Mbi “Pyjet virgjër” në Shqipëri

User avatar
Prof. Dr. Anesti Postoli
Posts: 9
Joined: 23 Mar 2017, 11:12
Vendodhja: Tiranë
Profesioni: Inxhinier Pyjesh
Puna qe ben: Pedagog ne Fakultetin e Shkencave Pyjore UBT
Rreth Jush: Kam mbaruar Fakultetin e Pyjeve pjeserisht ne Rumani ( vitin e I-re dhe te II- te ) dhe pjeserisht ne Fakultetin e Shkencave Pyjore te UBT ne vitin 1964.
Kam punuar si inxhinier Pyjesh ne Drejtorine e Pyjeve Fushe Arrez te Rrethit Puke, me pas si Pedagog, shef katedre, zv. Dekan dhe Dekan ne Fakultetin e Shkencave Pyjore UBT.
Autor programesh, tekstesh universitare ne fushat e Dendometrise Silvikultures, Mareshtrimit te Pyjeve dhe Biologjise dhe mbareshtrimit te faunes se gjuetise si dhe per problemet e pyjeve dhe te ekoomise se gjahut.

Mbi “Pyjet virgjër” në Shqipëri

Postby Prof. Dr. Anesti Postoli » 02 Apr 2017, 19:21

Mbi “Pyjet virgjer” ne Shqiperi

Që të flasësh për pyjet virgjër në plan vëndi është e nevojshme, mendoj unë,të jepen në fillim disa konsiderata të përgjithëshme mbi evolucjonin historik të kësaj mbulese bimore të asaj pjese të konsiderushme të kores së tokës që të gjithë në mënyrë përmbledhëse e quajnë “pyll”.
Sigurisht për ta bërë këtë është i domozdoshëm nga njëra anë një formim i mjaftushëm profesjonal në fushën e shkencave pyjore kurse nga ana tjetër , një njohje në një shkallë të caktuar e historisë së pyjeve si në plan global ashtu edhe në Shqipëri gjë që bëhet e mundur vetëm nëpërmjet studimit të literaturës teknike të fushës, shqyrtimit të dokumentave arshivore por edhe nëpërmjet punës direkte në teren në këtë sektor sa të bukur aq dhe të vështirë .
Duke i patur parasysh këto premisa mund të themi se historia e pyjeve në teritorin që sot përfshin vëndi ynë integrohet, nga fillimet e saj deri në shpalljen e shtetit shqipëtar të pavarur, me historinë e pyjeve të krejt kontinentit europjan e në mënyrë më specifike me atë të zonës së mesdheut ku vëndi ynë bën pjesë.
Kështu mund të themi me mjaft siguri se modelimi i strukturës së mbulesës vegjetale që paraqet sot kontinenti europjan në brezin prej zonave boreale deri në ato mesdhetare e ka zanafillin në periudhën e pleistocenit të epokës gjeologjike të kuaternarit kur ndodhën katër faza akullnajore prej të cilave e katërta d.m.th. akullnaja Wurm i dha dorën e fundit strukturës në fjalë gjë që ndodhi nga 30 deri 10 mijë vjet më parë, interval kohor ky i cili përfshihet në periudhën parahistorike të zhvillimit të shoqërisë njerëzore. Nga kjo kohë e kanë origjinën masivet e mëdha pyjore të esencave kryesore të pyjeve të kontinentit europjan ku me tërheqien e akujve nga zona mesdhetare drejt asaj boreale u renditën me radhë në fillim pyjet e esencave kserofite, pastaj ato të dushqeve, aheve, robujve, hormoqeve, hartinës, e mështeknave . Sigurisht një renditje të ngjashme patën pyjet edhe në drejtimin altitudinal në masivet e larta malore si alpet, karpatet,malet ballkan, alpet dinarike vazhdim i të cilave janë edhe zonat kryesore malore të Shqipërisë pjesët e ulta të të cilave nuk u shkelën kurë plotësisht nga akujt.Gjatë kësaj periudhe pyjet mbulonin pjesën më të madhe të sipërfaqes së tokës, ishin tërësisht të virgjër përfshirë edhe ata të teritorit të vëndit tonë, ndërsa njeriu duke plotësuar nevojat e tij ndikonte mbi ekosistemet pyjore njëlloj si çdo konsumator tjetër që i nënështrohet ligjit preh-rëmbenjës i cili duke qënë një nga ligjet bazë të ekologjisë shpjegon ndër të tjera mbijetesën dhe vazhdimësinë e ekosistemit pyjor pra edhe të pyllit virgjër.
Reth 3500 vjet para krishtit filloi periudha historike e zhvillimit të shoqërisë njerëzore faza antike e të cilës shtrihet nga 3500 vjet para krishtit deri 478 vjet pas krishtit dhe përkon me kohën kur njeriu tashmë blegtor dhe bujk i formuar , mësoi të punojë metalet, shpiku shkrimin , krijoi qytetet duke bërë të lindë edhe nevoja për një jetë ekonomike, politike dhe kulturale të vërtetë. Gjatë kësaj periudhe të zhvillimit të shoqërisë njerëzore pyjeve ju është dashur të paguajnë haraçin e madh të civilizimit të shoqërisë njerëzore në mënyrë të veçantë në zonën e mesdheut përfshirë dhe teritorin e vëndit tonë ku për shkak të kushteve klimatike të favorshme ishte koncentruar pjesa më e madhe e njerëzve të kontinentit europjan . Gjatë kësaj periudhe u shfrytëzuan në stil të gjërë pyjet e virgjër të esencave mesdhetare e në mënyrë të veçantë masivet e dushqeve për shkak të akcesibilitetit të tyre ndaj qëndrave të banuara dhe brigjeve të detrave. Ishte kjo periudhë fundi i të cilës përkon me rënien e perandorisë romake të perëndimit që shkaktoi shkatërimin e sipërfaqeve të mëdha me pyje mesdhetarë e dushqe si kudo në mesdhe edhe në vëndin tonë të cilat u shndruan ose në sipërfaqe të çveshura ose në pyje të degraduar lisi , shkoze dhe esencash të tjera mesdhetare një pjesë të të cilave ne i shofim si të tilla edhe në ditët tona .
Gjatë fazës mesjetare të zhvillimit të shoqërisë e cila shtrihet nga viti 476 deri në vitin 1492 të erës sonë vazhdoi shfrytëzimi i pyjeve të dushqeve kudo në kontinentin europjan ritmi i të cilit u rëndua së tepërmi në fazën moderne të zhvillimit të shoqërisë (1492-1789) kur në vëndet kryesore të Europës filloi epoka industriale e zhvillimit e cila pati nevoja të mëdha për energji që në atë periudhë nuk mund të përballoheshin veç se nga pyjet e sidomos ato të dushqeve, për vetitë e larta të lëndës së drurit që ato furnizonin, por pjesërisht edhe ato të ahut . Ishte kjo periudha kur pyjet e virgjër të dushqeve thuajse ishin shfrytëzuar plotësisht duke mbetur pa prekur vetëm pjesë të vogla të tyre në terene të pa mbritëshme . U prekën gjithashtu rëndë pyjet e halorëve dhe të ahut për shkak të nevojave që kishte zhvillimi i ndërtimeve dhe ngrohja e popullsisë të qyteteve që tashmë ishin krijuar. Si pasojë e këtyre proceseve shekulli i 20-të i gjeti teritoret e vëndeve më të zhvilluara pa pyje virgjër të cilët, në saje të aplikimit të metodave më të avancuara të silvikulturës,ishin zëvëndësuar nga pyje të kultivuar me prodhimtari të lartë,regjim trungishtesh të thjeshta me mosha të shkallëzuara por pa diversitetin biologjik dhe qëndrushmërinë e pyjeve virgjër e natyralë të origjinës.
Për shkak të izolimit gjeografik si pasojë e inakcesibilitetit të teritoreve me popullsi shqipfolëse këto zhvillime në plan mesdhetar dhe europjan nuk u ndjenë thuajse aspak gjë që bëri të mundur që pavarësia ( 1912) ta gjejë vëndin tonë me pjesën më të madhe të pyjeve të zonave malore të dominuara nga ahu, pisha e zezë, robulli, arneni, bredhi i bardhë dhe ai i maqedonisë me strukturë të virgjër ose natyrale dhe pjesën dërmuese të pyjeve të dushqeve dhe esencave të makjes mesdhetare të plotësisht të shfrytëzuara qysh në periudhën antike të zhvillimit të shoqërisë njerëzore dhe ripërtritura pastaj në rrugë vegjetative duke ju dhënë atyre natyrën e pyjeve me strukturë të çregullt, origjinë të përzjerë llastarore e farore shpesh të degraduara e pa fuqi lëndore për shkak të prerjeve abuzive dhe kullotës gjatë shekujve .
Me formimin e shtetit shqipëtar ( 1912) si në çdo fushë edhe në pyje u bënë përpjekje për një qeverisje e trajtim bashkëkohor të tyre por për shkak të mungesës totale të infrastrukturës dhe njohurive teknike si dhe nivelit të ulët të zhvillimit ekonomiko-shoqëror të vëndit këto përpjekje patën një ndikim të pandjeshëm në zhvillimin e kristalizimin e sektorit pyjor. Kështu po të përjashtojmë egzistencën e disa firmave italiane të cilat kishin marë me konçesion sipërfaqe të vogla pyjore për shfrytëzim si në Shëmëri-Sëriqe, Stravaj, etj, në pjesën më të madhe të vëndit punimet e shfrytëzimit të pyjeve bëheshin në nivel familjar për plotësimin e nevojave të popullsisë fshatare e cila në këtë periudhë përbënte mbi 90% të popullsisë , ndërsa për punime silvikulturale si pyllëzime, përmirësime etj, as që mund të bëhej fjalë.
Kjo gjëndje vazhdoi deri në fillim të luftës së dytë botërore dhe solli si pasojë që viti 1944 ta gjejë vëndin tonë, në linja të përgjithëshme, me mbi 300 mijë hektarë pyje ahu e bredhash dhe reth 100 mijë hektarë pyje pishash ( pishë e zezë, robull, arnen) me pak bungë shumica dërmuese me strukturë të virgjër ose natyrale fuqi lëndore e moshë të madhe por me mungesë totale infrastrukture dhe kapacitetesh teknike për vlerësimin e tyre, të vendosur teritorialisht në masive pyjore të maleve të larta si Vermosh, Fushëzesë, Bogë e Theth në zonën e Shkodrës, Valbonë dhe Lumi i Gashit në Trpopjë, Shëmri, Arën dhe Suroi në Kukës ,Kurorëdardhë, Munellë, Krab e Kaçinar në Pukë, Lurë, Prat-Selishtë, Masdejë e Rajcë në Peshkopi, Balgjai e Bizë-Martanesh në Burel, Qafë-Shtamë, e Lëpushë në Krujë, Stravaj, Sopot , Qarishtë e Stërblevë në Librazhd, Bishnicë në Pogradec, Gjinar e Zavalinë në Elbasan,etj, 300 mijë hektarë pyje lisi me strukturë të çregullt shpesh të degraduar e origjinë të përzjerë me fuqi lëndore të ulët (kryesisht dru zjari) të paisur me një infrastrukturë rudimentare të shtrirë në një brez të gjërë në altitudat mezatare thuajse në të gjithë vëndin dhe të ndikur fuqishëm nga ndërhyrja e njeriut , dhe 250 mijë hektarë shkure mesdhetare të drgraduara me pjesën më të madhe të sipërfaqes me pak ose pa fuqi lëndore të vendosuea në zonën e ulët e më të urbanizuar të vëndit.Për shkak të izolimit të plotë dhe mungesës thuajse totale të ndikimit të njeriut disa prej masiveve pyjore virgjër të përmëndura më lart kanë përbërë në këtë periudhë vlera të jashtëzakonëshme shkencore që nuk i kanë shpëtuar as vëmëndjes së studjuesve të huaj siç është rasti i Frederik Mark-Graf-it i cili në librin e tij “Pflanzengeografie Albaniens ” i karakterizon si vlera unike në europë masivet tona pyjore të Lurës , Vermoshit, Thethit, Lumit të Gashit, Rajcës , Stërblevës, etj.
Mbas vendosjes së regjimit komunist dhe mbylljes së vëndit brenda kufijve të një ekonomie autarkike , nevoja për burime të ardhurash ishte e jashtëzakonëshme dhe si kudo në botën e pa zhvilluar edhe në Shqipëri shfrytëzimi intensiv i burimeve natyrore e lëndëve të para u konsiderua si e vetmja zgjidhje e shpejtë dhe emergjente e nevojës për financim të fazës së parë zhvillimit ekonomik të vëndit me shpresën që ai të pasohej nga një fazë e dytë kur një zhvillimi i shpejtë industrial ( i cili për arsye objektive ekonomiko-shoqërore të pa mara në konsideratë nuk erdhi kurë) do të zëvëndësonte financimet e ardhura nga shfrytëzimi shterues i burimeve natyrore .
Në këtë kontekst shfrytëzimi i pyjeve e në mënyrë të veçantë i atyre të pa prekur (pra virgjër ose me satrukturë natyrale) që përmbanin sasira të konsiderushme lënde druri shumica e të cilës lëndë punimi e cilësisë së lartë do të përbënte një nga objektivat kryesore të shtetit që, për tu aritur, kërkoi angazhimin e forcave të mëdha njerëzore teknike e materiale për hapjen e rrugëve ndërtimin e kantjereve dhe transportin e lëndës së drurit .Megjithëse ndërekohë ishte krijuar breznia e parë e specialistëve të pyjeve me formim relativisht të mirë të cilët ishin në gjëndje të kuptonin dhe aplikonin teknikat silvikulturale të kohës, vazhdoi të meret në mënyrë të ndërgjegjëshme nga pyjet çdo vit për reth katër dekada me radhë ( 1950-1990) një sasi lënde druri sa tre fishi i “mundësisë normale të shfrytëzimit”me shpresën që pastaj forcimi ekonomik i shtetit të krijonte mundësinë për përballimin e një periudhe pritjeje mbi 60 vjeçare gjatë të cilës shfrytëzimet do të ndërpriteshin thuajse plotësisht. Kjo solli si pasojë që deri nga fundi i viteve tetëdhjetë të ishin shfrytëzuar në shumicën dërmuese pyjet e vjetër me moshë mbi 100 vjet të virgjër apo me strukturë natyrale si dhe një pjesë e konsiderushme e pyjeve të klasës së pestë ( 81-100 vjet) dhe të katëret (61-80 vjet) të moshës. Megjithëse teknika e silvikulturale aplikuar në pyjet që u shfrytëzuan ishte e drejtë gjë që dëshmohet nga sigutimi i ripërtritjes natyrale në masën mbi 80% këto shfrytëzime masive pakësuan në mënyrë drastike fondin e prodhimit në volum gjë që e bëri emergjente ndalimin e plotë apo pakësimin e thekësuar të shfrytëzimeve industriale.
Ndrimi i regjimit politiko-shoqëror në fillim të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar e gjeti ekonominë pyjore të vëndit tonë në një gjëndje kolapsi, pa mundësi normale shfrytëzimi për shkak të mbarimit të pyjeve të klasave të larta të moshës e për pasojë pa burime financiare për të përballuar investimet e domosdoshme për qeverisjen dhe drejtimin e pyjeve dhe nevojat e tjera të kësaj dege të ekonomisë që tashmë numuronte një numur të konsiderushëm drejtorish të pyjeve, ndërmarje të shfrytëzimit të tyre dhe një armatë të tërë kuadrosh të larta dhe të mesme të profilit.Ishte kjo arsyeja përse u mbyllën të gjitha ndërmarjet shtetërore të shfrytëzimit të pyjeve prodhimi i të cilave mbante me lëndë të parë të gjithë industrinë e përpunimit të drurit që ishte krijuar dhe me dru zjari të gjithë popullsinë urbane dhe rurale të vëndit.
Por Shqipëria kishte dhe ka reth gjysmën e popullsisë që akoma jeton në zonat rurale popullsi e cila nuk mund të mbijetojë sidomos në zonat malore pa lëndën e drurit si i vetmi burim ngrohjeje dhe materiali ndërtimi për bujqësinë dhe pa pyllin si burim ushqimi dhe kullote për blegtorinë . Si pasojë kjo pjesë e popullsisë vazhdoi me lejë por më shumë pa lejë të shtetit të shfrytëzojë tashmë në mënyrë abuzive pyjet e rinj me mosha nën 50 vjet. Abuziviteti u shtua akoma më shumë po të kemi parasysh edhe faktin se, për mungesë alternativash punësimi, popullsia rurale përpiqet nëpërmjet kësaj rruge ikegale të plotësojë jo vetëm nevojat e saj por të sigurojë edhe një minimum të ardhurash duke e shitur lëndën e drurit në qytet për djegie . Po ti shtohet këtyre edhe fakti i lindjes mbas viteve nëntëdhjetë i një morie firmash private të shfrytëzimit të pyjeve të cilat vazhduan të shfrytëzojnë abuzivisht edhe ato pak burime që i kanë mbetur në qoshet e pa mbritëshme ekonomisë pyjore do të kuptohet qartë fakti përse sot thuajse të gjitha masivet pyjore të përmëndura më lart ose janë shkatëruar plotësisht ose janë në rrugën e shkatërimit proces i cili vazhdon edhe sot megjithëse të gjithë e dinë që ai duhet ndalur. Kjo dukuri po prek pa më të voglin dyshim edhe të ashtuquajturit “Parqe kombëtare”apo edhe “Zonat e mbrojtura” që në letër përfaqësojnë një përqindje jo të vogël nga sipërfaqia e përgjithëshme e pyjeve të vëndit .
Praktikisht sot kanë mbetur në gjëndjen e pyllit virgjër, pra pa u shfrytëzuar, vetëm dy ekonomi pyjore me sipërfaqe relativisht të konsiderushme dhe konkretisht :
1) Lumi i Gashit në Tropojë ;
2) Rajca në Dibër ;
dhe kjo për mungesë rrugësh transporti, si dhe disa qoshe të vogla të pa mbritëshme në pjesët më të thella të maleve të vëndit të cilat, për shkak të dimensjoneve të vogla që kanë dhe të presjonit të jashtëzakonshëm të popullsisë rurale dhe mikro-firmave private të shfrytëzimit, janë të destinuara të zhduken .
Këtu do të mbaronte pa lënë gjurmë historia e pyjeve virgjër në Shqipëri prandaj mendoj se edhe pse vonë duhet shpëtuar çka mund të shpëtohet duke shpallur një moratorium të plotë e të vërtetë për shfrytëzimin e pyjeve .

6 / 10 / 2014 Prof.Dr. Anesti Postoli
Mbajtur në Simpozjumin
e organizuar në Dajt nga :
projekti GOPA
Dr.Hartmut Muller

Share This


0
0
0
Loading...

Return to “Biologjia dhe Mbareshtrimi i Faunes. GJUETIA”

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 1 guest