, të shtyhen, të goditen, të shtypen pjesë të ndjeshme të trupit të kafshës, të shtypen, të përdridhen ose të thyhen bishtat e tyre, të përdoren pajisje që u shkaktojnë dhimbje kafshëve, të lëvizen me pajisje mekanike, si dhe të ngrihen ose të tërhiqen nga koka, brirët, veshët, këmbët, bishtat, gëzofi dhe qimet.

Neni 77
Ushtrimi i kontrolleve

1. Shërbimi veterinar rajonal organizon kontrollin dhe vëzhgimin për përmbushjen e kërkesave të këtij kreu.
2. Shoqatat e mbrojtjes dhe të mbarështimit të kafshëve detyrohen të bashkëpunojnë me shërbimin veterinar rajonal, në përmbushjen e përcaktimeve të këtij ligji.
3. Përfaqësues nga shoqatat e mbrojtjes së kafshëve mund të marrin pjesë në kontrolle, në rastet kur vetë shoqata e ka iniciuar atë, duke dërguar një njoftim për shkelje të kërkesave për mbrojtjen dhe mirëqenien e kafshëve.
4. Shërbimi veterinar rajonal njofton shoqatën për kohën e kryerjes së kontrollit.


KREU V
ASGJËSIMI I PRODUKTEVE JOSHTAZORE DHE MBROJTJA E MJEDISIT

Neni 78
Masat parandaluese për mbrojtjen e mjedisit

1. Masat parandaluese për mbrojtjen e mjedisit përfshijnë:
a) sigurimin e largimit, të përpunimit, të trajtimit dhe të përdorimit të përshtatshëm të mbeturinave të lëngshme dhe të ngurta;
b) sigurimin e depozitimit të përshtatshëm të mbeturinave të lëngshme dhe të ngurta;
c) trajtimin higjienik të jashtëqitjeve dhe mbeturinave të lëngshme;
ç) pakësimin e rreziqeve të infeksionit, duke përcaktuar kushte sanitaro-veterinare të përshtatshme në stalla dhe mjedise, si mikroklimë, ulje e nivelit të amoniakut, depozitim mbeturinash dhe jashtëqitjesh, pastrim dhe dezinfektim;
d) parandalimin e ndotjes së ujërave nga shkaktarët biologjikë;
dh) masa të tjera, sipas përcaktimit të legjislacionit mjedisor në fuqi.
2. Masat parandaluese, të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, merren nga personat fizikë ose juridikë, që ushtrojnë veprimtaritë e mëposhtme:
a) mbarështimin e kafshëve;
b) përdorimin, tregtimin dhe transportin e kafshëve;
c) përpunimin e produkteve me origjinë shtazore, jo për konsum njerëzor, dhe mbeturinat shtazore.
3. Ministri, së bashku me ministrin përgjegjës për mjedisin, miratojnë rregulloren e trajtimit të mbeturinave me origjinë shtazore.

Neni 79
Detyrimet e personave fizikë e juridikë për mbrojtjen e mjedisit

1. Pronari ose kujdestari i kafshëve informon menjëherë shërbimin veterinar rajonal për ngordhjen.
2. Pronari ose kujdestari i kafshëve, që ushtron veprimtari blegtorale dhe shkakton mbeturina, detyrohet t’i transportojë ato, sipas rregullave, në depon më të afërt të grumbullimit ose në vendin e përpunimit të mbeturinave.

Neni 80
Qendrat e përpunimit pas ngordhjes

1. Groposja ose djegia e kadavrave të kafshëve bëhet në qendrat e përpunimit, pas ngordhjes, sipas rregullave sanitaro-veterinare.
2. Qendrat përcaktohen nga organet e qeverisjes vendore, me pëlqimin e shërbimit veterinar rajonal dhe agjencive shtetërore përgjegjëse për mjedisin.
3. Groposja ose djegia e kadavrave të kafshëve në qendrat e përpunimit, post mortem, sipas pikës 1 të këtij neni, kryhet nën mbikëqyrjen e veterinerit zyrtar.


KREU VI
PLANI I MONITORIMIT TË MBETJEVE DHE USHQIMEVE PËR KAFSHË ME PMV


Neni 81
Plani i monitorimit të mbetjeve

1. Autoriteti kompetent përgatit Planin Kombëtar të Monitorimit të Mbetjeve dhe mbikëqyr zbatimin e tij nga shërbimi veterinar rajonal, Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe laboratorët e autorizuar.
2. Plani Kombëtar i Monitorimit të Mbetjeve hartohet nga autoriteti kompetent dhe miratohet nga ministri.
3. Rregullorja për zbatimin e Planit Kombëtar të Monitorimit të Mbetjeve dhe kufijtë maksimalë të lejuar të mbetjeve të PMV-ve në lëndët e papërpunuara dhe ushqimet me origjinë shtazore miratohen nga ministri.
4. Shërbimi veterinar rajonal, Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në zbatim të Planit Kombëtar të Monitorimit të Mbetjeve, kontrollojnë kafshët e gjalla, materialet e papërpunuara, produktet me origjinë shtazore dhe ushqimet për kafshë, për praninë e mbetjeve me ndikime të dëmshme në shëndetin e kafshëve e të njerëzve.
5. Plani Kombëtar i Monitorimit të Mbetjeve i miratuar nga ministri dhe rezultatet e zbatimit të planit të vitit paraardhës, i dërgohen Komisionit Evropian.

Neni 82
Ushqimet të cilat përmbajnë PMV

1. Ndalohen prodhimi, vendosja në treg dhe tregtimi i ushqimeve me origjinë shtazore, jo për konsum njerëzor, i ushqimeve me origjinë shtazore dhe i ushqimeve për kafshë kur:
a) janë të prodhuara nga kafshë të trajtuara ose të ushqyera me PMV përpara mbarimit të kohës së pezullimit, me tireostatikë dhe beta-agonistë;
b) qumështi është prodhuar nga lopët e qumështit, të trajtuara me somatotropinë;
c) ushqimet me origjinë shtazore janë të prodhuara nga kafshët e ushqyera, ose tek të cilat është zbuluar prania e ndotësve dhe mbetjeve të PMV-ve mbi kufijtë maksimalë të përcaktuar.
2. Lejohet përdorimi i PMV-ve hormonale, beta-agonistëve dhe tireostatikëve, të miratuara nga Komisioni Evropian, vetëm për qëllime terapeutike, zooteknike dhe për kërkime shkencore, nën kontrollin e mjekut veterinar.
3. Kushtet dhe procedurat për përdorimin e këtyre PMV-ve përcaktohen me urdhër të ministrit.
4. Ministri përcakton PMV-të, promotorët e rritjes dhe lëndët e tjera ose lëndët e papërpunuara, të cilat ndalohet të futen në ushqimet e kafshëve.
5. Ministri miraton kufijtë maksimalë të lejueshëm të lëndëve dhe të produkteve të padëshirueshme në ushqimet e kafshëve.
6. Zbatimi i kufizimeve të parashikuara në paragrafin e parë bëhet sipas afateve kohore të
përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave

Neni 83
Ushqimet e medikuara të kafshëve

1. Ndalohet futja e lëndëve mjekësore në mënyrë të drejtpërdrejtë në ushqimin dhe ujin e kafshëve.
2. PMV-të përfshihen në ushqimin e medikuar të kafshëve vetëm në formën e premikseve të medikuara.
3. Ushqimi i medikuar i kafshëve prodhohet vetëm në stabilimente të regjistruara, pas lëshimit të recetës nga mjeku veterinar ose përfaqësuesi i autorizuar i tij.
4. Mjeku veterinar, i cili ka lëshuar recetën, i jep udhëzime, me shkrim, pronarit të kafshëve, prej të cilave prodhohet ushqim për konsum njerëzor, për ruajtjen dhe përdorimin e ushqimit të medikuar të kafshëve dhe respektimin e kohës së pezullimit.

Neni 84
Detyrimet për ushqimet e medikuara

1. Pronari i kafshëve, prej të cilave prodhohen ushqime për konsum njerëzor, detyrohet:
a) të respektojë udhëzimet e mjekut veterinar;
b) të caktojë një person përgjegjës për përdorimin e ushqimit të medikuar të kafshëve;
c) të mbajë një regjistër ditor, në të cilin ai mban shënim përdorimin e ushqimit të medikuar të kafshëve;
ç) të respektojë kohën e pezullimit të ushqimit të medikuar të kafshëve.
2. Mjeku veterinar, i cili ka lëshuar recetën, ndjek gjendjen shëndetësore të kafshëve gjatë periudhës së marrjes së ushqimit të medikuar të kafshëve dhe njofton prodhuesin e ushqimit të kafshëve e veterinerin zyrtar, në rast të shfaqjes së ndonjë reaksioni të padëshiruar në kafshë.
3. Ministri miraton kushtet për prodhimin, ruajtjen, përshkrimin, transportin, dekontaminimin, detoksikimin dhe asgjësimin e ushqimit të medikuar të kafshëve.



KREU VII
PRODUKTET MJEKËSORE VETERINARE

SEKSIONI 1
AUTORIZIMI PËR TREGTIMIN E PRODUKTEVE MJEKËSORE VETERINARE


Neni 85
Tregtimi i produkteve mjekësore veterinare

1. Produktet mjekësore veterinare, dezinfektantët dhe dezinfestantët për përdorim veterinar tregtohen në Republikën e Shqipërisë, vetëm pasi të jenë miratuar nga Komisioni Shtetëror i PMV-ve, sipas procedurave të përcaktuara në rregulloren përkatëse të PMV-ve, të miratuar nga ministri. Deratizuesit lejohet të tregtohen në Republikën e Shqipërisë, pas regjistrimit, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Kur një produkt mjekësor veterinar lejohet për tregtim në Republikën e Shqipërisë, sipas pikës 1 të këtij neni, atëherë lejohet të tregtohen edhe variacionet dhe shtesat e këtij produkti, që kanë të bëjnë me llojet e tjera të kafshëve, ku mund të përdoren, me përqendrimin, formën farmaceutike, rrugët e përdorimit e me paraqitjen, sipas procedurave të rregullores përkatëse të PMV-ve.
3. Komisioni Shtetëror i PMV-ve njeh dhe pranon certifikatën e tregtimit për PMV-të, lëshuar nga Agjencia Evropiane e Medikamenteve (EMA) ose në një nga vendet e BE-së.
4. Autoriteti kompetent lëshon certifikatën e tregtimit për secilin produkt të miratuar, sipas pikave 1 dhe 2 të këtij neni, brenda 10 ditëve kalendarike nga data e miratimit prej komisionit.
5. Produktet e miratuara nga Komisioni Shtetëror i PMV-ve shënohen në regjistrin zyrtar të PMV-ve.
6. Ministri, në rastet e një gjendjeje të rëndë shëndetësore ose epidemiologjike, me propozimin e Komisionit Shtetëror të PMV-ve, urdhëron lejimin e përkohshëm të tregtimit ose të përdorimit në kafshë të PMV-ve të autorizuara në një nga vendet anëtare të BE-së, në përputhje me legjislacionin përkatës.

Neni 86
Përdorimi në kafshë i PMV-ve

Asnjë produkt mjekësor veterinar pa certifikatë tregtimi, të lëshuar nga autoriteti kompetent, nuk mund të përdoret në kafshë, me përjashtim të rasteve të provave të PMV-ve që janë pranuar nga autoriteti kompetent në përputhje me legjislacionin veterinar në fuqi.

Neni 87
Procedura për miratimin e tregtimit të PMV-ve

1. Shqyrtimi i dosjes së PMV-ve, miratimi nga Komisioni Shtetëror i PMV-ve dhe lëshimi i certifikatës së tregtimit kryhen brenda një afati prej 210 ditësh nga data e dorëzimit të kërkesës dhe dosjes së plotë nga kërkuesi.
2. Pas miratimit të PMV-ve nga komisioni, autoriteti kompetent njofton kërkuesin për përmbledhjen e karakteristikave të PMV-ve, që është miratuar.
3. Autoriteti kompetent merr të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që informacioni për PMV-të, veçanërisht ai që jepet në paketimin dhe udhëzimet e përdorimit, është në përputhje me përmbledhjen e karakteristikave të produktit të miratuar nga komisioni.

Neni 88
Komisioni Shtetëror i PMV-ve

1. Ministri, me propozimin e autoritetit kompetent, urdhëron ngritjen e Komisionit Shtetëror të PMV-ve.
2. Komisionit Shtetëror i PMV-ve kryesohet nga titullari i drejtorisë që mbulon fushën e veterinarisë në ministri dhe ka në përbërje këta anëtarë:
a) Drejtorin e Qendrës Kombëtare të Referencës Laboratorike Veterinare;
b) drejtuesin e Laboratorit Shtetëror të Kontrollit të PMV-ve;
c) përgjegjësin e sektorit që mbulon fushën e veterinarisë në drejtorinë përkatëse në ministri;
ç) një specialist nga Fakulteti i Mjekësisë Veterinare në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Neni 89
Vendimet e komisionit

1. Komisioni, me shumicë të votave të anëtarëve të tij, merr vendim për pranimin ose refuzimin e kërkesës për tregtim të PMV-ve, mbështetur në rregulloren e përkatëse për këto produkte, të miratuar në zbatim të këtij ligji.
2. Vendimi i komisionit për refuzimin e kërkesës për tregtim mund të ankimohet pranë ministrit.

Neni 90
Mbajtësi i certifikatës së tregtimit

1. Mbajtësi i certifikatës së tregtimit të PMV-ve njofton, me shkrim, autoritetin kompetent për kohën e hedhjes në treg të PMV-ve.
2. Mbajtësi i certifikatës së tregtimit të PMV-ve njofton, me shkrim, autoritetin kompetent nëse, përkohësisht ose përfundimisht, ndalon hedhjen në treg të PMV-ve të miratuara. Ky njoftim, me përjashtim të rrethanave të jashtëzakonshme, kryhet jo më pak se dy muaj përpara ndërprerjes së hedhjes në treg të këtyre produkteve.
3. Me kërkesën e autoritetit kompetent për farmako-vigjilencën, mbajtësi i certifikatës së tregtimit të PMV-ve i dorëzon autoritetit kompetent të dhëna për vëllimin e shitjeve të PMV-ve.
4. Mbajtësi i certifikatës së tregtimit të PMV-ve regjistron të gjitha reaksionet e dyshuara si të dëmshme në kafshë ose njerëz, që kanë lidhje me përdorimin e PMV-ve, të cilat i raportohen atij, dhe menjëherë njofton autoritetin kompetent për ngjarjen e ndodhur, jo më vonë se 15 ditë nga data e marrjes dijeni.
5. Mbajtësi i certifikatës së tregtimit të PMV-ve është përgjegjës për tregtimin e PMV-ve dhe nuk mund të shmanget nga përgjegjësitë ligjore.

Neni 91
Certifikata e tregtimit

1. Certifikata e tregtimit të PMV-ve është e vlefshme për një periudhë 5-vjeçare.
2. Certifikata e tregtimit mund të rinovohet pas përfundimit të afatit të vlefshmërisë, sipas rregullores përkatëse.
3. Në rastin e rinovimit, vlefshmëria e certifikatës së tregtimit është e pakufizuar në kohë.
4. Certifikata e tregtimit të PMV-ve humbet vlefshmërinë nëse produkti nuk hidhet në treg brenda 3 viteve nga data e miratimit nga komisioni.
5. Certifikata e tregtimit të PMV-ve humbet vlefshmërinë nëse produkti nuk tregtohet për një periudhë 3-vjeçare të pandërprerë.


SEKSIONI 2
PRODHIMI, IMPORTI DHE TREGTIMI I PMV-VE


Neni 92
Prodhimi i PMV-ve në vend

1. Veprimtaria e prodhimit të PMV-ve në vend kryhet sipas legjislacionit në fuqi.
2. Licenca e prodhimit të PMV-ve u jepet subjekteve që kryejnë njëkohësisht ose në mënyrë të veçantë veprimtari të tilla si: ndarjen, shtypjen e tabletave, paketimin, përzierjen ose prodhimin e lëndëve aktive.
3. Ministri miraton procedurat e prodhimit të PMV-ve.

Neni 93
Detyrimet e prodhuesit të PMV-ve në vend

1. Prodhuesi i PMV-ve në vend mban dokumentacionin e hollësishëm për të gjitha PMV-të e prodhuara prej tij, përfshi dhe mostrat e PMV-ve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Prodhuesi i PMV-ve mban dokumentacionin, ku evidentohen data e prodhimit dhe e shitjes, emërtimi i produkteve, sasitë e PMV-ve të prodhuara dhe të shitura, numri dhe të dhëna për jetëgjatësinë e porcionit të PMV-së, emri dhe adresa e blerësit.
3. Dokumentacioni, sipas pikës 2 të këtij neni, ruhet për një periudhë 3-vjeçare dhe i paraqitet autoritetit kompetent me kërkesën e këtij të fundit.

Neni 94
Tregtimi me shumicë i PMV-ve

1. Veprimtaria e tregtimit me shumicë të PMV-ve në vend kryhet sipas legjislacionit në fuqi.
2. Tregtarët me shumicë të PMV-ve kanë të drejtën t’ia shesin këto produkte tregtarëve të tjerë me shumicë, farmacive veterinare, mjekëve veterinarë që ushtrojnë praktikën mjekësore veterinare, si dhe pronarëve e fermave të mbarështimit të kafshëve, në bazë të një recete të lëshuar nga mjeku veterinar që ushtron praktikën veterinare.
3. Tregtarët me shumicë të PMV-ve mbajnë dokumentacionin e hollësishëm, ku evidentohen data e shitjes, emërtimi dhe sasitë e PMV-ve të shitura, numri dhe të dhëna për jetëgjatësinë e porcionit të PMV-së, emri dhe adresa e blerësit.
4. Tregtarët me shumicë, një herë në vit, kryejnë një rishikim të plotë të sasive të PMV-ve të blera, të shitura, si dhe të gjendjes në magazina. Të gjitha mospërputhjet e konstatuara regjistrohen.
5. Dokumentacioni, sipas pikave 3 e 4 të këtij neni, ruhet për një periudhë 3-vjeçare dhe i paraqitet autoritetit kompetent me kërkesën e këtij të fundit.
6. Kushtet për qendrat e tregtimit me shumicë të PMV-ve përcaktohen nga autoriteti kompetent dhe miratohen nga ministri.

Neni 95
Asgjësimi i PMV-ve

1. Pronari i një partie të PMV-ve ose një person i autorizuar prej tij asgjëson partinë në rastet kur:
a) periudha e përdorimit të partisë ka skaduar;
b) parametrat e cilësisë kanë ndryshuar, si rrjedhojë e ruajtjes ose transportit të papërshtatshëm.
2. Personat e përmendur më sipër, në prani të veterinerit zyrtar, mbajnë procesverbalin e asgjësimit të PMV-ve, ku shënohen lloji, sasia, numri i partisë, arsyet dhe mënyra e asgjësimit.
3. Shpenzimet për asgjësimin e partisë së PMV-së së refuzuar mbulohen nga pronari i tyre.

Neni 96
Shitja me pakicë

1. Shitja me pakicë e PMV-ve kryhet vetëm në farmacitë veterinare nga persona fizikë ose juridikë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Drejtuesit e farmacive veterinare dhe personat që shesin PMV, duhet të jenë mjekë veterinarë të pajisur me certifikatën e kursit të farmacisë veterinare.
3. Rregullorja për kërkesat, që duhet të plotësojnë farmacitë veterinare, miratohet nga ministri.
4. Në farmacitë veterinare kryhen veprimtaritë e mëposhtme:
a) mbajtja dhe shitja e PMV-ve, instrumenteve, pajisjeve dhe mjeteve për mjekësinë veterinare dhe mbarështimin e kafshëve, si dhe ushqimeve të kafshëve të shoqërimit dhe ushqimeve të kafshëve dekorative, në paketimin e tyre origjinal;
b) përgatitja dhe lëshimi i barnave veterinare, sipas një recete të farmakopesë.

Neni 97
Ndalimet në shitjen me pakicë

1. Ndalohet tregtimi në farmaci veterinare i PMV-ve, të cilat nuk janë pajisur me certifikatën e tregtimit, sipas neneve 85 e 91 të këtij ligji.
2. Ndalohet tregtimi në farmaci veterinare i PMV-ve me efekt imunologjik kundër sëmundjeve, të cilat janë përfshirë në programin e profilaksisë shtetërore.
3. Ndalohet lëshimi i recetave veterinare nga drejtuesit e farmacive veterinare dhe farmacistët veterinarë.

Neni 98
Dokumentacioni në farmacitë veterinare

1. Farmacia veterinare mban një regjistër ditor, ku evidentohen data dhe sasitë e blerjeve dhe të shitjeve të PMV-ve, emërtimi dhe numri i PMV-ve, të dhëna për jetëgjatësinë e porcionit të PMV-së, emri dhe adresa e furnizuesit dhe blerësit, emri dhe adresa e mjekut veterinar që ka lëshuar recetën.
2. Farmacia veterinare, një herë në vit, kryen një rishikim të plotë të sasive të PMV-ve të blera, të shitura dhe të gjendjes në magazina. Të gjitha mospërputhjet e konstatuara regjistrohen.
3. Dokumentacioni, sipas pikave 1 e 2 të këtij neni, ruhet për një periudhë 3-vjeçare dhe i paraqitet autoritetit kompetent me kërkesën e këtij të fundit.

Neni 99
PMV-të që shiten vetëm me recetë nga mjeku veterinar

Me qëllimin e ruajtjes së shëndetit publik dhe të shëndetit të kafshëve, PMV-të e mëposhtme shiten vetëm të shoqëruara me recetën e lëshuar nga mjeku veterinar që ushtron veprimtarinë në përputhje me përcaktimet e këtij ligji dhe mbështetur në rregulloren përkatëse:
a) PMV-të, të cilat u nënshtrohen kufizimeve zyrtare për qarkullimin ose përdorimin, të tilla si:
i) kufizime, si rrjedhojë e zbatimit të konventave të OKB-së për lëndët narkotike dhe psikotrofike;
ii) kufizime për përdorimin e PMV-ve, të vendosura nga legjislacioni i BE-së;
b) PMV-të, që përdoren te kafshët prodhuese të ushqimeve dhe që kanë një kohë pezullimi.

Neni 100
Koha e pezullimit të PMV-ve

Kur koha e pezullimit nuk është dhënë për PMV-në, që përdoret në kafshët prodhuese, zbatohen afatet minimale si më poshtë:
a) 7 ditë, për vezët dhe qumështin;
b) 28 ditë, për mishin e shpendëve dhe gjitarëve, dhjamin dhe të brendshmet;
c) 500 ditë-gradë, për produktet e peshkut (shumëzimi i temperaturës së ujit në gradë Celsius me ditët e pezullimit).



SEKSIONI 3
PAKETIMI DHE KONTROLLI I PMV-VE

Neni 101
Paketimi i PMV-ve

1. Komisioni miraton paketimin e njësisë dhe paketimin e jashtëm të PMV-së së miratuar.
2. Paketimi përmban informacionin, sipas përcaktimeve të bëra në rregulloren përkatëse të PMV-ve si më poshtë:
a) emërtimin e PMV-së, formën farmaceutike dhe lëndën aktive;
b) numrin e porcionit të prodhuesit;
c) numrin e certifikatës së tregtimit;
ç) llojin e kafshëve në të cilat përdoret PMV-ja, së bashku me dozën dhe rrugën e përdorimit;
d) kohën e pezullimit për PMV-të për kafshët, prej të cilave prodhohen ushqime;
dh) kushtet e veçanta të ruajtjes;
e) datën e skadencës.

Neni 102
Sistemi i farmako-vigjilencës

1. Autoriteti kompetent merr masa për ngritjen dhe administrimin e një sistemi të farmako-vigjilencës.
2. Autoriteti kompetent merr masa për të siguruar njoftimin e reaksioneve të kundërta në kafshë, të dyshuara se ndodhin nga përdorimi i PMV-ve.
3. Shërbimi veterinar siguron shkëmbimin e informacionit nga sistemi i farmako-vigjilencës, që lidhet me PMV-të, të cilat janë lejuar për tregtim në Republikën e Shqipërisë.
4. Gjatë vlerësimit të të dhënave nga farmako-vigjilenca, kur autoriteti kompetent konsideron se një certifikatë tregtimi e PMV-ve duhet tërhequr, përfunduar ose ndryshuar, njofton menjëherë mbajtësin e certifikatës së tregtimit të PMV-ve, si dhe Agjencinë Evropiane të Medikamenteve.
5. Në rast të një nevoje të menjëhershme për ruajtjen e shëndetit të njeriut ose të kafshëve, autoriteti kompetent mund të shfuqizojë certifikatën e tregtimit të PMV-ve. Në këtë rast, autoriteti kompetent njofton autoritetet e shëndetit publik, Agjencinë Evropiane të Medikamenteve dhe organizmat e tjerë ndërkombëtarë, me të cilat Republika e Shqipërisë ka marrëveshje dypalëshe, si dhe palët e interesuara, jo më vonë se 1 ditë pune, pas shfuqizimit.
6. Kushtet dhe procedurat për mbledhjen, përmbajtjen dhe dërgimin e informacionit të farmako-vigjilencës miratohen nga ministri.

Neni 103
Kontrolli shtetëror i PMV-ve

1. Autoriteti kompetent mbikëqyr prodhimin, shitjen me shumicë dhe pakicë, importin dhe përdorimin e PMV-ve.
2. Autoriteti kompetent kryen kontrolle në vend edhe me kërkesën e autoriteteve kompetente të vendeve anëtare të interesuara, Komisionit Evropian dhe të Agjencisë Evropiane për Medikamentet.
3. Shërbimi veterinar rajonal kryen mbikëqyrjen në vend dhe kryen testime laboratorike të mostrave të PMV-ve.

Neni 104
Pezullimet e certifikatës së tregtimit

1. Autoriteti kompetent i propozon komisionit pezullimin e certifikatës së tregtimit në rastet e mëposhtme:
a) kur PMV-ja nuk zotëron asnjë efekt terapeutik mbi llojet e kafshëve të cilat janë përshkruar në udhëzimet e përdorimit;
b) kur përbërja sasiore dhe cilësore e PMV-ve nuk përputhet me atë që është deklaruar;
c) kur koha e rekomanduar e pezullimit është e papërshtatshme për të garantuar që ushqimet e përftuara nga kafshët e trajtuara me PMV nuk përmbajnë mbetje, të cilat përbëjnë rrezik për shëndetin e konsumatorit;
ç) kur PMV-ja ofrohet për tregtim për një përdorim që është i ndaluar nga legjislacioni në fuqi;
d) me kërkesën e vetë mbajtësit të certifikatës së tregtimit;
dh) në rastin e pezullimit të veprimtarisë tregtare të mbajtësit të certifikatës së tregtimit.
2. Vendimi i komisionit për pezullimin e certifikatës së tregtimit mund të ankimohet pranë ministrit.



KREU VIII
ORGANIZIMI DHE ZBATIMI I PRAKTIKËS MJEKËSORE VETERINARE

SEKSIONI 1
PRAKTIKA MJEKËSORE VETERINARE


Neni 105
Zbatimi i praktikës mjekësore veterinare

Praktikën mjekësore veterinare mund ta ushtrojnë personat, që kanë kualifikimin e duhur profesional dhe janë të regjistruar në Urdhrin Profesional të Mjekut Veterinar dhe në shërbimin veterinar si më poshtë:
a) mjekët veterinarë;
b) farmacistët veterinarë;
c) teknikët veterinarë (me arsim parauniversitar);
ç) teknikët e ndërzimit (inseminatorët).

Neni 106
Kryerja e veprimtarive veterinare

1. Veprimtaritë veterinare kryhen nga persona fizikë ose juridikë në njësi të shërbimit veterinar privat, që janë:
a) klinikat dhe spitalet veterinare;
b) qendrat për riprodhimin dhe ndërzimin artificial;
c) farmacitë veterinare;
ç) laboratorët veterinarë.
2. Një njësi e shërbimit veterinar privat mund të themelohet në një nga format ligjore të parashikuara në legjislacionin tregtar të Republikës së Shqipërisë.
3. Ortakët dhe administratorët e njësive të shërbimit veterinar privat regjistrohen në regjistrin përkatës të autoritetit kompetent.
4. Mbrojtja e shëndetit të kafshëve dhe zbatimi i praktikës mjekësore veterinare duhet të sigurohet në çdo njësi administrative epidemiologjike të Republikës së Shqipërisë.

Neni 107
Veprimtaritë veterinare nga institucione të tjera

1. Veprimtari të caktuara të praktikës mjekësore veterinare kryhen nga institucionet e edukimit profesional veterinar (FMV dhe shkolla) dhe Qendra Kombëtare e Referencës Laboratorike Veterinare (ISUV).
2. Disa veprimtari të praktikës mjekësore veterinare mund të kryhen edhe nga punonjës të shërbimit veterinar shtetëror, në përputhje me nenin 133 të këtij ligji.

Neni 108
E drejta e ushtrimit të profesionit

Të drejtën e ushtrimit të praktikës mjekësore veterinare në Republikën e Shqipërisë e gëzojnë personat fizikë, shqiptarë ose të huaj, që janë diplomuar si mjekë veterinarë nga Fakulteti i Mjekësisë Veterinare i Universitetit Bujqësor të Tiranës, çdo fakultet tjetër i mjekësisë veterinare, i themeluar dhe njohur sipas ligjeve në fuqi, ose nga universitete të huaja, diploma e të cilave u është nënshtruar procedurave të njohjes nga ministria përgjegjëse për arsimin në Republikën e Shqipërisë.



SEKSIONI 2
MJEKËT DHE TEKNIKËT VETERINARË

Neni 109
Mjekët veterinarë

1. Mjekët veterinarë mund të ushtrojnë profesionin në sektorin veterinar privat, në përputhje me dispozitat ligjore që rregullojnë profesionet e lira në Republikën e Shqipërisë.
2. Mjekët veterinarë, të cilët ushtrojnë profesionin në sektorin veterinar privat, kanë vulën e tyre, sipas modelit të miratuar nga autoriteti kompetent.
3. Mjeku veterinar duhet të dorëzojë një model të vulës pranë shërbimit veterinar rajonal.

Neni 110
Detyrat e mjekut veterinarë

Mjeku veterinar, që ushtron një praktikë mjekësore veterinare, është i detyruar:
a) të marrë masa kufizuese dhe të njoftojë menjëherë shërbimin veterinar rajonal, përmes dërgimit të formularit të raportimit të sëmundjeve, për çdo rast dyshimi për praninë e sëmundjeve infektive të listës, sipas përcaktimeve të nenit 14 të këtij ligji;
b) të zbatojë udhëzimet e shërbimit veterinar për profilaksinë, kontrollin dhe çrrënjosjen e sëmundjeve infektive dhe sëmundjeve të tjera në shkallë të gjerë;
c) të shënojë në regjistrin ditor të mbarështimit të kafshëve të prodhimit;
i) datën e trajtimit me PMV;
ii) emërtimin, numrin e partisë, datën e skadencës dhe kohën e pezullimit të PMV-ve;
ç) të njoftojë pronarin ose kujdestarin e kafshëve të prodhimit për kohën e pezullimit të PMV-ve ose për efektet shëndetësore të ushqimeve të medikuara të kafshëve;
d) t’i dërgojë, çdo muaj, shërbimit veterinar rajonal të dhënat për pasaportat mjekësore veterinare, të lëshuara për kafshët e shoqërimit, të regjistruara;
dh) t’i dorëzojë veterinerit zyrtar ose inspektorit veterinar, me kërkesën e tyre, dokumentacionin e mbajtur;
e) t’i dorëzojë shërbimit veterinar rajonal një raport për reaksionet e papritura dhe të rënda, të vërejtura në njerëz dhe në kafshë pas përdorimit të PMV-ve;
ë) të njoftojë menjëherë shërbimin veterinar rajonal për parregullsitë e vërejtura në mbledhjen e kadavrave të kafshëve dhe groposjen e tyre;
f) të lëshojë receta dhe të respektojë kërkesat për përdorimin e produkteve hormonale, beta- agonistëve dhe tireostatikëve ose PMV-ve dhe të lëndëve të tjera, për qëllime mjekësore dhe zooteknike, në kafshët e prodhimit, sipas legjislacionit në fuqi;
g) të kryejë kontrollin, pas ngordhjes së kafshëve, në rastet kur lejohet nga rregulloret përkatëse, të marrë mostra dhe t’i dërgojë në laboratorin veterinar për analiza për konfirmimin e diagnozës;
gj) të marrë si ndihmës në zbatimin e praktikës mjekësore veterinare vetëm persona që kanë një arsim mjekësor veterinar;
h) të zbatojë kërkesat e praktikës mjekësore veterinare dhe të respektojë etikën profesionale gjatë ushtrimit të profesionit.

Neni 111
Teknikët veterinarë

1. Teknikët veterinarë mund të ushtrojnë profesionin në sektorin veterinar privat, në përputhje me dispozitat ligjore që rregullojnë profesionet e lira në Republikën e Shqipërisë.
2. Tekniku veterinar kryen praktikën mjekësore veterinare nën kontrollin dhe drejtimin e një mjeku veterinar.
3. Tekniku veterinar kryen këto detyra:
a) njofton menjëherë mjekun veterinar, nën kontrollin e të cilit punon, ose shërbimin veterinar rajonal për çdo rast dyshimi për praninë e sëmundjeve infektive të listës, sipas përcaktimeve të nenit 14 të këtij ligji;
b) kryen trajtimet veterinare, të urdhëruara nga mjeku veterinar, nën kontrollin e të cilit punon;
c) merr kampione dhe i dërgon për analiza në laboratorin veterinar;
ç) kryen dezinfektimin, dezinsektimin dhe deratizimin e vendeve, kullotave dhe terreneve;
d) zbaton dhe përmbush udhëzimet e autoriteteve të kontrollit në fushën e përmirësimit gjenetik dhe riprodhimit kur kryen ndërzimin artificial në kafshët e prodhimit.

Neni 112
Teknikët e ndërzimit

1. Tekniku i ndërzimit kryen veprimtarinë e tij, në përputhje me nenin 105 të këtij ligji.
2. Tekniku i ndërzimit regjistrohet në Urdhrin Profesional të Mjekut Veterinar dhe shërbimin veterinar, sipas rregullores përkatëse.



SEKSIONI 3
URDHRI PROFESIONAL I MJEKUT VETERINAR DHE SHOQATAT VETERINARE


Neni 113
Urdhri Profesional i Mjekut Veterinar

1. Urdhri Profesional i Mjekut Veterinar është organizimi në nivel kombëtar i mjekëve veterinarë që përfaqëson interesat e përbashkët dhe rregullon marrëdhëniet ndërmjet tyre, në funksion të publikut.
2. Misioni i Urdhrit Profesional të Mjekut Veterinar është ruajtja e standardeve të larta në formimin dhe ushtrimin e profesionit, si dhe mbrojtja e publikut nga kequshtrimi i profesionit.
3. Mënyra e organizimit dhe e funksionimit të Urdhrit Profesional të Mjekut Veterinar përcaktohen në ligjin përkatës.
4. Në Urdhrin Profesional të Mjekut Veterinar të Republikës së Shqipërisë regjistrohen mjekët veterinarë, farmacistët veterinarë, teknikët veterinarë dhe teknikët e ndërzimit, të cilët ushtrojnë praktikën veterinare, shtetërore ose private, në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Neni 114
Klinika dhe spitali veterinar

1. Klinika dhe spitali veterinar janë njësi të shërbimit veterinar privat, që kryejnë veprimtari të praktikës mjekësore veterinare në një territor të caktuar të ndarjes administrative në Republikën e Shqipërisë.
2. Në një klinikë veterinare punësohet jo më pak se 1 mjek veterinar i regjistruar.
3. Në një spital veterinar punësohen jo më pak se 3 mjekë veterinarë të regjistruar.

Neni 115
Veprimtaritë e klinikës ose të spitalit veterinar

Në klinikën ose spitalin veterinar, në përputhje me qëllimin e veprimtarisë së tyre, kryhen veprimtaritë e mëposhtme:
a) ekzaminimi i kafshëve të sëmura dhe nekropsia e kadavrave të kafshëve, duke përcaktuar edhe shkaqet e sëmundjeve ose të ngordhjes së kafshëve dhe diagnozën e sëmundjeve të caktuara, si dhe trajtimi mjekësor i kafshëve me sëmundje infektive ose joinfektive e mbajtja nën vëzhgim e kafshëve;
b) zbatimi i masave shëndetësore veterinare për parandalimin, zbulimin, kontrollin dhe çrrënjosjen e sëmundjeve infektive në kafshë;
c) zbulimi dhe raportimi i sëmundjeve infektive ose dyshimet për sëmundje infektive të lajmërueshme;
ç) ndërhyrja kirurgjikale, obstetrike, si dhe procedura të tjera të praktikës mjekësore veterinare;
d) trajtimi mjekësor për infertilitetin, ndërzimin artificial të kafshëve dhe transferimi i vezëve të fertilizuara (transferimi i embrionit);
dh) dhënia e ndihmës së kualifikuar profesionale për pronarët ose kujdestarët e kafshëve për shëndetin veterinar dhe mbarështimin e kafshëve, me qëllim ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit të kafshëve, mirëqenien dhe riprodhimin e tyre;
e) mbajtja e regjistrit të veprimtarive mjekësore veterinare;
ë) dhënia e certifikatave shëndetësore veterinare për procedura në kafshët e gjalla, me materialin biologjik për ndërzim artificial dhe për vezët e fertilizuara, sipas akteve nënligjore, në zbatim të këtij ligji;
f) identifikimi dhe regjistrimi i kafshëve, sipas akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji;
g) marrja e masave për mbrojtjen e mjedisit veterinar, në mënyrë që të parandalojë dhe të kontrollojë përhapjen e sëmundjeve infektive (dezifektim, dezinfestim, deratizim, dekontaminimin radiologjik).

Neni 116
Veprimtaritë e deleguara të klinikës veterinare

1. Veprimtaritë e mëposhtme mund të kryhen nga klinika veterinare me anë të një kontrate 1-vjeçare me autoritetin kompetent, të lidhur në bazë të procedurave në fuqi të prokurimit publik:
a) identifikimi dhe regjistrimi i fermës dhe matrikullimi i kafshëve të prodhimit ose i kafshëve të tjera, si dhe i kafshëve të reja në fermë, sipas rregullores përkatëse;
b) kontrolli i rregullt vjetor i gjendjes së kafshëve të prodhimit ose kafshëve të tjera në fermë, rimatrikullimi i kafshëve që nuk plotësojnë kërkesat e identifikimit, sipas rregullores përkatëse;
c) zbatimi praktik i programeve të profilaksisë shtetërore për sëmundjet në kafshë në një njësi administrative të përcaktuar;
ç) zbatimi i masave për kontrollin dhe çrrënjosjen e sëmundjeve infektive në kafshë, në vatrat e shpërthimeve.
2. Klinika veterinare, e cila është kontraktuar për të kryer veprimtaritë, sipas këtij neni, siguron përmbushjen e këtyre veprimtarive gjatë gjithë kohës dhe në përputhje me kushtet e kontratës.
3. Në rast se klinika veterinare e kontraktuar, gjatë kryerjes së veprimtarive veterinare, nuk përmbush kushtet e kontratës së lidhur me autoritetin kompetent, ky i fundit mund të kërkojë zgjidhjen e kontratës, sipas mënyrave dhe procedurave të përcaktuara, dhe ka të drejtën të kërkojë dëmshpërblimin dhe penalitetet, sipas parashikimeve të kontratës.

Neni 117
Kontrata për delegimin e veprimtarive

Pas përfundimit të procedurës së prokurimit publik, në përputhje me dispozitat ligjore, kontrata për delegimin e veprimtarive nënshkruhet nga autoriteti kompetent dhe titullari i klinikës veterinare. Kontrata përfshin dispozita të përcaktuara në aktet nënligjore.

Neni 118
Qendrat për riprodhimin dhe ndërzimin artificial

Qendrat për riprodhimin dhe ndërzimin artificial janë njësi të shërbimit veterinar privat, që plotësojnë kushtet e përcaktuara në rregulloren përkatëse dhe regjistrohen në regjistrin e autoritetit kompetent. Qendrat kryejnë veprimtaritë e mëposhtme:
a) prodhimin e kafshëve cilësore të riprodhimit;
b) testet e riprodhimit në kafshët riprodhuese;
c) ndërzimin artificial të kafshëve;
ç) dhënien e ndihmës së kualifikuar profesionale në zbatimin e ndërzimit artificial dhe kontrollin e infertilitetit në kafshë;
d) mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe aftësive të tyre riprodhuese;
dh) zbulimin dhe raportimin e rasteve të sëmundjeve infektive ose të dyshimeve për raste të një sëmundjeje infektive, që ndikon negativisht në aftësitë riprodhuese të kafshëve, ose që mund të përhapet përmes praktikave të ndërzimit artificial;
e) analizën laboratorike të materialit biologjik (spermës) që përdoret për ndërzimin artificial dhe të vezëve të fertilizuara (pllenuara);
ë) kualifikime të teknikëve në fushën e ndërzimit artificial dhe atë të riprodhimit të kafshëve;
f) monitorime dhe kërkime shkencore, që lidhen me riprodhimin e kafshëve dhe gjenetikën;
g) veprimtari të tjera, që ndihmojnë në përmirësimin e veprimtarisë veterinare dhe mbarështimin e kafshëve, në përputhje me dispozitat e këtij neni.

Neni 119
Laboratorët veterinarë private

1. Laboratorët veterinarë privatë janë njësi të shërbimit veterinar privat, të miratuara nga ministri, të regjistruara në shërbimin veterinar dhe të akredituara në përputhje me standardet kombëtare.
2. Laboratorët veterinarë privatë drejtohen nga një mjek veterinar me kualifikimin dhe njohuritë e përshtatshme në fushën e laboratorit.
3. Laboratorët veterinarë privatë kryejnë veprimtaritë e mëposhtme:
a) analizat për diagnozën e sëmundjeve infektive në kafshë ose për të vërtetuar se kafshët nuk janë të infektuara;
b) analizat për kontrollin e shkallës së mbrojtjes, të siguruar nga profilaksia veterinare (titri i antitrupave);
c) marrin pjesë në programe të monitorimit të situatës epidemiologjike, në bashkëpunim me strukturat e shërbimit veterinar, laboratorët veterinarë të Qendrës Kombëtare të Referencës Laboratorike Veterinare dhe Fakultetit të Mjekësisë Veterinare;
ç) marrin pjesë në zbatimin e studimeve në fushën e mjekësisë veterinare, të miratuara nga autoriteti kompetent.


0000BF]KREU IX
LABORATORËT VETERINARË SHTETËRORË DHE EDUKIMI PROFESIONAL VETERINAR

Neni 120
Laboratorët shtetërorë veterinarë

1. Laboratorët veterinarë shtetërorë, të cilët kryejnë analizat laboratorike veterinare për kampionet e marra gjatë kontrolleve zyrtare, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji, miratohen nga ministri.
2. Laboratorët veterinarë shtetërorë akreditohen në përputhje me standardet kombëtare.
3. Tarifat për kryerjen e analizave nga laboratorët veterinarë shtetërorë përcaktohen me urdhër të përbashkët të ministrit dhe të ministrit përgjegjës për financat.
4. Laboratorët veterinarë shtetërorë kryejnë, pa pagesë, analizat për kampionet e marra:
a) gjatë kontrolleve zyrtare;
b) gjatë zbatimit të programeve vjetore dhe kombëtare, sipas përcaktimeve të këtij ligji;
c) në rastet e dyshimeve për praninë e sëmundjes infektive, sipas përcaktimit të nenit 14 të këtij ligji.
5. Në mënyrë përjashtimore nga pika 4 e këtij neni, analizat laboratorike veterinare kryhen kundrejt pagesës kur qëllimi i testimit është për arsye tregtare.
6. Ministri, me propozimin e autoritetit kompetent, miraton listën e laboratorëve veterinarë shtetërorë, në të cilën përcaktohen tipi i laboratorit dhe analizat që kryhen. Lista botohet në Fletoren Zyrtare dhe shpallet në faqen zyrtare të ministrisë e përditësohet për një periudhë 6-mujore.

Neni 121
Laboratorët veterinarë të autorizuar

1. Analizat për kampionet e marra gjatë kontrolleve zyrtare kryhen në laboratorët shtetërorë ose privatë, të cilët janë autorizuar për kryerjen e këtyre analizave nga ministri, me propozimin e autoritetit kompetent.
2. Lista e laboratorëve të autorizuar të kontrollit, ku përcaktohen tipi i laboratorit dhe analizat që çdo laborator autorizohet të kryejë, miratohet me urdhër të ministrit dhe botohet në Fletoren Zyrtare çdo fillim viti.
3. Ministri miraton kriteret, që duhet të plotësojë laboratori për t’u autorizuar, sipas pikës 1 të këtij neni.

Neni 122
Veprimtaria e laboratorëve veterinarë

1. Laboratorët veterinarë ushtrojnë veprimtarinë për:
a) analizat diagnostike të kampioneve të kafshëve dhe produkteve embrionale, për profilaksinë, kontrollin dhe çrrënjosjen e sëmundjeve të kafshëve;
b) ekzaminime për sigurinë e nënprodukteve dhe të produkteve me origjinë shtazore, jo për konsum njerëzor.
2. Veprimtaritë laboratorike të përmendura në pikën 1 të këtij neni, kryhen sipas metodave të miratuara nga Qendra Kombëtare e Referencës Laboratorike Veterinare.
3. Kryerja e analizave konfirmuese të sëmundjeve infektive në laboratorët ndërkombëtarë të referencës bëhet me autorizim të autoritetit kompetent.

Neni 123
Qendra Kombëtare e Referencës Laboratorike Veterinare

1. Si Qendër Kombëtare e Referencës Laboratorike Veterinare shërben Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), i cili është institucion qendror, në varësi të ministrit, dhe pjesë e rrjetit të shërbimit veterinar kombëtar.
2. Ministri, me propozimin e autoritetit kompetent, miraton laboratorët kombëtarë të referencës, për diagnozën e sëmundjeve të veçanta të kafshëve.
3. Laboratorët e përmendur në pikën 2 të këtij neni duhet:
a) të kenë të përcaktuara dhe të akredituara llojet e provave laboratorike që kryhen;
b) të zbatojnë dhe të përmbushin kushtet e përcaktuara në praktikat e mira laboratorike;
c) të jenë efektivë në komunikimin dhe bashkëpunimin me laboratorët brenda vendit, si dhe laboratorët respektivë të referencës të BE-së e të OIE-së;
ç) të zbatojnë standardet ndërkombëtare në fuqi të OIE-së dhe BE-së gjatë ushtrimit të veprimtarisë laboratorike.

Neni 124
Përgjegjësitë e Qendrës Kombëtare të Referencës Laboratorike Veterinare

1. Qendra Kombëtare e Referencës Laboratorike Veterinare është përgjegjëse për:
a) kryerjen e analizave laboratorike, në zbatim të programeve kombëtare të monitorimit dhe survejancës së situatës epidemiologjike të sëmundjeve infektive, zoonozave dhe mbetjeve toksike;
b) kontrollin e mbetjeve të substancave me efekt anabolik dhe të paautorizuara, biopreparateve dhe barnave veterinare në kafshët e gjalla dhe produktet e tyre;
c) kryerjen e analizave laboratorike për vendosjen e diagnozës për sëmundjet infektive të kafshëve;
ç) prodhimin e biopreparateve veterinare, si vaksina, antigene, alergene, serume, serume hiperimune, për përdorim, në diagnostikimin e sëmundjeve infektive dhe zoonozave e në luftimin e tyre, mbështetur në kërkesën e autoritetit kompetent;
d) kontrollin mikrobiologjik, kimik dhe toksikologjik të produkteve ushqimore me origjinë shtazore, të nënprodukteve me origjinë shtazore, të ushqimeve të kafshëve, të cilat janë prodhuar në, importohen për në, ose eksportohen nga Republika e Shqipërisë;
dh) kualifikimin e specialistëve dhe të teknikëve të laboratorëve veterinarë;
e) bashkërendimin e studimeve kërkimore dhe shkencore për të zbatuar metoda të reja diagnostike për sëmundjet e kafshëve;
ë) drejtimin metodologjik të laboratorëve veterinarë përmes:
i) bashkërendimit të punës në zbatimin e standardeve dhe të metodave për analizat laboratorike;
ii) kontrollit të skemave që garantojnë cilësinë e provave;
iii) sigurimit dhe miratimit të metodave standarde për diagnozën e sëmundjeve të kafshëve;
iv) sigurimit të materialeve standarde të referencës dhe kampioneve standarde;
v) asistencës së plotë teknike;
f) kryerjen e analizave laboratorike për kampionet, rezultatet e të cilave janë kontestuar, pasi janë nxjerrë nga laboratorët e tjerë veterinarë në vend;
g) përgatitjen dhe organizimin e studimeve krahasuese ndërlaboratorike brenda vendit;
gj) pjesëmarrjen në studime krahasuese ndërlaboratorike nga laboratorët e referencës së BE-së dhe OIE-së;
h) vlerësimin e laboratorëve veterinarë, nëse janë të aftë për kryerjen e analizave të miratuara, sipas përcaktimeve të këtij ligji.
2. Kriteret, mbi të cilat kryhet vlerësimi i laboratorëve, miratohen nga ministri.

Neni 125
Laboratori Shtetëror i Kontrollit Veterinar (LSHKV)

1. Në përbërje të shërbimit veterinar ngrihet dhe funksionon Laboratori Shtetëror i Kontrollit Veterinar, që kontrollon produktet mjekësore veterinare (barna dhe bioprodukte), të prodhuara në vend ose të importuara.
2. Biopreparatet në vend prodhohen nga njësi të autorizuara nga ministria dhe përdoren pasi të jenë kontrolluar nga LSHKV-ja.
3. Tarifat për kryerjen e analizave përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit dhe të ministrit përgjegjës për financat.

Neni 126
Shkollat e studimeve të larta të mjekësisë veterinare (SHMV-të)

Shërbimi veterinar bashkëpunon me SHMV-të për përmirësimin e edukimit dhe të veprimtarive shkencore veterinare, përmes kryerjes së veprimtarive të mëposhtme:
a) diagnozës klinike dhe laboratorike të sëmundjeve të kafshëve;
b) trajtimit mjekësor veterinar;
c) nekropsisë mbi karkasat e kafshëve dhe kryerjen e testeve pato-fiziologjike në organet e kafshëve;
ç) kryerjes së kërkimit shkencor, zbatimit dhe përmirësimit të metodave kimike, histologjike, biokimike, histokimike, ekologjike, mikrobiologjike, urologjike, parazitare, radiologjike, radiokimike, si dhe analizave të tjera në organe, gjak, serum, rrjedhje nga kafshët, ushqime për kafshë, ushqime me origjinë shtazore ose lëndë të tjera biologjike, tokë, ujë, ajër dhe, në përfundim të tyre, dhënies së mendimit të kualifikuar në lidhje me këto çështje;
d) kryerjes së studimeve, përllogaritjeve, projekteve në fushën e veprimtarive veterinare, përkujdesjes dhe mirëqenies së kafshëve, prodhimit, ushqimit për kafshë, si dhe përpunimit e tregtimit të kafshëve dhe të produkteve me origjinë shtazore;
dh) kryerjes së kërkimit, monitorimit dhe analizës së shpërthimeve të sëmundjeve, shpërndarjes së sëmundjeve infektive dhe joinfektive në kafshë;
e) drejtimit të kërkimit ose prodhimit të produkteve farmaceutike veterinare, biologjike dhe të produkteve biocide, me qëllim trajtimin mjekësor të kafshëve, si dhe luftimin e sëmundjeve të kafshëve;
ë) organizimit dhe ndërmarrjes, në bashkëpunim me shërbimin veterinar, Urdhrin Profesional të Mjekut Veterinar, Qendrën Kombëtare të Referencës Laboratorike Veterinare, të kualifikimit të vazhdueshëm profesional të strukturave të Shërbimit Veterinar Shtetëror;
f) dhënies së asistencës profesionale veterinare për shërbimin veterinar privat, operatorëve të biznesit të mbarështimit të kafshëve, të punës racore, të prodhuesve të ushqimeve me origjinë shtazore dhe ushqimeve për kafshë dhe të medikamenteve veterinare.

KREU X
ORGANIZIMI DHE KOMPETENCAT E SHËRBIMIT VETERINAR


Neni 127
Shërbimi veterinar

1. Shërbimi veterinar organizohet si sistem i njësuar dhe ushtron veprimtarinë, sipas përcaktimeve të këtij ligji, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
2. Shërbimi Veterinar Shtetëror integron në sistem edhe struktura, që kryejnë veprimtari veterinare në institucione të tjera publike dhe përcakton detyrimet, përgjegjësitë dhe komunikimin e këtyre strukturave me Shërbimin Veterinar Shtetëror në të gjithë veprimtarinë e tyre veterinare, veçanërisht në situata emergjente.
3. Shërbimi veterinar është pjesë përbërëse e rrjetit veterinar ndërkombëtar e rajonal, që bashkëpunon me OIE-në, organet homologe të Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera, organizma të tjerë ndërkombëtarë në fushën përkatëse, si dhe me të gjitha vendet, me të cilat ka marrëveshje dypalëshe.
4. Përfaqësuesit zyrtarë pranë organizmave ndërkombëtarë ose rajonalë në fushën e veterinarisë emërohen nga ministri.

Neni 128
Përbërja e shërbimit veterinar

1. Shërbimi veterinar drejtohet nga autoriteti kompetent që mbulon veprimtarinë veterinare në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
2. Shërbimi veterinar funksionon në bazë të ndarjes territoriale-administrative të vendit.
3. Shërbimi veterinar rajonal përbëhet nga veterinerë zyrtarë, që punojnë në strukturat rajonale të ministrisë, të cilët mbulojnë një territor të caktuar në rajonin përkatës.
4. Strukturat veterinare në njësitë e qeverisjes vendore mbulojnë veprimtaritë veterinare, sipas përcaktimeve të këtij ligji. Mjekët veterinarë në njësitë e qeverisjes vendore janë në varësi teknike nga shërbimi veterinar rajonal.
5. Shërbimi veterinar privat është pjesë përbërëse e shërbimit veterinar.

Neni 129
Kompetencat e autoritetit kompetent

Autoriteti kompetent ushtron kompetencat e mëposhtme:
a) harton politikat e shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve të gjalla, si dhe programet e parandalimit, kontrollit, eliminimit deri në çrrënjosjen e sëmundjeve infektive në kafshë, sipas përcaktimeve të këtij ligji;
b) harton strategjitë afatshkurtra, afatmesme e afatgjata të veprimtarive veterinare, sipas përcaktimeve të këtij ligji;
c) propozon përmirësimin e legjislacionit veterinar, sipas përcaktimeve të këtij ligji, duke e përafruar e harmonizuar atë me legjislacionin e Bashkimit Evropian;
ç) monitoron dhe harton raporte për situatën epidemiologjike të sëmundjeve infektive në kafshë në territorin e Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me strukturat që kryejnë veprimtari veterinare;
d) informon institucionet shtetërore, strukturat e shëndetit publik, palët e interesuara në vend, OIE-në, BE-në dhe organizmat e tjerë ndërkombëtarë për situatën epidemiologjike të sëmundjeve infektive në kafshë në territorin e Republikës së Shqipërisë;
dh) mbikëqyr zbatimin e këtij ligji, si dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij;
e) administron mjetet financiare për mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve, mbrojtjen nga zoonozat, si dhe trajnimet e specialistëve, të miratuara më parë me urdhër të ministrit;
ë) mbron shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve në:
i) mbarështimin e tyre;
ii) prodhimin dhe ruajtjen e produkteve embrionale;
iii) tregtimin, shkëmbimin dhe transportimin e kafshëve dhe të produkteve embrionale;
iv) kafshët e shoqërimit;
v) kafshët e laboratorit;
f) regjistron produktet mjekësore veterinare, dezinfektantët dhe dezinfestantët e certifikuar, që prodhohen ose tregtohen në territorin e Republikës së Shqipërisë;
g) kontrollon biosigurinë, dezinfektimin, dezinsektimin, deratizimin dhe shkatërrimin e materialeve të infektuara;
gj) mban dhe përditëson regjistrin zyrtar për:
i) fermat dhe stabilimentet blegtorale;
ii) subjektet që tregtojnë kafshë;
iii) subjektet që prodhojnë, ruajnë dhe tregtojnë produkte embrionale;
iv) individët që transportojnë kafshë, produkte embrionale, nënprodukte me origjinë shtazore, jo për konsum njerëzor;
v) qendrat e grumbullimit të kafshëve ose pikat karantinore;
vi) subjektet që prodhojnë ose tregtojnë PMV;
vii) laboratorët veterinarë;
viii) vendet ku zbatohet praktika mjekësore veterinare dhe mjekët veterinarë që punojnë atje;
ix) institucionet dhe personat që lejohen të kryejnë eksperimente me kafshë;
h) mbikëqyr procesin e identifikimit dhe të regjistrimit të kafshëve e fermave blegtorale, në përputhje me legjislacionin kombëtar në fuqi.

Neni 130
Fusha e veprimtarisë së veterinerit zyrtar

Veterineri zyrtar e ushtron veprimtarinë e tij në njësitë e mëposhtme:
a) fermat e rritjes dhe mbarështimit të kafshëve;
b) pikat e grumbullimit dhe pikat e pushimit të kafshëve;
c) qendrat e karantinës shtetërore;
ç) qendrat e riprodhimit dhe ndërzimit artificial;
d) qendrat e grumbullim-përpunimit të produkteve me origjinë shtazore, jo për konsum njerëzor apo kafshë;
dh) njësitë e shërbimit veterinar privat, sipas përcaktimit të këtij ligji.

Neni 131
Veterineri zyrtar

Veterineri zyrtar, në territorin ku ushtron veprimtarinë, kryen funksionet e mëposhtme:
1. Lëshon certifikatën shëndetësore veterinare për lëvizjen e kafshëve.
2. Në kuadër të Planit Kombëtar të Monitorimit Mbetjeve dhe në bazë të sëmundjeve infektive të përcaktuara në listën përkatëse, merr kampione dhe materiale patologjike për analiza, me qëllim kontrollin e shëndetit të kafshëve, të cilat i dërgon në laboratorët veterinarë.
3. Në rastet e sëmundjeve infektive të përcaktuara në listën përkatëse, ndalon lëvizjen e kafshëve, të produkteve primare me origjinë shtazore, produkteve me origjine shtazore, jo për konsum njerëzor, produkteve mjekësore veterinare, produkteve embrionale, si dhe të mbeturinave shtazore.
4. Kontrollon dhe pezullon veprimtarinë e fermave për mbarështimin, prodhimin dhe tregtimin e kafshëve, produkteve embrionale, materialeve të papërpunuara me origjinë shtazore, në rastet e mospërputhjes me standardet sanitaro-veterinare, si dhe në rastet e përcaktuara në pikën 3 të këtij neni.
5. Konfiskon dhe urdhëron asgjësimin e produkteve me origjinë shtazore, jo për konsum njerëzor, të papërshtatshme nga ana sanitaro-veterinare, si dhe produktet mjekësore veterinare.
6. Mbikëqyr veprimtarinë e organizmave veterinarë privatë, të cilave ua pezullon veprimtarinë kur vëren mosrespektimin e kushteve të përcaktuara për licencimin e tyre.
7. Mbikëqyr dhe kontrollon:
a) zbatimin e masave për parandalimin, zbulimin, kontrollin dhe çrrënjosjen e sëmundjeve infektive të kafshëve dhe për mbrojtjen e shëndetit publik nga zoonozat;
b) zbatimin e masave veterinare për mbrojtjen e shëndetit dhe të mirëqenies së kafshëve;
c) zbatimin e veprimtarive veterinare nga shërbimet veterinare private;
ç) përputhjen me standardet sanitaro-veterinare në fermat blegtorale, në rritjen e kafshëve të destinuara për eksperimente, në inkubatorët, rezervatet, qendrat e grumbullimit, tregjet e kafshëve të gjalla, qendrat e blerjeve dhe pikat e pushimit të kafshëve, kopshtet zoologjike ose miniparqet;
d) përputhjen me standardet sanitaro-veterinare të stabilimenteve të prodhimit dhe të ruajtjes së spermës së kafshëve e vezëve të fekonduara;
dh) përputhjen me standardet sanitaro-veterinare të mjeteve të transportit, të përdorura për transportin e kafshëve dhe mënyrën e transportit të kafshëve;
e) mbetjet e substancave të dëmshme në kafshë;
ë) zbatimin e masave veterinare në mbajtjen, prodhimin dhe tregtimin e kafshëve;
f) identifikimin e kafshëve, regjistrimin e fermave blegtorale dhe veprimtarinë e personave fizikë ose juridikë, të autorizuar për identifikimin;
g) prodhimin, ruajtjen, tregtimin dhe përdorimin e produkteve mjekësore veterinare;
gj) prodhimin, ruajtjen, tregtimin dhe përdorimin e dezinfektantëve, dezinsektantëve, deratizuesve, si dhe përdorimin e mjeteve me anë të të cilave kryhen dezinfektimi, dezinsektimi dhe deratizimi;
h) dokumentacionin dhe regjistrat e fermave dhe të stabilimenteve blegtorale, klinikave dhe farmacive veterinare, stabilimenteve të prodhimit dhe ruajtjes së spermës së kafshëve e vezëve të fekonduara, në lidhje me zbatimin e legjislacionit veterinar;
i) dezinfektimin e mjeteve të transportit, të përdorura për dërgimin e ngarkesave të kafshëve dhe mbeturinave me origjinë shtazore;
j) zbatimin e masave karantinore për kafshët dhe produktet me origjinë shtazore, në rastet e shpërthimeve të sëmundjeve infektive;
k) zbatimin e masave të tjera të përcaktuara, kur kërcënohen shëndeti dhe mirëqenia e kafshëve;
l) vendosjen e masave kur vërehen kundërvajtje administrative, në zbatim të nenit 134 të këtij ligji.
8. Në rastet e sëmundjeve zoonotike, informon strukturat përkatëse të shëndetit publik.

Neni 132
Detyrat e veterinerit zyrtar

Gjatë ushtrimit të mbikëqyrjes, sipas dispozitave të këtij ligji, veterineri zyrtar duhet:
a) të ndalojë, të kërkojë apo të bllokojë çfarëdo mjet transporti, i cili dyshohet për mbajtjen e kafshëve;
b) të ndalojë përdorimin e mjediseve, mjeteve, pajisjeve dhe makinerive në fermën blegtorale;
c) të urdhërojë zbatimin e kushteve të përcaktuara për strukturën, pajisjet teknike, aparaturat teknologjike, veprimtarinë, higjienën dhe mbrojtjen e mjedisit veterinar, në stabilimentet blegtorale dhe fermat blegtorale, të cilat nuk i plotësojnë ose i plotësojnë pjesërisht këto kushte;
ç) të ndalojë përdorimin e pajisjeve të përmendura në shkronjën “c” të këtij neni, nëse mospërputhjet e konstatuara nuk korrigjohen brenda afatit të vendosur;
d) të ndalojë tregtimin e produkteve mjekësore veterinare nëse ato tregtohen në kundërshtim me kushtet e vendosura në legjislacionin përkatës;
dh) të ndalojë veprimtarinë e njësive të shërbimit veterinar privat, për të cilat ende nuk është marrë një vendim për fillimin e veprimtarisë së tyre e të cilat kanë dështuar në plotësimin e kushteve të përcaktuara për mjediset, stafin profesional dhe pajisjet;
e) të hyjë në fermat, stabilimentet blegtorale dhe godinat, në të cilat ushtron veprimtarinë e tij, në përputhje me nenin 131 të këtij ligji, si dhe të kontrollojë të gjitha shënimet dhe dokumentacionin;
ë) të vendosë kafshët në karantinë;
f) të kryejë veprimtari të tjera, të përcaktuara në legjislacionin veterinar.

Neni 133
Konflikti i interesit dhe konfidencialiteti

1. Gjatë kryerjes së funksioneve të tij, veterineri zyrtar duhet të shmangë çdo situatë, në të cilën ai ka një interes personal të tillë që ndikon ose mund të ndikojë në paanshmërinë ose objektivitetin e kryerjes së këtyre funksioneve.
2. Veterineri zyrtar nuk ka të drejtë të kryejë ose të marrë pjesë në veprimtari fitimprurëse ose jofitimprurëse, të cilat janë objekt kontrolli nga shërbimi veterinar.
3. Për shmangien e situatave të konfliktit të interesit, zbatohen parimet e përcaktuara në ligjin nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, dhe në ligjin nr.9131, datë 8.9.2003 “Për rregullat e etikës në administratën publike”, për aq sa janë të zbatueshme.
4. Në një njësi të caktuar administrative/epidemiologjike, ku nuk sigurohen mbrojtja e shëndetit të kafshëve dhe zbatimi i praktikës mjekësore veterinare nga shërbimi veterinar privat, këto veprimtari mund të kryhen nga Shërbimi Veterinar Shtetëror, sipas rregullores përkatëse.
5. Veterineri zyrtar, gjatë ushtrimit të kontrolleve në zbatim të detyrave të ngarkuara nga shërbimi veterinar, respekton ruajtjen e informacionit të marrë, që mbulohet nga sekreti profesional.
6. Shërbimi veterinar ruan në mënyrë konfidenciale të dhënat e përfituara gjatë kontrolleve zyrtare dhe mund t’i bëjë publike ato vetëm në rastin e një kërcënimi serioz për shëndetin e kafshëve ose shëndetin publik.

Neni 134
Kundërvajtjet administrative

1. Kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative shkeljet e mëposhtme të dispozitave të këtij ligji, për të cilat ndëshkohen, nga veterineri zyrtar shtetëror, personat si më poshtë:
1.1 Pronari ose kujdestari i kafshëve:
a) me gjobë nga 25 000 (njëzet e pesë mijë) deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë në rastet kur:
i) vepron në kundërshtim me nenet 19, 20, 24, 51 e 53, të këtij ligji;
ii) vepron në kundërshtim me nenet 6, 8, 9, 12, të këtij ligji;
iii) vepron në kundërshtim me nenin 41 të këtij ligji për karantinën shtetërore;
b) me gjobë 10 000 (dhjetë mijë) deri në 20 000 (njëzet mijë) lekë në rastet kur:
i) vepron në kundërshtim me nenet 72 dhe 76 të këtij ligji gjatë transportit të kafshëve;
ii) vepron në kundërshtim me nenin 59 të këtij ligji, duke lëvizur kafshët pa certifikatën veterinare;
iii) vepron në kundërshtim me nenin 32 të këtij ligji, për therjen e kafshëve pa kryer kontrollin veterinar;
iv) vepron në kundërshtim me nenet 51, 66 e 74 të këtij ligji;
v) grumbullon dhe tregton lëkurët, në kundërshtim me nenin 63 të këtij ligji;
vi) vepron në kundërshtim me nenin 72 të këtij ligji.
1.2 Mjeku veterinar privat:
a) me gjobë nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë kur:
i) vepron në kundërshtim me nenet 19, 21, 29 e 32 të këtij ligji;
ii) vepron në kundërshtim me nenet 70 dhe 76 të këtij ligji;
iii) lëshon certifikatën veterinare në kundërshtim me nenet 55, 56, 57 dhe 59 të këtij ligji;
iv) vepron në kundërshtim me nenin 83 të këtij ligji;
v) vepron në kundërshtim me nenin 84 të këtij ligji;
vi) vepron në kundërshtim me nenet 109, 110, 111, 115, 116, 117 dhe 118 të këtij ligji.
1.3 Personi fizik dhe/ose juridik:
a) me gjobë 100 000 (njëqind mijë) deri në 200 000 (dyqind mijë) lekë kur:
i) vepron në kundërshtim me nenin 63 të këtij ligji;
ii) vepron në kundërshtim me nenet 78, 79 e 80 të këtij ligji;
iii) vepron në kundërshtim me nenet 30, 31, 82 e 84 të këtij ligji;
iv) vepron në kundërshtim me nenet 33, 35, 36, 38 dhe 42 të këtij ligji;
v) vepron në kundërshtim me nenet 90, 93, 94, 96 e 99 të këtij ligji;
vi) vepron në kundërshtim me nenet 108, 110, 115, 116 e 118 të këtij ligji.
2. Të ardhurat nga vjelja e kundërvajtjeve administrative derdhen në Buxhetin e Shtetit.
3. Shfuqizohet

Neni 134/1
Dënimet dhe masat e tjera

Gjoba është dënim kryesor, ndërsa masat e tjera të parashikuara në këtë ligj klasifikohen me
arsyetim nga vetë Veterinari Zyrtar Shtetëror, sipas nevojave të rastit në masa profilaktike, masa urgjente
apo dënime plotësuese.

Neni 135
Ankimi

Kundër vendimit të Veterinarit Zyrtar Shtetëror mund të bëhet ankim administrativ, në përputhje
me ligjin për inspektimin në Komisionin e Apelimit. Organizimi dhe funksionimi i këtij organi kolegjial
përcaktohen, me vendim të autoritetit kompetent të përcaktuar në këtë ligj. Kundër vendimit të Komisionit të Apelimit mund të bëhet ankim në gjykatën kompetente, në përputhje me ligjin për inspektimin

Neni 136
Aktet nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 7 pika 2, 11 pika 2, 49 dhe 54 pika 2, nenit 82 pika 6 të tij.
2. Ngarkohet ministri që, brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 6 pika 1, 9 pika 2, 12 pika 4, 21 pika 7, 24 pika 5, 33 pikat 4 dhe 6, 34 pika 1, 39 pika 5, 41 pika 2, 45 pika 3, 51 pika 2, 55 pika 1, 61 pika 3, 65 pika 3, 67 pika 4, 68 pika 5, 72 pikat 2 dhe 4, 81 pikat 2 dhe 3, 82 pikat 3, 4 dhe 5, 84 pika 3, 85 pika 1, 88 pika 1, 92 pika 3, 94 pika 6, 96 pika 3, 102 pika 6, 120 pika 6, 121 pikat 2 dhe 3, 123 pika 2, 124 pika 2 dhe 134 pika 3 të tij.
3. Ngarkohen ministri dhe Ministri i Financave që, brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrin aktet nënligjore në zbatim të nenit 7 pika 3, 37 pika 2, 44 pika 2, 120 pika 3 dhe 125 pika 3 të tij.
4. Ngarkohen ministri dhe ministri përgjegjës për mjedisin që, brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrin aktin nënligjor në zbatim të nenit 78 pika 3 të tij.

Neni 137
Licencimi i veprimtarive

Veprimtaritë e kryera për qëllime të natyrës ekonomike, tregtare, profesionale dhe çdo natyre tjetër të ngjashme, përveç atyre të natyrës vetjake, që parashikohen në këtë ligj, licencohen sipas kategorive e nënkategorive respektive të fushës II të shtojcës së ligjit nr. 10 081, datë 23.2.2009 “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar

Dispozitë kalimtare (LIGJI Nr. 70/2013 datë 1.3.2013)
Organi ekzistues inspektues vazhdon të ushtrojë funksionin e vet sipas organizimit aktual deri në
krijimin e organit të ri, sikurse parashikohet në ndryshimet e bëra në këtë ligj.

KREU XI
DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 138
Shfuqizimet

1. Ligji nr. 9308, datë 4.11.2004 “Për shërbimin dhe Inspektoratin Veterinar”, shfuqizohet.
2. Deri në daljen e akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji, mbeten në fuqi aktet nënligjore në zbatim të ligjit nr. 9308, datë 4.11.2004 “Për shërbimin dhe Inspektoratin Veterinar”, për aq sa përputhen me ligjin në fuqi.

Neni 139
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.7125, datë 18.10.2011 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi

Share This


0
0
0
Loading...

Return to “Legjislacion - Mjekesia Veterinare”

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 1 guest