Pylli një i sëmurë në "koma", ç'duhet bërë ?

User avatar
Prof. Dr. Anesti Postoli
Posts: 9
Joined: 23 Mar 2017, 11:12
Vendodhja: Tiranë
Profesioni: Inxhinier Pyjesh
Puna qe ben: Pedagog ne Fakultetin e Shkencave Pyjore UBT
Rreth Jush: Kam mbaruar Fakultetin e Pyjeve pjeserisht ne Rumani ( vitin e I-re dhe te II- te ) dhe pjeserisht ne Fakultetin e Shkencave Pyjore te UBT ne vitin 1964.
Kam punuar si inxhinier Pyjesh ne Drejtorine e Pyjeve Fushe Arrez te Rrethit Puke, me pas si Pedagog, shef katedre, zv. Dekan dhe Dekan ne Fakultetin e Shkencave Pyjore UBT.
Autor programesh, tekstesh universitare ne fushat e Dendometrise Silvikultures, Mareshtrimit te Pyjeve dhe Biologjise dhe mbareshtrimit te faunes se gjuetise si dhe per problemet e pyjeve dhe te ekoomise se gjahut.

Pylli një i sëmurë në "koma", ç'duhet bërë ?

Postby Prof. Dr. Anesti Postoli » 31 Mar 2017, 19:22

Pylli në Shqipëri, një i sëmurë në “koma’ ç’duhet bërë ?
Kaq shumë i dukshëm është bërë sot ky fakt në vëndin tonë sa rëndom dëgjon, nga të gjithë qytetarët pavarësisht nga mosha profesjoni gjëndja ekonomiko-shoqërore apo grupi i interesit, të thuhet ç’bëhet kështu me pyjet, përse u lejua të shkatërohen ato në këtë farë feje, përse u fshi nga faqia e dheut masivi pyjor i Lurës, i Kaçinarit, Kurorë-dardhës,Bozdovecit, etj, etj, përse edhe mbas shpalljes së moratoriumit të dytë ( pas atij të qeverisë Nano që ishte i pari) mbi shfrytëzimin e pyjeve përsëri prerjet, tregëtimi dhe eksporti i lëndës së drurit nuk ka ndaluar, deri kur do të vazhdojë kjo masakër e pashoq që vetëm në Shqipëri po bën “vaki” ?
Nuk mund të mos preokupohesh për këto konstatime që dalin nga shpirti i njerëzve pavarësisht se nuk janë specialistë të pyjeve apo nuk meren direkt me problemet e tyre. Vërtet lindin natyrshëm pyetjet : 1-Përse ndodhi kështu me pyjet në vëndin tonë? 2- Në ç’gjëndje janë aktualisht pyjet dhe çfarë mund të pritet sot prej tyre? 3-A mund të bëhet gjë për të arthmen e pyjeve dhe çfarë?
Sigurisht t’ju përgjigjesh në mënyrë shteruese këtyre pyetjeve nuk është e lehtë por unë do përpiqem të jap në vazhdim disa mendime të mijat .
1*Përse ndodhi kështu me pyjet në vëndin tonë ?
a-Ndodhi kështu sepse mendoj unë në radhë të parë në Shqipëri si gjatë regjimit komunist edhe në këto 25 vitet e post komunizmit dukuria “pyll” asnjëherë nuk u kuptua dhe aq më pak u respektua në esencën e tij nga të gjithë dhe kjo ka të bëjë jo vetëm me varfërinë dhe mungesën e burimeve ekonomike që në Shqipëri ishin dhe janë në shkallën më të lartë në krahasim me vëndet e tjera të kontinentit tonë por edhe me nivelin e përgjithshëm të zhvillimit ekonomik e sidomos kulturor në radhë të parë të atyre që e kanë drejtuar dhe e drejtojnë edhe sot këtë vënd në të gjitha nivelet. Po të shqyrtohet gjëndja e shteteve të tjerë të Europës do të konstatohet një korelacjon tepër i ngushtë pozitiv midis nivelit të zhvillimit të një vëndi dhe gjëndjes së pyjeve të tij . Kështu jo rastësisht mbulesën pyjore më të mirë e kanë vënde si Gjermania, Franca, Zvicra, shtetet Skandinave, Italia,Sllovenia e shumë të tjera si këto ku të gjithë e njohin dhe e respektojnë pyllin jo thjesht për prodhimet që jep dhe ndikimet mirëbërëse që sjell por si një dhuratë e zotit që tokës ja ka falur për ta mbrojtur dhe përjetësuar atë . E në këto kushte në këto vënde fjala e specialistit është e para që dëgjohet përpara se të bëhen plane e të meren vendime për ndarje e rindarje teritoriale, ndryshim pronësie, ndërvartësie e moratoriume, privatizime e falje teritoresh etj, etj .Ndodh kështu sepse nuk kuptohet që pylli për natyrën e tij që të mund të luajë rolin e pa zëvëndësushëm për të cilin zoti e ka krijuar operon me sipërfaqe të mëdha dhe afate të gjata kohe që si regull e tejkalojnë jetën e një njeriu fakt ky që nga njëra anë kërkon qëndrushmëri strukturash dhe përcjelljen e dokumentacjonit teknik nga një brez specialistësh në tjetrin , kurse nga ana tjetër është i pajtushëm më tepër me pronën e madhe publike dhe interesat e të gjithë shoqërisë se sa me pronën e coptuar apo interesat e një individi apo të një grupi të vogël pronarësh. Tek ne në të kundërtën ka egzistuar dhe egziston edhe sot një moskuptim e injorim i pa parë i asaj fushe të dijes që meret me fenomenin pyll “silvikulturën ” e cila përmbledh teorinë dhe praktikën e qeverisjes dhe trajtimit të pyjeve krijuar e formuluar gjatë 3-4 shekujve të fundit kur burimet pyjore filluan të jenë të pa mjaftushme në radhë të parë në vëndet e zhvilluara të Europës nga studjuesit më në zë të kësaj fushe . Nëpërmjet metodave të saj sigurohet vjelja nga pyjet e materialit drusor dhe e prodhimeve të tjera pyjore duke garantuar njëkohësisht vazhdimësinë e mbulesës pyjore e cila në fakt përbën “makinën” e procesit të prodhimit pyjor.Tek ne fatkeqësisht, duke analizuar faktet dhe veprimet reale që vihen re përditë nga shumëkush , mund të konstatohet se shumica janë të mendimit se “silvikultura “ bëhet thjesht “duke prerë e mbjellë drurë” pavarësisht se çfarë mbjell, ku i mbjell dhe si i mbjell, si pasojë të gjithë pavarësisht nga formimi i tyre profesjonal janë në gjëndje të japin mendime për pyjet edhe për probleme kardinale, të gjithë e dinë se si mund të zgjidhen pa vështirësi ato duke dhënë për këtë edhe receta absurde e duke e bërë të pa kuptimtë egzistencën e specjalistëve të këtij paofili sidomos të atyre me arsim të lartë . Një botkuptim i tillë ka çuar tek fakti që sot në vëndin tone në fushën e “ekonomisë pyjore” të mbahen qëndrime nga më absurdet e të bëhen veprime nga më të pa tolerushmet të cilat pa dyshim do të kenë pasoja të pa riparushme në të arthmen .
b-Duke konfonduar “mjedisin” vetëm me “pyjet” gjatë qeverisjes Berisha shkëputen këto të fundit nga “Ministria e Bujqësisë” dhe i jepen në vartësi “Ministrisë së Mjedisit ” duke haruar se mjedisi përbëhet jo vetëm nga pyjet që përfshijnë vetëm një të tretën e teritorit të vëndit por edhe nga fushat e bujqësisë, kullotat, sipërfaqet shkëmbore e inproduktive, teritoret e qëndrave të banuara, sipërfaqet e ujrave të brendëshme e të linjave të transportit, zonat e nxjerjes së naftës, sipërfaqet e plazheve e të qëndrave turistike etj, të cilat përfshijnë dy të tretat e tjera të këtij teritori.Ky fakt nuk bën gjë tjetër veç se ja ngarkon pa të drejtë sektorit pyjor të gjitha problemet që kanë të bëjnë me mjedisin duke i lënë sektorët e tjerë të livadhisin si të duan lidhur me problemet e ndotjes së tij e duke e nxjerë padrejtësisht ekonominë pyjore nga cikli i prodhimit të të mirave materiale për ekonominë e vëndit ;
c-Përballë sakrifikimit të pyjeve natyralë të ahut, bredhave,pishës së zezë, bungës e panjës siç ka ndodhur në masivet e përmëndura në fillim të këtij artikulli, vendosen në kronikat televizive “mrekullitë” që bëhen gjatë të ashtuquajturit muaj të pyjeve me mbjelljen e disa fidanave akacjeje apo pishe të egër në kodrat afër ndonjë qyteti apo të plepit në ndonjë zallishte lumi me shpresën se kështu do të zëvëndësohen pyjet e shkatëruar, “mrekulli” këto që nga njëra në shpërdorojnë fonde të konsiderushme të ofruara për këtë qëllim nga të huajt por edhe nga shteti ynë , kurse nga ana tjetër demonstrojnë më së miri atë çka ne enoncuam intuitivisht pak më parë ;
d-I të njëjtës natyrë është edhe veprimi tjetër radikal i ndërmarë nga shteti për transferimin e pjesës dërmuese të sipërfaqes së pyjeve të vëndit komunave nga qeveria Berisha dhe tani bashkive nga qeveria Rama mbas ndarjes së re teritoriale transferim i cili , jo vetëm që asnjëherë nuk u kuptua qartë në se është në përdorim apo në pronësi por edhe u bë duke injoruar e fshirë nga faqia e dheut gjithçka ka egzistuar më parë në këtë sektor i cili element thelbësor në organizimin e tij ka pikërisht teritorin . Kështu nuk u muar parasysh se prej më se pesëdhjetë vitesh prodhimi pyjor ishte organizuar mbi bazën e “ekonomive pyjore” si njësi prodhimi për sejcilën prej të cilave ishin hartuar plane mbarështrimi me shumë mund e shpenzime si gjatë periudhës së kaluar ashtu edhe në këto 25 vitet e fundit duke i nxjerë këto plane praktikisht jashtë përdorimit.Nga ana tjetër edhe pse kishin nevojë të pa diskutushme për reformim prishja e drejtorive të pyjeve në mënyrë të rufeshme jo vetëm la pa punë qindra kuadro të larta e të mesme pyjesh por çka është më e rëndësishme shkatëroi rjetin e dokumentacjonit teknik dhe ritmikën e punës për trajtimin dhe sidomos mbrojtjen e pyjeve gjë që i hapi rrugë amullisë dhe ilegalitetit e solli si pasojë gjëndjen katastrofike që shikojmë sot .Ndarja e re teritoriale nuk mund të mos merte parasysh problematikën e pyjeve duke tentuar në shumë raste në coptimin e masiveve pyjore të vendosur kryesisht në zonat më të larta malore si thela shalqini midis bashkive të ndryshme.
e Duke e shkëputur pa të drejtë ekonominë pyjore nga Ministria e Bujqësisë u haruan gjithashtu atributet prodhuese të pyllit mbi të cilat mbështetet në përqindjen më të madhe jetesa e mbi 40% të popullsisë së vëndit që akoma jeton në zonat rurale e që e kanë pyllin alternativën e vetme si përsa i përket furnizimit të saj me lëndë djegëse dhe ndërtimi, ashtu edhe për sigurimin e kullotës dhe rezerves ushqimore për dimër për blegtorinë ekstensive. Por atributet prodhuese të pyjeve nuk lidhen vetëm me pjesën rurale të vëndit por edhe me pjesën e urbanizuar d.m.th. me qytetet, transportin, sektorin e ndërtimit, industrinë e drurit, etj , të cilat në përqindje të ndryshme marin prej pyllit lëndën e drurit.I trajtuar me teknikën e duhur silvikulturale, pylli si ekosistem i veçantë është në gjëndje të plotësojë përveç funksjonit të prodhimit edhe funksjone të tjera siç janë mbrojtja e tokës dhe ujrave, përmirësimi i parametrave ekologjikë të klimës, ruajtja e florës dhe të faunës, etj, të cilat lidhen në mënyra të natyrshme me vetë egzitencën e tij si ekosistem kompleks e vetëregullues. Silvikultura si teori shkencore dhe si aktivitet praktik ka lindur pikërisht për të bërë të mundur që pylli të plotësojë në nivelin më të lartë të mundëshëm të dy këto kategori funksjonesh, por problemi ëshë se kush pyet tek ne se ç’thotë silvikultura! Si degë e veçantë e shkencës së bujqësisë “Silvikultura”nuk është thjesht një aktivitet praktik, por është në radhë të pare një disipline shkencore e bazuar mbi parime bioekologjike.Teknika silvikulturale që zbatohet në praktikë nga pylltarët rjedh nga përkthimi rigoroz në norma të kultivimit dhe konservimit të pyjeve, të asaj ç’ka është aritur nga studimi, kërkimi dhe eksperimentimi afatgjatë në këtë fushë dhe në se është kështu atëhere si mund të jepen zgjidhje të nivelit strategjik për ç’ka duhet bërë në pyje, vetëm me urdhëra administrative duke vënë në krye të këtyre veprimeve specjalistë apo politikanë jo të profilit apo vetëm pylltarë të terenit pa studjuar më pare efektet që do të kenë këto veprime mbi ekosistemin pyjor, rikuperimi i të cilave është në shumicën e rasteve i pa mundur mbas egzekutimit.
Pylli është një fond me interes publik që duhet kujdesuar e mbrojtur ashtu sikurse kujdesohet, ruhet dhe mbrohet shtëpia personale. Arsyeja është lehtë për tu shpjeguar : sepse nga funksjonaliteti i sistemit pyll varet cilësia e jetës tone dhe e brezave të ardhshëm dhe kjo është arsyeja përse silvikultura është një fushë e respektuar e dijes kudo në botën e qytetëruar.
Silvikultura nuk është vetëm dhe vetëm një aktivitet i pylltarëve, por është mbi të gjitha një aktivitet “ekspertësh” që përdorin njohuritë më të mira shkencore të disponushme për t’i ofruar një shërbim shoqërisë. Motoshara është një instrument njëlloj si instrumentat e matjes, njëlloj si mjetet teknologjike, njëlloj si aparatet e laboratorit , njëlloj si traktori për pregatitjen e terenit për mbjellje dhe pikërisht për këtë ajo duhet përdorur nga pylltarët me kujdes, vazhdimësi dhe kapilaritet, gjithmonë nën drejtimin e inxhinierit të pyjeve, në interes të pyllit, sepse interesi i pyllit është edhe interesi i pronarëve, i punëtorëve pylltarë, e mbi të gjitha i shoqërisë.
2*-Në ç’gjëndje janë aktualisht pyjet e çfarë mund të pritet sot prej tyre?
a-Duke patur parasysh se cikli i prodhimit për esencat kryesore pyjore që ka vëndi ynë si ahu, bredhat, pishat e lartësive, panjat e bunga, të cilat përbëjnë thelbin e ekonomisë pyjre në Shqipëri e që të gjitha së bashku nuk okupojnë më shumë se një të tretën e sipërfaqes totale prej një miljon hektarësh pyje që deklarohet se kemi është 100-120 vjet, duhet kuptuar e pranuar pa qënë nevoja të bëhet ndonjë “inventarizim tjetër kombëtar” se pyjet e “shfrytëzushëm” pra ata që duhen prerë e që vlejnë për ekonominë e industrinë e drurit, i takojnë dy klasave të fundit të moshës pra mbi 80 vjet të cilët në shumicën dërmuese të tyre (vlerësoj mbi 90%) kanë mbaruar.Ky fakt është i tillë sepse gjatë regjimit të kaluar përpos punës teknikisht korekte të bërë gjatë procesit të shfrytëzimt të pyjeve demonstruar nga sigurimi i ripërtritjes natyrale në masën mbi 80% u hoq nga pyjet një sasi lënde druri që e tejkalonte me të tepërt “mundësinë normale të shfrytëzimit” gjë që solli si pasojë faktin tjetër me sens të kundërt që sot të mos kemi më pyje të shfrytëzushëm sepse pyjet më të vjetër të ripërtritur mbas shfrytëzimit nuk janë më shumë se 50-60 vjeçarë, pra nuk kemi më çfarë të shfrytëzojmë ! Kjo demonstrohet me faktin e mbylljes totale të ndërmarjeve të shfrytëzimit të pyjeve të cilat egzistonin në të gjitha rrethet e vëndit që kishin rezerva pyjore të rëndësishme.
b-Por, si “dje” edhe “sot” populli ka nevojë për lëndë druri si në zonën rurale ku ajo është e vetmja alternativë mbijetese por edhe në zonat urbane ku qytetarët kanë filluar të ndërtojnë oxhaqe e të djegin dru pa menduar se në pikat e shitjes së tyre “kullojnë pikat e fundit të gjakut të pyjeve tanë” se priten e shiten edhe ato pak drurë që kanë mbetur nga gjenerata e vjetër e pyjeve të ahut strukur në qoshet e luginave malore të cilët për mungesë të rrugëve i kanë shpëtuar deri më sot sëpatës. Por priten, përdoren dhe shiten edhe pyje të rinj 60, 50, 40, 30 vjeçarë bile edhe më të rinj, duke e bërë të pa shpresë ndalimin e masakrës e duke i çuar pyjet e vërtetë drejt zhdukjes së sigurt .
c- Për dy të tretat e tjera të sipërfaqes totale të pyjeve të vëndit të cilat, gjysma janë dushkaja të degraduara të përbëra nga lloje mesdhetare kryesisht me origjinë vegjetative dhe gjysma makie mesdhetare gjetherënëse e gjethembajtëse, çshtja ka një panoramë tjrtër. Të dyja këto kategori të mbulesës pyjore të vëndit janë pa ose me fuqi lëndore të ulët dhe përbëhen nga drurë të rallë e të deformuar në përgjithësi të vlefshëm për të dhënë sasira jo të rëndësishme drush zjari të cilësisë së ulët, pavarësisht se nga pamja e jashtëme shpesh kur ndërpritet për një periudhë kullota apo prerja e gjethit ofrojnë një panoramë të gjelbër që progreson e që për një sy jo specialisti mund të konsiderohet ringjallje e pyllit . Në të vërtetë në themel të këtyre pyjeve janë po ata drurë të shtrembër e të deformuar që ntrashen pak më shumë por që janë të aftë të furnizojnë përsëri vetëm dru zjari e fare pak lëndë punimi. Eshtë e kuptushme që mbi këto dy kategori të mbulesës pyjore të vëndit mbështetet si blegtoria ekstensive për kullotë por dhe për sigurimin e bazës ushqimore për periudhën e dimrit, ashtu edhe zgjerimi i pemtarisë, vreshtarisë e olivikulturës mbasi këto dy kategori të mbulesës pyjore shtrihen në pjesën më të urbanizuar e të ngrohtë të vëndit ku klima është më e favorshme për zhvillimin e këtyre sektorëve të rëndësishëm të bujqësisë të cilët sigurisht kanë dhe duhet të kenë përparësi.Dushkajat dhe makia përfaqësojnë pjesën më të shkatëruar të mbulesës pyjore të vëndit e cila vazhdon të shfrytëzohet barbarisht nga fshatarësia duke e ritur më tej shkallën e degradimit e duke përshpejtuar me ritme të frikëshme shkretëtirëzimin e teritorit.
3*-A mund të bëhet gjë për të arthmen e pyjeve dhe çfarë ?
Sigurisht që diçka mund dhe duhet të bëhet por ajo përmendimin tim nga njëra anë nuk përputhet me atë çka po bëhet sot në pyje kurse nga ana tjetër kërkon sakrifica jo të vogla që në asnjë rast nuk janë rozë . Sipas motivimit dhe urgjencës që mendoj se kanë masat që mund të meren në fushën e pyjeve mund ti kategorizojmë si më poshtë :
a-“Salvare il salvabile”thonë italianët, pra të shpëtojmë çka mund të shpëtohet që do të thotë të shpëtojmë nga zhdukja totale pyjet e vërtetë të përbërë nga esencat kryesore të vëndit të cilat shtrihen në zonat fitoklimatike “të ahut”dhe “të robujve” zona të cilat mendoj të konsiderohen zona me përparësi pyjore. Në kuadrin e tyre të veçohen si njësi të mëdha prodhimi masivet pyjore të njohura të vëndit pavarësisht nga madhësia e tyre si p.sh. masivi Bizë-Martanesh, masivi Kurorë-Dardhë, masivi i Lurës etj . Çdo njësi e tillë të konsiderohet pronë publike e shtetit, të ketë karakterin e një mikro ndërmarjeje apo ferme pyjore me aktivitet ekonomik dhe administrativ të vetin dhe vartësi vetëm nga ministria . Për sejcilën nga këto njësi prodhimi të hartoen plane mbarështrimi që duhet të revizjonohen çdo dhjetë vjet në kuadrin e të cilëve të planifikohet vazhdimësia e procesit të vjeljeve proces i cili do të ketë pa dyshim “periudhën e tij të pritjes” që mishëron në fakt sakrificën që shoqëria duhet të bëjë sot si pasojë e abuzimit me mundësinë normale të shfrytëzimit që është bërë më parë.Mendoj që në këto njësi prodhimi duhet të ndalohet çdo aktivitet që ka të bëjë me kullotën apo prodhimin e gjethit si ushqim alternativ për blegtorinë në dimër.Këto njësi prodhimi do të kontribuojnë në furnizimin e një sasie lënde druri për ekonominë e vëndit sipas nevojave kulturale për prerje që ka pylli por nuk mund të garantojnë gjatë periudhës së pritjes plotësimin e nevojave as të fshatarësisë dhe as të industrisë së drurit e qyteteve për një periudhë jo të shkurtër e cila është 50 – 60 vjeëare . Në se veprohet ndryshe perspektiva janë malet tashmë të xhveshura të Lurës, Kaçinarit apo Bozdovecit etj, por edhe erozjoni e përmbytjet.
b-Pjesa tjetër e mbulesës pyjore të vëndit d.m.th. dushkajat dhe makia mesdhetare që i takon zonës fitoklimatike që mbajnë të njëjtin emërtim e që mbulojnë dy të tretat e sipërfaqes prej një miljon hektarësh, për mbijetesën e fshatit, është e drejtë të ndahet sipas ndarjes së re teritoriale midis bashkive e të konsiderohet sikurse është vendosur pronë publike e pushtetit lokal me vartësi vetëm nga drejtoritë e pyjeve që janë duke u krijuar në kuadrin e administratës së bashkive nën monitorimin e ministrisë.Në kuadrin e këtyre zonave mund të themelohen njësi prodhimi të mëdha prej 3 – 4 mijë hektarësh cungishtesh të regullta atje ku sipërfaqet e mbuluara me dushqe apo me lloje të vlefsh të makies janë të mëdha dhe në gjëndje të mirë vegjetative mbas ricungimit gradual dhe një periudhë pritjtjeje prej 25-30 vjeçare pas të cilës ato do të jenë në gjëndje ti japin ekonomisë së vëndit sasi të rëndësishme drush zjari e lënde ndërtimi të cilësisë së lartë si dhe mundësinë për konversjon të një pjese të tyre në trungishte në një të arthme më të largët .Për këtë vëndi ynë ka mjaft përvojë mjafton të kujtojmë Gëziqen, Lufin, Helshanin etj.Por sidoqoftë për këtë duhet të vendosi sipas rastit pushteti lokal mbasi krijimi i njësive të tilla të prodhimit shoqërohet me ndalim kollote për periudha të caktuara, investime etj .
c-Mbyllja e pikave të shitjes së druve të zjarit të prodhuara brenda vëndit dhe lejimi i këtij lloj biznesi vetëm me dru zjari të importit.
d-Vendosja nën kontroll e monitorim të reptë, nga njësitë shtetërore të prodhimit dhe drejtoritë e pyjeve të bashkive, të firmave private që meren me shfrytëzimin e pyjeve .
e-Ritja e investimeve në pyje sidomos per pyllezimin e sipërfaqeve të mëdha të çveshura të cilat do ti shtohen gradualisht fondit pyjor të vëndit.
Kështu mendoj se duhet vepruar në se duam të shpëtojmë vëndin nga shkretëtirëzimi për tu lënë diçka edhe brezave të ardhshëm .
18/08/2016 Prof.Dr. Anesti Postoli

Share This


0
0
0
Loading...

Return to “Silvikultura”

Who is online

Users browsing this forum: No registered users and 1 guest